Të përdorim broshurën «Fillojmë të njohim Fjalën e Perëndisë» për të nisur biseda
1. Çfarë mjeti të ri kemi marrë që na ndihmon për shërbimin?
1 Në harmoni me versionin e rishikuar të Përkthimit Bota e Re, në kongresin rajonal morëm një broshurë të re me titull «Fillojmë të njohim Fjalën e Perëndisë». Si mund ta përdorim këtë mjet të ri kur përgatitim prezantimet për në shërbim? Meqenëse nën temat biblike renditen disa shkrime, ashtu si edhe në librin Të arsyetojmë, mund ta përdorim mjaft mirë për të filluar biseda.
2. Si mund ta përdorim në shërbim broshurën «Fillojmë të njohim Fjalën e Perëndisë»?
2 Mund të përdorim pyetjen 8 dhe të themi: «Sot po flasim shkurtimisht për një pyetje që njerëzit e bëjnë shpesh: ‘A duhet fajësuar Perëndia për vuajtjet e njerëzimit?’ [Në disa territore është më e efektshme t’ia tregojmë pyetjen të zotit të shtëpisë nga broshura.] Si mendoni? [Presim përgjigjen.] Bibla i jep një përgjigje bindëse kësaj pyetjeje.» Lexojmë dhe shqyrtojmë direkt nga Bibla një ose më shumë nga shkrimet e përmendura. Nëse i zoti i shtëpisë tregon interes, mund t’i tregojmë 20 pyetjet e renditura në fillim të broshurës dhe t’i kërkojmë të zgjedhë njërën për ta shqyrtuar herën tjetër. Ose mund t’i tregojmë një nga botimet për studim që ka më tepër informacion për temën që sapo shqyrtuam.
3. Si ta përdorim broshurën «Fillojmë të njohim Fjalën e Perëndisë» për të nisur biseda me njerëz që nuk i përkasin fesë së krishterë?
3 Pyetjet 4 dhe 13-17, mund të jenë mjaft të dobishme kur predikojmë në territore ku njerëzit nuk i përkasin fesë së krishterë. Për shembull, mund të përdorim pyetjen 17 dhe të themi: «Sot po flitnim shkurtimisht për familjet. A mendoni dhe ju se familjet kanë shumë probleme sot? [Presim përgjigjen.] Për shumë çifte këto fjalë të mençura kanë qenë një ndihmë e madhe: «Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» [Nuk ka nevojë të përmendim që këto fjalë gjenden te Efesianëve 5:33. Nëse po flasim me një grua, mund t’i themi fjalët te Efesianëve 5:28.] A mendoni se zbatimi i kësaj këshille do ta ndihmonte martesën?»
4. Çfarë mund të bëjmë në fund të bisedës me dikë që nuk është i krishterë?
4 Në fund të bisedës të lëmë takim që të kthehemi njëherë tjetër. Ndoshta mund të planifikojmë të shqyrtojmë një nga shkrimet e tjera në temën që trajtuam. Në një moment të përshtatshëm t’i bëjmë të ditur të zotit të shtëpisë se thëniet e mençura që i kemi treguar, vijnë nga Bibla. Në varësi të bisedave të mëparshme dhe të pikëpamjes së tij për Biblën, i ofrojmë një botim që mendojmë se do t’i pëlqejë.—Shih shtojcën te Shërbimi ynë i Mbretërisë, dhjetor 2013.