Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 3
T’i përdorim mirë Shkrimet
1. Pse duhet t’u kushtojmë rëndësi Shkrimeve kur drejtojmë studime biblike?
1 Kur drejtojmë studime biblike, qëllimi ynë është që ‘të bëjmë dishepuj’ duke i ndihmuar njerëzit të kuptojnë e të pranojnë mësimet e Fjalës së Perëndisë dhe t’i zbatojnë në jetë. (Mat. 28:19, 20; 1 Sel. 2:13) Kështu që studimi duhet të përqendrohet te Shkrimet. Është mirë që në fillim t’i tregojmë studentit se si të gjejë shkrime specifike në kopjen e vet të Biblës. Por, si t’i përdorim Shkrimet që t’i ndihmojmë këta njerëz të përparojnë frymësisht?
2. Si të përcaktojmë se cilat shkrime biblike të lexojmë dhe të diskutojmë?
2 Zgjidh shkrimet që do të lexosh: Kur përgatitesh për studimin, përcakto se si lidhet çdo shkrim i cituar në mësim me argumentin që po trajtohet dhe vendos se cilat shkrime do të lexosh e do të shtjellosh gjatë studimit. Në përgjithësi, është mirë që të lexojmë ato shkrime që tregojnë bazën biblike të bindjeve tona fetare. Ato shkrime që japin informacione dytësore për atë pikë, mund të mos jetë e nevojshme që t’i lexojmë. Merr parasysh nevojat dhe rrethanat e çdo studenti.
3. Ç’të mirë ka përdorimi i pyetjeve dhe si mund ta bëjmë këtë?
3 Përdor pyetjet: Në vend që t’ia shpjegosh shkrimet biblike studentit, gjej mënyrën që t’i shpjegojë ai. Për këtë mund ta nxitësh duke përdorur me mjeshtëri pyetjet. Nëse zbatimi i atij shkrimi është i qartë për t’u kuptuar, mund të pyesësh thjesht se si e mbështet shkrimi atë që thuhet në paragraf. Në raste të tjera, mund të nevojitet një ose disa pyetje më specifike për ta drejtuar studentin në përfundimin e duhur. Nëse nevojiten shpjegime të mëtejshme, kjo mund të bëhet pasi studenti i është përgjigjur pyetjes.
4. Sa duhet t’i shpjegojmë shkrimet që lexojmë?
4 Bëje sa më të thjeshtë studimin: Një harkëtari të aftë shpesh i duhet vetëm një shigjetë për të qëlluar në shenjë. Po ashtu, edhe një mësues i aftë nuk ka nevojë për shumë fjalë për të theksuar një pikë. Ai mund ta përçojë informacionin thjesht, qartë dhe saktë. Me raste mund të jetë e nevojshme që të bësh kërkime në botimet e krishtere për të kuptuar një shkrim në mënyrë që ta shpjegosh saktë. (2 Tim. 2:15) Por, mos u përpiq që të shpjegosh çdo aspekt të të gjitha shkrimeve në studim. Përmend vetëm ato që janë të nevojshme për të bërë të qartë pikën që po shqyrtohet.
5, 6. Si mund t’i ndihmojmë studentët që të zbatojnë Fjalën e Perëndisë në jetën e tyre, por, çfarë nuk duhet të bëjmë?
5 Trego si zbatohen shkrimet: Kur është e përshtatshme, ndihmoje studentin të kuptojë se si shkrimet biblike lidhen drejtpërdrejt me të. Për shembull, kur shqyrton Hebrenjve 10:24, 25 me një student që ende nuk vjen në mbledhjet e krishtere, mund t’i flasësh për një mbledhje dhe ta ftosh që të jetë edhe ai i pranishëm. Por nuk duhet ta bëjmë të ndihet i detyruar. Le të jetë i motivuar nga Fjala e Perëndisë e të marrë hapat që duhen për t’i pëlqyer Jehovait.—Hebr. 4:12.
6 Ndërsa kryejmë detyrën për të bërë dishepuj, le ‘të nxitim bindjen me anë të besimit’ duke i përdorur mirë Shkrimet.—Rom. 16:26.