ARTIKULLI I STUDIMIT 33
KËNGA 130 Le ta falim njëri-tjetrin
Si të pasqyrojmë pikëpamjen e Jehovait për mëkatarët
«Nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës.»—1 GJON. 2:1.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të nxjerrim mësime të rëndësishme nga mënyra si u trajtua një shkelje e rëndë në kongregacionin e Korintit të shekullit të parë.
1. Çfarë dëshiron Jehovai për çdo njeri?
JEHOVAI i krijoi njerëzit me vullnet të lirë. Këtë dhuratë e përdorim rregullisht për të marrë vendime. Vendimi më i rëndësishëm që mund të marrë dikush, është t’i kushtojë jetën Jehovait dhe të bëhet pjesë e familjes së tij. Jehovai dëshiron që çdo njeri ta bëjë këtë zgjedhje. Pse? Sepse ka dashuri për njerëzit dhe do më të mirën për ta. Dëshiron që të kenë një miqësi të ngushtë me të e të jetojnë përgjithmonë.—Ligj. 30:19, 20; Gal. 6:7, 8.
2. Çfarë dëshiron Jehovai për mëkatarët që ende nuk janë penduar? (1 Gjonit 2:1)
2 Megjithatë, Jehovai nuk detyron askënd t’i shërbejë. I ka dhënë liri çdo njeriu të vendosë vetë. Po sikur një Dëshmitar i pagëzuar të shkelë ligjet e Perëndisë, pra të bëjë një mëkat të rëndë? Nëse nuk pendohet, ai do të hiqet nga kongregacioni. (1 Kor. 5:13) Prapëseprapë, Jehovai nuk i humb shpresat. Ai mezi pret që mëkatari të ndryshojë rrugë e të kthehet tek ai. Në fakt, një nga arsyet kryesore pse siguroi shpërblesën, është që të falë ata që pendohen për mëkatet e tyre. (Lexo 1 Gjonit 2:1.) Perëndia ynë i dashur u bën thirrje me përzemërsi mëkatarëve që të pendohen.—Zak. 1:3; Rom. 2:4; Jak. 4:8.
3. Çfarë do të shohim në këtë artikull?
3 Jehovai dëshiron që të përvetësojmë pikëpamjen e tij për mëkatin dhe për ata që mëkatojnë. Ky artikull do të na tregojë si ta bëjmë këtë. Ndërsa e studion, mendo për (1) mënyrën si u trajtua një shkelje e rëndë në kongregacionin e Korintit të shekullit të parë, (2) drejtimin që dha Pavli kur një mëkatar u pendua dhe (3) mësimet që na zbulon ky fragment i Biblës për mënyrën si i sheh Jehovai ata që bëjnë një mëkat të rëndë.
SI U TRAJTUA NJË SHKELJE E RËNDË NË SHEKULLIN E PARË
4. Çfarë ndodhi në kongregacionin e Korintit në shekullin e parë? (1 Korintasve 5:1, 2)
4 Lexo 1 Korintasve 5:1, 2. Gjatë udhëtimit të tretë misionar, Pavli mori vesh disa lajme shqetësuese për kongregacionin e sapoformuar në Korint. Një vëlla në kongregacion kryente marrëdhënie seksuale me njerkën e tij. ‘Një imoralitet i tillë nuk kryhej as mes kombeve’ dhe ishte mjaft tronditës. Kongregacioni jo vetëm që e toleronte këtë mëkat, por edhe krenohej me këtë qëndrim tolerant që po shfaqte. Mbase disa mendonin se kështu po tregoheshin të mëshirshëm dhe mirëkuptues ndaj njerëzve të papërsosur, ashtu si Perëndia. Por Jehovai nuk i toleron shkeljet mes adhuruesve të tij. Duke zgjedhur atë rrugë të shtrembër, ky burrë po dëmtonte reputacionin e mirë të kongregacionit. Veç kësaj, mund të kishte ndikuar edhe te të krishterët e tjerë që shoqëroheshin me të. Prandaj, çfarë drejtimi i dha Pavli kongregacionit?
5. Çfarë urdhri i dha Pavli kongregacionit e çfarë donte të thoshte me fjalët e tij? (1 Korintasve 5:13) (Shihni edhe figurën.)
5 Lexo 1 Korintasve 5:13. Nën frymëzim, Pavli shkroi një letër dhe udhëzoi që ai mëkatar i papenduar të hiqej nga kongregacioni. Si duhej ta trajtonin të krishterët besnikë këtë person? Pavli u tha që ‘të mos shoqëroheshin më’ me të. Ç’do të thoshte kjo? Pavli shpjegoi që ky urdhërim përfshinte edhe ‘të mos hanin me një njeri të tillë’. (1 Kor. 5:11) Zakonisht, kur ha një vakt me dikë, rri dhe bisedon me të. Kështu filloni të kaloni më shumë kohë së bashku. Ja pse, Pavli po e udhëzonte kongregacionin të mos shoqërohej me atë njeri. Kjo do ta mbronte kongregacionin nga ndikimi i tij i keq. (1 Kor. 5:5-7) Veç kësaj, mëkatari i papenduar mund të kuptonte sa shumë ishte larguar nga udhët e Jehovait e të ndihej i turpëruar. Në këtë mënyrë mund të nxitej të pendohej.
