Në ç’mënyrë na liron e vërteta?
1 Në një rast Jezui u tha judenjve që besuan tek ai: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:32) Ai po fliste për një liri, e cila është shumë më e madhe se liria për të gëzuar të drejtat civile, një liri që është në dispozicion për të gjithë njerëzit, të pasur ose të varfër, të arsimuar ose të paarsimuar. Jezui mësoi të vërtetën që do të sillte liri nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Siç shpjegoi Jezui, «çdo njeri që praktikon mëkatin, është skllav i mëkatit». (Gjoni 8:34) Sa me padurim presim kohën kur i gjithë njerëzimi i bindur «do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë»!—Rom. 8:21.
2 Kjo liri vjen falë të vërtetës në lidhje me Jezuin dhe rolit të tij në plotësimin e qëllimit të Perëndisë. E vërteta përfshin njohurinë për flijimin shpërblerës që Jezui dha për dobinë tonë. (Rom. 3:24) Edhe tani, duke pranuar dhe duke iu nënshtruar me bindje të vërtetave biblike, gëzojmë në njëfarë mase liri nga frika, dëshpërimi dhe nga të gjitha praktikat e dëmshme.
3 Liri nga frika dhe dëshpërimi: Nuk kemi pse të dëshpërohemi për kushtet e botës, sepse e kuptojmë pse ekziston ligësia dhe e dimë që së shpejti ajo do të fshihet nga toka. (Psal. 37:10, 11; 2 Tim. 3:1; Zbul. 12:12) Për më tepër, e vërteta na liron nga mësimet e rreme për gjendjen e të vdekurve. E dimë që të vdekurit nuk mund të na dëmtojnë, që nuk po vuajnë ndonjë mundim të përhershëm dhe që Perëndia nuk shkakton vdekjen e njerëzve për t’i marrë në sferën frymore.—Ekl. 9:5; Vep. 24:15.
4 Këto të vërteta u dhanë forcë dy prindërve kur fëmija i tyre vdiq në një aksident. E ëma tha: «Në jetën tonë kemi një boshllëk që nuk mund të mbushet derisa ta shikojmë përsëri djalin tonë kur të ringjallet, por e dimë që dhembja jonë është vetëm e përkohshme.»
5 Liri nga praktikat e dëmshme: E vërteta biblike transformon mendjen dhe personalitetin e njeriut, e si rrjedhim fitohet liri nga ato probleme që mund të shmangen. (Efes. 4:20-24) Kur veprojmë me ndershmëri dhe jemi të papërtueshëm, mund të largojmë varfërinë. (Prov. 13:4) Shfaqja e dashurisë vetëmohuese përmirëson marrëdhënien me të tjerët. (Kolos. 3:13, 14) Respektimi i parimit të kryesisë pakëson vështirësitë në familje. (Efes. 5:33–6:1) Shmangia e dehjes, e imoralitetit, e duhanit dhe e drogës na jep shëndet të mirë.—Prov. 7:21-23; 23:29, 30; 2 Kor. 7:1.
6 Një i ri kishte nëntë vjet që nuk arrinte ta linte varësinë nga droga. Një ditë takoi një lajmëtare që po dëshmonte në rrugë. Pranoi literaturën dhe u morën masa që dikush ta vizitonte në shtëpi. U fillua një studim biblik. Dy muaj më vonë ai e la përfundimisht drogën dhe pas një studimi që zgjati tetë muaj u pagëzua. Kur panë që e la drogën, vëllai i tij dhe kunata filluan një studim biblik.
7 T’i ndihmojmë të tjerët të fitojnë lirinë: Njerëzit, të cilët gjatë gjithë jetës kanë qenë robër të mësimeve të rreme mund ta kenë të vështirë ta kuptojnë lirinë që ofron Fjala e Perëndisë. Për të prekur zemrat e tyre kërkohet që mësuesi të jetë shumë i zellshëm dhe i përgatitur mirë. (2 Tim. 4:2, 5) Nuk është koha që të ngadalësohemi në veprën e ‘shpalljes së lirisë atyre që janë marrë robër’. (Isa. 61:1, BR) Liria e krishterë është e çmuar. Ta fitojmë atë do të thotë jetë e përhershme.—1 Tim. 4:16.