Të shmangim rendjen pas «kotësive»
1 Një nga mjetet më të përhapura të komunikimit sot është posta elektronike (E-mail). Përdorimi i këtij mjeti për t’u komunikuar familjarëve dhe miqve përvojat personale apo edhe mendimet mund të jetë diçka e përshtatshme. Megjithatë, çfarë ‘kotësish’ mund të lidhen me përdorimin e pakufizuar të postës elektronike?—Prov. 12:11.
2 Paralajmërime për postën elektronike: Disa mendojnë se kanë një lidhje me të ngushtë me organizatën e Jehovait, nëse marrin nëpërmjet postës elektronike diçka që për ta përbën një lajm të freskët. Këtu mund të përfshihen përvoja, gjëra që mund të kenë ndodhur në Bethel, lajme për shkatërrime natyrore apo përndjekje, madje edhe informacione konfidenciale të njoftuara në ndonjë Shkollë të Shërbimit të Mbretërisë. Disa të tjerë ndihen tepër të zellshëm për t’i dërguar këto mesazhe, me shpresën për të qenë të parët që ua zbulojnë këtë informacion miqve të tyre.
3 Ndonjëherë ka ndodhur që informacionet dhe përvojat janë shtrembëruar ose zmadhuar. Ndoshta duke u përpjekur të bëjnë bujë, disa kanë përcjellë një përshtypje të rreme. Ata që nguten për të zbuluar çështje të tilla, shpesh nuk i kanë të gjitha faktet. (Prov. 29:20) Në disa raste, madje edhe kur ka qenë e pabesueshme, ndonjë ngjarje ka qarkulluar si një kuriozitet. Lajme të tilla të pasakta ose çorientuese, janë njësoj me «përrallat» që nuk nxitin një përkushtim të vërtetë hyjnor.—1 Tim. 4:6, 7.
4 Po të përcjellim informacione që pastaj dalin se janë të pasakta, mbajmë njëfarë përgjegjësie për dhembjen ose pështjellimin që ato mund të shkaktojnë. Kur Davidi mori një lajm të zmadhuar, sipas të cilit gjithë bijtë e tij ishin vrarë, ai «grisi rrobat e tij» nga ankthi. Në të vërtetë, vetëm një prej bijve të tij kishte vdekur. Kjo në vetvete ishte mjaft e dhimbshme, por ky zmadhim ia shtoi dhembjen Davidit. (2 Sam. 13:30-33) Sigurisht që nuk dëshirojmë të bëjmë asgjë që do të çorientonte apo shkurajonte ndonjë prej vëllezërve tanë.
5 Kanali i emëruar nga Perëndia: Mbani ndër mend se Ati ynë qiellor ka emëruar një kanal komunikimi, ‘skllavin e besueshëm e të matur’. Ai «skllav» ka përgjegjësinë të përcaktojë se çfarë informacioni vihet në dispozicion të familjes së besimit, si edhe «kohën e duhur» se kur duhet shpërndarë ky informacion. Ky ushqim frymor vihet në dispozicion vetëm përmes organizatës teokratike. Gjithmonë duhet të presim informacione të besueshme prej kanalit të emëruar nga Perëndia, jo prej një grupi përdoruesish të Internetit apo të rrjetit kompjuterik.—Mat. 24:45.
6 Sitet e Internetit: Ne kemi një sit Interneti zyrtar: www.watchtower.org. Ky sit është i mjaftueshëm për t’i përcjellë informacione publikut. Nuk ka nevojë që asnjë individ, komitet ose kongregacion të përgatitë ndonjë faqe në rrjet për Dëshmitarët e Jehovait. Disa kanë vendosur në rrjet përmbajtjet e botimeve tona, me të gjitha shkrimet dhe referimet e plota, madje kanë ofruar në këmbim të një kontributi edhe kopje të materialeve të kongreseve. Qoftë për qëllime përfitimi ose jo, praktika e riprodhimit dhe e shpërndarjes së botimeve të Shoqatës Watchtower në formën e dokumenteve elektronike përbën një shkelje të ligjeve për të drejtat e autorit. Edhe pse disa mund ta quajnë këtë një shërbim që u bëjnë vëllezërve, kjo praktikë nuk është e miratuar dhe duhet ndërprerë.
7 Ndërkohë që tregojmë gjykim të shëndoshë në përdorimin e mjeteve elektronike të komunikimit, do të jemi të sigurt që mendjet tona do të mbushen «me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme».—Prov. 24:4.