Të lavdërojmë Jehovain me anë të dëshmisë joformale
1 Shërbëtorët besnikë të Jehovait kërkojnë mundësi për ta lavdëruar atë çdo ditë. (Psal. 96:2, 3; Hebr. 13:15) Një mënyrë për ta bërë këtë është duke dhënë dëshmi joformale. Sot shumë adhurues të Jehovait janë të kënaqur që dikush u paraqiti mesazhin e Mbretërisë nëpërmjet dëshmisë joformale.
2 Kur i japim dëshmi joformale dikujt, ajo mund të hapë rrugën që edhe njerëz të tjerë të dëgjojnë mesazhin e Mbretërisë. Për shembull, biseda e Jezuit me një grua samaritane te burimi i Jakobit bëri të mundur që shumë të tjerë të tregonin interes për lajmin e mirë. (Gjoni 4:6-30, 39-42) Kur Pavli dhe Sila ishin të burgosur në Filipi, i dëshmuan gardianit, dhe të gjithë ata të shtëpisë së tij e pranuan të vërtetën.—Vep. 16:25-34.
3 Mundësitë: Çfarë mundësish kemi për të dhënë dëshmi joformale? Disa dëshmojnë kur bëjnë pazar, kur udhëtojnë me mjetet e transportit publik ose kur presin të vizitohen te mjeku. Disa arrijnë të dëshmojnë gjatë pushimit në punë ose në shkollë. Kur i mbajmë botimet në një mënyrë që të tjerët t’i shohin mirë, kjo mund t’i nxitë ata të na pyesin për bindjet tona.—1 Pjet. 3:15.
4 Si të fillojmë: Një vogëlushe e ndrojtur, që ishte shtatë vjeçe, dëgjoi në mbledhje se sa e rëndësishme është që të predikojmë të gjithë. Prandaj, kur po shkonte në dyqan me nënën e saj, futi dy broshura në çantën e vet. Ndërsa mamaja po bënte pagesën në banak, vajza i ofroi një zonje një broshurë dhe ajo e pranoi me kënaqësi. Kur e pyetën si mori guximin t’i afrohej zonjës, kjo vogëlushe e ndrojtur u përgjigj: «Thashë vetëm: ‘Gati, nisu!’ Dhe u nisa!»
5 Për të dhënë dëshmi joformale, duhet të kemi të gjithë një frymë të ngjashme me atë të kësaj vajze të vogël. Çfarë mund të na ndihmojë? Të lutemi që të marrim guximin për të folur. (1 Sel. 2:2) Të mbajmë në mendje një pyetje ose koment për një argument interesant që mund ta përdorim për të filluar bisedën. Pastaj, të kemi besim që Jehovai do të bekojë përpjekjet tona.—Luka 12:11, 12.
6 Dëshmia joformale që u japim njerëzve që takojmë çdo ditë i sjell lavdi Jehovait dhe na jep gëzim. Ajo mund ta ndihmojë dikë të hyjë në rrugën drejt jetës së përhershme.