Të krijojmë mundësi për të predikuar
1 Kongregacioni i krishterë përbëhet nga njerëz që jetojnë në rrethana nga më të ndryshmet. Pavarësisht nga kjo, jemi në unitet dhe të vendosur për të lëvduar Jehovain. (Psal. 79:13) Nëse shëndeti ose rrethanat e vështira nuk na lejojnë të marrim pjesë në shpalljen e lajmit të mirë aq sa do të dëshironim, si mund t’i krijojmë ne mundësitë për të predikuar?
2 Në veprimtaritë e përditshme: Jezui përfitonte nga marrëdhënia që kishte me njerëzit në jetën e përditshme për të dhënë dëshmi. Ai foli me Mateun ndërsa kalonte në zyrën e taksave, me Zakeun ndërsa udhëtonte dhe me gruan samaritane ndërsa pushonte. (Mat. 9:9; Luka 19:1-5; Gjoni 4:6-10) Në veprimtaritë e përditshme, edhe ne mund të përfitojmë nga një bisedë e zakonshme për të dhënë dëshmi. Nëse kemi Biblën dhe ndonjë fletushkë ose broshurë me vete, kjo do të na nxitë të jemi gati për të folur për shpresën tonë.—1 Pjet. 3:15.
3 Mos vallë problemet fizike nuk ju lejojnë të merrni pjesë aq sa do të dëshironit në predikimin nga shtëpia në shtëpi? Jini të vëmendshëm ndaj mundësive që krijohen për t’u dëshmuar mjekëve dhe infermierëve që vijnë për t’ju vizituar, si edhe të tjerëve që takoni. (Vep. 28:30, 31) Nëse për shkak të rrethanave shpesh ju duhet të qëndroni në shtëpi, a keni provuar të jepni dëshmi me anë të telefonit ose letrave? Një motër u shkruan rregullisht pjesëtarëve të familjes që nuk janë Dëshmitarë. Në letra përfshin edhe fjalë inkurajuese nga Bibla dhe u tregon përvojat që mund të ketë pasur gjatë predikimit.
4 Në punë ose në shkollë: Dëshira jonë për të lëvduar Jehovain do të na nxitë të krijojmë mundësi për të mbjellë farën e së vërtetës edhe në punë ose në shkollë. Një lajmëtar 8-vjeçar tregoi para klasës se çfarë kishte lexuar në revistën Zgjohuni! për hënën. Pasi mësoi se nga i kishte gjetur ato informacione, mësuesja filloi të pranonte rregullisht revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Ndërsa në vendin e punës, thjesht duke mbajtur librin Çfarë mëson vërtet Bibla në një vend ku të tjerët mund ta shohin, kjo mund t’i nxitë që të bëjnë pyetje, dhe kështu keni rastin të dëshmoni.
5 A mund të gjeni mënyra të tjera për të krijuar mundësi për të predikuar gjatë veprimtarive të përditshme? Duke i shfrytëzuar sa më mirë rrethanat, le të bëjmë çmos që çdo ditë ‘t’i paraqitim Perëndisë një flijim lëvdimi’!—Hebr. 13:15.