JETËSHKRIM
Jehovai ‘m’i ka drejtuar shtigjet’
NJË herë një vëlla i ri më pyeti: «Cili është shkrimi yt i preferuar?» Pa ngurruar, iu përgjigja: «Proverbat 3, vargjet 5 dhe 6, që thonë: ‘Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në aftësinë tënde për të kuptuar. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai do t’i drejtojë shtigjet e tua.’» Vërtet, Jehovai m’i ka drejtuar shtigjet. Si?
PRINDËRIT MË NDIHMOJNË TË GJEJ SHTEGUN E DREJTË
Prindërit e përqafuan të vërtetën para se të martoheshin, në vitet 20. Unë linda në fillim të 1938-s, në Angli. Kur isha i vogël, shkoja me prindërit në mbledhje dhe më pas u regjistrova në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Edhe sot e kësaj dite nuk më harrohet fjalimi im i parë. M’u desh të hipja mbi një kuti, që të arrija te pulti i oratorit. Isha gjashtë vjeç dhe kisha shumë emocione ndërsa shihja gjithë ata të rritur në auditor.
Gjatë dëshmisë rrugore me prindërit
Babai më kishte shtypur një prezantim të thjeshtë në një karton të vogël, që ta përdorja në shërbim. Kur isha tetë vjeç, predikova për herë të parë vetëm në territor. Sa u kënaqa kur i zoti i shtëpisë lexoi prezantimin dhe pranoi menjëherë librin «Le të dalë Perëndia i vërtetë»! Vrapova për te babai që t’i tregoja. Shërbimi dhe mbledhjet më sillnin gëzim e më ushqyen dëshirën që t’i shërbeja Jehovait në kohë të plotë.
E vërteta e Biblës nisi të më prekte më thellë pasi babai më abonoi te revista Kulla e Rojës. Sapo vinte me postë, përpija çdo kopje të revistës. Besimi te Jehovai po më rritej gjithnjë e më shumë, dhe kjo më nxiti t’i kushtoja jetën.
Në vitin 1950, si familje ishim delegatë në asamblenë «Rritja e teokracisë» në Nju-Jork. Të enjten më 3 gusht, tema ishte «Dita e misionarëve». Atë ditë, vëllai Keri Barber, që më vonë shërbeu në Trupin Udhëheqës, mbajti fjalimin e pagëzimit. Në fund të fjalimit, kur na bëri dy pyetjet ne kandidatëve për pagëzim, u ngrita në këmbë dhe thashë: «Po!» Isha 11 vjeç, por e dija se po hidhja një hap të rëndësishëm në jetë. Mirëpo kisha frikë të futesha në ujë ngaqë nuk dija not. Xhaxhai më shoqëroi deri te pishina ku bëhej pagëzimi dhe më siguroi se gjithçka do të shkonte për bukuri. E vërtet, gjithçka mbaroi aq shpejt sa këmbët e mia as nuk e prekën fundin e pishinës. Kalova nga një vëlla te tjetri: njëri më pagëzoi, kurse tjetri më nxori nga pishina. Që nga ajo ditë e shënuar, Jehovai m’i ka drejtuar gjithnjë shtigjet.
ZGJEDH TË MBËSHTETEM TE JEHOVAI
Kur mbarova shkollën e mesme, doja të bëhesha pionier, por mësuesit më nxitën të ndiqja arsimimin e lartë. U dorëzova para presionit të tyre dhe vajta në universitet. Gjithsesi, shpejt kuptova se nuk mund të qëndroja i patundur në të vërtetën e në të njëjtën kohë të përqendrohesha te studimet. Prandaj vendosa ta lë universitetin. Iu luta Jehovait për këtë dhe u shkrova një letër mësuesve të mi, duke u shpjeguar me respekt se do ta lija shkollën në fund të vitit të parë. Me besim të plotë te Jehovai, fillova menjëherë shërbimin si pionier.
Në korrik të vitit 1957, shkova të shërbeja në qytetin Uellingborou. Pyeta vëllezërit në Bethelin e Londrës nëse mund të më rekomandonin ndonjë pionier me përvojë me të cilin të shërbeja. Vëlla Bert Vejsi u bë shoku im i shërbimit dhe një këshilltar i pjekur për mua. Ai ishte një predikues i zellshëm dhe më ndihmoi të kisha një program të mirë për shërbimin. Në kongregacion isha vetëm unë, vëlla Vejsi dhe gjashtë motra të moshuara. Përgatitja dhe pjesëmarrja në çdo mbledhje më dhanë mundësi të shumta të forcoja dhe të shprehja besimin te Jehovai.
Pas një periudhe të shkurtër në burg, ngaqë kisha refuzuar të kryeja shërbimin ushtarak, takova Barbarën, e cila shërbente si pioniere speciale. Në vitin 1959 u martuam dhe ishim të gatshëm të shkonim kudo që të na caktonin. Caktimi ynë i parë si çift ishte në Lankashir, në veriperëndim të Anglisë. Më vonë, në janar të vitit 1961, më ftuan të ndiqja Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë në Bethelin e Londrës, e cila zgjaste një muaj. Për habinë time, në fund të shkollës më caktuan në veprën udhëtuese. Për dy javë, mora stërvitje në qytetin e Birmingamit nga një mbikëqyrës qarkor me përvojë, dhe Barbarën e lejuan të më shoqëronte. Më pas nisëm caktimin tonë në krahinat e Lankashirit dhe të Çeshirit.
BESIMI TE JEHOVAI NUK TË ZHGËNJEN KURRË
Në gusht të vitit 1962, ndërsa ishim me pushime, morëm një letër nga zyra e degës. Brenda saj ishin kërkesat për Shkollën e Galadit. Pasi iu lutëm Jehovait, unë dhe Barbara i plotësuam kërkesat dhe menjëherë ia dërguam zyrës së degës. Pesë muaj më vonë, u nisëm për në Bruklin, Nju-Jork, që të ndiqnim klasën e 38-të të Galadit, një kurs arsimimi teokratik që zgjaste dhjetë muaj.
Në shkollën e Galadit mësuam shumë për Fjalën e Perëndisë, për organizatën e tij dhe për vëllazërinë tonë në mbarë botën. Ishim vetëm në të 20-at, prandaj mësuam goxha edhe nga përvoja e studentëve në klasë. Ishte privilegj për mua që më caktuan të punoja çdo ditë përkrah vëlla Fred Raskit, një prej instruktorëve tanë. Një mësim i rëndësishëm që theksonte ai, ishte ky: duhet të tregohemi gjithnjë të drejtë kur japim këshilla, domethënë të sigurohemi se këshillat tona bazohen plotësisht në Shkrime. Mes atyre që mbajtën fjalime gjatë kursit, kishte vëllezër me përvojë, si Nejthën Nori, Frederik Franci dhe Karl Klajni. Dhe sa shumë mësuam si studentë nga shembulli i përulur i vëlla Aleksandër Mekmilënit! Fjalimi i tij na ndihmoi të kuptonim më qartë si e udhëhoqi Jehovai popullin e tij gjatë periudhës së rafinimit, nga 1914-a deri në fillim të 1919-s.
NDRYSHIM CAKTIMI
Nga fundi i shkollës, vëlla Nori na tha se unë dhe Barbara ishim caktuar në Burundi, në Afrikë. Nxituam për te biblioteka e Bethelit që të shihnim në Librin vjetor sa lajmëtarë kishte Burundi në atë kohë. Për habinë tonë, askund nuk gjetëm sa lajmëtarë shërbenin në atë vend! Imagjino: po shkonim në një territor të pashkelur, në një kontinent për të cilin dinim fare pak. Ishim shumë në ankth! Por lutjet e zjarrta na e qetësuan zemrën.
Në caktimin tonë të ri, gjithçka ishte ndryshe—klima, kultura, gjuha. Tani duhej të mësonim frëngjisht. Një vështirësi tjetër ishte të gjenim shtëpi. Dy ditë pasi kishim shkuar atje, na vizitoi një nga shokët e klasës së Galadit, Harri Arnoti, i cili po kthehej në caktimin e tij në Zambie. Ai na ndihmoi të gjenim një apartament, që u bë shtëpia jonë e parë misionare. Por s’kaloi shumë dhe autoritetet vendëse, që nuk dinin asgjë për Dëshmitarët e Jehovait, filluan të na nxirrnin pengesa. Sapo kishim filluar ta shijonim caktimin, kur autoritet na informuan se nuk mund të qëndronim pa pasur leje pune. Mjerisht, na duhej të largoheshim dhe të përshtateshim me një vend tjetër, me Ugandën.
Besimi te Jehovai na e lehtësoi shqetësimin që ndienim ngaqë po shkonim në Ugandë pa vizë. Një vëlla kanadez që po shërbente atje, ia shpjegoi situatën tonë një nëpunësi të zyrës së emigracionit. Kështu na lejuan të rrinim disa muaj që të aplikonim për të marrë lejeqëndrimin. Kjo ishte një provë se Jehovai po na mbështeste.
Rrethanat në caktimin e ri ishin krejt ndryshe nga ato në Burundi. Vepra e Mbretërisë kishte nisur tashmë, ndonëse në mbarë vendin ishin vetëm 28 Dëshmitarë. Në territor gjenim shumë veta që flitnin anglisht. Megjithatë, shpejt kuptuam se për t’i ndihmuar të interesuarit të përparonin, kishim nevojë të mësonim të paktën një nga gjuhët e shumta indigjene. Filluam të predikonim në qytetin e Kampalës dhe në rrethinat e tij, ku shumica e njerëzve fliste gjuhën lugande. Prandaj vendosëm të mësonim atë gjuhë. Na u deshën disa vjet ta flitnim rrjedhshëm, por kjo na bëri shumë më të efektshëm në veprën e predikimit. Filluam të kuptonim më mirë se ku duhej të përqendroheshim me studentët e Biblës. E kur studentët shihnin sa interesoheshim për ta, na hapnin zemrën dhe shprehnin si ndiheshin për atë që po mësonin.
NGA NJË «SAFAR» NË TJETRIN
Gjatë një «safari kërkimor» në Ugandë
Gëzimi që ndienim tek gjenim njerëz të përulur që përqafonin të vërtetën, u shtua kur morëm një privilegj tjetër të papritur—të shërbenim në veprën udhëtuese anekënd vendit. Nën drejtimin e degës së Kenias, nisëm një «safar kërkimor» për të gjetur vende të përshtatshme ku pionierët specialë mund të nisnin veprën e predikimit. Shijuam disa herë mikpritjen e jashtëzakonshme të njerëzve që nuk kishin takuar kurrë më parë Dëshmitarë. Ata na hapnin dyert me ngrohtësi e na shtronin për të ngrënë.
Më pas, më priste një lloj tjetër «safari». Nga Kampala, udhëtova dy ditë me tren për në portin e Mombasës në Kenia, dhe pastaj vazhdova udhëtimin me anije për në Sejshel, një grup ishujsh në Oqeanin Indian. Nga viti 1965 deri në vitin 1972, në vizitat që bëja rregullisht në ishujt Sejshel, më shoqëronte edhe Barbara. Në fillim atje kishte vetëm dy lajmëtarë, por me kohë u formua një grup dhe më vonë lulëzoi një kongregacion. Pastaj, nga një «safar» në tjetrin vizitova vëllezër në Eritre, Etiopi dhe Sudan.
Situata politike në Ugandë ndryshoi sa hap e mbyll sytë pas një grushti shteti ushtarak. Vitet e terrorit që pasuan, më mësuan sa e mençur është t’i bindemi urdhrit të Biblës: «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit.» (Mar. 12:17) Në atë kohë, autoritetet u kërkuan të gjithë të huajve që banonin në vend, të regjistroheshin në rajonin më të afërt të policisë. U bindëm menjëherë. Disa ditë më vonë, ndërsa po udhëtonim me makinë në Kampalë, policia sekrete më ndaloi mua bashkë me një misionar tjetër. Zemra sa s’po na dilte vendit! Ata na akuzuan se ishim spiunë dhe na shoqëruan për në rajonin qendror të policisë, ku u shpjeguam se ishim misionarë paqësorë. Fjalët tona se tashmë ishim regjistruar në polici, ranë në vesh të shurdhër. Na arrestuan dhe na çuan në rajonin e policisë që ishte më afër shtëpisë misionare. Sa të lehtësuar u ndiem kur oficeri që e dinte se ishim regjistruar më parë, na njohu dhe i tha rojës të na lironte!
