BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 tetor f. 18-23
  • Si t’i përmirësosh lutjet

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si t’i përmirësosh lutjet
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • MOS NGURRO T’I LUTESH JEHOVAIT
  • SI TË BËSH LUTJE MË DOMETHËNËSE
  • MEDITO PËR LUTJET E NDIERA TË REGJISTRUARA NË BIBËL
  • VAZHDO TË FORCOSH MIQËSINË ME JEHOVAIN ME ANË TË LUTJES
  • Mos harro të lutesh për të tjerët
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Afroju Perëndisë me anë të lutjes
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
  • Pasuroji lutjet nëpërmjet studimit të Biblës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Afroju Perëndisë me anë të lutjes
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 tetor f. 18-23

ARTIKULLI I STUDIMIT 42

KËNGA 44 Përgjërimi i shpirtit

Si t’i përmirësosh lutjet

«Të thërras me gjithë zemër. M’u përgjigj, o Jehova.»—PSAL. 119:145.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si mund t’i përmirësojmë lutjet tona, duke medituar për lutjet që gjejmë në Bibël.

1-2. (a) Çfarë mund të na pengojë t’ia zbrazim zemrën Jehovait? (b) Nga e dimë se Jehovai i dëgjon me merak lutjet tona?

A TË duket ndonjëherë se lutesh me të njëjtat fjalë dhe në mënyrë sipërfaqësore? Nëse po, nuk je i vetmi. Ngaqë ritmi i jetës është bërë shumë i vrullshëm, mund të kemi prirjen të lutemi nxitimthi. Madje mund ta kemi të vështirë t’ia zbrazim zemrën Jehovait, sepse ndihemi të padenjë.

2 Bibla na siguron se për Jehovain nuk kanë rëndësi lutjet e sofistikuara, por lutjet që vijnë nga një zemër e përulur. Ai e dëgjon «kërkesën e zemërbutëve». (Psal. 10:17) Jehovai e dëgjon me merak çdo fjalë që themi, sepse na ka vërtet për zemër.—Psal. 139:1-3.

3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Mirëpo mund të na lindin pyetje, si: pse mund t’i lutemi pa ngurrim Jehovait? Si të bëjmë lutje më domethënëse? Si mund t’i përmirësojmë lutjet duke medituar për lutjet që gjejmë në Bibël? Dhe ç’mund të bëjmë nëse jemi aq në ankth, sa s’gjejmë dot fjalët për t’i shprehur ndjenjat? Le të shqyrtojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve.

MOS NGURRO T’I LUTESH JEHOVAIT

4. Ç’mund të na ndihmojë t’ia zbrazim zemrën Jehovait? (Psalmi 119:145)

4 Kur kuptojmë se Jehovai është një mik besnik që do më të mirën për ne, ndihemi rehat t’i tregojmë hapur mendimet dhe ndjenjat tona. Shkrimtari i Psalmit 119 bëri çmos të kishte këtë lloj miqësie të ngushtë me Jehovain. Atij nuk i shkonte jeta vaj. Disa njerëz të ligj i binin në qafë, duke thënë gënjeshtra për të. (Psal. 119:23, 69, 78) Veç kësaj, hera-herës ndihej i shkurajuar nga gabimet e tij. (Psal. 119:67) Prapëseprapë, nuk ngurronte t’ia hapte zemrën Jehovait.—Lexo Psalmin 119:145.

5. Pse s’duhet t’i lejojmë ndjenjat negative të na frenojnë të lutemi? Ilustrojeni.

5 Jehovai i fton edhe ata që kanë bërë mëkate të rënda që t’i luten. (Isa. 55:6, 7) Ndaj nuk duhet t’i lejojmë ndjenjat negative që të na frenojnë të lutemi. Për ta ilustruar: një pilot e di se mund të komunikojë me kontrollorët e trafikut ajror po të ketë nevojë për ndihmë. Mirëpo, a duhet të hezitojë që t’i kontaktojë, vetëm nga turpi se ka humbur drejtimin ose ka bërë një gabim? Sigurisht që jo! Po njësoj, edhe nëse ndonjëherë ndihemi «si dele e humbur» ose nëse kemi mëkatuar, s’duhet të ngurrojmë t’i lutemi Jehovait.—Psal. 119:25, 176.

SI TË BËSH LUTJE MË DOMETHËNËSE

6-7. Si mund të bëjmë lutje më domethënëse kur mendojmë thellë për cilësitë e Jehovait? Jepni një shembull. (Shih edhe shënimin.)

6 Kur i flasim pa rezerva Jehovait, duke i shprehur mendimet dhe ndjenjat më të thella, lutjet tona bëhen më domethënëse. Atëherë, ç’mund të na ndihmojë të bëjmë lutje të tilla?

7 Mendo thellë për cilësitë e Jehovait.a Sa më shumë të reflektojmë për cilësitë e tij, aq më kollaj do ta kemi t’i tregojmë pa doreza mendimet tona. (Psal. 145:8, 9, 18) Le të shqyrtojmë shembullin e Kristinës, një motër që u rrit me një baba të dhunshëm. Ajo shpjegon: «E kisha të vështirë ta shihja Jehovain si një Atë, të cilit mund t’i flisja hapur. Mendoja se do të më braktiste nga momenti në moment, për shkak të gabimeve të mia.» Cila cilësi e Jehovait e ndihmoi Kristinën? Ajo thotë: «Falë dashurisë besnike të Jehovait, ndihem e sigurt. E di se ai nuk do të ma lëshojë kurrë dorën. Edhe nëse bie, do të më ngrejë me butësi. Kur meditoj për dashurinë e Jehovait, e kam më të lehtë t’i shpreh çdo gëzim dhe brengë të thellë.»

8-9. Cilat dobi vijnë kur mendon paraprakisht për çfarë do të lutesh? Ilustrojeni.

8 Mendo për atë që do të thuash. Para se të lutesh, mund t’i bësh vetes pyetje, si: «Çfarë problemesh po has tani? A duhet të fal dikë? A po përballem me ndonjë sfidë të re, për të cilën më nevojitet ndihma e Jehovait?» (2 Mbret. 19:15-19) Gjithashtu, duke ndjekur modelin që na la Jezui, mund të mendojmë si të përfshijmë në lutjet tona aspekte që lidhen me emrin, Mbretërinë dhe vullnetin e Jehovait.—Mat. 6:9, 10.

9 Kur një motër që quhet Aliska mori vesh se i shoqi kishte tumor të pashërueshëm në tru, e kishte shumë të vështirë të lutej. Ajo kujton: «Isha kaq e dëshpëruar, sa nuk arrija dot të mendoja kthjellët dhe të gjeja fjalët për t’u lutur.» Çfarë e ka ndihmuar Aliskën? Ajo shpjegon: «Pak para se të lutem, përpiqem të mendoj se për cilat gjëra dua t’i flas Jehovait. Kjo më ka ndihmuar që të mos lutem vetëm për veten dhe për situatën që po kaloj. Si rezultat, jam më e qetë dhe arrij t’i lutem Jehovait për gjëra të ndryshme.»

10. Pse duhet të përpiqemi të bëjmë lutje më të gjata? (Shih edhe figurat.)

10 Bëj lutje më të gjata. Edhe pse lutjet e shkurtra mund të jenë domethënëse, ka më tepër gjasa të shprehim mendimet tona më të thella kur bëjmë lutje më të gjata.b Elija, burri i Aliskës, tregon: «Përpiqem të lutem shpeshherë gjatë ditës dhe kam kuptuar se lutjet më të gjata më kanë afruar më shumë me Jehovain. Ai nuk e ka me ngut që unë të mbaroj lutjen, ndaj mund ta marr shtruar.» Provo këtë: gjej një kohë e një vend ku mund të lutesh pa u shpërqendruar, mbase edhe me zë, dhe bëje zakon të bësh lutje më të gjata.

Kolazh: 1. Pa zbardhur dita, një vëlla mediton teksa qëndron ulur në tavolinën e tij, me Biblën e hapur dhe një filxhan kafe. 2. Pasi ka zbardhur dita, ai qëndron ende ulur në tavolinën e tij dhe po i lutet gjatë Jehovait.

Gjej një kohë e një vend ku mund të lutesh më gjatë (Shih paragrafin 10)


MEDITO PËR LUTJET E NDIERA TË REGJISTRUARA NË BIBËL

11. Ç’dobi nxjerrim kur meditojmë për lutjet e ndiera që gjejmë në Bibël? (Shih edhe kutinë «A ke edhe ti të njëjtat rrethana?»)

11 Mund të nxjerrësh dobi nëse mediton për lutjet nga zemra dhe këngët e lëvdimit, ose psalmet, të cilat janë dokumentuar në Bibël. Ndërsa shqyrton si i kanë shprehur ndjenjat më të thella shërbëtorët e Perëndisë, do të nxitesh t’i tregosh Jehovait gjithë ç’ke në skutat e zemrës. Mund të zbulosh edhe shprehje të reja lëvdimi që t’i përdorësh në lutje. E me shumë gjasa do të gjesh edhe lutje apostafat për rrethanat e tua.

A ke edhe ti të njëjtat rrethana?

Shumë shërbëtorë besnikë ia hapën zemrën Jehovait kur ndodheshin në rrethana nga më të ndryshmet. A e gjen veten te ndonjë prej tyre?

  • Kur ishte në ankth, Jakobi shprehu në lutje mirënjohjen për Jehovain dhe besimin që kishte tek ai.—Zan. 32:9-12.

  • Kur mbreti i ri Solomon nuk ndihej në lartësinë e duhur për përgjegjësinë që i dha Jehovai, iu lut atij për ndihmë.—1 Mbret. 3:7-9.

  • Pas mëkatit me Betshebën, Davidi iu përgjërua Jehovait që të krijonte tek ai «një zemër të pastër».—Psal. 51:9-12.

  • Kur mori një privilegj të ri shërbimi, Maria lëvdoi Jehovain.—Luka 1:46-49.

Projekt studimi: Analizo lutjen e një shërbëtori të Jehovait në Bibël. Pastaj shqyrto si iu përgjigj Jehovai kërkesës së tij. Mësimet që nxjerr, zbatoji në situatën tënde.

12. Çfarë pyetjesh mund t’i bëjmë vetes, teksa meditojmë për përmbajtjen e një lutjeje?

12 Teksa mediton për përmbajtjen e një lutjeje të regjistruar në Shkrime, pyet veten: «Kush i tha këto fjalë dhe në cilat rrethana? A ngjajnë mendimet e mia me mendimet e shprehura në këtë lutje? Çfarë mund të mësoj prej saj?» Mbase do të kesh nevojë të bësh ca kërkime shtesë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, ama ia vlen çdo përpjekje. Le të ndalemi te disa shembuj.

13. Cili është një mësim që nxjerrim nga lutja e Hanës? (1 Samuelit 1:10, 11) (Shih edhe figurën.)

13 Lexo 1 Samuelit 1:10, 11. Kur bëri këtë lutje, Hana kishte dy probleme shumë të mëdha. Ajo nuk lindte dot fëmijë, dhe gruaja tjetër e të shoqit po ia nxinte jetën. (1 Sam. 1:4-7) Nëse edhe ti po has një problem që vazhdon nga ca kohë, ç’mund të mësosh nga lutja e Hanës? Ajo u lehtësua duke iu lutur gjatë Jehovait e duke i treguar çka i rëndonte në shpirt. (1 Sam. 1:12, 18) Edhe ne do të lehtësohemi po ‘t’ia hedhim barrën Jehovait’, duke i treguar fije për pe si ndihemi për problemet që po kalojmë.—Psal. 55:22.

Kolazh: 1. Hana largon vështrimin e hidhëruar, teksa Elkanahu luan me dy nga fëmijët e tij. 2. Penina buzëqesh, ndërsa përkund foshnjën në krahët e saj. 3. Hana qan, ndërsa i lutet me zjarr Jehovait. 4. Kryeprifti Eli është ulur me krahët e kryqëzuar dhe shikon ashpër Hanën.

E hidhëruar ngaqë s’kishte fëmijë dhe ngaqë gruaja tjetër e të shoqit e tallte pa pushim, Hana ia zbrazi zemrën Jehovait (Shih paragrafin 13)


14. (a) Çfarë mësojmë tjetër nga Hana? (b) Si mund t’i pasurojmë lutjet duke medituar për Shkrimet? (Shih shënimin.)

14 Pak vite pas lindjes së djalit, Samuelit, Hana e çoi te kryeprifti Eli. (1 Sam. 1:24-28) Në një lutje të ndier, ajo shprehu bindjen se Jehovai i mbron dhe kujdeset për shërbëtorët e vet besnikë.c (1 Sam. 2:1, 8, 9) Mbase problemet e saj në shtëpi nuk kishin marrë fund, ama Hana u përqendrua te bekimi i Jehovait. Çfarë mësojmë? Do t’i përballojmë më mirë vështirësitë e vazhdueshme, nëse përqendrohemi te ndihma që na ka dhënë Jehovai deri tani.

15. Ç’mund të mësojmë nga lutja e profetit Jeremia kur hasim padrejtësi? (Jeremia 12:1)

15 Lexo Jereminë 12:1. Në një pikë të jetës, profeti Jeremia ndihej keq tek shihte të ligjtë të kishin sukses. Veç kësaj, ishte i shkurajuar nga mënyra si e trajtonin izraelitët e tjerë. (Jer. 20:7, 8) Edhe ne mund të ndihemi si Jeremia kur shohim që njerëzve të pandershëm u ecën vaj, ose kur na vënë në lojë. Megjithëse Jeremia ia shprehu Jehovait se ishte i mërzitur, nuk e vuri kurrë në pikëpyetje drejtësinë e Tij. Me siguri duhet t’i jetë forcuar besimi te drejtësia e Jehovait, ndërsa shihte si e disiplinonte Ai popullin e vet rebel. (Jer. 32:19) Po njësoj, mund t’ia shprehim hapur Jehovait sa na lëndojnë padrejtësitë, plotësisht të sigurt se ai do të ndreqë çdo padrejtësi në kohën e duhur.

16. Ç’mund të mësojmë nga një levit në mërgim nëse jemi të kufizuar për shkak të rrethanave? (Psalmi 42:1-4) (Shih edhe figurat.)

16 Lexo Psalmin 42:1-4. Në këtë psalm një levit në mërgim shkroi se si ndihej që nuk mund ta adhuronte Jehovain me bashkëbesimtarët në tempull. Mund t’i kuptojmë fare mirë ndjenjat e psalmistit nëse e kemi të pamundur të dalim nga shtëpia ose na kanë burgosur për shkak të besimit. Ndonjëherë mund të kemi luhatje emocionale, por prapë është mirë t’ia shprehim Jehovait si ndihemi. Kështu mund t’i kuptojmë më qartë ndjenjat tona dhe ta shikojmë me sy tjetër situatën. Për shembull, leviti e kuptoi se do të kishte prapë mundësi ta lëvdonte Jehovain. (Psal. 42:5) Veç kësaj, bluante në mendje si po kujdesej Jehovai për të. (Psal. 42:8) Nëse lutemi me zjarr, Perëndia mund të na ndihmojë të analizojmë ndjenjat tona, të rifitojmë ekuilibrin dhe të kemi forcën për të përballuar situatën.

Kolazh: 1. Një levit lutet me zjarr në shkretëtirë. 2. Një vëlla qëndron ulur në krevatin e një spitali dhe lutet me Biblën e hapur në prehër.

Leviti që shkroi Psalmin 42 ia hapi zemrën Perëndisë në lutje. Kur i tregojmë Jehovait gjithçka që ndiejmë, e shohim situatën në dritë më pozitive (Shih paragrafin 16)


17. (a) Ç’mund të mësojmë nga lutja e profetit Jona? (Jonai 2:1, 2) (b) Si mund të na ndihmojnë disa shprehje nga Psalmet kur hasim vështirësi? (Shih shënimin.)

17 Lexo Jonain 2:1, 2. Profeti Jona e bëri këtë lutje kur ishte në barkun e peshkut. Edhe pse nuk iu bind Jehovait, ishte plotësisht i sigurt se Ai do ta dëgjonte. Jonai përdori në lutjen e tij shumë shprehje që gjenden te Psalmet.d Me sa duket i njihte mirë ato fragmente. Meditimi rreth tyre ia siguroi zemrën se Jehovai do ta ndihmonte. Po njësoj, nëse përpiqemi të mësojmë përmendsh disa vargje nga Bibla, do të arrijmë t’i kujtojmë e do të marrim forcë, teksa i lutemi Jehovait në situata të vështira.

VAZHDO TË FORCOSH MIQËSINË ME JEHOVAIN ME ANË TË LUTJES

18-19. Për çfarë na siguron Romakëve 8:26, 27, nëse me raste nuk gjejmë dot fjalët për t’u lutur? Jepni një shembull.

18 Lexo Romakëve 8:26, 27. Hera-herës mund të ndihemi aq të mbytur nga ankthi, sa nuk gjejmë dot fjalët për të përshkruar çfarë ndiejmë. Por s’jemi pa ndihmë. Në raste të tilla, fryma e shenjtë e Perëndisë «ndërmjetëson» për ne. Çfarë do të thotë kjo? Nëpërmjet frymës së tij, Jehovai ka nxitur shkrimtarë të Biblës të hedhin me shkrim shumë lutje. E nëse nuk i shprehim dot qartë mendimet tona, Jehovai mund t’i pranojë disa nga kërkesat që gjenden në këto lutje sikur t’ia kishim bërë ne dhe mund t’u përgjigjet.

19 Kjo e vërtetë e ndihmoi shumë një motër ruse që quhet Jelena. Atë e arrestuan, ngaqë lutet dhe lexon Biblën. Jelena ishte aq e trazuar emocionalisht, sa e kishte të vështirë të lutej. Ajo thotë: «Solla ndër mend se, kur më mbyt ankthi e nuk gjej fjalët për t’u lutur, Jehovai i konsideron disa nga lutjet e frymëzuara të shërbëtorëve besnikë në Bibël si t’i kisha bërë unë. . . . Kjo më dha tej mase zemër gjatë asaj periudhe tmerrësisht sfiduese.»

20. Si mund ta përgatisim mendjen para se të lutemi kur jemi të stresuar?

20 Kur jemi të stresuar, mund të jetë e vështirë të përqendrohemi gjatë lutjes. Që të përgatisim mendjen, mund të lexojmë me zë Psalmet. Gjithashtu, mund të provojmë të hedhim me shkrim ndjenjat tona, siç bëri mbreti David. (Psal. 18, 34, 142; mbishkrimet.) Natyrisht, nuk është e prerë me thikë si duhet të përgatitemi para se të lutemi. (Psal. 141:2) Ndaj zgjidh metodën më të mirë për ty.

21. Pse mund t’i lutemi me gjithë zemër Jehovait?

21 Sa na ngrohet zemra që Jehovai e kupton si ndihemi, madje përpara se t’ia themi! (Psal. 139:4) Prapëseprapë, kënaqet pa masë kur i shprehim ndjenjat tona dhe besimin që kemi tek ai. Ndaj, mos ngurro t’i lutesh Atit tënd qiellor. Pasuroji lutjet e tua me shprehje nga lutjet e shërbëtorëve besnikë që gjenden në Bibël. Lutu me gjithë shpirt. Ndaji me Jehovain gëzimet dhe hidhërimet. Ai është Miku yt i vërtetë dhe do të të qëndrojë pranë në ditë të mira e të vështira.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Çfarë mund të të ndihmojë t’ia zbrazësh zemrën Jehovait?

  • Çfarë gjërash praktike mund të bësh që lutjet e tua të jenë më domethënëse?

  • Ç’dobi mund të nxjerrësh duke medituar për lutjet e ndiera që gjenden në Bibël?

KËNGA 45 Mendimet e thella të zemrës

a Shih «Disa nga cilësitë e jashtëzakonshme të Jehovait» te zëri «Jehovai», në librin Parime nga Bibla për jetën.

b Në përgjithësi lutjet publike që bëhen në kongregacion janë të shkurtra.

c Në lutjen e saj Hana përdori shprehje të ngjashme me ato që shkroi Moisiu. Është e qartë se e kishte zakon t’i bluante në mendje Shkrimet. (Ligj. 4:35; 8:18; 32:4, 39; 1 Sam. 2:2, 6, 7) Shekuj më vonë, Maria, nëna e Jezuit, përdori shprehje lëvdimi mjaft të ngjashme me ato që përdori Hana.—Luka 1:46-55.

d Për shembull, krahaso Jonain 2:3-9 me Psalmin 69:1; 16:10; 30:3; 142:2, 3; 143:4, 5; 18:6 dhe 3:8. Shkrimet janë vendosur sipas radhës së mendimeve që shprehu Jonai në lutje.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo