BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/3 f. 15-20
  • Të përballojmë sfidën e besnikërisë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të përballojmë sfidën e besnikërisë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Në mbrojtje të Jehovait
  • Besnikëri ndaj organizatës së Jehovait
  • Besnikëri ndaj pleqve besnikë
  • Besnikëria martesore
  • Ndihma për të mbetur besnikë
  • Ja, besnikët!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • «Vetëm ti je besnik»
    T’i afrohemi Jehovait
  • Ndaj kujt duhet të jesh besnik?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Besnikëria të sjell dobi
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/3 f. 15-20

Të përballojmë sfidën e besnikërisë

«Vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë, në drejtësi të vërtetë e në besnikëri.»​—EFESIANËVE 4:24, BR

1. Përse i detyrohemi Perëndisë Jehova me besnikërinë tonë?

PËRBALLIMI i sfidës së besnikërisë ka shumë aspekte. Aspekti më i rëndësishëm është përballimi i sfidës së besnikërisë ndaj Perëndisë Jehova. Vërtet, duke parë se kush është Jehovai, çfarë ka bërë për ne dhe për shkak të dedikimit që kemi bërë ndaj tij, ne i detyrohemi atij me besnikërinë tonë. Si e shfaqim besnikërinë ndaj Perëndisë Jehova? Një mënyrë kryesore është duke qenë besnikë ndaj parimeve të drejta të Jehovait.

2, 3. Çfarë lidhje ka mes besnikërisë dhe drejtësisë?

2 Për të përballuar këtë sfidë, duhet t’u vëmë veshin fjalëve që gjejmë në 1. Pjetrit 1:15, 16: «Ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jeni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.’» Besnikëria ndaj Perëndisë Jehova do të bëjë që t’i bindemi atij në çdo kohë, duke i vënë mendimet, fjalët dhe veprimet tona në përputhje me vullnetin e tij të shenjtë. Kjo do të thotë të mbajmë një ndërgjegje të pastër, siç na është urdhëruar në 1. Timoteut 1:3-5: «Qëllimi i këtij urdhërimi [për të mos mësuar doktrina të ndryshme apo për të mos u kushtuar vëmendje përrallave të rreme] është dashuria, prej një zemre të pastër, prej një ndërgjegjeje të pastër dhe prej një besimi jo të shtirur.» Vërtet, asnjë prej nesh nuk është i përsosur, por duhet të përpiqemi sa më shumë të mundemi, apo jo?

3 Besnikëria ndaj Jehovait nuk do të na lërë të bëjmë kompromise egoiste me parimet e drejta. Në fakt, besnikëria nuk do të na lejojë të jemi tjetër gjë përbrenda e një tjetër gjë nga jashtë. Besnikëria është ajo që psalmisti kishte ndër mend kur këndoi: «Më mëso, o Jehova, në rrugën tënde. Unë do të eci në të vërtetën tënde. Bashkoje zemrën time, që t’i frikësohet emrit tënd.» (Psalmi 86:11, BR) Besnikëria kërkon atë që është përshkruar mirë si «bindje ndaj gjërave të padetyrueshme».

4, 5. Në lidhje me ç’gjë të gabuar, do të na bëjë të kujdesshëm besnikëria?

4 Besnikëria ndaj Perëndisë Jehova nuk do të na lejojë, gjithashtu, të bëjmë ndonjë gjë që mund të sjellë sharje mbi emrin e tij dhe mbi Mbretërinë. Për shembull, dy të krishterë ranë njëherë në një vështirësi të tillë, saqë në mënyrë të papërshtatshme iu drejtuan një gjykate botërore. Gjykatësi i pyeti: «A jeni të dy Dëshmitarë të Jehovait?» Me sa duket, ai s’mund ta kuptonte se çfarë kërkonin ata në atë gjyq. Çfarë qortimi! Besnikëria ndaj Perëndisë Jehova do të bënte që ata vëllezër të dëgjonin këshillën e apostullit Pavël: «Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?» (1. Korintasve 6:7) Sigurisht, rruga e besnikërisë ndaj Perëndisë Jehova pranon më mirë të vuash humbje personale, sesa të sjellësh sharje mbi Jehovain dhe mbi organizatën e tij.