Në atë periudhë, shpesh kalonim momente të tensionuara nëpër postblloqe ushtarake, sidomos kur na ndalonin ushtarë të dehur. Megjithatë, çdo herë luteshim e na pushtonte një paqe e brendshme dhe shpesh arrinim të kalonim pa problem. Mjerisht, në vitin 1973, autoritetet urdhëruan që të gjithë misionarët e huaj të largoheshin nga Uganda.
Duke shtypur me shaptilograf Shërbimi ynë i Mbretërisë në degën e Bregut të Fildishtë, në Abixhan
Caktimi ynë ndryshoi përsëri, këtë herë në Bregun e Fildishtë, në Afrikën Perëndimore. Ky ishte një ndryshim goxha i madh për ne. Duhej të mësoheshim me një kulturë krejt të re, të flisnim përsëri frëngjisht gjithë kohës dhe të përshtateshim me misionarë nga prejardhje të ndryshme. Por edhe një herë, pamë si na drejtonte Jehovai ndërsa njerëz të përulur e me zemër të sinqertë reagonin menjëherë ndaj tingullit të së vërtetës. Të dy provuam si na i drejtonte Jehovai shtigjet ndërsa tregonim besim tek ai.
NDRYSHOJNË RRETHANAT
Papritur, Barbara u diagnostikua me kancer. U kthyem në Evropë shumë herë për të marrë trajtim të specializuar, por në vitin 1983 u duk qartë se nuk mund të shërbenim më në caktimin tonë në Afrikë. Ky ishte një zhgënjim mjaft i madh për të dy ne!
Gjendja e Barbarës u përkeqësua ndërsa shërbenim në Bethelin e Londrës, dhe në fund ajo vdiq. Gjatë asaj kohe e ndjeva shumë mbështetjen e dashur të familjes Bethel. Një çift në veçanti më ndihmoi të përshtatesha me rrethanat e reja dhe të vazhdoja të mbështetesha me besim te Jehovai. Më vonë takova Anën, një motër që shërbente si vullnetare e jashtme në Bethel. Ajo kishte qenë pioniere speciale dhe kishte një miqësi të fortë me Jehovain. U martuam në vitin 1989 dhe që nga ajo kohë kemi shërbyer në Bethel.
Bashkë me Anën para Bethelit të ri të Britanisë
Nga viti 1995 deri në vitin 2018, pata kënaqësinë të shërbeja si përfaqësues i selisë botërore (që më parë quhej mbikëqyrës i zonës), dhe kam vizituar gati 60 shtete. Në çdo vizitë, kam parë prova të gjalla si i bekon Jehovai shërbëtorët e tij në rrethana nga më të ndryshmet.
Më 2017, në një nga vizitat shkuam sërish në Afrikë. Çfarë kënaqësie ishte t’i tregoja Anës Burundin! Të dy u mahnitëm nga rritja e veprës në atë vend! Në po atë rrugë ku kisha predikuar shtëpi më shtëpi në 1964-n, ishte ndërtuar një shtëpi e bukur Bethel, e cila kujdeset për më shumë se 15.500 lajmëtarë.
S’më mbante vendi nga gëzimi kur mora itinerarin e vizitave të mia për 2018-n! Në listën e shteteve ishte edhe Bregu i Fildishtë. Kur mbërritëm në Abixhan, qyteti më i madh në vend, m’u duk sikur po kthehesha në shtëpi. Ndërsa po i hidhja një sy numëratorit telefonik, pashë se në dhomën ngjitur me dhomën e mysafirëve ku po rrinim, banonte një vëlla me emrin Súsu. M’u kujtua se ai kishte shërbyer si mbikëqyrës qyteti kur isha në Abixhan. Por e kisha gabim, se ishte një Súsu tjetër—djali i tij.
Jehovai e ka mbajtur premtimin. Mes vështirësive të shumta në jetë, kam parë se kur tregojmë besim te Jehovai, ai na i drejton përherë shtigjet. Duam me gjithë shpirt të vazhdojmë të ecim në shtegun e pafund, i cili do të ndriçojë akoma më shumë në botën e re.—Prov. 4:18.