BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 mars f. 8-13
  • Mëso të mendosh si Jehovai dhe Jezui

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mëso të mendosh si Jehovai dhe Jezui
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • MËSO TË MENDOSH SI JEHOVAI
  • JI I PËRULUR
  • KI «MENDJE TË SHËNDOSHË»
  • Ai mësoi nga zotëria të falte
    Imitoni besimin e tyre
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Ai qëndroi besnik në sprova
    Imitoni besimin e tyre
  • Ai mësoi nga Zotëria të falte
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 mars f. 8-13

ARTIKULLI I STUDIMIT 10

KËNGA 31 Do të eci me Perëndinë tim!

Mëso të mendosh si Jehovai dhe Jezui

«Përderisa Krishti vuajti kur ishte prej mishi e gjaku, edhe ju armatosuni me të njëjtën prirje mendore si ai.»—1 PJET. 4:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shohim çfarë mësimesh me vlerë nxori apostulli Pjetër nga mënyra si mendonte Jezui dhe ç’mund të mësojmë edhe ne.

1-2. Çfarë përfshin dashuria jonë për Jehovain, dhe si e tregoi Jezui se e donte Jehovain me gjithë mendjen e tij?

«DUAJE Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde.» (Luka 10:27) Jezui e bëri të qartë se ky ishte urdhërimi më i rëndësishëm i Ligjit të Moisiut. Pra, dashuria për Jehovain përfshin zemrën tonë, ku hyjnë dëshirat, emocionet dhe ndjenjat. Përfshin edhe përkushtimin me gjithë shpirt dhe forcën tonë—energjitë tona fizike. Ama dashuria për Jehovain përfshin edhe mendjen tonë—mënyrën si mendojmë. Natyrisht, kurrë s’do të arrijmë ta kuptojmë plotësisht si mendon Jehovai. Gjithsesi, mund ta kuptojmë më mirë si mendon Ai duke studiuar «mendjen e Krishtit», sepse Jezui pasqyron përsosmërisht mënyrën si mendon Ati i tij.—1 Kor. 2:16.

2 Jezui e donte Jehovain me gjithë mendjen e tij. E dinte cili ishte vullneti i Perëndisë për të dhe ishte i vendosur ta plotësonte, edhe pse do t’i duhej të vuante. Gjëja kryesore në jetën e Jezuit ishte të bënte vullnetin e Atit, ndaj nuk lejoi asgjë që ta shpërqendronte nga ky synim.

3. Çfarë mësoi apostulli Pjetër nga Jezui, dhe çfarë këshille u dha bashkëbesimtarëve? (1 Pjetrit 4:1)

3 Pjetri dhe apostujt e tjerë patën privilegjin të kalonin kohë me Jezuin. Kështu mund të kuptonin nga fjalët dhe veprimet e tij se si mendonte. Kur shkroi letrën e parë të frymëzuar, Pjetri i nxiti të krishterët të armatoseshin me të njëjtën prirje mendore si Krishti.a (Lexo 1 Pjetrit 4:1.) Këtu ai përdori termin ushtarak «armatosuni». Pra, nëse pasqyrojmë prirjen mendore të Jezuit, ose mënyrën si mendon ai, do të kemi një armë të fuqishme në luftën kundër prirjeve mëkatare dhe botës së sunduar nga Satanai.—2 Kor. 10:3-5; Efes. 6:12.

4. Si do të na ndihmojë ky artikull t’ia vëmë veshin këshillës së Pjetrit?

4 Le të shqyrtojmë tani mënyrën si mendon Jezui dhe si mund ta imitojmë. Nga shembulli i tij do të kuptojmë (1) si të mësojmë të mendojmë si Jehovai, çka do të na ndihmojë të jemi të gjithë në një mendje, (2) si të jemi të përulur dhe (3) si të kemi mendje të shëndoshë duke u mbështetur te Jehovai në lutje.

MËSO TË MENDOSH SI JEHOVAI

5. Në cilin rast nuk e pasqyroi Pjetri mënyrën si mendonte Jehovai?

5 Të shohim një rast kur Pjetri nuk pasqyroi mënyrën si mendonte Jehovai. Jezui u kishte thënë apostujve të tij se duhej të shkonte në Jerusalem, ku do ta arrestonin krerët fetarë dhe pastaj do ta torturonin e do ta vritnin. (Mat. 16:21) Pjetri mund ta ketë pasur të vështirë ta pranonte se Jehovai do të lejonte të vritej Jezui—shpresa e Izraelit dhe Mesia i premtuar. (Mat. 16:16) Prandaj e mori mënjanë dhe i tha: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.» (Mat. 16:22) Në atë rast Pjetri nuk pasqyroi mënyrën si mendonte Jehovai, prandaj mendimi i tij binte ndesh me mendimin e Jezuit.

