BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 qershor f. 8-13
  • Mësime nga një profeci në shtratin e vdekjes—Pjesa 2

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mësime nga një profeci në shtratin e vdekjes—Pjesa 2
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • ZABULONI
  • ISAHARI
  • DANI
  • GADI
  • ASHERI
  • NEFTALI
  • JOZEFI
  • BENIAMINI
  • Mësime nga një profeci në shtratin e vdekjes—Pjesa 1
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Jakobi dhe Esau pajtohen
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
  • Asheri
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Mos harro se Jehovai është «Perëndia i gjallë»!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 qershor f. 8-13

ARTIKULLI I STUDIMIT 25

KËNGA 96 Thesar është Libri i Perëndisë

Mësime nga një profeci në shtratin e vdekjes—Pjesa 2

«Ai i dha secilit bekimin që i takonte.»—ZAN. 49:28.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Mësime praktike nga profecia që tha Jakobi në shtratin e vdekjes për tetë djemtë e tjerë.

1. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

BIJTË e Jakobit janë mbledhur përqark tij dhe po dëgjojnë gjithë sy e veshë bekimet e babait të moshuar për secilin prej tyre. Siç e pamë në artikullin e kaluar, fjalët që u tha Jakobi Rubenit, Simeonit, Levit dhe Judës u grishën kureshtjen djemve të tij, e ndoshta edhe i çuditën. Ndaj ka të ngjarë që tani po mendojnë çfarë do t’u thotë Jakobi tetë të tjerëve. Të shohim çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga fjalët që u drejtoi Zabulonit, Isaharit, Danit, Gadit, Asherit, Neftalit, Jozefit dhe Beniaminit.a

ZABULONI

2. Çfarë profetizoi Jakobi për Zabulonin, dhe si u plotësuan fjalët e tij? (Zanafilla 49:13) (Shih edhe kutinë.)

2 Lexo Zanafillën 49:13. Jakobi parathotë se pasardhësit e Zabulonit do të jetojnë pranë bregut, në veri të Tokës së Premtuar. Mbi 200 vjet më vonë, zabulonitët morën si trashëgimi një territor që ndodhej mes detit të Galilesë dhe detit Mesdhe. Moisiu profetizoi: «Gëzo, o Zabulon, në udhëtimet e tua tregtare.» (Ligj. 33:18) Ka të ngjarë që këto fjalë tregonin se Zabuloni mund të bënte kollaj tregti me vendet e tjera, meqë ndodhej mes dy deteve. Sido të ketë qenë, pasardhësit e Zabulonit kishin arsye të gëzonin.

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Zabuloni.

Djali

Zabuloni

Fjalët e Jakobit

«Zabuloni do të banojë në bregdet, . . . kufiri i tij do të shtrihet drejt Sidonit.»—Zan. 49:13.

Plotësimi

Zabuloni banoi në veri, mes detit të Galilesë dhe detit Mesdhe.—Jos. 19:10-16.

3. Çfarë mund të bëjmë që të mos na venitet gëzimi?

3 Mësime për ne. Kudo që të jetojmë a në çfarëdo rrethanash të ndodhemi, kemi gjithnjë arsye të gëzojmë. Që të mos na venitet gëzimi, duhet të jemi të kënaqur me ato që kemi. (Psal. 16:6; 24:5) Nganjëherë mbase është më e lehtë të përqendrohemi te gjërat që nuk kemi sesa te të mirat që gëzojmë. Ndaj, përpiqu të shohësh anët pozitive në rrethanat ku ndodhesh.—Gal. 6:4.

ISAHARI

4. Çfarë profetizoi Jakobi për Isaharin, dhe si u plotësuan fjalët e tij? (Zanafilla 49:14, 15) (Shih edhe kutinë.)

4 Lexo Zanafillën 49:14, 15. Jakobi e lavdëron Isaharin se është punëtor i papërtuar duke e krahasuar me një kafshë që mban barrë të rënda. Gjithashtu thotë se Isahari do të marrë si trashëgimi një tokë të mirë. Fjalët e Jakobit u plotësuan kur pasardhësit e Isaharit morën një tokë pjellore pranë lumit Jordan. (Jos. 19:22) Pa dyshim që ata përveshën mëngët për të kultivuar tokën e tyre, por punuan pa u lodhur edhe për të mirën e të tjerëve. (1 Mbret. 4:7, 17) Për shembull, fisi i Isaharit ishte i gatshëm të luftonte në betejat kombëtare, siç ndodhi në kohën e gjykatësit Barak dhe të profeteshës Debora.—Gjyk. 5:15

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Isahari.

Djali

Isahari

Fjalët e Jakobit

«Ai do t’i ulë shpatullat që të mbajë barrë.»—Zan. 49:14, 15.

Plotësimi

Isahari punoi pa u lodhur për të mirën e kombit.—Gjyk. 5:15; 1 Mbret. 4:1, 7, 17.

5. Pse duhet të përpiqemi të jemi punëtorë të palodhur?

5 Mësime për ne. Jehovai e çmon punën tonë të palodhur në shërbimin e tij, sikurse çmonte punën e palodhur të fisit të Isaharit. (Ekl. 2:24) Të mendojmë, për shembull, për vëllezërit që punojnë pa u lodhur për të mirën e kongregacionit. (1 Tim. 3:1) Vërtet, ata nuk luftojnë në beteja të mirëfillta, ama përpiqen me mish e me shpirt t’i mbrojnë vëllezërit e motrat nga çdo gjë që mund t’u dëmtojë marrëdhënien me Jehovain. (1 Kor. 5:1, 5; Jud. 17-23) Gjithashtu punojnë fort që të përgatitin e të mbajnë fjalime që i japin zemër kongregacionit.—1 Tim. 5:17.

DANI

6. Çfarë caktimi kishte fisi i Danit? (Zanafilla 49:17, 18) (Shih edhe kutinë.)

6 Lexo Zanafillën 49:17, 18. Jakobi e krahason Danin me një gjarpër që sulmon kundërshtarë shumë më të mëdhenj se vetja, si për shembull një kalë lufte me kalorësin e vet. Dani do të ishte kërcënim i madh për armiqtë e Izraelit. Gjatë udhëtimit për në Tokën e Premtuar, fisi i Danit «formonte praparojën» që mbronte kombin. (Num. 10:25) Ky ishte një caktim i rëndësishëm, edhe pse pjesa tjetër e kombit nuk shihte çdo gjë që bënin danitët për ta.

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Dani.

Djali

Dani

Fjalët e Jakobit

«Dani . . . pickon kyçin e thundrës së kalit.»—Zan. 49:16-18.

Plotësimi

Dani shërbeu si ‘praparojë’ gjatë udhëtimit për në Tokën e Premtuar.—Num. 10:25.

7. Çfarë nuk duhet të harrojmë për çdo caktim në shërbim të Jehovait?

7 Mësime për ne. A ke pasur ndonjëherë një caktim që dukej se nuk binte në sy? Ndoshta dhe një dorë për të pastruar e mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë, dole vullnetar për të ndihmuar në një asamble a kongres ose bëre ndonjë punë tjetër. Të lumtë për atë që bëre! Mos harro kurrë se syrit të Jehovait nuk i shpëton asnjë nga gjërat që bën për të dhe i çmon. Atij i gëzon zemra kur i shërben për t’i shprehur dashurinë e thellë, jo për të marrë lëvdata nga të tjerët.—Mat. 6:1-4.

GADI

8. Pse territori i Gadit në Tokën e Premtuar ishte shënjestër e lehtë e sulmeve? (Zanafilla 49:19) (Shih edhe kutinë.)

8 Lexo Zanafillën 49:19. Jakobi paratha se Gadin do ta sulmonte një bandë kusarësh. Mbi dy shekuj më vonë, fisi i Gadit mori në lindje të lumit Jordan një territor që kishte në kufi kombe armike. Pra, gaditët banonin në një vend që ishte shënjestër e lehtë e sulmeve. Gjithsesi, donin të jetonin aty sepse kishte kullota të mira për bagëtitë. (Num. 32:1, 5) Duket se ishin një fis i guximshëm. Mbi të gjitha, kishin besim se Jehovai do t’i ndihmonte të luftonin çdo bandë kusarësh dhe ta mbronin tokën që u kishte dhënë. Madje për vite të tëra i dërguan luftëtarët që të ndihmonin fiset e tjera të pushtonin territoret e Tokës së Premtuar në perëndim të Jordanit. (Num. 32:16-19) Si fis, ata kishin besim se Jehovai do t’i mbronte gratë dhe fëmijët e tyre ndërsa burrat ishin larg. Jehovai i bekoi për guximin dhe frymën vetëmohuese.—Jos. 22:1-4.

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Gadi.

Djali

Gadi

Fjalët e Jakobit

«Do ta sulmojë papritur një bandë kusarësh.»—Zan. 49:19.

Plotësimi

Gadi banonte në lindje të Jordanit, në një vend që ishte shënjestër e lehtë e sulmeve.—Jos. 13:24-28.

9. Si ndikon besimi te Jehovai te zgjedhjet që bëjmë?

9 Mësime për ne. Që t’i shërbejmë Jehovait mes vështirësive, duhet të vazhdojmë të kemi besim tek ai. (Psal. 37:3) Shumë veta sot e tregojnë besimin te Jehovai duke bërë sakrifica që të ndihmojnë në projekte teokratike ndërtimi, të shërbejnë ku ka më shumë nevojë ose të përmbushin caktime të tjera. Këtë e bëjnë duke qenë plotësisht të sigurt se Jehovai do të kujdeset përherë për ta.—Psal. 23:1.

ASHERI

10. Çfarë nuk bëri Asheri? (Zanafilla 49:20) (Shih edhe kutinë.)

10 Lexo Zanafillën 49:20. Jakobi paratha se fisi i Asherit do të gëzonte mirëqenie, e tamam ashtu ndodhi. Në territorin që mori ai fis, kishte toka nga më pjelloret në mbarë Izraelin. (Ligj. 33:24) Veç kësaj, vendi i tyre shtrihej në brigjet e detit Mesdhe dhe përfshinte portin e pasur fenikas të Sidonit, që ishte qendër tregtie. Megjithatë, asheritët nuk i dëbuan kananitët nga ai vend. (Gjyk. 1:31, 32) Ndikimi i keq i kananitëve dhe begatia që gëzonin si fis mund të jenë bërë shkas që t’u venitej zelli për adhurimin e pastër. Asheri nuk iu përgjigj thirrjes së gjykatësit Barak, i cili kërkoi vullnetarë që të luftonin kundër një koalicioni kananit. Si pasojë, humbën mundësinë të shihnin fitoren që korri Izraeli falë Jehovait «pranë ujërave të Megidos». (Gjyk. 5:19-21) Kushedi sa i turpëruar do të jetë ndier fisi i Asherit kur dëgjoi Barakun e Deborën tek thoshin në këngën e frymëzuar të fitores: «Asheri u ul duarkryq në breg të detit.»—Gjyk. 5:17.

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Asheri.

Djali

Asheri

Fjalët e Jakobit

«Asheri do të ketë bukë me bollëk.»—Zan. 49:20.

Plotësimi

Asheri gëzonte mirëqenie në Tokën e Premtuar.—Ligj. 33:24.

11. Pse duhet të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për të mirat materiale?

11 Mësime për ne. Ne duam t’i japim Jehovait më të mirën. Për ta bërë këtë, duhet të përpiqemi të mos infektohemi nga mendësia e botës për rehatinë dhe të mirat materiale. (Prov. 18:11) Bëjmë çmos të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për paratë. (Ekl. 7:12; Hebr. 13:5) Nuk lejojmë që rendja pas gjërave të panevojshme materiale të na bëhet pengesë në shërbim të Perëndisë. Përkundrazi, përpiqemi fort t’i japim sot Jehovait më të mirën e kohës dhe të energjive tona, me besim të patundur se, në të ardhmen, do të na shpërblejë me një jetë të rehatshme e plot siguri.—Psal. 4:8.

NEFTALI

12. Si mund të jenë plotësuar fjalët profetike për Neftalin? (Zanafilla 49:21) (Shih edhe kutinë.)

12 Lexo Zanafillën 49:21. Jakobi tha se Neftali ‘do të fliste me hijeshi’. Ka shumë mundësi që kjo të lidhet me mënyrën si foli Jezui gjatë shërbimit në tokë. Jezui njihej si mjeshtër në artin e mësimdhënies dhe banonte në Kapernaum, në territorin e Neftalit. Ja pse Kapernaumi quhej ‘qyteti i vet’. (Mat. 4:13; 9:1; Gjoni 7:46) Kur profetizoi për Jezuin, Isaia tha se banorët e Zabulonit dhe të Neftalit do të shihnin «një dritë të madhe». (Isa. 9:1, 2) Jezui ishte «drita e vërtetë, që ndriçon çdo lloj njeriu» nëpërmjet mësimdhënies së tij.—Gjoni 1:9.

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Neftali.

Djali

Neftali

Fjalët e Jakobit

«Ai flet me hijeshi.»—Zan. 49:21.

Plotësimi

Gjatë shërbimit në tokë, Jezui banoi në një qytet në territorin e Neftalit. —Mat. 4:13; 9:1.

13. Si mund ta kënaqim Jehovain me të folurin tonë?

13 Mësime për ne. Ajo që themi dhe mënyra si e themi ka rëndësi për Jehovain. Si mund ‘të flasim me hijeshi’ që ta kënaqim Jehovain? Së pari, t’u themi të vërtetën të tjerëve. (Psal. 15:1, 2) Veç kësaj, mund t’u japim zemër me fjalët tona. Për shembull, mund të jemi bujarë me lavdërimet dhe të përpiqemi të mos i kemi në majë të gjuhës kritikat ose ankesat. (Efes. 4:29) Gjithashtu, pse të mos vëmë synimin të bëhemi më të zotë për të nisur biseda që mund të hapin rrugën për të dhënë dëshmi?

JOZEFI

14. Si u plotësuan fjalët profetike për Jozefin? (Zanafilla 49:22, 26) (Shih edhe kutinë.)

14 Lexo Zanafillën 49:22, 26. Jakobit patjetër i gufonte zemra nga krenaria për Jozefin, të cilin Jehovai ‘e kishte zgjedhur mes vëllezërve të tij’. Ai e quajti «lastari i një peme të frytshme». Pema paraqiste Jakobin, dhe Jozefi ishte një lastar i saj. Jozefi ishte biri i parëlindur i Rakelës, gruas së shtrenjtë të Jakobit. Jakobi profetizoi se Jozefi do të merrte dy pjesët e trashëgimisë që kishte humbur Rubeni—i parëlinduri i Jakobit nga gruaja e tij Lea. (Zan. 48:5, 6; 1 Kron. 5:1, 2) Në përmbushje të asaj profecie, pasardhësit e bijve të Jozefit, Efraimi dhe Manaseu, morën tokë si dy fise më vete.—Zan. 49:25; Jos. 14:4.

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Jozefi.

Djali

Jozefi

Fjalët e Jakobit

Bekimet ‘do të jenë gjithmonë mbi atë që u zgjodh mes vëllezërve të tij’.—Zan. 49:22-26.

Plotësimi

Jozefi mori trashëgiminë e të parëlindurit, dhe dy bijtë e tij u bënë dy fise më vete.—Jos. 14:4; 1 Kron. 5:1, 2.

15. Si reagoi Jozefi ndaj padrejtësive që iu bënë?

15 Jakobi foli edhe për harkëtarë që «e qëllonin [Jozefin] dhe ushqenin mëri kundër tij». (Zan. 49:23) E kishte fjalën për vëllezërit e Jozefit, dikur të helmuar nga zilia, të cilët ishin fajtorë për shumë nga padrejtësitë që hoqi. Prapëseprapë, Jozefi nuk u mbush me mllef ndaj vëllezërve ose ndaj Jehovait. Ndodhi ashtu siç u shpreh Jakobi: «[Jozefi] e mbajti harkun të palëvizur dhe duart e tij mbetën të forta e të zhdërvjellëta.» (Zan. 49:24) Në kuptimin e figurshëm, ai e mposhti armiqësinë e vëllezërve me «shigjetat» e mëshirës dhe të dashurisë besnike. Ai u mbështet te Jehovai gjatë sprovave dhe jo vetëm i fali vëllezërit, por edhe u tregua zemërmirë me ta. (Zan. 47:11, 12) Jozefi lejoi që sprovat ta bënin njeri më të mirë. (Psal. 105:17-19) Kështu i dha mundësi Jehovait ta përdorte për vepra madhështore.

16. Si mund ta imitojmë shembullin e Jozefit kur kalojmë sprova?

16 Mësime për ne. Kurrë mos lejo që sprovat të ta ftohin dashurinë për Jehovain ose për vëllezërit e motrat. Mbaj ndër mend se Jehovai mund t’i lejojë sprovat e besimit që të na stërvitë. (Hebr. 12:7, shën.) Falë kësaj stërvitjeje, mund të zhvillojmë ose të përmirësojmë cilësitë e krishtere, si mëshira dhe gatishmëria për të falur. (Hebr. 12:11) Jehovai ka për të na shpërblyer për qëndrueshmërinë, ashtu siç shpërbleu Jozefin.

BENIAMINI

17. Si u plotësuan fjalët profetike për Beniaminin? (Zanafilla 49:27) (Shih edhe kutinë.)

17 Lexo Zanafillën 49:27. Jakobi paratha se Beniamini do të ishte si një ujk, pra me fjalë të tjera do të ishte shumë i zoti në luftë. (Gjyk. 20:15, 16; 1 Kron. 12:2) ‘Në mëngjesin’ e mbretërisë së Izraelit, nga fisi i Beniaminit erdhi mbreti i parë i Izraelit, Sauli. Ai luftoi pa u epur kundër filistinëve. (1 Sam. 9:15-17, 21) ‘Në mbrëmjen’ e asaj mbretërie, mbretëresha Ester dhe kryeministri Mordeká, që të dy beniaminitë, i shpëtuan nga shfarosja izraelitët nën Perandorinë Perse.—Est. 2:5-7; 8:3; 10:3.

Profecia e Jakobit në shtratin e vdekjes

Beniamini.

Djali

Beniamini

Fjalët e Jakobit

«Në mëngjes do të hajë prenë dhe në mbrëmje do të ndajë plaçkë.»—Zan. 49:27.

Plotësimi

Sauli ishte mbreti i parë i Izraelit. (1 Sam. 9:15-17) Shumë vite më vonë, Estera dhe Mordekai shpëtuan popullin e Jehovait.—Est. 2:5-7; 8:3; 10:3.

18. Si mund ta imitojmë besnikërinë e fisit të Beniaminit?

18 Mësime për ne. Beniaminitët pa dyshim u ndien krenarë kur panë të hipte në fron dikush nga fisi i tyre, në përmbushje të fjalëve profetike të Jakobit. Gjithsesi, kur Jehovai ia dha mbretërinë Davidit nga fisi i Judës, beniaminitët e mbështetën atë mbret me kalimin e kohës. (2 Sam. 3:17-19) Dekada më vonë, kur fiset e tjera u rebeluan, beniaminitët u treguan besnikë ndaj fisit të Judës dhe mbretit të caktuar nga Jehovai. (1 Mbret. 11:31, 32; 12:19, 21) Le t’i mbështetim edhe ne me besnikëri ata që ka zgjedhur Jehovai të drejtojnë popullin e tij!—1 Sel. 5:12.

19. Si mund të nxjerrim dobi nga profecia që tha Jakobi në shtratin e vdekjes?

19 Ne sot mund të nxjerrim dobi nga profecia që tha Jakobi në shtratin e vdekjes. Kur mendojmë si u përmbush, na forcohet besimi se edhe profecitë e tjera të Fjalës së Jehovait do të bëhen realitet. E ndërsa bluajmë në mendje bekimet që morën bijtë e Jakobit, kuptojmë më mirë si t’ia kënaqim zemrën Jehovait.

ÇFARË MËSOVE NGA AJO QË I THA JAKOBI . . .

  • Zabulonit, Isaharit dhe Danit?

  • Gadit, Asherit dhe Neftalit?

  • Jozefit dhe Beniaminit?

KËNGA 128 Qëndro deri në fund

a Pasi i bekoi sipas moshës Rubenin, Simeonin, Levin dhe Judën, djemtë e tjerë Jakobi nuk i bekoi sipas radhës në të cilën kishin lindur.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo