ARTIKULLI I STUDIMIT 29
KËNGA 121 Vlera e vetëkontrollit
Rri syçelë që t’i rezistosh tundimit
«Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.»—MAT. 26:41.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të mbajmë në mendje se duhet të përpiqemi fort që të mos mëkatojmë dhe duhet të shmangim hapat që çojnë drejt mëkatit.
1-2. (a) Çfarë paralajmërimi u dha Jezui dishepujve? (b) Pse dishepujt ranë pre e dobësisë njerëzore? (Shihni edhe figurat.)
«SIGURISHT, zemra është gati, por trupi është i dobët.» (Mat. 26:41b) Me këto fjalë Jezui po tregonte se e kuptonte që jemi të papërsosur e gabojmë. Por fjalët e tij përmbajnë edhe këtë paralajmërim: kujdes nga siguria e tepërt te vetja! Po atë mbrëmje, dishepujt kishin thënë plot siguri se nuk do ta braktisnin kurrsesi Zotërinë e tyre. (Mat. 26:35) Ata kishin motive të mira. Mirëpo harruan se mund të binin fare kollaj pre e dobësisë njerëzore po të ishin nën presion. Ja pse Jezui i paralajmëroi: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.»—Mat. 26:41a.
2 Mjerisht, dishepujt nuk qëndruan vigjilentë. Si vepruan kur Jezuin e arrestuan? A i qëndruan përkrah apo iu dorëzuan tundimit për t’ia mbathur? Të zënë në befasi, dishepujt bënë tamam atë që kishin thënë se s’do ta bënin kurrë—e braktisën Jezuin.—Mat. 26:56.
Jezui i nxiti dishepujt të qëndronin vigjilentë dhe të ruheshin nga tundimi, por ata e braktisën (Shih paragrafët 1-2)
3. (a) Për t’i qëndruar besnikë Jehovait, pse duhet të ruhemi nga siguria e tepruar te vetja? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Duhet të bëjmë shumë kujdes që të mos biem në grackën e sigurisë së tepruar te vetja. Vërtet, ne jemi të vendosur të mos bëjmë asgjë që do ta lëndonte Jehovain. Po njëkohësisht jemi të papërsosur dhe të brishtë para tundimeve. (Rom. 5:12; 7:21-23) Krejt papritur mund të gjendemi në rrethana ku na duket shumë joshëse diçka e gabuar. Për t’i qëndruar besnikë Jehovait dhe Birit të tij, duhet të ndjekim këshillën e Jezuit—të rrimë syçelë për t’i rezistuar tundimit. Ky artikull do të na ndihmojë pikërisht për këtë. Së pari, do të shqyrtojmë në cilat aspekte duhet të jemi veçanërisht syçelë. Më tej do të shohim si të jemi syçelë që të mos tundohemi. E në fund do të shohim si të qëndrojmë syçelë.
JI SYÇELË—NË CILAT ASPEKTE?
4-5. Pse duhet të kemi kujdes që të mos bëjmë as mëkate të vogla?
4 Edhe mëkatet më pak serioze mund të na e dobësojnë marrëdhënien me Jehovain. Veç kësaj, ato mund të çojnë në mëkate më të rënda.
5 Të gjithë përballemi me tundimin që të bëjmë diçka të gabuar. Por secili ka pika ku është më i dobët, siç mund të jetë prirja për të kryer një mëkat serioz, për t’u ndotur me praktika të papastra ose për të rënë pre e mentalitetit të botës. Për shembull, dikush mund të luftojë me tundimin për të bërë imoralitet seksual. Një tjetër mbase ka një prirje të fortë për t’u ndotur me praktika të papastra, si masturbimi ose shikimi i pornografisë. E dikush tjetër mund të luftojë me frikën nga njeriu, me frymën e pavarësisë, me gjaknxehtësinë a me diçka tjetër. Siç thotë Jakovi, «secili sprovohet, sepse tërhiqet dhe joshet nga dëshira e vet».—Jak. 1:14.
6. Për çfarë duhet të jemi të sinqertë me veten?
6 A e di cilat gjëra janë më tunduese për ty? Është e rrezikshme të gënjejmë veten duke mohuar dobësitë tona ose duke menduar se jemi aq të fortë sa të mos mëkatojmë. (1 Gjon. 1:8) Në fakt, Pavli tha se edhe ‘të krishterët e pjekur’ mund të dorëzohen para tundimit nëse nuk rrinë syçelë. (Gal. 6:1, shën.) Duhet të jemi të sinqertë me veten dhe t’i pranojmë pikat tona të dobëta.—2 Kor. 13:5.
7. Për çfarë duhet të tregojmë kujdes të veçantë? Ilustrojeni.
7 Pasi të kemi kuptuar cilat gjëra na tundojnë më shumë, ç’duhet të bëjmë? Të punojmë që të jemi më të fortë përballë tundimeve. Ta ilustrojmë: në lashtësi, pikat më të dobëta në murin e një qyteti ishin portat. Ja pse portat mbroheshin me shumë roja. Po njësoj, ne duhet të tregojmë kujdes të veçantë për pikat ku e dimë se jemi më të brishtë.—1 Kor. 9:27.
SI TË JESH SYÇELË
8-9. Ç’mund të kishte bërë djali i kapitullit 7 të Proverbave që të mos kryente një mëkat serioz? (Proverbat 7:8, 9, 13, 14, 21)
8 Ç’duhet të bëjmë që të mos biem në grackën e tundimit? Të shohim ç’mund të mësojmë nga djali i përshkruar në kapitullin 7 të Proverbave. Ai kreu imoralitet seksual me një grua imorale. Vargu 22 thotë se u turr «befas» pas saj. Ama, siç tregojnë vargjet pararendëse, para kësaj kishte bërë disa hapa që e çuan dalëngadalë drejt mëkatit.
9 Cilët ishin hapat që e shtynë drejt mëkatit? Së pari, në të ngrysur, «kaloi rrugës pranë qoshes ku jetonte» gruaja imorale. Më pas, u drejtua për te shtëpia e saj. (Lexo Proverbat 7:8, 9.) E pas kësaj, kur e pa atë grua, nuk u largua. Përkundrazi, lejoi që ajo ta puthte dhe e dëgjoi ndërsa i tregonte se kishte bërë flijime në bashkësi, ndoshta për t’i mbushur mendjen se nuk ishte njeri i keq. (Lexo Proverbat 7:13, 14, 21.) Po të mos i kishte bërë ata hapa të rrezikshëm, djali nuk do të kishte rënë pre e tundimit dhe mëkatit.
10. Si mund të bëjë dikush sot të njëjtin gabim si djali i Proverbave?
10 Ky tregim i Solomonit ilustron atë që mund t’i ndodhë çdo adhuruesi të Jehovait. Ai mund të bëjë një mëkat të rëndë dhe më vonë mund t’i duket se gjithçka ngjau «befas». Ose mund të thotë: «Thjesht ndodhi.» Mirëpo nëse mendon pak për atë që ndodhi, ka shumë gjasa ta kuptojë se para atij mëkati serioz kishte marrë disa vendime të pamenda. Këto mund të përfshinin shoqëritë e këqija, zbavitjet e dëmshme ose frekuentimin e vendeve të dyshimta—qoftë fizikisht, qoftë online. Veç kësaj, ndoshta nuk lutej më, nuk lexonte më Biblën, nuk ndiqte më mbledhjet ose nuk dilte më në shërbim. Pra ka të ngjarë që, ashtu si djali i Proverbave, nuk e kreu aq «befas» atë mëkat.
11. Ç’duhet të bëjmë që të mos kryejmë mëkat?
11 Cili është mësimi për ne? Duhet të bëjmë kujdes që jo vetëm të mos mëkatojmë, por edhe të mos hedhim hapa që çojnë drejt mëkatit. Solomoni theksoi tamam këtë pikë në fund të tregimit për të riun dhe gruan imorale. Duke folur për atë grua, ai nxiti: «Mos kalofsh në shtigjet e saj!» (Prov. 7:25) Gjithashtu tha për këtë grua të ulët: «Qëndro sa më larg saj e mos iu afro hyrjes së shtëpisë së saj.» (Prov. 5:3, 8) Pra, që të ruhemi nga mëkati, duhet të shmangim rrethanat që shtrojnë udhën drejt tij.a Këto mund të përfshijnë disa situata ose aktivitete që nuk janë të ndaluara për shërbëtorët e Perëndisë, por që e dimë se do të na tundonin të bënim diçka të gabuar.—Mat. 5:29, 30.
12. Cilin vendim të prerë mori Jobi, dhe si do ta ndihmonte kjo të mos dorëzohej para tundimit? (Jobi 31:1)
12 Për të shmangur situatat që do të na shtynin drejt mëkatit, duhet të marrim një vendim të prerë. Kështu veproi Jobi. Ai bëri «një besëlidhje me sytë» që të mos i shihte kurrë me epsh gratë e tjera. (Lexo Jobin 31:1.) Duke iu përmbajtur atij vendimi, do të ishte i mbrojtur nga rreziku që të kryente kurorëshkelje. Edhe ne mund të marrim një vendim të prerë për t’i ndenjur larg çdo gjëje që do të na tundonte të bënim diçka të gabuar.
