Të ofrojmë revistat që japin dëshmi për të vërtetën
1. Cili është roli i revistave Zgjohuni! dhe Kulla e Rojës?
1 Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait dhe revista shoqëruese e saj, Zgjohuni!, janë mjetet kryesore që përdorim në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Kënaqemi kur këto dy revista që dalin në kohën e duhur, i prezantojmë rregullisht në aspekte të ndryshme të shërbimit.
2. Çfarë ndryshimesh janë bërë te revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, dhe pse?
2 Me kalimin e viteve kemi parë ndryshime në përmasat dhe në përmbajtjen e këtyre revistave, si edhe në metodat që përdorim për t’i shpërndarë ato. Këto ndryshime janë bërë me synimin që revistat të jenë më tërheqëse dhe më efikase. Në këtë mënyrë mesazhi për Mbretërinë do të prekë zemrat ‘e njerëzve të çdo lloji, që të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës’.—1 Tim. 2:4
3. Si do të përdoren në shërbim revistat?
3 Që në janar 2006, jemi aftësuar mjaft në përdorimin e prezantimeve të ndryshme për revistën Zgjohuni! që del vetëm në një numër në muaj. Tani, edhe me revistën Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait do të veprojmë njësoj, domethënë në shërbim do të ofrojmë vetëm një nga dy numrat e çdo muaji. Disa prezantime model për çdo revistë jepen në faqen e fundit te Shërbimi ynë i Mbretërisë. Zakonisht, këto prezantime përqendrohen te një nga artikujt e parë të revistës, por ndonjëherë mund të ketë prezantime për disa artikuj të tjerë që mund të jenë me mjaft interes për publikun e gjerë. Prezantimet model mund të jenë më të efektshme nëse e dimë mirë për çfarë flet artikulli që po prezantojmë dhe e shprehim me fjalët tona duke ia përshtatur territorit.
4. Pse mund të jetë mirë të përdoren prezantime të tjera, përveç atyre që sugjerohen te Shërbimi ynë i Mbretërisë?
4 Edhe pse Shërbimi ynë i Mbretërisë jep dy prezantime për çdo revistë, ju mund të përdorni pa problem një prezantim tjetër komplet ndryshe. Një arsye për këtë mund të jetë se një nga artikujt e tjerë të revistës mund të jetë më tërheqës për territorin tuaj. Ose ndoshta mendoni se do të jeni më të efektshëm po të prezantoni atë artikull që për ju është më shumë interesant.
5. Çfarë duhet të bëni para se të përgatitni një prezantim?
5 Si të përgatitni prezantimin: Së pari, duhet ta njihni shumë mirë artikullin që do të zgjidhni për të prezantuar. Mbase jo gjithnjë do të arrini të njihni mirë çdo artikull nga revista para se ta ofroni në shërbim. Megjithatë, duhet të jeni entuziastë dhe të sinqertë kur prezantoni artikujt që keni zgjedhur. Dhe këtë mund ta arrini vetëm nëse e njihni mirë informacionin që po prezantoni.
6. Si t’i përgatitni vetë prezantimet?
6 Së dyti, jini elastikë kur të zgjidhni fjalët hyrëse. Për të filluar bisedën mund të bëni një pyetje të goditur që ngjall interes dhe që lidhet me artikullin. Mbështetuni gjithnjë te fuqia e Fjalës së Perëndisë për t’u prekur zemrën njerëzve. (Hebr. 4:12) Zgjidhni një shkrim të përshtatshëm që lidhet me temën që po prezantoni, mundësisht një shkrim që citohet ose përmendet në artikull. Mendoni si ta lidhni shkrimin me artikullin.
7. Si mund t’i përmirësoni prezantimet?
7 Shfrytëzoni çdo mundësi: Që një prezantim të jetë vërtet i efektshëm, duhet të përdoret. Dilni me kongregacionin në shërbim ditën e revistave, pra të shtunën. Ofrojuani revistat atyre njerëzve që i kanë pranuar edhe më parë botimet tona. Jepuani gjithnjë revistat studentëve tuaj biblikë dhe të tjerëve që janë të pranishëm kur bëni një rivizitë. Mund t’u shpërndani revista njerëzve me të cilët flisni kur shkoni për pazar, kur udhëtoni ose kur pritni radhën për t’u vizituar te mjeku. Përmirësojini prezantimet ndërkohë që i përdorni gjatë muajit.
8. Pse themi që revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! janë të veçanta?
8 Revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! janë të veçanta. Ato lartësojnë Jehovain si Sovranin e universit. (Vep. 4:24) Ngushëllojnë njerëzit me lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe nxitin besimin te Jezu Krishti. (Mat. 24:14; Vep. 10:43) Përveç këtyre, ato tregojnë se si po përmbushen profecitë biblike duke na e drejtuar vëmendjen te ngjarjet botërore. (Mat. 25:13) Ndihmojini njerëzit në territorin tuaj të nxjerrin dobi nga këto revista, duke u përgatitur që t’i prezantoni në çdo mundësi që ju jepet.
9. Si mund të hedhim bazën për një rivizitë?
9 Sa herë arrini të jepni një revistë ose edhe të bëni thjesht një bisedë miqësore për Perëndinë, kini gati një pyetje ose një pohim që të fut në mendime. Kështu mund të hidhni bazën për një rivizitë dhe një bisedë tjetër. Nëse jemi të zellshëm për të mbjellë farën e së vërtetës, mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’u hapë zemrën atyre që duan vërtet ta njohin dhe t’i shërbejnë Atij.—1 Kor. 3:6.