BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 maj f. 2-7
  • Imito engjëjt besnikë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Imito engjëjt besnikë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • ENGJËJT JANË TË PËRULUR
  • ENGJËJT I DUAN NJERËZIT
  • ENGJËJT TREGOJNË QËNDRUESHMËRI
  • ENGJËJT NDIHMOJNË QË KONGREGACIONI TË MBETET I PASTËR
  • Engjëjt: «Frymëra për shërbim publik»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Cilët ose çfarë janë engjëjt?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Si mund të të ndihmojnë engjëjt?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Engjëjt—Si ndikojnë te ne?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 maj f. 2-7

ARTIKULLI I STUDIMIT 19

KËNGA 6 Qiejt i japin lavdi Perëndisë

Imito engjëjt besnikë

«Lëvdoni Jehovain, ju o engjëjt e tij.»—PSAL. 103:20.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i engjëjve besnikë.

1-2. (a) Si ndryshojmë nga engjëjt? (b) Çfarë kemi të përbashkët me engjëjt?

KUR të tërhoqi drejt së vërtetës, Jehovai të ftoi të bëheshe pjesë e familjes së dashur e të larmishme me adhurues të tij, që përfshin miliona engjëj besnikë. (Dan. 7:9, 10) Kur bëhet fjalë për engjëjt, ndoshta na shkon mendja te ndryshimet e mëdha mes nesh. Për shembull, engjëjt kanë jetuar shumë më gjatë. (Jobi 38:4, 7) Ata janë shumë më të fuqishëm. Gjithashtu janë të shenjtë e të drejtë në një masë që ne njerëzit e papërsosur s’mund ta arrijmë kurrë.—Luka 9:26.

2 Megjithatë, përveç ndryshimeve, kemi edhe shumë të përbashkëta me engjëjt. Për shembull, njësoj si ata, mund të pasqyrojmë cilësitë e shkëlqyera të Jehovait. Edhe ne kemi vullnet të lirë. Sikurse ata kemi një emër, një personalitet unik dhe përgjegjësi të ndryshme në shërbim të Jehovait. E njësoj si engjëjt, kemi nevojë të adhurojmë Krijuesin.—1 Pjet. 1:12.

3. Çfarë mund të mësojmë nga engjëjt besnikë?

3 Meqë kemi kaq të përbashkëta me engjëjt, mund të marrim zemër e të nxjerrim plot mësime të shkëlqyera nga shembulli i tyre. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si të imitojmë përulësinë e engjëjve besnikë, dashurinë që kanë për njerëzit, qëndrueshmërinë dhe përpjekjet për ta mbajtur të pastër kongregacionin.

ENGJËJT JANË TË PËRULUR

4. (a) Si tregojnë përulësi engjëjt? (b) Pse janë të përulur engjëjt? (Psalmi 89:7)

4 Engjëjt besnikë janë të përulur. Ndonëse kanë jashtëzakonisht shumë përvojë, fuqi dhe mençuri, ata u binden udhëzimeve të Jehovait. (Psal. 103:20) Ndërsa kryejnë caktimet e tyre, s’mburren kurrë për gjërat që bëjnë dhe as i përdorin fuqitë mbinjerëzore për të rënë në sy. Ata bëjnë me kënaqësi vullnetin e Perëndisë edhe nëse emrat e tyre nuk zbulohen asnjëherë.a (Zan. 32:24, 29; 2 Mbret. 19:35) Engjëjt nuk pranojnë të marrin asnjë grimë nga lavdia që i takon Jehovait. Por, pse janë kaq të përulur? Sepse e duan dhe e respektojnë thellësisht Perëndinë.—Lexo Psalmin 89:7.