13. Pse duhet të bëjmë kujdes se çfarë bluajmë në mendje? (Shihni edhe figurat.)
13 Gjithashtu duhet të bëjmë kujdes se çfarë bluajmë në mendje. (Eks. 20:17) Disa besojnë se s’ka ndonjë të keqe të fantazosh për dëshira të papërshtatshme për sa kohë që nuk vepron sipas tyre. Por kjo mënyrë të menduari është e shtrembër. Kur dikush rri e bluan në mendje diçka të gabuar, e ndez më shumë dëshirën që t’i bëjë realitet ato mendime. Në njëfarë kuptimi, ai krijon një tundim që tani duhet t’i rezistojë. Natyrisht, hera-herës do të na kalojnë nëpër mendje mendime të gabuara. Ajo që ka rëndësi është t’i dëbojmë menjëherë dhe t’i zëvendësojmë me mendime të mira. Në këtë mënyrë nuk i lejojmë mendimet e gabuara të shndërrohen në një dëshirë të fortë që është zor ta luftosh dhe që mund të na çojë drejt një mëkati serioz.—Filip. 4:8; Kolos. 3:2; Jak. 1:13-15.
Duhet të shmangim çdo gjë që mund të na tundojë të mëkatojmë (Shih paragrafin 13)
14. Ç’gjë tjetër mund të na ndihmojë të mos biem në grackën e tundimit?
14 Ç’gjë tjetër mund të na ndihmojë të mos biem në grackën e tundimit? Duhet të jemi absolutisht të sigurt se bindja ndaj ligjeve të Jehovait është gjithmonë për të mirën tonë. Nganjëherë mund të na duhet të luftojmë për t’i vënë në harmoni mendimet e dëshirat tona me atë që miraton Perëndia. Ama ia vlen çdo përpjekje, sepse do të kemi si rezultat paqe mendore.
15. Pse dëshira për të bërë atë që është e drejtë do të jetë një mbrojtje përballë tundimit?
15 Kemi nevojë të ushqejmë dëshirën për të bërë atë që është e drejtë. Nëse mësojmë ‘të urrejmë të keqen dhe të duam të mirën’, do të jemi akoma më të vendosur të bëjmë atë që është e drejtë dhe të shmangim situatat që çojnë drejt mëkatit. (Amo. 5:15) Gjithashtu, duke zhvilluar dëshira të përshtatshme, do të kemi më shumë forcë t’i rezistojmë tundimit po të gjendemi në një situatë që nuk mund ta parashikojmë ose ta shmangim.
16. Si mund të na ndihmojnë aktivitetet teokratike të rrimë syçelë? (Shihni edhe figurat.)
16 Si mund ta ushqejmë dëshirën për të bërë atë që është e drejtë? Duhet të zhytemi sa më shumë në aktivitete që na forcojnë miqësinë me Jehovain. Kur jemi në mbledhje a në shërbim, forcojmë dëshirën për ta kënaqur Jehovain dhe nuk tundohemi kollaj për të bërë diçka të gabuar. (Mat. 28:19, 20; Hebr. 10:24, 25) E teksa lexojmë, studiojmë dhe bluajmë në mendje Fjalën e Perëndisë, na thellohet dashuria për të mirën dhe urrejtja për të keqen. (Jos. 1:8; Psal. 1:2, 3; 119:97, 101) Të mos harrojmë edhe atë që u tha Jezui dishepujve: «Lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.» (Mat. 26:41) Ndërsa kalojmë kohë në lutje me Atin tonë qiellor, i japim mundësi të na ndihmojë dhe forcojmë vendosmërinë për t’ia gëzuar zemrën.—Jak. 4:8.
Një program i mirë për të forcuar miqësinë me Jehovain na ndihmon t’u rezistojmë tundimeve. (Shih paragrafin 16)b
QËNDRO SYÇELË
17. Cila dobësi e vuri poshtë Pjetrin në disa raste?
17 Disa dobësi ose prirje të gabuara ndoshta arrijmë t’i mposhtim plotësisht. Por me disa të tjera mund të kemi një luftë të pareshtur. Të marrim rastin e apostullit Pjetër. Ai u dorëzua para frikës nga njeriu kur e mohoi tri herë Jezuin. (Mat. 26:69-75) Më pas, duket se Pjetri e kishte mposhtur atë frikë, ngaqë foli plot guxim para Sinedrit. (Vep. 5:27-29) Mirëpo, disa vjet më vonë, «nga frika e përkrahësve të rrethprerjes», nuk hëngri më për njëfarë kohe me të krishterë nga kombe të tjera. (Gal. 2:11, 12) Dobësia e tij kishte nxjerrë kokë sërish. Mbase Pjetri nuk e kishte mposhtur kurrë plotësisht atë frikë.
18. Ç’mund të ndodhë me disa prirje të gabuara?
18 Edhe ne mund të gjendemi në një situatë të ngjashme. Si? Mund të na duhet të luftojmë prapë me një prirje që mendonim se e kishim çrrënjosur. Për shembull, një vëlla pranon: «I rezistova pornografisë për 10 vjet dhe isha më se i bindur që isha çliruar nga ky ves. Por, varësia ime ishte si një përbindësh që rrinte i fshehur diku, gati për të më sulmuar sapo t’i jepej rasti.» Ama nuk u dorëzua. E kuptoi se duhej të përpiqej ditë pas dite që ta luftonte vesin e tij, e ndoshta do ta vazhdonte atë luftë gjatë gjithë jetës në këtë sistem. Me ndihmën e bashkëshortes dhe të pleqve të kongregacionit, ai mori masa më të forta për të qëndruar larg pornografisë.
19. Si mund t’i rezistojmë një prirjeje të gabuar që vazhdon të nxjerrë kokë?
19 Nëse një prirje e gabuar vazhdon të nxjerrë kokë, ç’mund të bëjmë që të mos na shtyjë drejt një veprimi të gabuar? Të ndjekim këshillën e Jezuit në lidhje me tundimet: «Qëndroni vigjilentë.» Edhe në ato periudha kur ndihesh i fortë, vazhdo t’i shmangësh situatat që mund të të çojnë në tundim. (1 Kor. 10:12) Gjithashtu vazhdo të përdorësh ato strategji që të kanë ndihmuar në luftën kundër prirjeve të gabuara. Proverbat 28:14 thotë: «Lum njeriu që është përherë syçelë.»—2 Pjet. 3:14.
DOBITË QË SJELL VIGJILENCA
20-21. (a) Cilat dobi do të kemi nëse rrimë syçelë që të mos tundohemi? (b) Ç’do të bëjë Jehovai për ne nëse bëjmë pjesën tonë? (2 Korintasve 4:7)
20 Mund të jemi të sigurt se ia vlen çdo përpjekje për të qëndruar syçelë që të mos biem para tundimit. Çfarëdo ‘kënaqësie të përkohshme’ të ofrojë mëkati, po të jetojmë sipas standardeve të Jehovait, do të jemi jashtëzakonisht më të lumtur. (Hebr. 11:25; Psal. 19:8) Arsyeja është se jemi krijuar në këtë mënyrë. (Zan. 1:27) Kur bëjmë një jetë që e kënaq Jehovain, kemi ndërgjegje të pastër dhe perspektivën që të jetojmë pafundësisht.—1 Tim. 6:12; 2 Tim. 1:3; Jud. 20, 21.
21 Vërtet, «trupi është i dobët». Por kjo s’do të thotë se jemi të pashpresë përballë dobësive tona. Jehovai është përherë gati të na japë fuqinë e nevojshme. (Lexo 2 Korintasve 4:7.) Ama të mos harrojmë se fuqia që na jep Ai është fuqia përtej normales. Kurse fuqinë normale është përgjegjësia jonë ta sigurojmë, duke bërë përpjekje ditë pas dite që të mbrohemi nga tundimi. Nëse bëjmë pjesën tonë, mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve për të na dhënë më shumë forcë kur të kemi nevojë. (1 Kor. 10:13) Po, me ndihmën e Jehovait mund të rrimë syçelë dhe t’i rezistojmë tundimit.
KËNGA 47 Çdo ditë të lutem, Jehova!
a Dikë që ka kryer një mëkat serioz mund ta ndihmojë mësimi 57 i librit Gëzoje jetën përgjithmonë pikat 1-3 dhe artikulli «‘Shih drejt përpara’ nga e ardhmja» në Kullën e Rojës të nëntorit 2020, f. 27-29, p. 12-17.
b PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një vëlla lexon shkrimin e ditës në mëngjes, lexon Biblën në pushimin e drekës dhe ndjek mbledhjen e mesjavës në mbrëmje.