Nën frymëzim, Pavli shkroi një letër ku udhëzoi që mëkatari i papenduar të hiqej nga kongregacioni (Shih paragrafin 5)
6. Çfarë ndikimi pati letra e Pavlit te kongregacioni dhe te mëkatari i papenduar?
6 Pasi u dërgoi letrën të krishterëve në Korint, ndoshta Pavli vriste mendjen si do të reagonte kongregacioni. S’kaloi shumë dhe Titi i çoi lajme të gëzueshme. Kongregacioni kishte reaguar pozitivisht. (2 Kor. 7:6, 7) Vëllezërit e motrat i ishin bindur udhëzimit të Pavlit. Gjithashtu, ca muaj pasi kishte dërguar letrën Pavli, ai individ ishte penduar për mëkatin e tij. Kishte ndryshuar sjellje e qëndrim dhe po jetonte sërish në lartësinë e standardeve të drejta të Jehovait. (2 Kor. 7:8-11) Çfarë i tha më pas Pavli kongregacionit?
SI DUHEJ TA TRAJTONTE KONGREGACIONI MËKATARIN E PENDUAR?
7. Ç’e mirë erdhi kur mëkatarin e papenduar e hoqën nga kongregacioni? (2 Korintasve 2:5-8)
7 Lexo 2 Korintasve 2:5-8. Pavli theksoi se ‘për atë njeri mjaftonte qortimi që i dha shumica’. Me fjalë të tjera, disiplina e kishte bërë punën e vet: e kishte çuar në pendim.—Hebr. 12:11.
8. Çfarë udhëzimi i dha më pas Pavli kongregacionit?
8 Pastaj, Pavli i udhëzoi të krishterët në kongregacion ‘ta falnin me gjithë zemër dhe ta ngushëllonin’ vëllanë që kishte mëkatuar, si dhe ‘ta siguronin për dashurinë e tyre’. Vini re se Pavli nuk donte që kongregacioni thjesht ta pranonte sërish këtë vëlla mes popullit të Jehovait. Dëshironte që të krishterët ta siguronin të penduarin me fjalët, me veprat dhe me sjelljen e tyre që e kishin falur vërtet dhe që e kishin për zemër. Kështu do t’ia bënin të qartë se e mirëpritnin krahëhapur në kongregacion.
9. Pse mund të hezitonin disa ta falnin mëkatarin e penduar?
9 A mund ta kenë pasur të vështirë disa ta mirëpritnin e t’i tregonin dashuri mëkatarit të penduar? Në Bibël nuk thuhet gjë, por mund të ketë ndodhur. Fundja, veprimet e tij i kishin shkaktuar probleme gjithë kongregacionit, e ndoshta disa individë mund ishin ndier të turpëruar prej tij. Të tjerë mund të kenë menduar se nuk ishte e drejtë që ky vëlla të pranohej me kaq ngrohtësi në kongregacion, ndërkohë që ata kishin luftuar përditë për të qëndruar të pastër moralisht. (Krahaso Lukën 15:28-30.) Mirëpo, pse ishte e rëndësishme që kongregacioni të tregonte dashuri të sinqertë për vëllanë që ktheu rrugë?
10-11. Çfarë mund të ndodhte nëse pleqtë nuk do ta falnin mëkatarin e penduar?
10 Imagjino çfarë mund të ndodhte nëse pleqtë nuk do ta pranonin sërish në kongregacion mëkatarin e penduar, ose pasi ta pranonin, vëllezërit e motrat nuk do t’i tregonin dashuri. Atë mund ta mbyste «trishtimi i tepërt». Fare kollaj, mund t’i dukej vetja rast i pashpresë. E madje mund të mos përpiqej më që të rregullonte miqësinë me Perëndinë.
11 Ç’është më e keqja, sikur vëllezërit e motrat të mos e falnin mëkatarin e penduar, do të vinin në rrezik miqësinë e tyre me Jehovain. Pse? Sepse kështu nuk do të imitonin Jehovain që fal mëkatarët e penduar, por Satanain që tregohet i ashpër dhe i pamëshirshëm. Në fakt, ata do të bëheshin vegla në duart e Djallit për t’i rrënuar besimin atij vëllai.—2 Kor. 2:10, 11; Efes. 4:27.