5. Si tregoi përulësi një engjëll kur ndreqi apostullin Gjon? (Shih edhe figurën.)

5 Le të ndalemi te një ngjarje që ilustron sa të përulur janë engjëjt. Rreth vitit 96 të e.s., një engjëll që nuk ia dimë emrin, i përcolli një vegim mbresëlënës apostullit Gjon. (Zbul. 1:1) Si reagoi Gjoni kur mori atë vegim? Ai u përkul që ta adhuronte engjëllin. Megjithatë, engjëlli besnik e ndaloi në çast, duke i thënë: «Kujdes! Mos e bëj! Unë s’jam veçse shoku yt i skllavërisë dhe i vëllezërve të tu. . . . Perëndinë adhuro!» (Zbul. 19:10) Çfarë përulësie! Engjëllit nuk i interesonte aspak t’i jepnin lavdi ose nderim. Ai ia drejtoi menjëherë vëmendjen Gjonit te Perëndia Jehova. Por njëkohësisht, nuk e pa si të parëndësishëm Gjonin. Edhe pse i kishte shërbyer Jehovait shumë më gjatë dhe ishte shumë më i fuqishëm, me përulësi engjëlli e quajti apostullin ‘shoku im i skllavërisë’. Dhe megjithëse iu desh ta ndreqte Gjonin, ai nuk e qortoi ashpër apostullin e moshuar. Përkundrazi, i foli me dashamirësi. Ka shumë të ngjarë që e kuptoi se Gjoni reagoi ashtu sepse u mahnit nga vegimi që pa.

Një engjëll e ndalon apostullin Gjon që të përkulet e ta adhurojë.

Engjëlli tregoi përulësi kur foli me Gjonin (Shih paragrafin 5)


6. Si mund ta imitojmë përulësinë e engjëjve?

6 Si mund ta imitojmë përulësinë e engjëjve? Edhe ne dëshirojmë t’i përmbushim caktimet tona pa u mburrur ose pa u përpjekur të marrim meritat për arritjet tona. (1 Kor. 4:7) Për më tepër, s’ka pse të ndihemi superiorë ndaj të tjerëve nëse i kemi shërbyer Jehovait më gjatë ose kemi caktime të veçanta. Në të vërtetë, sa më shumë përgjegjësi të kemi, aq më shumë duhet ta shohim veten si të vegjël. (Luka 9:48) Njësoj si engjëjt, duam t’u shërbejmë të tjerëve, jo të spikatim mbi ta.

7. Si mund të shfaqim përulësi kur na duhet të ndreqim ose të këshillojmë dikë?

7 Mund të tregojmë përulësi edhe kur na duhet të korrigjojmë ose të këshillojmë dikë, si për shembull një bashkëbesimtar a fëmijën tonë. Kur japim këshilla, mund të na duhet të jemi të drejtpërdrejtë. Ama, ashtu si engjëlli që e ndreqi me dashamirësi Gjonin, mund të jemi të drejtpërdrejtë pa e shkurajuar personin që po këshillojmë. Nëse nuk na duket vetja më të mirë, do t’i trajtojmë me respekt e dhembshuri të tjerët kur u japim këshilla të bazuara në Bibël.—Kolos. 4:6.

ENGJËJT I DUAN NJERËZIT

8. (a) Sipas Lukës 15:10, si tregojnë engjëjt dashuri për njerëzit? (b) Si na ndihmojnë engjëjt në veprën e predikimit? (Shih edhe figurën.)

8 Engjëjt nuk janë indiferentë ose shpërfillës karshi njerëzve, përkundrazi, i duan shumë. U gëzon zemra kur pendohet një mëkatar, pra kur një dele e humbur kthehet te Jehovai ose kur dikush ndryshon rrugë dhe përqafon të vërtetën. (Lexo Lukën 15:10.) Gjithashtu, engjëjt na mbështetin në veprën e predikimit për Mbretërinë. (Zbul. 14:6) Ndonëse nuk u predikojnë drejtpërdrejt njerëzve, mund të na drejtojnë ne te dikush që dëshiron të njohë Jehovain. Patjetër, nuk e themi dot me siguri nëse na ndihmuan engjëjt në një rast specifik. Fundja Jehovai përdor edhe mënyra të tjera—si frymën e tij të shenjtë—për t’i ndihmuar njerëzit a për t’i drejtuar shërbëtorët e tij tek ata. (Vep. 16:6, 7) Gjithsesi, ai i përdor gjerësisht engjëjt për të na ndihmuar në veprën e predikimit. Ndaj, kur predikojmë lajmin e mirë, s’kemi fije dyshimi se përkrah do të kemi engjëjt.—Shih kutinë «Lutjet e tyre morën përgjigje».b

Një çift ecën rrugës së qytetit me një stendë literature. Engjëjt vëzhgojnë nga lart dhe e drejtojnë motrën që t’i kushtojë vëmendje një vajze të dëshpëruar në një stol.

Një çift sapo ka mbaruar dëshminë publike. Rrugës për në shtëpi, motra shikon një vajzë që duket e dëshpëruar. Ajo e di se engjëjt mund të na drejtojnë tek ata që duan të dinë të vërtetën për Perëndinë. Motra ndihet e motivuar t’i flasë në mënyrë ngushëlluese vajzës (Shih paragrafin 8)


Lutjet e tyre morën përgjigje

A është e mundur që Jehovai të ketë përdorur engjëjt në ndonjë nga rastet e mëposhtme?

  • Një lajmëtare 12 vjeçe në Peru po jepte dëshmi me telefon bashkë me të ëmën. Ajo foli me një grua që i ishte lutur Perëndisë t’i dërgonte dikë për ta ndihmuar. Gruaja e pa telefonatën e vajzës si përgjigje të lutjeve të saj dhe pranoi me kënaqësi të studionte Biblën. S’kaloi shumë dhe filloi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit.

  • Një grua në Rumani studioi për ca kohë, por pastaj e ndërpreu studimin. Më vonë, ndërsa punonte për një familje në Itali, dëshironte të studionte prapë. Por meqë aty s’njihte asnjë Dëshmitar, iu lut Jehovait për ndihmë. Pak pas kësaj, familja ku punonte i kërkoi që të shkonte në një dyqan. Mirëpo e këshilluan të mos bënte muhabet me pronarin e dyqanit. I thanë: «Ai është Dëshmitar i Jehovait dhe u flet klientëve për Biblën.» E në fakt ashtu ndodhi: vëllai i dha dëshmi gruas, e cila e pa këtë si përgjigje të lutjeve. Ajo rifilloi studimin dhe bëri përparim të shkëlqyer. Njërit prej djemve të saj i bëri aq shumë përshtypje shembulli i mamasë, sa nisi të studionte Biblën dhe të ndiqte mbledhjet.

  • Një çift Dëshmitar vendosën të shisnin makinën. Kur një çift i interesuar për makinën shkoi ta shihte, Dëshmitarët përfituan nga rasti për t’u shpjeguar se po e thjeshtonin jetën dhe u folën për veprën e arsimimit nga Bibla. Burri tha: «Dje u luta: ‘O Zot, të lutem, krijo mundësinë të takoj dikë që të më ndihmojë. Ndihem bosh dhe kam nevojë të di të vërtetën për ty.’» Ai e pa atë takim rastësor si përgjigjen e lutjes. Bashkë me të shoqen pranuan të studionin Biblën dhe me ta filluan studimin edhe dy vajzat e vogla. Tani ndjekin mbledhjet si familje.

9. Si mund ta imitojmë dashurinë e engjëjve për njerëzit?

9 Si mund ta imitojmë dashurinë e engjëjve për njerëzit? Kur në kongregacion njoftohet se një vëlla a motër është rivendosur, duhet të na bëhet zemra mal njësoj si engjëjve. Gjithashtu të bëjmë çmos që ta sigurojmë se e duam dhe se jemi të lumtur që është kthyer në gjirin e Jehovait. (Luka 15:4-7; 2 Kor. 2:6-8) Mund të imitojmë engjëjt edhe duke dhënë më të mirën në veprën e predikimit. (Ekl. 11:6) E ashtu si engjëjt që na bëhen krah kur predikojmë lajmin e mirë, edhe ne mund të kërkojmë mënyra si t’i mbështetim vëllezërit e motrat në shërbim. Për shembull, a mund të lëmë takim për të dalë me një lajmëtar me më pak përvojë? Ose a mund t’i ndihmojmë bashkëbesimtarët e moshuar a të sëmurë që të marrin pjesë në shërbim?

10. Ç’mund të mësojmë nga historia e Sarës?

10 Po nëse rrethanat nuk na lejojnë të bëjmë aq sa duam? Prapë mund të gjejmë mënyra si të bashkëpunojmë me engjëjt në veprën e predikimit. Të mendojmë për atë që i ndodhi Sarës,c një motre në Indi. Pas rreth 20 vitesh shërbimi si pioniere, ajo u sëmur dhe zuri shtratin. S’do mend që u dëshpërua tej mase. Por, falë mbështetjes së dashur të kongregacionit dhe studimit të rregullt të Biblës, dalëngadalë iu rikthye optimizmi. Patjetër që tani duhej të përshtatej, duke gjetur mënyra të tjera si të predikonte. Meqë nuk çohej dot nga krevati për të shkruar letra, mund të jepte dëshmi vetëm me telefon. Prandaj u telefononte personave të interesuar, dhe ata u tregonin për të tjerë që mund të donin të studionin Biblën. Rezultati? Brenda pak muajsh Sara kishte 70 studime—shumë më tepër nga sa mund të drejtonte! Kështu disa nga studimet ua kaloi të tjerëve në kongregacion. Tani mjaft prej këtyre studentëve po ndjekin mbledhjet. Sa të lumtur duhet të jenë engjëjt tek bashkëpunojnë krah vëllezërve e motrave si Sara, që bëjnë gjithë sa munden në veprën e predikimit!

ENGJËJT TREGOJNË QËNDRUESHMËRI

11. Si kanë treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme engjëjt?

11 Engjëjt besnikë janë shembuj të jashtëzakonshëm qëndrueshmërie. Ata po durojnë prej mijëra vitesh padrejtësi dhe ligësi. Ishin të pranishëm kur Satanai dhe shumë engjëj të tjerë, me të cilët kishin shërbyer krah për krah, u rebeluan kundër Jehovait. (Zan. 3:1; 6:1, 2; Jud. 6) Bibla flet për një engjëll besnik, të cilit iu kundërvu egërsisht një demon i fuqishëm. (Dan. 10:13) Veç kësaj, gjatë gjithë historisë njerëzore, kanë parë se vetëm një numër i vogël njerëzish kanë zgjedhur t’i shërbejnë Jehovait. Përpos gjithë këtyre, engjëjt besnikë vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait me gëzim e zell. Ata janë të sigurt se në kohën e duhur, Perëndia do t’i zhdukë të gjitha padrejtësitë.

12. Ç’mund të na ndihmojë të tregojmë qëndrueshmëri?

12 Si mund ta imitojmë qëndrueshmërinë e engjëjve? Ashtu si engjëjt, edhe ne mund të kemi parë lloj-lloj padrejtësish. Ama njësoj si ata, s’kemi pikë dyshimi se në kohën e duhur, Perëndia do ta zhdukë krejt ligësinë. Ndaj imitojmë engjëjt besnikë dhe ‘nuk dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer’. (Gal. 6:9) E Perëndia na ka premtuar se do të na ndihmojë të tregojmë qëndrueshmëri. (1 Kor. 10:13) Mund t’i lutemi Jehovait të na japë frymën e tij, falë së cilës mund të kemi durim e gëzim. (Gal. 5:22; Kolos. 1:11) Po nëse has kundërshtim? Besoji plotësisht Jehovait dhe mos u alarmo! Ai do të të japë përherë forcë e zemër.—Hebr. 13:6.

ENGJËJT NDIHMOJNË QË KONGREGACIONI TË MBETET I PASTËR

13. Çfarë caktimi të veçantë kanë engjëjt gjatë ditëve të fundit? (Mateu 13:47-49)

13 Gjatë ditëve të fundit, Jehovai u ka dhënë engjëjve një caktim të veçantë. (Lexo Mateun 13:47-49.) Miliona njerëz nga çdo cep i tokës i bën për vete lajmi i mirë. Disa prej tyre bëjnë hapa që të jetojnë sipas normave të Jehovait, kurse të tjerë jo. Engjëjve u është ngarkuar detyra që «të ndajnë të ligjtë nga të drejtët». Pra, ata kanë si caktim të mbajnë të pastër kongregacionin. Kjo nuk do të thotë se kush largohet nga e vërteta, e ka derën përgjithmonë të mbyllur. Nuk nënkupton as që kongregacioni s’do të ketë kurrë probleme. Prapëseprapë, mund të jemi të sigurt se engjëjt po punojnë me mish e me shpirt që t’i mbajnë të pastra kongregacionet tona.

14-15. Si mund ta imitojmë merakun e engjëjve për ta mbajtur të pastër kongregacionin? (Shih edhe figurat.)

14 Si mund ta imitojmë merakun e engjëjve për pastërtinë e kongregacionit? Duke bërë pjesën tonë që kongregacioni të mbetet i pastër moralisht e ta adhurojë Jehovain siç do ai. Ja pse përpiqemi fort që të ruajmë zemrën tonë, duke zgjedhur shoqëri të mira e duke qëndruar larg gjithçkaje që mund të na e dëmtojë miqësinë me Perëndinë. (Psal. 101:3) Gjithashtu mund të ndihmojmë vëllezërit e motrat që t’i qëndrojnë besnikë Jehovait. Për shembull, si duhet të veprojmë nëse marrim vesh se një bashkëbesimtar ka kryer një mëkat të rëndë? Ngaqë e duam fort, do ta nxitim të flasë me pleqtë. Në rast se nuk e bën këtë hap, atëherë do t’i njoftojmë ne pleqtë. Nëse një bashkëbesimtari i është dëmtuar marrëdhënia me Jehovain, duam që të marrë ndihmë sa më shpejt!—Jak. 5:14, 15.

15 Mjerisht, disa që kryejnë mëkate të rënda duhet të hiqen nga kongregacioni. Në raste të tilla ‘nuk shoqërohemi më’ me ta.d (1 Kor. 5:9-13) Kjo masë ndihmon që kongregacioni të mbetet i pastër. Jo vetëm kaq, por kur vendosim t’i bindemi Jehovait duke mos u shoqëruar me ata që janë hequr nga kongregacioni, në të vërtetë po tregojmë dashuri për ta. Qëndrimi ynë i vendosur mund t’i sjellë në vete. E kur kthehen në kongregacion, fluturojmë nga gëzimi bashkë me Jehovain dhe engjëjt e tij.—Luka 15:7.

Kolazh: 1. Dy motra të ulura në stolin e një parku duke pirë kafe. Ndërsa njëra flet, motra tjetër shikon tutje. 2. Më vonë, motra që po fliste, bisedon me dy pleq në Sallën e Mbretërisë.

Ç’duhet të bëjmë nëse marrim vesh se një bashkëbesimtar ka kryer një mëkat të rëndë? (Shih paragrafin 14)e


16. Në cilat mënyra do të përpiqesh të imitosh engjëjt?

16 Ç’privilegj kemi që të shohim me sytë e besimit pjesën e familjes sonë në qiell dhe të bashkëpunojmë ngushtë me engjëjt! Le të imitojmë cilësitë e tyre të shkëlqyera: përulësinë, dashurinë për njerëzit, qëndrueshmërinë dhe merakun për pastërtinë e kongregacionit. Po të imitojmë engjëjt besnikë, edhe ne mund të jemi në jetë të jetëve pjesë e familjes së adhuruesve të Jehovait.

SI MUND TA IMITOJMË . . .

  • përulësinë e engjëjve?

  • dashurinë e engjëjve për njerëzit?

  • përpjekjet e engjëjve për ta mbajtur kongregacionin të pastër?

KËNGA 123 Besnikë ndaj Jehovait dhe teokracisë

a Ka me qindra milionë engjëj, por vetëm emrat e dy prej tyre përmenden në Bibël—Mikaeli dhe Gabrieli.—Dan. 12:1; Luka 1:19.

b Mund të gjesh eksperienca të tjera te Treguesi i botimeve Watch Tower, tema «Engjëjt», nëntema «drejtimi nga engjëjt (shembuj)».

c Emri është ndryshuar.

d Siç u shpjegua në Raportin nga Trupi Udhëheqës nr.2, 2024, në rast se vjen në mbledhje dikush që është hequr nga kongregacioni, një lajmëtar mund të vendosë në bazë të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla nëse do t’i japë një përshëndetje të thjeshtë në shenjë mikpritjeje.

e PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një motër nxit shoqen e saj të flasë me pleqtë. Pasi ka kaluar njëfarë kohe dhe shoqja nuk ka folur, motra vë në dijeni pleqtë për çështjen.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo