Ta përdorim kohën me mençuri
1 Dëshira për t’i pëlqyer Jehovait na nxit që t’i vëmë veprimtaritë frymore në qendër të jetës sonë. Fjala e tij na mëson ‘të vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë mbretërinë’ dhe ‘të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’. (Mat. 6:33; Filip. 1:10) Si të blejmë kohë për interesat e Mbretërisë dhe t’u lëmë vendin që u takon veprimtarive më pak të rëndësishme?—Efes. 5:15-17.
2 T’i vëmë në vend të parë aktivitetet e Mbretërisë: Duhet ta programojmë kohën në mënyrë që të mos e shpërdorojmë me gjëra të parëndësishme. Që në fillim të muajit, disa programojnë dhe shënojnë në kalendar një kohë të caktuar për të dalë në shërbim. Pastaj bëjnë kujdes që këto plane të mos i prishin për ndonjë arsye të pavlefshme. Në të njëjtën mënyrë mund të blejmë kohë edhe për mbledhjet, për studimin personal dhe për kongreset. Shumë prej nesh kanë një program të përditshëm që fillon ose mbaron me leximin e Biblës. Duhet të lëmë kohë mënjanë për çdo veprimtari të rëndësishme dhe të mos lejojmë që gjërat e tjera të bëhen pengesë më kot.—Ekl. 3:1; 1 Kor. 14:40.
3 Ta përdorim me kufi botën: Në disa vende, sportet, argëtimet, zbavitjet, veprimtaritë që na pëlqejnë më tepër dhe aktivitete të tjera, gjenden fare lehtë. Shumë veta kalojnë tepër kohë në kompjuter ose duke parë televizor. Por, dhënia e tepërt pas veprimtarive të kohës së lirë dhe pas pajisjeve të teknologjisë së fundit që na ofron kjo botë, pa diskutim që do të na çojë në zhgënjim. (1 Gjon. 2:15-17) Prandaj, Shkrimet na nxitin që të mos e përdorim plotësisht botën. (1 Kor. 7:31) Duke ia vënë veshin kësaj këshille të mençur, mund t’i tregojmë Jehovait se adhurimi i tij zë vendin e parë në jetën tonë.—Mat. 6:19-21.
4 Ky sistem i ka ditët të numëruara. Ata që vënë në vend të parë interesat e Mbretërisë, do të jenë të lumtur dhe do të fitojnë miratimin e Perëndisë. (Prov. 8:32-35; Jak. 1:25) Prandaj, le ta përdorim me mençuri kohën, këtë pasuri të paçmuar!