12. Si mund ta imitonte Jehovain kongregacioni në Korint?
12 Si mund ta imitonte Jehovain kongregacioni i Korintit, e jo Satanain? Duke pasqyruar pikëpamjen e Jehovait për mëkatarët e penduar. Vër re çfarë kanë thënë disa shkrimtarë të Biblës për Jehovain. Davidi u shpreh: «Ti, o Jehova, je i mirë dhe mezi pret të falësh.» (Psal. 86:5) Mikea shkroi: «Cili Perëndi është si ti,që fal fajin dhe kapërcen shkeljen?» (Mik. 7:18) Dhe Isaia tha: «I ligu le ta lërë udhën e tij të ligë, dhe shpirtkeqi të mos bluajë më mendime të këqija. Le të kthehet te Jehovai, i cili do t’i tregojë mëshirë, te Perëndia ynë, sepse ai do ta falë bujarisht.»—Isa. 55:7.
13. Pse ishte me vend që kongregacioni të mos e vononte rivendosjen e mëkatarit të penduar? (Shih kutinë «Kur u rivendos mëkatari i penduar në Korint?»)
13 Që të imitonin Jehovain, vëllezërit e motrat në Korint duhej ta mirëpritnin mëkatarin e penduar dhe ta siguronin për dashurinë e tyre. Ata e zbatuan udhëzimin e Pavlit dhe treguan se ishin «të bindur në gjithçka». (2 Kor. 2:9) Në fakt, kishin kaluar vetëm pak muaj nga momenti që e kishin hequr nga kongregacioni, por disiplina e kishte bërë punën e vet. E kishte çuar mëkatarin në pendim. Prandaj s’kishte kuptim që kongregacioni ta vononte rivendosjen e tij.
SI TA PASQYROJMË DREJTËSINË DHE MËSHIRËN E JEHOVAIT?
14-15. Çfarë kemi mësuar nga mënyra si u trajtua çështja në kongregacionin e Korintit? (2 Pjetrit 3:9) (Shihni edhe figurën.)
14 Ky fragment nga Bibla, që tregon mënyrën si u trajtua çështja në Korint, u shkrua dhe u ruajt «për mësimin tonë». (Rom. 15:4) Nga ky rast mësuam se Jehovai nuk i toleron mëkatet e rënda mes popullit të tij. Është e vërtetë që ai është i mëshirshëm, ama nuk i lejon mëkatarët e papenduar të vazhdojnë të shoqërohen me adhuruesit e tij besnikë. Jehovai nuk e toleron mëkatin e as nuk i ul standardet e veta. (Juda 4) Nëse do të bënte të kundërtën, Jehovai nuk do të tregohej fare i mëshirshëm, sepse do të vinte në rrezik gjithë kongregacionin.—Prov. 13:20; 1 Kor. 15:33.
15 Prapëseprapë, mësuam se Jehovai nuk dëshiron të shkatërrohet askush, por që t’i shpëtojë njerëzit sa herë që është e mundur. U tregon mëshirë nëse kthejnë rrugë dhe duan të rregullojnë marrëdhënien me të. (Ezek. 33:11; lexo 2 Pjetrit 3:9.) Prandaj, kur burri në Korint u pendua dhe ktheu rrugë, Jehovai i shpjegoi kongregacionit me anë të Pavlit, se duhej ta falnin dhe ta mirëpritnin krahëhapur.
Që të pasqyrojë dashurinë dhe mëshirën e Jehovait, kongregacioni i mirëpret me ngrohtësi ata që rivendosen (Shih paragrafët 14-15)
16. Si ndihesh për mënyrën si u trajtua çështja në Korint?
16 Mënyra si u trajtua çështja në Korint na ka ndihmuar të shohim sa i dashur dhe i drejtë është Jehovai. (Psal. 33:5) A nuk na nxit kjo ta lëvdojmë edhe më shumë Atin tonë? Fundja, të gjithë jemi mëkatarë, prandaj kemi nevojë për faljen e tij. Ja pse, çdokush nga ne ka arsye të forta që t’i tregojë mirënjohje Jehovait për shpërblesën, e cila bën të mundur faljen. Sa zemërdhënëse dhe ngushëlluese është kur dimë se Jehovai i do vërtet shërbëtorët e tij dhe dëshiron më të mirën për ta!
17. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
17 Por, ç’të themi për mënyrën si duhet të trajtohen shkeljet e rënda sot? Si mund të pasqyrojnë pleqtë në kongregacion dëshirën e Jehovait për ta çuar në pendim dikë që ka bërë një mëkat të rëndë? Si duhet të reagojnë vëllezërit e motrat kur pleqtë vendosin të heqin dikë nga kongregacioni ose ta rivendosin? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në artikullin tjetër.
KËNGA 109 Ta duam me gjithë zemër njëri-tjetrin