Të bashkuar me gëzim me Jehovain dhe Birin e tij
Më 28 mars do të kremtohet ngjarja më e rëndësishme e vitit
1 Duke kremtuar Darkën e Zotërisë pas perëndimit të diellit, më 28 mars 2002, tregojmë se jemi të bashkuar me gëzim me Perëndinë Jehova dhe me Jezu Krishtin. Në këtë rast shumë të veçantë, mbetja e të krishterëve të mirosur do të gëzojë ‘pjesën’ e veçantë që ka me trashëgimtarët e tjerë të Mbretërisë, me Atin dhe me Birin e tij. (1 Gjon. 1:3; Efes. 1:11, 12) Miliona nga ‘delet e tjera’ do të meditojnë rreth mundësisë së pashoqe që kanë për t’u bashkuar me Jehovain dhe Birin e tij, duke qenë në një zemër e mendje me ta në kryerjen e veprës së Perëndisë!—Gjoni 10:16.
2 Duke punuar së bashku në një marrëdhënie të ngushtë: Jehovai dhe Jezu Krishti kanë qenë gjithnjë të bashkuar me gëzim. Ata gëzuan një shoqëri të ngushtë për periudha të pallogaritshme kohe para krijimit të njeriut. (Mik. 5:2) Kështu, ndërmjet të dyve u zhvillua një lidhje e ngushtë e përzemërsisë së butë. Si personifikim i mençurisë, ky Bir i parëlindur në ekzistencën e tij paranjerëzore mundi të thoshte: «Isha ai, të cilin [Jehovai] e kishte veçanërisht për zemër ditë për ditë, duke u gëzuar para tij gjithë kohës.» (Prov. 8:30, BR) Periudhat e pallogaritshme në shoqëri të ngushtë me Burimin e dashurisë, sigurisht që patën një ndikim të thellë te Biri i Perëndisë.—1 Gjon. 4:8.
3 Duke pasur parasysh nevojën e njerëzimit për t’u shpenguar, Jehovai zgjodhi Birin e tij të vetëmlindur, i cili i kishte veçanërisht për zemër njerëzit, për të siguruar flijimin shpërblerës që është shpresa jonë e vetme. (Prov. 8:31) Ashtu si Jehovai dhe Biri i tij janë të bashkuar në kryerjen e një qëllimi, edhe ne qëndrojmë të bashkuar me ta, si dhe me njëri-tjetrin të lidhur nga një dashuri e fortë, duke bërë me gëzim vullnetin e Perëndisë.
4 Tregojmë mirënjohjen nga zemra: Duke qenë të pranishëm në Përkujtim e duke dëgjuar me kujdes e me respekt, mund të tregojmë mirënjohjen tonë të sinqertë për dashurinë e Jehovait dhe flijimin e Birit të tij për ne. Në Përkujtim do të theksohet shembulli i dashurisë së Jezuit, besnikëria e tij deri në vdekje për të siguruar shpërblesën, sundimi i tij si Mbret i Mbretërisë së vendosur nga Perëndia, si dhe bekimet që do t’i sjellë kjo Mbretëri njerëzimit. Gjithashtu, në këtë rast do të na kujtohet se është e nevojshme ta tregojmë vazhdimisht besimin tonë, duke punuar me zell në harmoni me vullnetin e Jehovait si «bashkëpunëtorë në të vërtetën».—3 Gjon. 8; Jak. 2:17.
5 Të ndihmojmë të tjerët të marrin pjesë me ne: Trupi i pleqve duhet të bëjë një përpjekje të veçantë për t’u dhënë zemër të gjithë Dëshmitarëve joaktivë në territor që të ndjekin Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. (Mat. 8:12, 13) Të bëhet një listë e atyre që duhen vizituar, me qëllim që të mos kalohet asnjë pa u vënë re e të ftohen të gjithë personalisht.
6 A njohim të tjerë që mund të vijnë në Përkujtim? Të marrim iniciativën për të ndërtuar çmueshmërinë e tyre për këtë rast. T’i ftojmë me ngrohtësi e t’i bëjmë të ndihen të mirëpritur. Le të bëjmë gjithë sa mundemi për të ftuar në këtë ngjarje që është më e rëndësishmja e vitit të gjithë studentët tanë të Biblës e personat e tjerë të interesuar, anëtarët e familjes dhe të njohurit. Dobitë e shpërblesës janë në dispozicion për këdo që mëson ‘vlerën e pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu’. (Filip. 3:8) Ata që ushtrojnë besim në flijimin e Krishtit mund të fitojnë shpresën e patundur të jetës së përhershme.—Gjoni 3:16.
7 Të mos e nënvlerësojmë kurrë ndikimin që mund të ketë Përkujtimi te personat e sinqertë. Dy vjet më parë, në vendin ishullor të Papua Guinesë së Re, 11 persona të interesuar udhëtuan me një barkë të vogël për 17 orë nëpër det të trazuar për të qenë të pranishëm. Përse? Ata thanë: «Donim të kremtonim Përkujtimin e Krishtit me adhuruesit e tjerë të Jehovait; prandaj ky udhëtim vërtet ia vlente.» Le të mendojmë për zellin e treguar nga këta persona të interesuar, si dhe për çmueshmërinë që të ishin të bashkuar me gëzim me Jehovain, Birin e tij dhe vëllazërinë e krishterë!
8 T’u ofrojmë një studim biblik të gjithë personave të interesuar. T’i nxitim që të ndjekin rregullisht mbledhjet e kongregacionit dhe të ndajnë me të tjerët të vërtetat që po mësojnë. T’i ndihmojmë ‘të ecin në dritë’ dhe ‘ta praktikojnë të vërtetën’ duke zbatuar parimet biblike në jetën e tyre. (1 Gjon. 1:6, 7) T’i ndihmojmë që të zhvillojnë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain dhe të vazhdojnë të rritin çmueshmërinë për privilegjin që kanë për të bërë vullnetin e tij të bashkuar.
9 Çfarë privilegji i mrekullueshëm është të jemi të bashkuar me gëzim «në një frymë, duke u përpjekur krah për krah me një shpirt për besimin e lajmit të mirë»! (Filip. 1:27, 28) Le ta presim me padurim shoqërimin e këndshëm me njëri-tjetrin në Përkujtim, më 28 mars, duke qenë gjithnjë mirënjohës ndaj Jehovait dhe Birit të tij!—Luka 22:19.