Kutia e pyetjes
◼ Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur përdorim telefonat celular dhe aparatet sinjalizuese?
Këto pajisje na japin mundësinë të bisedojmë me të tjerët pothuajse në çdo vend që mund të jemi. Kjo gjë mund të jetë vërtet e dobishme. Megjithatë duhet të bëjmë kujdes që të mos i përdorim celularët ose aparatet sinjalizuese në një kohë të papërshtatshme, sepse mund të na shpërqendrojnë gjatë shërbimit ose gjatë mbledhjeve të krishtere. Si mund të ndodhë një gjë e tillë?
Të mendojmë për efektin që do të kishte rënia e ziles së celularit ose e aparatit sinjalizues në kohën që jemi duke dhënë dëshmi në shërbim. Çfarë do të mendonte pronari i shtëpisë? Çfarë përshtypje do t’i linim po ta ndërpritnim bisedën me të për t’iu përgjigjur thirrjes? Sigurisht që nuk do të donim të bënim asgjë që mund t’i pengonte të tjerët të dëgjonin mesazhin e Mbretërisë. (2 Kor. 6:3) Prandaj, nëse mbajmë me vete një celular ose një aparat sinjalizues, duhet të marrim masa që të mos na ndërpresë as ne e as të tjerët gjatë kohës që jemi të angazhuar në shërbim.
Po në rastin kur jemi duke pritur ndërkohë që të tjerët japin dëshmi? Nëse kemi caktuar një periudhë kohe për shërbimin në fushë, a nuk duhet ta mbajmë mendjen të përqendruar te kjo veprimtari? Të shtyrë nga respekti për shërbimin tonë të shenjtë, jemi të lutur që të kujdesemi në një kohë tjetër për çështjet personale ose interesat shoqërore që nuk janë dhe aq të rëndësishme. (Rom. 12:7) Sigurisht që kjo nuk e përjashton përdorimin e telefonit për të dhënë dëshmi të mëtejshme ose për të marrë ndonjë takim për këtë qëllim.
Duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm në lidhje me përdorimin e telefonit celular kur i japim makinës. Disa studime tregojnë se duke vepruar në këtë mënyrë, rreziku për të bërë ndonjë aksident është shumë më i madh. Duhet t’i përmbahemi me përpikmëri çdo ligji që e kufizon përdorimin e telefonit celular ndërkohë që i japim makinës.
Në mbledhjet e krishtere, në asamble dhe në kongrese vijmë për të adhuruar Jehovain dhe për t’u mësuar prej tij. A nuk duhet të na nxitë çmueshmëria për shenjtërinë e këtyre rasteve që t’i rregullojmë celularët dhe aparatet sinjalizuese në një mënyrë që të mos na shpërqendrojnë as ne e as të tjerët gjatë programit? Nëse është një çështje urgjente që kërkon vëmendjen tonë të menjëhershme, duhet të merremi me të jashtë vendit të mbledhjes. Nëse nuk është e tillë, më mirë të marrim masa për t’u kujdesur për çështjet personale dhe ato jofetare jashtë kohës së caktuar për adhurim.—1 Kor. 10:24.
Me mënyrën se si e përdorim celularin ose ndonjë pajisjeje tjetër elektronike, le të tregojmë gjithmonë respektin për të tjerët dhe çmueshmërinë tonë të thellë për gjërat frymore!