JETËSHKRIM
Lejova të m’i drejtonte hapat Jehovai
KUR isha adoleshent, zgjodha të ndiqja një rrugë ose një karrierë që e kisha shumë qejf. Por Jehovai më ftoi të zgjidhja një rrugë tjetër, duke më premtuar me bujari: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën e duhur.» (Psal. 32:8) Lejova të m’i drejtonte hapat Jehovai, e kjo çoi drejt një karriere teokratike plot mundësi e bekime të bukura, ku përfshihen 52 vite shërbimi në Afrikë.
NGA TYMI I ZI DREJT ZEMRËS SË NGROHTË TË AFRIKËS
Linda në vitin 1935 në qytezën e Darlastonit, e cila ndodhet në një krahinë të Anglisë të njohur për tymin e zi të fonderive dhe fabrikave të shumta. Kur isha nja 4 vjeç, prindërit filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Nga fillimi i adoleshencës, u binda se kisha gjetur të vërtetën dhe në vitin 1952, kur isha 16 vjeç, u pagëzova.
Në atë periudhë fillova të mësoja një zanat në një fabrikë të madhe që prodhonte vegla dore dhe pjesë këmbimi për automjete. Nisa të stërvitesha për një pozitë të rëndësishme në kompani dhe më pëlqente shumë ajo punë.
Kur një mbikëqyrës udhëtues më ftoi të drejtoja studimin e librit në kongregacionin tim në Uillenholl, m’u desh të merrja një vendim të rëndësishëm. Isha në dilemë, sepse në atë kohë i ndiqja mbledhjet në dy kongregacione. Gjatë javës, shkoja në kongregacionin më afër punës time, në Bramsgrov, rreth 32 kilometra larg shtëpisë. Ndërsa në fundjavë, kur kthehesha në shtëpinë e prindërve, i ndiqja mbledhjet në kongregacionin e Uillenhollit.
Ngaqë doja të mbështetja organizatën e Jehovait, e pranova ftesën e mbikëqyrësit udhëtues, edhe pse kjo kërkonte të lija atë punë që e kisha me shumë qejf. Lejova që në atë rast të m’i drejtonte hapat Jehovai, e kjo i çeli rrugën një jete për të cilën nuk jam bërë kurrë pishman.
Kur shkoja në kongregacionin e Bramsgrovit, takova një motër tërheqëse që e donte shumë Jehovain. Quhej Ana. U martuam në vitin 1957 dhe së bashku kemi gëzuar privilegje shërbimi si pionierë të rregullt, pionierë specialë, në veprën udhëtuese e në Bethel. Gjatë gjithë jetës sime, Ana ka qenë një burim gëzimi.
Më 1966 patëm kënaqësinë e madhe të ndiqnim klasën e 42-të të Galadit. U caktuam në Malavi, një vend që njihet si «zemra e ngrohtë e Afrikës» për shkak të njerëzve të përzemërt dhe mikpritës. Po s’na e merrte mendja se nuk do të ishim të mikpritur për shumë kohë atje.
SHËRBIMI NË MALAVI DHE NGJARJE TË STUHISHME
Xhipi që përdornim në veprën udhëtuese në Malavi
Mbërritëm në Malavi më 1 shkurt 1967. Pas një kursi intensiv njëmujor për të mësuar gjuhën, nisëm veprën krahinore. Kishim një xhip dhe disa mendonin se ajo makinë mund të futej në çdo vend, madje mund të kalonte edhe mespërmes lumenjve. Por s’ishte aspak ashtu. Xhipi ynë mund të përshkonte vetëm ujëra fare të cekëta. Në disa raste, flinim në shtëpi balte, ku duhej të vinim mushama në çatinë prej kashte që të mos pikonte uji brenda gjatë stinës së shirave. Një fillim goxha «interesant» i veprës misionare. Gjithsesi na pëlqente shumë ai caktim!
Në prill filluan të dukeshin në horizont re stuhie. Dëgjova në radio një fjalim nga presidenti i Malavisë dr. Hejstings Banda. Ai tha se Dëshmitarët e Jehovait nuk paguanin taksat dhe i hapnin probleme qeverisë. S’do mend që ato ishin akuza të rreme. Të gjithë e dinim se problemi qëndronte tek asnjanësia jonë, e sidomos u digjte fakti që nuk pranonim të blinim teserat e partisë.
Në shtator lexuam në gazetë që presidenti i kishte akuzuar vëllezërit se po shkaktonin telashe në mbarë vendin. Në një kongres partie ai njoftoi se qeveria e tij do të vinte menjëherë në zbatim një rezolutë për t’i shpallur të jashtëligjshëm Dëshmitarët e Jehovait. Ai ndalim hyri në fuqi më 20 tetor 1967. Pak pas kësaj, erdhën në zyrën e degës policë dhe punonjës të imigracionit për të mbyllur degën dhe për të dëbuar nga vendi misionarët.
Më 1967 kur na arrestuan dhe na dëbuan nga Malavia bashkë me dy misionarë të tjerë, Xhek dhe Linda Johansonin
Pas tri ditësh në burg, na çuan në një vend që ishte nën pushtetin e Britanisë, në Mauriki. Mirëpo, autoritetet në Mauriki nuk na lejuan të qëndronim si misionarë. Prandaj u caktuam në Rodezi (tani Zimbabve). Kur arritëm atje, na rastisi një punonjës imigracioni që ishte tip agresiv e s’donte të na lejonte të hynim në vend. Ai tha: «Nga Malavia ju dëbuan, në Mauriki nuk ju lejuan të qëndronit, prandaj na vini këtu tani!» Ana filloi të qante. Dukej se askush s’na donte në vendin e vet! Në atë moment, doja të lija çdo gjë e të kthehesha menjëherë në Angli. Si përfundim, autoritetet e imigracionit na lejuan ta kalonim natën në zyrën e degës, me kusht që të nesërmen të raportonim në qendrën e tyre. Ishim të sfilitur, por vazhduam t’i linim gjërat në dorë të Jehovait. Të nesërmen pasdite na erdhi papritur leja për të qëndruar si vizitorë në Zimbabve. S’kam për ta harruar kurrë si u ndieva atë ditë—isha i bindur se Jehovai po i drejtonte hapat tanë.
NJË CAKTIM I RI—NDIHMOJMË MALAVINË NGA ZIMBABVE
Me Anën në Bethelin e Zimbabves, më 1968
Në zyrën e degës në Zimbabve më caktuan të punoja në Repartin e Shërbimit, që mbikëqyrte veprën në Malavi dhe Mozambik. Vëllezërit në Malavi po përndiqeshin egërsisht. Caktimi im përfshinte edhe përkthimin e raporteve që dërgonin mbikëqyrësit qarkorë nga Malavia. Një mbrëmje që po punoja vonë për të përfunduar një raport, nuk i mbaja dot lotët ndërsa lexoja për abuzimin e dhunën ndaj vëllezërve e motrave të mia.a Por njëherazi mora zemër sa s’thuhet nga besnikëria, besimi dhe qëndrueshmëria e tyre.—2 Kor. 6:4, 5.
Bënim të pamundurën t’u siguronim ushqim besimforcues vëllezërve që kishin mbetur në Malavi dhe atyre që kishin shkuar në Mozambik për t’i shpëtuar dhunës. Skuadra e përkthimit për gjuhën çiçeua, gjuha më e folur në Malavi, u shpërngul në fermën e madhe të një vëllai në Zimbabve. Ai u tregua shumë i dashur dhe ndërtoi për ta disa shtëpi dhe një zyrë. Aty vazhduan punën e rëndësishme për të përkthyer literaturë të bazuar te Bibla.
Morëm masa që mbikëqyrësit qarkorë në Malavi të ndiqnin çdo vit në Zimbabve kongresin krahinor në gjuhën çiçeua. Atje merrnin skemat e fjalimeve të kongresit. Kur ktheheshin në Malavi, bënin çmos t’ua përcillnin sa më mirë ato informacione zemërdhënëse vëllezërve atje. Në një nga rastet që ishin në Zimbabve, arritëm të organizonim Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë që t’i inkurajonim këta mbikëqyrës qarkorë të guximshëm.
Duke mbajtur një fjalim në çiçeua në një kongres të gjuhëve çiçeua/shone në Zimbabve
Në shkurt të vitit 1975, shkova të vizitoja Dëshmitarët që ishin larguar nga Malavia e po jetonin në kampe të ndryshme në Mozambik. Këta vëllezër po ecnin në një hap me pjesën tjetër të organizatës së Jehovait, duke ndjekur edhe drejtimin më të fundit për të pasur një trup pleqsh. Pleqtë e sapoemëruar kishin organizuar plot aktivitete teokratike, si mbajtja e fjalimeve publike, shqyrtimi i shkrimit të ditës e i Kullës së Rojës dhe organizimi i asambleve. Kampet ishin organizuar tamam si një kongres, me reparte për pastrimin, shpërndarjen e ushqimit dhe sigurinë. Ata vëllezër besnikë kishin realizuar aq shumë gjëra falë bekimit të Jehovait, saqë u largova prej andej i inkurajuar tej mase.
Nga fundi i viteve 70, Malavia filloi të ishte nën mbikëqyrjen e zyrës së degës në Zambie. Prapëseprapë, Malavia ishte në zemrën dhe në lutjet e mia, e po njësoj ndiheshin shumë të tjerë. Si anëtar i Komitetit të Degës të Zimbabves, u takova disa herë me përfaqësuesit nga selia botërore dhe me vëllezër përgjegjës nga Malavia, Afrika e Jugut dhe Zambia. Sa herë mblidheshim, diskutonim të njëjtën pyetje: «Çfarë mund të bëjmë tjetër për vëllezërit në Malavi?»
Me kalimin e kohës, përndjekja u zbut. Vëllezërit që ishin larguar, po ktheheshin pak nga pak në Malavi, ndërsa ata që kishin qëndruar po hasnin më rrallë përndjekje mizore. Vendet fqinje po i njihnin ligjërisht Dëshmitarët e Jehovait e po i hiqnin kufizimet. Mozambiku bëri të njëjtën gjë në vitin 1991. Por akoma vritnim mendjen: «Po Dëshmitarët e Jehovait në Malavi, kur do të jenë të lirë?»
KTHIMI NË MALAVI
Me kalimin e kohës, situata politike në Malavi ndryshoi, dhe në vitin 1993 qeveria e hoqi ndalimin ndaj veprës së Dëshmitarëve të Jehovait. Pak pas kësaj, po bëja muhabet me një misionar e ai më pyeti: «A do të ktheheni në Malavi?» Atëherë isha 59 vjeç, prandaj ia ktheva: «Eh, unë jam goxha i moshuar!» Mirëpo, tamam atë ditë na erdhi një faks nga Trupi Udhëheqës ku na ftonin të ktheheshim në Malavi.
E donim shumë caktimin në Zimbabve, prandaj ishte një vendim i vështirë. Ai vend ishte bërë shtëpia jonë dhe kishim lidhur miqësi të bukura e të pathyeshme. Me dashuri, Trupi Udhëheqës na dha mundësinë që, nëse nuk ndiheshim të ndryshonim caktimin, mund të qëndronim aty ku ishim. Pra e kishim në dorë ta zgjidhnim vetë ku do t’i shërbenim Jehovait. Megjithatë më kujtohet që medituam për shembullin e Abrahamit dhe Sarës, të cilët lanë shtëpinë e tyre të rehatshme në moshë të shkuar për t’iu bindur drejtimit të Jehovait.—Zan. 12:1-5.
Vendosëm të ndiqnim drejtimin e organizatës së Jehovait dhe u kthyem në Malavi më 1 shkurt 1995, fiks 28 vjet pasi kishim shkuar për herë të parë atje. Në Malavi u formua një Komitet Dege që përbëhej nga unë e dy vëllezër të tjerë, dhe iu përveshëm punës pa vonesë që të organizonim aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait në vend.
JEHOVAI BËN TË RRITET
Çfarë bekimi të shihje se si Jehovai bënte që vepra të ecte me hapa viganë! Numri i lajmëtarëve u rrit vrullshëm nga 30.000 në vitin 1993, në mbi 42.000 në vitin 1998.b Trupi Udhëheqës miratoi projektin për një zyrë të re dege, që do të kujdesej për nevojat gjithnjë e në rritje të atij territori. Blemë 12-hektarë tokë në Lilongvë, dhe mua më caktuan në Komitetin e Ndërtimit.
Në maj 2001, vëllai Gaj Piërs nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e kushtimit për ndërtesat e reja. Atë program e ndoqën mbi 2.000 Dëshmitarë vendës, dhe shumica e tyre ishin pagëzuar nga më se 40 vjet. Ata adhurues besnikë të Jehovait kishin përballuar për vite të tëra sprova të parrëfyeshme gjatë ndalimit. Ndonëse të varfër, në sytë e Jehovait ata ishin të pasur pa fund. E tani kishin kënaqësinë të vizitonin Bethelin e tyre të ri. Kudo që shkonin, Betheli ushtonte nga këngët e Mbretërisë të kënduara në harmoninë e stilit afrikan, çka e bënte atë rast ngjarjen më prekëse që kisha përjetuar ndonjëherë. Ajo ishte një provë e gjallë se Jehovai i bekon dorëhapur ata që qëndrojnë besnikë në sprova.
Pasi përfundoi ndërtimi i degës, pata kënaqësinë të merrja caktime për kushtimet e Sallave të Mbretërisë. Kongregacionet në Malavi po nxirrnin dobi nga programi i përshpejtuar për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në vende me të ardhura të kufizuara. Më parë, disa kongregacione mblidheshin në streha të bëra me pemë eukalipti. Çatia ishte prej rrogozi dhe uleshin në stola balte të gjatë. Tani vëllezërit i ishin futur punës tërë entuziazëm për të pjekur tulla në furra të bëra vetë dhe ndërtuan Salla Mbretërie të bukura. Por prapë preferonin stolat, sepse siç thotë një shprehje këtu: «Në stol ka gjithnjë vend edhe për një tjetër.»
Gjithashtu më bëhej zemra mal ndërsa shihja që Jehovai i ndihmonte shërbëtorët e tij të përparonin në të vërtetën. Më linin mbresa sidomos vëllezërit e rinj afrikanë që ishin të gatshëm të ndihmonin ku të kishte nevojë dhe që shpejt fituan përvojë nga arsimimi hyjnor dhe stërvitja praktike. Ata morën më shumë përgjegjësi mbi shpatulla në Bethel dhe në kongregacione. Mbikëqyrësit e sapoemëruar vendës, shumë prej të cilëve ishin të martuar, ndihmuan që kongregacionet të bëheshin më të forta. Edhe pse për këto çifte do të ishte një gëzim të bëheshin me fëmijë, kanë vendosur ta shtyjnë për më vonë këtë, që t’i shërbejnë më plotësisht Jehovait me gjithë presionin nga shoqëria, e në disa raste edhe nga familja.
VENDIMET QË MORA MA KANË PASURUAR JETËN
Me Anën në Bethelin e Britanisë
Pas 52 vitesh në Afrikë, pata disa probleme shëndetësore. Trupi Udhëheqës miratoi rekomandimin e Komitetit të Degës që të caktoheshim në Britani. Kur lamë atë caktim që e donim aq shumë, ishim zemërlëshuar, por familja Bethel këtu në Britani po kujdeset me dashuri për ne tani në moshë të thyer.
Jam i bindur se vendimi më i mirë që kam marrë në jetë ka qenë të lejoja të m’i drejtonte hapat Jehovai. Po të isha mbështetur te mençuria ime dhe të kisha zgjedhur atë karrierë në botë kushedi ku do të isha tani. Jehovai e dinte deri në hollësi se çfarë më duhej për ‘t’i drejtuar shtigjet e mia’. (Prov. 3:5, 6) Në rini, më pëlqente shumë të mësoja hollësitë si funksionon një kompani e madhe. Por organizata ndërkombëtare e Jehovait më ka dhënë një karrierë teokratike që më ka pasuruar jetën përtej asaj që imagjinoja. Shërbimi i Jehovait ka qenë dhe vazhdon të jetë një burim gëzimi i pashtershëm në jetën time!
a Historia teokratike e Malavisë është botuar në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1999, f. 148-223.
b Në Malavi tani ka mbi 100.000 lajmëtarë.