BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w23 nëntor f. 8-13
  • Si ta mbajmë të fortë dashurinë për njëri-tjetrin

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si ta mbajmë të fortë dashurinë për njëri-tjetrin
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2023 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE DUHET TA DUAM NJËRI-TJETRIN?
  • SI E TREGOJMË DASHURINË PËR NJËRI-TJETRIN?
  • SI MUND TA MBAJMË TË FORTË DASHURINË PËR NJËRI-TJETRIN?
  • PSE SOT DASHURIA ËSHTË MË E RËNDËSISHME SE KURRË
  • ‘Të vazhdojmë të ecim në dashuri’
    T’i afrohemi Jehovait
  • «Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë»
    Qëndroni vigjilentë!
  • Mos lejo që dashuria jote të ftohet
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • Dashuria le të na ndërtojë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2023 (Për studim)
w23 nëntor f. 8-13

ARTIKULLI I STUDIMIT 47

Si ta mbajmë të fortë dashurinë për njëri-tjetrin

«Le të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin, sepse dashuria buron nga Perëndia.»—1 GJON. 4:7.

KËNGA 109 Ta duam me gjithë zemër njëri-tjetrin

PËRMBLEDHJEa

1-2. (a) Pse apostulli Pavël tha se dashuria është cilësia ‘më e madhe’? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

KUR foli për besimin, shpresën dhe dashurinë, apostulli Pavël tha se «më e madhja nga këto [cilësi] është dashuria». (1 Kor. 13:13) Pse e tha këtë? Në të ardhmen, nuk do të na duhet më të kemi besim te premtimet e Perëndisë për botën e re. Nuk do të na duhet as të shpresojmë se këto premtime do të plotësohen, sepse do të jenë bërë realitet. Ama do të na duhet gjithmonë të kemi dashuri për Jehovain dhe për njerëzit. Në fakt, dashuria jonë për ta do të vazhdojë të rritet gjithë përjetësinë.

2 Meqë do të na duhet gjithmonë të kemi dashuri, le të shohim tri pyetje. Së pari, pse duhet ta duam njëri-tjetrin? Së dyti, si e tregojmë dashurinë për njëri-tjetrin? Së treti, si mund ta mbajmë të fortë dashurinë për njëri-tjetrin?

PSE DUHET TA DUAM NJËRI-TJETRIN?

3. Pse duhet ta duam njëri-tjetrin?

3 Pse është e rëndësishëm ta duam njëri-tjetrin? Një nga arsyet është se dashuria na dallon si të krishterë të vërtetë. Jezui u tha apostujve: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Veç kësaj, dashuria për njëri-tjetrin na ndihmon të ruajmë unitetin. Pavli e quajti dashurinë ‘një lidhje të përsosur bashkimi’. (Kolos. 3:14) Por ka edhe një arsye tjetër të rëndësishme pse duhet ta duam njëri-tjetrin. Apostulli Gjon u shkroi bashkëbesimtarëve: «Ai që do Perëndinë, duhet të dojë edhe vëllanë e vet.» (1 Gjon. 4:21) Kur tregojmë dashuri për njëri-tjetrin, tregojmë se duam Perëndinë.

4-5. Ilustroni si lidhet dashuria jonë për Perëndinë me dashurinë për njëri-tjetrin.

4 Pse mund të themi se dashuria për Perëndinë lidhet ngushtë me dashurinë për vëllezërit e motrat? Ta ilustrojmë: mendo si lidhet zemra me pjesët e tjera të trupit. Kur na mat pulsin te kyçi i dorës për të parë nëse është i dobët apo i fortë, një mjek mund të kuptojë diçka për gjendjen e zemrës sonë. Si mund ta zbatojmë këtë parim kur bëhet fjalë për dashurinë?

5 Ashtu si mjeku që kupton diçka për shëndetin e zemrës sonë kur na mat pulsin, edhe ne mund të kuptojmë sa e fortë është dashuria jonë për Perëndinë duke matur si është dashuria jonë për të tjerët. Nëse dallojmë se dashuria për vëllezërit e motrat na është dobësuar disi, kjo mund të sinjalizojë se po na dobësohet edhe dashuria për Perëndinë. Ama kur tregojmë vazhdimisht dashuri për bashkëbesimtarët, kjo është një shenjë se dashuria jonë për Perëndinë është e fortë.

6. Pse duhet të merakosemi nëse po na dobësohet dashuria për vëllezërit e motrat? (1 Gjon. 4:7-9, 11)

6 Duhet të merakosemi nëse po na dobësohet dashuria për vëllezërit e motrat. Pse? Sepse kjo do të thotë se është në rrezik miqësia jonë me Jehovain. Apostulli Gjon e bëri të qartë këtë kur na kujtoi: «Ai që nuk do vëllanë e vet, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.» (1 Gjon. 4:20) Cili është mësimi? Jehovai është i kënaqur me ne vetëm nëse «duam njëri-tjetrin».—Lexo 1 Gjonit 4:7-9, 11.

SI E TREGOJMË DASHURINË PËR NJËRI-TJETRIN?

7-8. Cilat janë disa mënyra si mund të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin?

7 Në Fjalën e Perëndisë përsëritet shpesh urdhri: «Ta doni njëri-tjetrin.» (Gjoni 15:12, 17; Rom. 13:8; 1 Sel. 4:9; 1 Pjet. 1:22; 1 Gjon. 4:11) Mirëpo dashuria është një cilësi që lidhet me zemrën, me atë që ndiejmë thellë përbrenda, dhe zemrën nuk na e sheh dot asnjë njeri. Prandaj, si mund ta bëjmë të dukshme dashurinë që ndiejmë për njëri-tjetrin? Me fjalët dhe veprimet tona.

8 Ka një larmi mënyrash si mund ta tregojmë dashurinë për vëllezërit e motrat. Ja disa: «I thoni të vërtetën njëri-tjetrit.» (Zak. 8:16) «Ruani paqen me njëri-tjetrin.» (Mar. 9:50) Merrni iniciativën «për të nderuar njëri-tjetrin». (Rom. 12:10) «Pranojeni krahëhapur njëri-tjetrin.» (Rom. 15:7) «Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin.» (Kolos. 3:13) «Vazhdoni të mbani barrët e njëri-tjetrit.» (Gal. 6:2) «Vazhdoni ta ngushëlloni njëri-tjetrin.» (1 Sel. 4:18) «Vazhdoni . . . të forconi njëri-tjetrin.» (1 Sel. 5:11) «Lutuni për njëri-tjetrin.»—Jak. 5:16.

Kolazh: 1. Një motër lutet. 2. Ajo dëgjon me vëmendje një motër që po i hap zemrën. 3. Flet me videotelefonatë me një motër të moshuar që është sëmurë. 4. Shkruan një kartolinë për ta dërguar bashkë me një dhuratë. 5. Po ha diçka me një motër që ka krahun të lidhur.

Si mund ta ndihmojmë një bashkëbesimtar që po vuan? (Shih paragrafët 7-9)

9. Pse inkurajimi është një mënyrë e rëndësishme si u tregojmë dashuri të tjerëve? (Shihni edhe figurën.)

9 Le të ndalemi tani te një nga mënyrat e përmendura më sipër se si mund të tregojmë dashuri. Do të shqyrtojmë nxitjen që dha Pavli: «Vazhdoni ta ngushëlloni njëri-tjetrin.» Pse ngushëllimi ose inkurajimi është një mënyrë e rëndësishme si e tregojmë dashurinë? Sipas një vepre referimi për Biblën, fjala që përdori Pavli dhe që është përkthyer «ngushëllo» do të thotë «t’i qëndrosh pranë dikujt për ta inkurajuar kur po kalon një sprovë të rëndë». Kështu, duke e ngushëlluar një vëlla a motër që po vuan, e ndihmojmë të ngrihet dhe të vazhdojë të ecë në rrugën e jetës. Sa herë që e dëgjojmë me dhembshuri një bashkëbesimtar kur na zbraz shqetësimet, tregojmë dashuri për të.—2 Kor. 7:6, 7, 13.

10. Si lidhet dhembshuria me inkurajimin?

10 Të ndiesh dhembshuri e të ngushëllosh dikë janë dy gjëra të lidhura ngushtë. Në ç’mënyrë? Një njeri të dhembshur e nxit zemra që t’i ngushëllojë të tjerët dhe të përpiqet t’ua lehtësojë vuajtjet. Pra, në fillim ndiejmë dhembshuri, pastaj japim inkurajim ose ngushëllim. Vër re si e lidh Pavli dhembshurinë e Jehovait me ngushëllimin që na jep Ai. Pavli e quan Jehovain «Ati i mëshirshëm e zemërdhembshur dhe Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Kor. 1:3) Në gjuhën origjinale, kjo shprehje mbart idenë se Jehovai është Ati ose Burimi i mëshirës e i dhembshurisë. E kjo dhembshuri e nxit të na japë zemër «në të gjitha sprovat tona». (2 Kor. 1:4) Ashtu si uji i pastër i një burimi i freskon ata që kanë etje, Jehovai i freskon dhe i ngushëllon ata që vuajnë. Si mund të ndiejmë edhe ne dhembshuri për të tjerët e t’u japim zemër, ashtu si Jehovai? Një mënyrë është duke zhvilluar cilësi të ngrohta që na shtyjnë t’i ngushëllojmë të tjerët. Cilat janë disa nga këto cilësi?

11. Çfarë cilësish të tjera duhet të zhvillojmë për ta mbajtur ndezur dashurinë që na motivon të ngushëllojmë njëri-tjetrin? (Kolosianëve 3:12; 1 Pjetrit 3:8)

11 Si mund ta mbajmë ndezur atë dashuri që na motivon ‘të vazhdojmë ta ngushëllojmë njëri-tjetrin’ dita-ditës? Duhet të zhvillojmë cilësi të ngrohta si empatia, përzemërsia vëllazërore dhe zemërmirësia. (Lexo Kolosianëve 3:12; 1 Pjetrit 3:8.) Si do të na ndihmojnë këto cilësi? Kur dhembshuria dhe cilësi të tjera që lidhen me të bëhen pjesë e personalitetit tonë, zemra do të na shtyjë t’i ngushëllojmë ata që vuajnë. Siç tha Jezui, «goja flet nga bollëku i zemrës. Njeriu i mirë nxjerr gjëra të mira nga thesari i vet i mirë». (Mat. 12:34, 35) Të inkurajojmë vëllezërit e motrat që kanë nevojë është një mënyrë tepër e rëndësishme si e shprehim dashurinë për ta.

SI MUND TA MBAJMË TË FORTË DASHURINË PËR NJËRI-TJETRIN?

12. (a) Pse duhet të qëndrojmë vigjilentë? (b) Cilën pyetje do të shqyrtojmë tani?

12 Të gjithë dëshirojmë «të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin». (1 Gjon. 4:7) Por është e rëndësishme të mos harrojmë paralajmërimin e Jezuit se ‘dashuria e shumicës do të ftohej’. (Mat. 24:12) Jezui nuk po thoshte se kjo do të ndodhte në një masë të madhe mes dishepujve të tij. Prapëseprapë, duhet të qëndrojmë vigjilentë për të mos u infektuar nga mungesa e dashurisë që mbizotëron sot në botë. Duke mbajtur parasysh këtë, le të shqyrtojmë një pyetje të rëndësishme: si mund ta kuptojmë nëse dashuria jonë për vëllezërit e motrat është e fortë?

13. Çfarë mund të na e sprovojë dashurinë?

13 Një mënyrë si ta dallojmë sa e fortë është dashuria jonë është duke analizuar si reagojmë në situata të ndryshme. (2 Kor. 8:8) Një nga këto situata e përmendi apostulli Pjetër kur tha: «Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon mëkate të shumta.» (1 Pjet. 4:8) Pra, të metat dhe gabimet e të tjerëve mund të jenë një sprovë për dashurinë tonë.

14. Sipas 1 Pjetrit 4:8, ç’lloj dashurie duhet të kemi? Ilustrojeni.

14 Le t’i shohim më me vëmendje fjalët e Pjetrit. Pjesa e parë e vargut 8 tregon ç’lloj dashurie duhet të kemi—«dashuri të zjarrtë». Fjala që është përkthyer «e zjarrtë» në kuptimin e mirëfilltë do të thotë «e hapur plotësisht». Pjesa e dytë e vargut tregon çfarë na shtyn të bëjmë kjo dashuri e zjarrtë. Ajo na ndihmon t’i mbulojmë mëkatet e vëllezërve. Mund ta përfytyrojmë kështu: pasi e kapim dashurinë me të dyja duart, si të ishte një pëlhurë elastike, e hapim mirë e mirë sa të mbulojë jo një, as dy, por ‘shumë mëkate’. Fjala «mbulon» këtu ka kuptimin e figurshëm «fal». Ashtu si një pëlhurë që mbulon një njollë, dashuria mund të mbulojë të metat dhe gabimet e të tjerëve.

15. Çfarë do të bëjmë nëse dashuria jonë për vëllezërit e motrat është mjaft e fortë? (Kolosianëve 3:13)

15 Dashuria jonë për të tjerët duhet të jetë aq e fortë sa t’i falim të metat e bashkëbesimtarëve—edhe nëse ndonjëherë kjo kërkon goxha përpjekje. (Lexo Kolosianëve 3:13.) Kur arrijmë të falim, tregojmë se dashuria jonë është e fortë dhe se duam ta kënaqim Jehovain. Çfarë tjetër mund të na ndihmojë t’i anashkalojmë tiparet acaruese dhe gabimet e të tjerëve?

Figura e vogël tregon një vëlla që fshin nga celulari një nga disa fotot që ka bërë me një grup vëllezërish e motrash. Një foto tjetër të grupit, që tani është printuar e vënë në një kornizë, e ka vendosur në raft.

Ashtu siç ruajmë fotot më të bukura kurse të tjerat i fshijmë, kujtimet e bukura me bashkëbesimtarët i kemi të çmuara kurse kujtimet e këqija vendosim të mos i mbajmë në mendje (Shih paragrafët 16-17)

16-17. Çfarë tjetër do të na ndihmojë t’i anashkalojmë gabimet e vogla të të tjerëve? Ilustrojeni. (Shihni edhe figurën.)

16 Përqendrohu të cilësitë pozitive të vëllezërve dhe motrave, jo tek ato negative. Të bëjmë një krahasim. Përfytyro sikur jeni mbledhur për qejf një grup vëllezërish e motrash. Ia kaloni bukur dhe në fund ti i bën një foto grupit. Në fakt, sa për siguri, bën edhe dy foto të tjera në rast se e para nuk ka dalë mirë. Kur i sheh të tria fotografitë, vëren se te njëra prej tyre një vëlla ka dalë i vrenjtur. Çfarë bën me atë fotografi? E fshin, sepse ke edhe dy të tjera ku të gjithë në grup, përfshirë edhe vëllanë, po buzëqeshin.

17 Fotografitë që ruajmë mund t’i krahasojmë me kujtimet që mbajmë në mendje. Zakonisht kemi kujtime të bukura nga koha që kalojmë me vëllezërit e motrat. Mirëpo ndoshta në një rast, një vëlla a motër thotë ose bën diçka lënduese. Ç’duhet të bësh me atë kujtim? Pse të mos përpiqesh ta fshish, siç do të fshije një nga ato fotografi? (Prov. 19:11; Efes. 4:32) Mund ta fshijmë kujtimin e atij gabimi të vogël pa u menduar dy herë, sepse kemi plot kujtime të bukura me atë bashkëbesimtar. Ato janë kujtimet që duam t’i mbajmë dhe t’i kemi të çmuara.

PSE SOT DASHURIA ËSHTË MË E RËNDËSISHME SE KURRË

18. Cilat pika të rëndësishme për dashurinë kemi shqyrtuar në këtë artikull?

18 Pse duam ta mbajmë të fortë dashurinë për njëri-tjetrin? Siç e kemi parë, kur tregojmë dashuri për vëllezërit e motrat, tregojmë dashuri për Jehovain. Si e shprehim dashurinë për bashkëbesimtarët? Një mënyrë është duke i ngushëlluar ose inkurajuar. Dhembshuria do të na nxitë ‘të vazhdojmë ta ngushëllojmë njëri-tjetrin’. Si mund ta mbajmë të fortë dashurinë për njëri-tjetrin? Duke u përpjekur me të gjitha forcat t’i falim të tjerët kur gabojnë.

19. Pse sot është më e rëndësishme se kurrë të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin?

19 Pse sot është më e rëndësishme se kurrë të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin? Pjetri na tregon arsyen: «Fundi i të gjitha gjërave është afruar. Prandaj, . . . kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin.» (1 Pjet. 4:7, 8) Çfarë mund të presim ndërsa fundi i kësaj bote të ligë afrohet përditë e më shumë? Jezui paratha për dishepujt e tij: «Të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» (Mat. 24:9) Që të qëndrojmë besnikë përballë kësaj urrejtjeje, duhet të ruajmë unitetin. Ndërsa e bëjmë këtë, përpjekjet e Satanait për të na përçarë do të dështojnë, sepse ne na lidh fort me njëri-tjetrin dashuria, ‘lidhja e përsosur e bashkimit’.—Kolos. 3:14; Filip. 2:1, 2.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse duhet t’i duam vëllezërit e motrat?

  • Si e tregojmë dashurinë për bashkëbesimtarët?

  • Pse kur jemi të gatshëm të falim tregojmë dashuri?

KËNGA 130 Le ta falim njëri-tjetrin

a Sot është më e rëndësishme se kurrë t’u tregojmë dashuri vëllezërve e motrave. Pse është kaq e rëndësishme kjo dhe si mund të tregojmë më plotësisht dashuri?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo