Duhet ta respektojmë autoritetin e Jehovait
Kur përmenden emrat e lashtë të Korahut, Datanit dhe Abiramit, ku ju shkon mendja? Te rebelimi i tyre. Po kundër cilës gjë u rebeluan? Kundër autoritetit të Perëndisë. Hollësitë e kësaj ngjarjeje me përfundim tragjik mund t’i gjeni te kapitulli i 16-të i Numrave, ndërsa një përmbledhje e ngjarjes bëhet te artikulli me titull «T’i nënshtrohemi me besnikëri autoritetit hyjnor», në Kullën e Rojës së 1 gushtit 2002. Do të ishte me dobi për ju nëse i lexoni këto informacione, me qëllim që t’u përgjigjeni pyetjeve që vijojnë. Kjo dramë e vërtetë duhet të na frymëzojë të gjithëve që të tregojmë një besnikëri më të plotë ndaj Jehovait.
Pyetje për diskutim: (1) Si tregoi Korahu, Datani dhe Abirami mungesë respekti ndaj autoritetit hyjnor? (Lexo Numrat 16:1-3) (2) Si e lejuan krenarinë, ambicien dhe xhelozinë që të ndikonte tek ata? (f. 10, par. 7) (3) Çfarë mund ta ketë bërë Korahun që të fillonte t’i shihte priftërinjtë sipas pikëpamjes njerëzore? (f. 10-11, par. 8) (4) Cilën akuzë i bënë Korahu dhe rebelët e tjerë Moisiut dhe pse nuk duhej ta kishin bërë këtë? (f. 11, par. 9, 10) (5) Si veproi Jehovai me rebelët? (f. 12, par. 13; Lexo Numrat 16:19-22, 35) (6) Cili grup përbën priftërinë mbretërore sot? (f. 13, par. 17) (7) Ç’lidhje ka ndërmjet pleqve të emëruar dhe priftërisë mbretërore? (f. 13, par. 18) (8) Si duhet të reagojmë ndaj vendimeve të pleqve në kongregacion dhe pse? (Lexo Hebrenjve 13:7, 17; f. 13, par. 19) (9) Si duhet të reagojmë ndaj papërsosmërive të atyre që janë caktuar të marrin drejtimin? (10) Çfarë duhet të bëjmë nëse na lind në zemër fryma ankuese? (11) Si ju është forcuar besimi tek organizata e dukshme e Jehovait nga tregimi për Korahun?
Në disa gjuhë të huaja tashmë ekziston videokaseta Të respektojmë autoritetin e Jehovait. Ndoshta disa vëllezër në kongregacionin tuaj e kanë në shtëpi. Pasi të diskutohet ky informacion në kongregacion, pse të mos e shihni këtë videokasetë, nëse keni mundësi? Ajo do t’ju ngulitë edhe më shumë në mendje arsyet pse duhet ta respektojmë gjithmonë autoritetin e Jehovait.—Psal. 18:25; 37:28.