5 Besnikëria ndaj Perëndisë Jehova përfshin, gjithashtu, edhe të mos jepemi përpara frikës së njeriut. «Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar.» (Proverbat 29:25) Prandaj, ne nuk bëjmë kompromise kur ballafaqohemi me persekutime, por ndjekim shembullin që na kanë lënë Dëshmitarët e Jehovait në ish-Bashkimin Sovjetik, në Malavi, në Etiopi dhe në shumë e shumë vende të tjera.

6. Besnikëria nuk do të na lejojë të shoqërohemi me cilët persona?

6 Nëse jemi besnikë ndaj Perëndisë Jehova, do të shmangim miqësinë e të gjithë atyre që janë armiq të tij. Ja, përse dishepulli Jakov shkroi: «O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që do të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.» (Jakovit 4:4) Duhet të kemi atë besnikëri që mbreti David dëshmoi kur tha: «A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje? Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.» (Psalmi 139:21, 22) Nuk duam të shoqërohemi me asnjë mëkatar të vullnetshëm, pasi nuk kemi asgjë të përbashkët me ta. A nuk do të bëjë besnikëria ndaj Jehovait që të mos shoqërohemi me asnjë prej këtyre armiqve të tij, qoftë personalisht apo edhe nëpërmjet televizorit?

Në mbrojtje të Jehovait

7. Ç’gjë në lidhje me Jehovain do të na ndihmojë të bëjmë besnikëria dhe si e bëri këtë Elihu?

7 Besnikëria do të na nxisë të dalim në mbrojtje të Perëndisë Jehova. Sa shembull të shkëlqyer na ka lënë në këtë pikë Elihu! Jobi 32:2, 3 na thotë: «Zemërimi i Elihut . . . u ndez. Zemërimi i tij u ndez kundër Jobit, sepse e kishte shpallur shpirtin e tij të drejtë, më tepër se Perëndia. Gjithashtu, zemërimi i tij u ndez edhe kundër tre shokëve të tij, për faktin se nuk kishin gjetur ndonjë përgjigje, por vazhdonin ta shpallnin Perëndinë të lig.» (BR) Nga kreu 32 deri në 37 të Jobit, Elihu doli në mbrojtje të Jehovait. Për shembull, ai tha: «Prit edhe pak dhe do të të tregoj që ka ende gjëra për të thënë nga ana e Perëndisë. . . . Do t’i jap hak atij që më ka krijuar. . . . Ai . . . nuk i heq sytë nga të drejtët.»​—Jobi 36:2-7.

8. Përse është e nevojshme të dalim në mbrojtje të Jehovait?

8 Përse është e nevojshme të dalim në mbrojtje të Jehovait? Sot, Perëndia ynë, Jehovai, shahet në mënyra nga më të shumtat. Thuhet se ai nuk ekziston, se është pjesë e një Triniteti, se i mundon njerëzit përjetësisht në një ferr të zjarrtë, se bën përpjekje të pakta për të ndryshuar botën, se nuk kujdeset për njerëzimin e të tjera si këto. Ne e tregojmë besnikërinë tonë ndaj tij, duke dalë në mbrojtje të tij dhe duke provuar se Jehovai ekziston; se është një Perëndi i mençur, i drejtë, i plotfuqishëm dhe i dashur; se ka kohën e vet për çdo gjë; dhe se kur të vijë koha e duhur, ai do t’i japë fund gjithë ligësisë dhe do ta bëjë tokën mbarë një parajsë. (Eklisiastiu 3:1) Kjo kërkon që të përdorim çdo rast për të dhënë dëshmi për emrin e Jehovait dhe për Mbretërinë.

Besnikëri ndaj organizatës së Jehovait

9. Në lidhje me cilat çështje, disa kanë treguar mungesë besnikërie?

9 Ja, ku erdhëm në çështjen e besnikërisë ndaj organizatës së dukshme të Jehovait. Patjetër, ajo e meriton besnikërinë tonë, duke përfshirë edhe ‘skllavin e besueshëm e të matur’, nëpërmjet të cilit kongregacioni i krishterë ushqehet frymësisht. (Mateu 24:45-47, BR) Ta zëmë se në botimet e Shoqatës Watch Tower del diçka, të cilën nuk e kuptojmë apo me të cilën për momentin nuk jemi dakort. Ç’do të bëjmë? Të fyhemi e të lëmë organizatën? Kështu vepruan disa kur Kulla e Rojës, shumë vite më parë, e aplikoi besëlidhjen e re për Mijëvjeçarin. Të tjerë, u ndien të ofenduar nga ajo që tha dikur Kulla e Rojës mbi çështjen e asnjanësisë. Sikur ata që u penguan në këto çështje të kishin qenë besnikë ndaj organizatës dhe vëllezërve të tyre, do të kishin shpresuar te Jehovai, i cili do t’i sqaronte ato, gjë që edhe e bëri në kohën e duhur. Prandaj, besnikëria do të thotë edhe të presësh me durim derisa ndonjë kuptueshmëri e mëtejshme të botohet nga skllavi i besueshëm e i matur.

10. Besnikëria nuk do të na lejojë të bëhemi kuriozë në lidhje me çfarë?

10 Besnikëria ndaj organizatës së dukshme të Jehovait do të thotë, gjithashtu, të mos kemi të bëjmë fare me apostatët. Të krishterët besnikë as që do të bëhen kuriozë për çka mund të thonë këta njerëz. Është e vërtetë, ata që Perëndia Jehova po i përdor për të drejtuar veprën e tij nuk janë të përsosur. Por çfarë na thotë Fjala e Perëndisë se duhet të bëjmë? Të lëmë organizatën e Perëndisë? Jo. Dashuria e përzemërt vëllazërore duhet të na mbajë besnikë ndaj tij dhe duhet të vazhdojmë ‘të duam fort njëri-tjetrin me zemër’.​—1. Pjetrit 1:22.

Besnikëri ndaj pleqve besnikë

11. Kundër cilit mendim negativ do të na ndihmojë besnikëria që të ruhemi?

11 Kur në kongregacion thuhet apo bëhet diçka, të cilën e kemi të vështirë ta kuptojmë, besnikëria nuk do të na lejojë të gjykojmë motivet dhe do të na ndihmojë të jemi të qëndrimit që ndoshta kjo është një çështje pikëpamjesh. A nuk është shumë më mirë të përqendrohemi në cilësitë e mira të pleqve të emëruar dhe të bashkëbesimtarëve të tjerë, sesa në mangësitë e tyre? Po, duhet të ruhemi nga të gjitha këto mendime negative, pasi lidhen me mungesën e besnikërisë! Gjithashtu, besnikëria do të na ndihmojë t’i bindemi direktivës së Pavlit për ‘të mos folur keq për asnjeri’.​—Titit 3:1, 2.

12, 13. Cilat sfida të veçanta duhet të përballojnë pleqtë?

12 Besnikëria paraqet sfida të veçanta për pleqtë. Një prej këtyre sfidave është problemi i mirëbesimit. Një pjesëtar i kongregacionit mund t’i hapet ndonjë plaku. Besnikëria ndaj tij nuk do ta lejojë plakun të shkelë parimin e mirëbesimit. Ai do të dëgjojë këshillën e Proverbave 25:9: «Mos i zbulo fjalët e një tjetri të thëna në mirëbesim.» (BR) Kjo do të thotë të mos ia tregojë as gruas së tij!

13 Pleqtë kanë edhe sprova të tjera të besnikërisë për të përballuar. A do të mundohen t’u pëlqejnë njerëzve, apo me guxim dhe me butësi do të ndihmojnë ata që kanë nevojë për ndreqje, edhe nëse janë të afërm gjaku apo shokë të ngushtë? Besnikëria ndaj organizatës së Jehovait do të bëjë që ata burra ndër ne, që janë pleq, të përpiqen për të ndihmuar cilindo që ka nevojë për ndihmë frymore. (Galatasve 6:1, 2) Edhe pse do të jemi të sjellshëm, besnikëria do të na bëjë të sinqertë me pleqtë e tjerë, ashtu si edhe Pavli që foli hapur me apostullin Pjetër. (Galatasve 2:11-14) Në anën tjetër, mbikëqyrësit duhet të jenë të kujdesshëm, pasi duke vepruar pa mençuri apo duke treguar anësi apo duke abuzuar në ndonjë mënyrë tjetër me autoritetin e tyre, mund ta bëjnë të vështirë për ata që janë nën kujdesin e tyre të jenë besnikë ndaj organizatës së Jehovait.​—Filipianëve 4:5.

14, 15. Cilët faktorë mund të sprovojnë besnikërinë e pjesëtarëve të kongregacionit?

14 Ka edhe aspekte të tjera në lidhje me çështjen e përballimit të sfidës së besnikërisë ndaj kongregacionit dhe pleqve të tij. Nëse ekzistojnë kushte disi të vështira në kongregacion, kjo na jep mundësi të shfaqim besnikërinë ndaj Jehovait dhe ndaj atyre që përfaqësojnë atë. (Shiko Kullën e Rojës, 15 qershor 1987, faqe 15-17, anglisht.) Kur ka ndodhur një përjashtim, besnikëria kërkon që të përkrahim pleqtë, jo të përpiqemi të gjejmë shpjegime nëse kishte apo jo arsye të mjaftueshme për veprimin e marrë.

15 Besnikëria ndaj kongregacionit kërkon, gjithashtu, të ndjekim të pesë mbledhjet e përjavshme, aq sa na lejojnë rrethanat dhe aftësitë tona. Besnikëria kërkon që ne jo vetëm të jemi të pranishëm rregullisht, por edhe të përgatitemi për to e të bëjmë komente ndërtuese sa herë të kemi mundësi.​—Hebrenjve 10:24, 25.

Besnikëria martesore

16, 17. Cilat sfida të besnikërisë duhet të përballojnë të krishterët e martuar?

16 Kujt tjetër jemi të detyruar t’i qëndrojmë besnikë? Nëse jemi të martuar, në përputhje me betimin martesor, duhet të përballojmë sfidën për t’i mbetur besnikë shokut tonë të martesës. Besnikëria ndaj tij nuk do të na lejojë të bëjmë gabimin që t’ju pëlqejmë më shumë grave apo burrave të tjerë, sesa gruas apo burrit tonë. Besnikëria ndaj bashkëshortit kërkon edhe të mos i nxjerrim përpara të tjerëve dobësitë apo mangësitë e shokut tonë. Është më e lehtë t’u ankohesh të tjerëve, se të mundohesh për të mbajtur hapur linjat e komunikimit me burrin apo gruan, gjë që duhet ta bëjmë në përputhje edhe me Rregullën e Artë. (Mateu 7:12) Në fakt, gjendja e martesës paraqet një sfidë të vërtetë për besnikërinë tonë të krishterë.

17 Për të përballuar këtë sfidë të besnikërisë nuk duhet vetëm të mos jemi fajtorë për sjellje të keqe të rëndë, por duhet të ruajmë edhe vetë mendimet dhe ndjenjat tona. (Psalmi 19:14) Për shembull, nëse zemrat tona të mashtruara janë lakmitare për kënaqësi të mëdha, është kaq e lehtë për ne të kalojmë nga admirimi i gjërave në dëshirimin e tyre. Duke nxitur besnikërinë martesore, mbreti Solomon i këshillon në mënyrë figurative burrat që ‘të pijnë ujin e sternës së tyre’. (Proverbat 5:15) Ndërsa Jezui tha: «Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.» (Mateu 5:28) Burrat që lëshohen pas materialeve pornografike, shkojnë drejt rrezikut të kryerjes së tradhtisë bashkëshortore, duke ua dredhur kështu grave të tyre e duke mos u mbetur besnikë. Për të njëjtën arsye, një grua që jepet shumë pas telenovelave, të cilat trajtojnë episode të tradhtisë bashkëshortore, mund të tundohen që të mos u qëndrojnë besnike burrave të tyre. Megjithatë, duke qëndruar besnikë ndaj bashkëshortëve tanë, forcojmë lidhjen martesore dhe ndihmojmë njëri-tjetrin në përpjekjet tona për t’i pëlqyer Perëndisë Jehova.

Ndihma për të mbetur besnikë

18. Vlerësimi i ç’gjëje do të na ndihmojë të jemi besnikë?

18 Ç’do të na ndihmojë që të përballojmë sfidën e besnikërisë në këto katër aspekte: besnikëri ndaj Jehovait, ndaj organizatës së tij, ndaj kongregacionit dhe ndaj shokut tonë të martesës? Një ndihmë është që të kuptojmë se përballimi i sfidës së besnikërisë lidhet ngushtë me shfajësimin e sovranitetit të Jehovait. Po, duke mbetur besnikë tregojmë se e konsiderojmë Jehovain si Sovranin Universal. Kështu, mund të kemi edhe respekt për veten dhe shpresën e jetës së përhershme në botën e re të Jehovait. Mund të ndihmojmë veten për të qëndruar besnikë, duke shqyrtuar shembujt e shkëlqyer të besnikërisë, që nga Jehovai e deri tek ata që përmenden në Bibël dhe në botimet tona Watch Tower, duke përfshirë edhe tregimet e Librit vjetor.

19. Çfarë roli luan besimi në besnikërinë tonë?

19 Besimi i fortë në Perëndinë Jehova dhe frika se mos bëjmë diçka që nuk i pëlqen atij, do të na ndihmojë të përballojmë sfidën e besnikërisë. E forcojmë besimin tonë dhe frikën ndaj Jehovait, duke studiuar me zell Fjalën e Perëndisë e duke u angazhuar në shërbimin e krishterë. Kjo do të na ndihmojë të veprojmë në përputhje me këshillën e Pavlit në Efesianëve 4:23, 24: «Ju duhet të rinoheni në forcën lëvizëse të mendjes suaj dhe duhet të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë, në drejtësi të vërtetë e në besnikëri.»​—BR.

20. Mbi të gjitha, cila cilësi do të na ndihmojë të jemi besnikë ndaj Jehovait dhe ndaj gjithë të tjerëve, të cilëve u kemi borxh besnikërinë?

20 Vlerësimi i cilësive të Jehovait do të na ndihmojë të jemi besnikë. Mbi të gjitha, dashuria altruiste për Atin tonë qiellor dhe mirënjohja për gjithçka që ai ka bërë për ne, duke e dashur me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë, do të na ndihmojë të qëndrojmë besnikë. Për më tepër, duke pasur dashurinë, për të cilën Jezui tha se do të identifikonte ithtarët e tij, do të na ndihmojë të jemi besnikë ndaj të gjithë të krishterëve në kongregacion dhe në familjet tona. Me fjalë të tjera, mund të jemi ose egoistë, ose altruistë. Mungesa e besnikërisë do të thotë të jemi egoistë. Besnikëria do të thotë të jemi altruistë.​—Marku 12:30, 31; Gjoni 13:34, 35.

21. Si mund të përmblidhet çështja e përballimit të sfidës së besnikërisë?

21 Për të përmbledhur: besnikëria është cilësi e shkëlqyer që shfaq Perëndia Jehova, Jezu Krishti dhe të gjithë shërbëtorët e vërtetë të Jehovait. Për të pasur një marrëdhënie të mirë me Perëndinë Jehova, duhet të përballojmë sfidën e besnikërisë ndaj tij, duke jetuar sipas kërkesave të tij të drejta, duke mos pasur të bëjmë fare me armiqtë e tij dhe duke dalë në mbrojtje të Jehovait, duke dëshmuar formalisht dhe jo formalisht. Gjithashtu, duhet të përballojmë edhe sfidën për t’i qëndruar besnikë organizatës së dukshme të Jehovait. Duhet të jemi besnikë ndaj kongregacioneve tona dhe besnikë ndaj shokëve të martesës. Duke përballuar me sukses sfidën e besnikërisë, do të marrim pjesë në shfajësimin e sovranitetit të Jehovait dhe do të jemi në anën e tij. Prandaj, do të fitojmë favorin e tij dhe do të marrim çmimin e jetës së përhershme. Ajo që tha apostulli Pavël për devotshmërinë e shenjtë, mund të thuhet edhe në lidhje me përballimin e sfidës së besnikërisë nga ana jonë. Ajo është e dobishme për jetën e tanishme dhe për atë që po vjen.​—Psalmi 18:25; 1. Timoteut 4:8.

Si do të përgjigjeshe?

◻ Në cilat mënyra mund të përballojmë sfidën e besnikërisë ndaj Perëndisë?

◻ Ç’kërkon prej nesh besnikëria ndaj organizatës së Jehovait?

◻ Si mund ta përballojnë pleqtë sfidën e besnikërisë?

◻ Cilën sfidë që përfshin besnikërinë duhet të përballojnë të krishterët e martuar?

◻ Cilat cilësi do të na ndihmojnë të përballojmë sfidën e besnikërisë?

[Figura në faqen 17]

Besnikëria ndaj pjesëtarëve të kongregacionit nuk do t’i lejojë pleqtë të zbulojnë çështjet e mirëbesimit

[Figurat në faqen 18]

Besnikëria ndaj bashkëshortit forcon lidhjen martesore

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo