Të kujtojmë shpërblesën me mirënjohje
1, 2. Për ç’arsye duhet ta kujtojmë me mirënjohje shpërblesën e Jezuit?
1 Siç urdhëroi Jezui, të krishterët anembanë botës do të mblidhen pas perëndimit të diellit, të shtunën, më 22 mars 2008 për të kremtuar vdekjen e Jezu Krishtit. (Luka 22:19; 1 Kor. 11:23-26) Ajo që na shtyn për këtë është mirënjohja e thellë që kemi për gjithçka që u arrit në këtë datë 1.975 vjet më parë. Me besnikërinë e tij të përsosur, edhe përballë një vdekjeje të dhimbshme në shtyllën e torturës, Jezui shenjtëroi emrin e Atit të tij, duke i dhënë kështu një përgjigje përfundimtare talljeve të Satanait.—Jobi 1:11; Prov. 27:11.
2 Gjaku që derdhi Jezui bëri të vlefshme besëlidhjen e re, dhe kjo u dha mundësinë njerëzve të papërsosur të birësoheshin si bij të Perëndisë me shpresën për të sunduar bashkë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore. (Jer. 31:31-34; Mar. 14:24) Përveç kësaj, dashuria e madhe e Perëndisë për njerëzimin u bë e qartë kur ai dha Birin e tij të shtrenjtë si flijim, ashtu si vetë Jezui ia kishte shpjeguar Nikodemit.—Gjoni 3:16.
3. Çfarë dobie do të nxjerrin ata që do të vijnë në Përkujtim?
3 Të ftojmë të tjerë: Te Shërbimi ynë i Mbretërisë i janarit, sugjerohej që të bëhej një listë e të njohurve dhe të ftohej secili prej tyre. A keni filluar t’i ftoni ata që keni në listën tuaj? A po organizoheni që të merrni pjesë sa më plotësisht në fushatën që do të fillojë më 1 mars për të shpërndarë ftesat e Përkujtimit? Ata që do të vijnë, do të marrin nga Shkrimet informacione që të ndihmojnë të besosh te shpërblesa, e cila çon në jetën e përhershme.—Rom. 10:17.
4. Pse duhet të shkojmë herët në Përkujtim?
4 Të gjithë ata që munden, duhet të planifikojnë të vijnë herët që t’u japin një mikpritje të ngrohtë atyre që e pranojnë këtë ftesë të veçantë. Fakti që pjesëmarrja në Përkujtim është mjaft e madhe, do të thotë se është e rëndësishme t’u kushtojmë vëmendje të veçantë të rinjve dhe atyre që vijnë herë pas here në mbledhje.
5. Si mund ta përgatitni zemrën për këtë rast?
5 Të përgatitim zemrën: Broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2008 dhe Kalendari 2008, përmbajnë një program të veçantë për leximin e disa pjesëve nga Bibla duke filluar nga 17 marsi. Duke shqyrtuar ngjarjet e rëndësishme që ndodhën gjatë ditëve të fundit të Jezuit në tokë, do të përgatitni zemrën për Përkujtimin. (Ezdra 7:10) Meditimi dhe lutjet gjatë leximit të këtyre tregimeve biblike, do t’ju rritin vlerësimin për dashurinë e Jehovait dhe Birit të tij që siguruan shpërblesën.—Psal. 143:5.
6. Si do të ndikojë te ne mirënjohja për shpërblesën?
6 Ndërsa Përkujtimi afron, le të përgatitemi dhe të ndihmojmë edhe të tjerët të përgatiten për këtë rast të rëndësishëm. Kujtimi i shpërblesës me mirënjohje do të forcojë marrëdhënien tonë me Jehovain dhe Birin e tij. (2 Kor. 5:14, 15) Gjithashtu, do të na nxitë t’i imitojmë dhe të tregojmë dashuri vetëmohuese për të tjerët.—1 Gjon. 4:11.