6. Si e tregoi Jezui se mendonte si Jehovai?

6 Mënyra si mendonte Jezui ishte plotësisht në harmoni me mënyrën si mendonte Ati i tij qiellor. Jezui i tha Pjetrit: «Rri prapa meje, Satana! Ti je pengesë për mua, se nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.» (Mat. 16:23) Pjetri mund të jetë nisur nga e mira, por Jezui e hodhi poshtë këshillën e tij. Mund të mësojmë diçka nga kjo. Vullneti i Jehovait për Jezuin nuk ishte të kursente sa më shumë veten. Në atë rast Pjetri nxori një mësim me vlerë: kishte nevojë t’i përputhte mendimet e tij me ato të Perëndisë.

7. Si e tregoi më vonë Pjetri se ishte i gatshëm të përshtatej me mënyrën si mendonte Jehovai? (Shih figurën.)

7 Me kalimin e kohës, Pjetri tregoi se donte që mendimet e tij të ishin në harmoni me mendimet e Jehovait. Kishte ardhur koha që jojudenjtë e parrethprerë të bëheshin pjesë e popullit të Perëndisë. Pjetri mori caktimin t’i predikonte Kornelit, një nga jojudenjtë e parë që u bënë të krishterë. Judenjtë s’para bëheshin me jojudenjtë, ndaj s’është çudi që Pjetrit i nevojitej ndihmë nga Jehovai që të përgatitej për atë caktim. Kur dalloi cili ishte vullneti i Perëndisë, Pjetri ndryshoi këndvështrim. Si rezultat, shkoi «pa kundërshtuar» kur e thirrën. (Vep. 10:28, 29) Pjetri i predikoi Kornelit dhe njerëzve të shtëpisë së tij, e ata u pagëzuan.—Vep. 10:21-23, 34, 35, 44-48.

Korneli po i çon Pjetrin dhe shokët e tij në një dhomë në katin e sipërm të shtëpisë.

Pjetri hyn në shtëpinë e Kornelit (Shih paragrafin 7)


8. Si mund të tregojmë se mendimet tona përputhen me mendimet e Jehovait? (1 Pjetrit 3:8)

8 Vite më vonë Pjetri i inkurajoi bashkëbesimtarët të ishin «në një mendje». (Lexo 1 Pjetrit 3:8.) Si adhurues të Jehovait, mund të jemi në një mendje nëse pasqyrojmë mënyrën si mendon Jehovai, që na zbulohet në Fjalën e tij. Për shembull, Jezui i nxiti dishepujt e vet ta vinin Mbretërinë të parën në jetë. (Mat. 6:33) Me këtë në mendje, një lajmëtar në kongregacion mund të vendosë të nisë shërbimin në kohë të plotë. Në vend që ta nxitim të jetë i mirë me veten, duhet të flasim pozitivisht për këtë synim të shkëlqyer dhe të tregohemi të gatshëm ta mbështetim.

JI I PËRULUR

9-10. Si e tregoi Jezui se ishte jashtëzakonisht i përulur?

9 Natën para se ta vritnin, Jezui i dha Pjetrit dhe apostujve të tjerë një mësim të rëndësishëm për përulësinë. Më parë, Jezui i kishte dërguar Pjetrin dhe Gjonin të bënin përgatitje për vaktin e fundit që do të hante me apostujt. Ka shumë mundësi që Pjetri e Gjoni duhej të siguroheshin edhe që të kishte një legen dhe peshqirë, që mysafirëve t’u laheshin këmbët para se të hanin. Por kush do të ishte aq i përulur sa ta kryente atë punë?

10 Pa ngurruar aspak, Jezui iu përvesh punës për t’u larë këmbët apostujve. Çfarë përulësie e jashtëzakonshme! Imagjino habinë e tyre kur e panë të bënte diçka që zakonisht e bënte një shërbëtor. Jezui hoqi mantelin, ngjeshi një peshqir rreth mesit, hodhi ujë në legen dhe filloi t’u lante këmbët. (Gjoni 13:4, 5) Mund t’i jetë dashur goxha kohë që t’u lante këmbët të 12 apostujve—duke përfshirë edhe Judën, që pas pak do ta tradhtonte. Por me përulësi, Jezui e çoi gjer në fund atë punë. Pastaj u shpjegoi me durim: «A e kuptuat çfarë bëra me ju? Ju më quani ‘Mësues’ dhe ‘Zotëri’, dhe me të drejtë, sepse i tillë jam. Prandaj, kur ju lava këmbët unë që jam Zotëri dhe Mësues, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.»—Gjoni 13:12-14.

Përulësia e vërtetë përfshin mendimet tona më të thella

11. Si e tregoi Pjetri se kishte mësuar të ishte i përulur? (1 Pjetrit 5:5 dhe shënimi) (Shih edhe figurën.)

11 Pjetri mësoi nga përulësia e Jezuit. Pasi Jezui u kthye në qiell, Pjetri shëroi me një mrekulli një burrë që kishte lindur i çalë. (Vep. 1:8, 9; 3:2, 6-8) Natyrisht që pas asaj mrekullie, rreth tij u mblodh një turmë njerëzish. (Vep. 3:11) A iu përkëdhel sedra Pjetrit nga gjithë ajo vëmendje, meqë vinte nga një kulturë ku kishin goxha rëndësi fama e pushteti? Jo, me përulësi Pjetri e largoi vëmendjen nga vetja dhe ia dha me të drejtë gjithë lavdinë Jehovait e Jezuit. Ai tha: «Nëpërmjet emrit [të Jezuit], e ngaqë kemi besim tek emri i tij, u bë i fortë ky njeri që shihni dhe njihni.» (Vep. 3:12-16) Në një letër ku i nxiti të krishterët të zhvillonin përulësinë, Pjetri përdori fjalë që mund të na sjellin ndër mend rastin kur Jezui ngjeshi rreth mesit një peshqir dhe u lau këmbët apostujve.—Lexo 1 Pjetrit 5:5 dhe shënimin.

Pjetri dhe Gjoni janë në tempull. Pjetri tregon me dorë nga qielli ndërsa ka përkrah një burrë që kishte lindur i çalë, por që tani është shëruar.

Pasi bëri një mrekulli, me përulësi Pjetri ia dha lavdinë Jehovait e Jezuit. Edhe ne mund të tregojmë përulësi duke bërë mirë pa pritur lëvdata a shpërblime (Shih paragrafët 11-12)


12. Si mund të vazhdojmë ta zhvillojmë përulësinë, ashtu si Pjetri?

12 Mund ta imitojmë shembullin e Pjetrit duke vazhduar të zhvillojmë përulësi. Të mos harrojmë se përulësia e vërtetë nuk përfshin thjesht atë që themi. Fjala që përdori Pjetri për «përulësi» mund të përkthehet edhe «përulësi mendjeje». Pra, përulësia e vërtetë përfshin mendimet tona më të thella. Ne bëjmë gjëra të mira për të tjerët ngaqë e duam Jehovain dhe i duam njerëzit, jo ngaqë vdesim të na admirojnë. Tregojmë se jemi vërtet të përulur kur u shërbejmë me zemër të gëzuar Jehovait e vëllezërve, edhe nëse përpjekjet tona nuk bien në sy.—Mat. 6:1-4.

KI «MENDJE TË SHËNDOSHË»

13. Shpjegoni ç’do të thotë të kesh «mendje të shëndoshë».

13 Ç’do të thotë të kesh «mendje të shëndoshë»? (1 Pjet. 4:7) Kur kemi mendje të shëndoshë, bëjmë çmos të mbajmë parasysh çfarë mendon Jehovai para se të marrim një vendim. E dimë mirë se në jetë nuk ka gjë më të rëndësishme sesa marrëdhënia me Jehovain. Kemi pikëpamje të ekuilibruar për veten dhe jemi të vetëdijshëm se nuk dimë gjithçka. Gjithashtu mbështetemi te Jehovai duke iu lutur shpesh me përulësi.b

14. Si e tregoi Pjetri në një rast se nuk po mbështetej te Jehovai?

14 Natën e fundit para se të vdiste, Jezui i paralajmëroi dishepujt: «Këtë natë, të gjithëve ju do t’ju lëkundet besimi për shkakun tim.» Mirëpo Pjetri ia ktheu tërë siguri: «Edhe sikur të gjithëve t’u lëkundet besimi për shkakun tënd, mua kurrë nuk do të më lëkundet besimi!» Atë natë Jezui u dha këtë këshillë disa dishepujve: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht.» (Mat. 26:31, 33, 41) Sikur t’ia kishte vënë veshin asaj këshille, Pjetri mund të kishte pasur kurajën ta pranonte se ishte dishepull i Jezuit. Por në vend të kësaj, e mohoi Zotërinë e tij dhe ia dërrmoi shpirtin ndjenja e fajit.—Mat. 26:69-75.

15. Çfarë e ndihmoi Jezuin të mbante një mendje të shëndoshë gjatë natës së fundit në tokë?

15 Jezui u mbështet pa rezerva te Jehovai. Ndonëse ishte i përsosur, ai u lut pareshtur natën e fundit të jetës në tokë. Kjo i dha guximin të vepronte në harmoni me vullnetin e Jehovait. (Mat. 26:39, 42, 44; Gjoni 18:4, 5) Pjetri e pa me sytë e vet se Jezui nuk i ndali lutjet atë natë, dhe shembulli i tij duhet t’i ketë lënë mbresa të pashlyeshme.

16. Si e tregoi Pjetri se kishte zhvilluar një mendje të shëndoshë? (1 Pjetrit 4:7)

16 Me kohë, Pjetri mësoi të mbështetej më shumë te Jehovai nëpërmjet lutjeve. Pasi u ringjall, Jezui i siguroi Pjetrin dhe apostujt e tjerë se do të merrnin frymën e shenjtë që të kryenin caktimin për të predikuar. Megjithatë u kërkoi të pritnin në Jerusalem derisa të ndodhte kjo. (Luka 24:49; Vep. 1:4, 5) Çfarë bëri Pjetri ndërsa priste? Bashkë me dishepuj të tjerë, ‘ngulmoi në lutje’. (Vep. 1:13, 14) Kohë më vonë, në letrën e tij të parë, Pjetri i nxiti vëllezërit e motrat të ishin me mendje të shëndoshë dhe të mbështeteshin te Jehovai nëpërmjet lutjeve. (Lexo 1 Pjetrit 4:7.) Pjetri mësoi të mbështetej te Jehovai dhe u bë një shtyllë në kongregacion.—Gal. 2:9.

17. Çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht nga aftësitë e lindura që mund të kemi? (Shih edhe figurën.)

17 Për të pasur mendje të shëndoshë, duhet t’i lutemi shpesh Jehovait. Pavarësisht nga talentet ose aftësitë e lindura, e dimë se kemi nevojë të vazhdojmë t’i lutemi Perëndisë tonë. Prandaj i lutemi për drejtim, sidomos para vendimeve të rëndësishme, duke pasur besim të plotë se ai e di ç’është më e mira për ne.

Pjetri mësoi të mbështetej te Jehovai nëpërmjet lutjeve. Edhe ne mund të kemi mendje të shëndoshë duke iu lutur për ndihmë Jehovait, sidomos para vendimeve të rëndësishme (Shih paragrafin 17)c


18. Si mund t’i harmonizojmë gjithnjë e më shumë mendimet tona me mendimet e Jehovait?

18 Sa mirënjohës jemi që Jehovai na ka krijuar në një mënyrë që mund të pasqyrojmë cilësitë e tij! (Zan. 1:26) Natyrisht, s’mund ta imitojmë Jehovain në mënyrë të përsosur. (Isa. 55:9) Prapëseprapë, ashtu si Pjetri, mund t’i harmonizojmë gjithnjë e më shumë mendimet tona me mendimet e Jehovait. Le ta bëjmë këtë duke u përpjekur vazhdimisht të pasqyrojmë mënyrën si mendon Jehovai, të jemi të përulur dhe të kemi mendje të shëndoshë.

SI MUND . . .

  • të mësojmë të mendojmë si Jehovai?

  • të jemi të përulur?

  • të kemi «mendje të shëndoshë»?

KËNGA 30 Perëndia, Ati dhe Miku im

a Shprehja «prirje mendore» te 1 Pjetrit 4:1 mund të përkthehet edhe «këndvështrim, qëndrim, mënyrë të menduari».

b Për të mësuar më shumë ç’do të thotë të kesh mendje të shëndoshë, shih te seria «Shpjegim i vargjeve të Biblës» në jw.org ose në aplikacionin JW Library® artikullin «2 Timoteut 1:7—‘Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike’», nëntemën ‘Mendja e shëndoshë’.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër lutet në heshtje ndërsa pret të bëjë një intervistë pune.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo