BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • yb02 f. 43-64
  • Raporti botëror

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Raporti botëror
  • Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2002
  • Nëntema
  • Afrika
  • Amerikat
  • Azia dhe Lindja e Mesme
  • Evropa
  • Oqeania
Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2002
yb02 f. 43-64

Raporti botëror

Afrika

Në Bregun e Fildishtë, një nxënëse e quajtur Edit mësoi se pagëzimi i saj dhe një provim në shkollë ishin programuar në të njëjtën ditë. Me guxim i kërkoi mësuesit leje që të mungonte në provim dhe ai ia dha. Shokët dhe shoqet e klasës e vunë në lojë, duke e quajtur Mari, nëna e Jezuit. Një djalë filloi t’i bënte për të qeshur shokët, duke thënë se ajo nuk kishte shkuar për t’u pagëzuar, por në një garë noti. Editi iu përgjigj duke i dhënë një fletushkë që fliste për bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait.

Pasi e lexoi, djali nuk e talli më dhe i tha se edhe ai donte të bëhej Dëshmitar. Studioi me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme dhe, pavarësisht nga disa kundërshtime nga familja, u pagëzua. Editi është e lumtur që e vuri dedikimin ndaj Jehovait në vend të parë në jetë dhe se kjo, në këmbim, ndihmoi një tjetër të bënte të njëjtën gjë.

Një misionar në Afrikën perëndimore tregon: «Një prej bekimeve që vijnë nga Jehovai është të jesh pjesë e një organizate që ka një emër të mirë edhe në fshatrat më të vegjël të tokës. Këtë gjë e pashë të shfaqej në mënyrë të habitshme këtu në Ganë, ku Dëshmitarët e Jehovait janë të mirënjohur dhe të respektuar. Po shpërndanim literaturën mujore në disa kongregacione në fshatra. Në një qytezë të vogël nuk mundëm ta gjenim personin që merrte zakonisht pakon me literaturë. E pyeta shoferin se çfarë duhej të bënim. Ai më pa, buzëqeshi dhe tha: ‘S’ka problem.’ Më pas ndaloi kamionin në një pazar plot me njerëz, nxori trupin nga dritarja dhe thirri një vajzë të re që po shiste peshk në anë të rrugës. I dha kutinë me literaturë dhe i tha: ‘Të lutem, jepua këtë Dëshmitarëve të Jehovait’ Pa thënë asnjë fjalë, ajo e ngriti kutinë dhe e vuri në kokë, u kthye dhe u zhduk në turmë. Ndërsa udhëtonim për në qytetin tjetër e pyeta shoferin nëse e njihte vajzën. Ai buzëqeshi përsëri dhe tha: ‘Jo, por na njeh ajo ne.’ Pyeta veten nëse vëllezërit do ta merrnin ndonjëherë atë literaturë. Nuk duhej të isha shqetësuar. Ata e morën po atë ditë.»

Në fshatin e Gbolobosë në Liberi, vëllezërit i shkruan një letër kryeplakut, duke e njoftuar se kishin ndërmend të mbanin në qytetin e tij mbledhjen fetare më të rëndësishme të vitit. Ai u dha leje vëllezërve të përdornin për këtë mbledhje fushën e futbollit dhe në të gjitha kishat e shtatë qytezave që ishin në juridiksionin e tij u dha një njoftim. Në atë njoftim njerëzit ftoheshin të merrnin pjesë në Përkujtim. Një grup i madh Dëshmitarësh erdhën në fshat për të ndërtuar platformën për Përkujtimin në qendër të fushës së futbollit. Punuan së bashku me një frymë dashurie dhe lumturie. Kjo gjë u bëri përshtypje banorëve të fshatit. Edhe pse në Gbolobo ka vetëm pesë lajmëtarë, të pranishmit në Përkujtim ishin 636 persona.

Një djalë 10-vjeçar në Ruandën veriore mbajti një dhi të vogël derisa ajo polli tre keca. Kohët e fundit ai i dërgoi zyrës së degës një fotografi të tijën dhe të dhisë. Në një letër që e shoqëronte, shkroi: «Jehovai më ka bekuar shumë, prandaj po e jap këtë dhi për veprën mbarëbotërore të predikimit që përmendet te Mateu 24:14.» Dhinë ua dha pleqve të kongregacionit me kërkesën për ta shitur. Ata e shitën dhe paratë ia dërguan zyrës.

Një pionier special në Nigeri, hipi në makinë pasi shoferi e ftoi ta merrte në makinë. Ndërsa një pasagjer tjetër lëvizte për t’i bërë atij vend, shoferi pa në dorën e vëllait revistën Kulla e Rojës. Ai e urdhëroi vëllanë të dilte nga makina. Shoferi nuk pranoi t’i shpjegonte arsyen, por vetëm e urdhëroi të dilte nga makina. Ca nga ata që bënin sehir e panë makinën të largohej pa të dhe i thanë vëllait se Perëndia i tij e kishte shpëtuar. «Ajo është makinë rrëmbyesish!»—thanë ata. «Identifikimi» i vëllait i kishte sjellë mbrojtjen e Jehovait.

Granti është një lajmëtar tetëvjeçar në Koperbelt, provincë e Zambies. Kur ishte ende fëmijë, ai ishte në gjendje të tregonte histori të thjeshta rreth figurave në librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Prindërit e nxitën Grantin të mësonte përmendësh disa pjesë nga Bibla para se të mësonte për të lexuar. Tani ai shërben si lajmëtar i papagëzuar. Drejton shumë studime biblike, disa me ndihmën e botimit Libri im i tregimeve biblike dhe të tjerat me broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Për shkak të aktivitetit të tij të zellshëm fëmijët e atjeshëm e quajnë atë shimapepo mukalamba, që në gjuhën Çibemba do të thotë «kryeprifti».

Një burrë që filloi të studionte Biblën në Senegal, lexoi tregimin në revistën Zgjohuni!, 22 shtator 1999 (anglisht), për një Dëshmitare dhe vajzën e saj të vogël në Kanada, të cilat kthyen 1.000 dollarët që gjetën në një portofol të përdorur që e kishin blerë te një person që shiste sendet e tij të përdorura në oborrin e shtëpisë. Pak kohë pasi lexoi artikullin, ky burrë gjeti në rrugë një kuletë që kishte disa karta identiteti dhe para të thata me një vlerë që përllogaritej në më shumë se 500 dollarë amerikanë. Mendoi shumë për artikullin që kishte lexuar, dhe atë natë nuk mundi të flinte shumë.

Mëngjesin tjetër në orën tetë, burri mori në telefon të zotin e kuletës dhe e la që ta takonte për t’i kthyer kuletën dhe të gjitha paratë që kishte brenda. Të zotit i bëri kaq shumë përshtypje ndershmëria e këtij studenti të Biblës, saqë i dha atij gjysmën e parave që ishin në kuletë, domethënë 250 dollarë. «Për shkak të asaj reviste Zgjohuni!,—tha studenti i Biblës,—kam vepruar në një mënyrë për të cilën do të jem krenar për gjithë jetën.» Që nga ajo kohë, ai e ka marrë shumë seriozisht studimin e Biblës.

Kandoli dymbëdhjetëvjeçar nga Uganda, një vend në Afrikën Lindore, ulej me qetësi dhe dëgjonte me vëmendje ndërsa e ëma studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Me kalimin e kohës mamaja e humbi interesin për studimin, por djali e ndiente mungesën e dëgjimit të Fjalës së Perëndisë dhe pyeti se ku i mbanin mbledhjet Dëshmitarët. Të dielën tjetër bëri 11 kilometra në këmbë për në Sallën e Mbretërisë dhe më pas i ndoqi mbledhjet rregullisht. Një pionier filloi të studionte Biblën me Kandolin, i cili bëri përparim të shkëlqyer, dhe në moshën 14-vjeçare u pagëzua. Tani ai është 17 vjeç, dhe kohët e fundit u bë pionier i rregullt. Synimi i tij është të bëhet pionier special. Përfundimisht e ëma rifilloi studimin dhe tani është motër e pagëzuar. Kandolit nuk i duhet më të ecë në këmbë për në mbledhje. Tani ka një biçikletë, me të cilën çon nënën në Sallën e Mbretërisë.

Amerikat

Marsio u ftua për të shërbyer në Bethel në Brazil. Ai vjen nga një pjesë e varfër e vendit dhe asnjë pjesëtar të familjes nuk e ka Dëshmitar. Që të fitonte ca para për të udhëtuar me autobus për në Bethel shiti gjërat personale që kishte, të cilat së bashku me paratë që i dhanë Dëshmitarët vendas i dhanë mundësi për të bërë udhëtimin. Pas tri ditësh udhëtim, grabitës të armatosur e detyruan autobusin të largohej nga rruga. Grabitësit kërkuan në plaçkat e gjithsecilit dhe morën çdo gjë që dëshironin. Kur hapën çantën e Marsios vunë re Biblën e tij dhe më pas e mbyllën çantën pa marrë asgjë. Kur autobusi mbërriti në qytetin tjetër pasagjerët ishin të uritur, por pjesa më e madhe nuk kishin më para për të blerë ushqim. Meqë grabitësit nuk e kishin marrë portofolin e Marsios, ai bleu ushqim për pasagjerët e tjerë dhe kjo shërbeu si dëshmi e madhe.

Osvaldo, i cili studionte me Dëshmitarët e Jehovait në Kili, u informua nga puna se duhej të fillonte të punonte të dielave. Ai i tha përgjegjësit se kontrata e tij ishte të punonte nga e hëna deri të premten. Osvaldo shtoi: «Pak kohë më parë jam martuar dhe duhet të kaloj kohë me gruan. Gjithashtu, i kam programuar të dielat për t’i dhënë diçka Perëndisë.» Përgjegjësi i tha se në fund të muajit do të pushohej nga puna. Osvaldo ishte i vetmi nga rreth 3.000 punonjës që nuk shkonte në punë të dielave. Në vend të kësaj, vazhdonte të shkonte në mbledhje duke pasur besim te Jehovai.

Shpejt shoqëria u vizitua nga një administrator i nivelit të lartë nga Franca. Ai ndaloi në tryezën e Osvaldos për ta përgëzuar për punën e tij të mirë. Administratori tha: «Je i vetmi që nuk ke lojëra në kompjuter dhe që punon në mënyrë sistematike.» Osvaldo e falënderoi për këtë lavdërim, duke shtuar se së shpejti do të largohej nga shoqëria. Administratori e pyeti: «Të është ofruar një punë më e mirë?» Osvaldo i tha jo dhe i shpjegoi çështjen.

Disa ditë më vonë mori një ftesë për të marrë pjesë në një mbledhje me përgjegjësin dhe administratorin. Atmosfera ishte e tensionuar. Administratori tha: «Osvaldo, nuk do të punosh të dielave, dhe do të punosh rrallë të shtunave. Gjithashtu do të të jepen përgjegjësi të mëtejshme në shoqëri.» Po atë javë Osvaldo u pagëzua. Tani, së bashku me gruan shërben si pionier ndihmës.

Në Ekuador, një i ri që u pagëzua këtë vit mori caktimin e parë të fjalimit si student në auditorin kryesor të Sallës së Mbretërisë. Mendonte se bërja e fjalimit ishte një privilegj kaq i madh, saqë filloi të kursente para për të blerë një kostum të ri. Pasi kishte kursyer 30 dollarë mori vesh se një motër në kongregacion nuk kishte para të blinte ilaçe. Ia dha motrës 30 dollarët që kishte kursyer, duke thënë: «Jehovai do të më dojë njësoj, si ta bëj fjalimin me kostumin e vjetër, si ta bëj me atë të ri!»

Një motër në Guatemalë po jepte dëshmi rrugore. Ajo pa një burrë që ishte ulur në prag të derës së një shtëpie, por mendoi se nuk duhej t’i predikonte pasi shtëpia ishte në territorin e një kongregacioni tjetër. Vazhdoi të ecte, por më pas u ndie e nxitur t’i fliste. Prandaj u kthye dhe i foli për Mbretërinë e Jehovait. Burri e dëgjoi me vëmendje. Më pas i tha: «Të falënderoj që erdhe të flitje me mua zonjë, pasi po rri këtu për të vrarë një burrë i cili do të vijë në orën 7 e 45 minuta. Ai ishte nisur rrugës së varrit dhe unë rrugës sime për në burg. E di se nuk erdhe këtu me nismën tënde; ishte Perëndia që të dërgoi tek unë, me qëllim që të njoh dashurinë e tij. Po kthehem që tani në shtëpi, që të mos e kryej këtë krim. Perëndia të bekoftë!»

Gjatë muajve dhjetor 2000 dhe janar 2001 zyra e degës në Kolumbi organizoi një fushatë për të predikuar në territoret e izoluara. Dëshmitarët në atë vend u nxitën të transferoheshin në ato territore për një javë deri në dy muaj, në varësi të rrethanave të tyre, për të predikuar dhe kultivuar interesin.

Meqë donte të merrte pjesë, një motër e re nga Bogotaja shkoi në qytetin e Guaskas. Dy muajt që kaloi atje e bënë kaq të lumtur, saqë i kërkoi Jehovait që ta ndihmonte të gjente punë, me qëllim që të rrinte. Bleu arra kokosi, bëri ëmbëlsira me to dhe i shiti nëpër rrugë dhe nëpër dyqane. Përveç kësaj, gjeti punë në një lavanderi dhe madje mësoi si të milte lopët. Në këtë mënyrë ajo ka qenë në gjendje të sigurojë jetësën dhe ka vazhduar të shërbejë si pioniere e rregullt në Guaska. Drejton 25 studime biblike.

Një pronare shtëpie në Xhamajkë i tha një motre se askush nuk mund ta bindte kurrë të bëhej Dëshmitare. Motra i shpjegoi se arsyeja që e kishte vizituar ishte të ndante mesazhin e Biblës, përfshirë shpresën e jetës së përhershme. Ndërsa flitnin, motra vuri re se gruaja kishte respekt të thellë për Biblën. Vuri re, gjithashtu, se kundërshtimet e forta të gruas mbi disa çështje mund të kaloheshin duke lexuar shkrimet e duhura nga Bibla. Kjo e nxiti motrën të përdorte në masë të madhe Biblën kur vizitonte këtë person, si dhe më vonë kur u fillua një studim biblik. Për pasojë, studentja e Biblës filloi të ndiqte mbledhjet dhe u bë si tha në fillim se nuk do të bëhej kurrë, një Dëshmitare e dedikuar dhe e pagëzuar e Jehovait.

Karoli, një motër në Bolivi, studioi me një burrë dhe me gruan e tij. Ata jetonin në shtëpinë e nënës së burrit, një katolike e palëkundur, e cila nuk mungonte kurrë në meshë ose në procesionet fetare. Shtëpia ishte e zbukuruar me shëmbëlltyra, secila me një qiri përpara që digjej. Një ditë gjatë studimit, mamaja hyri papritur në dhomë dhe me Biblën katolike në dorë i drejtoi një pyetje Karolit: «Ku thuhet se Maria kishte fëmijë të tjerë?» Karoli i tregoi Mateun 12:46-50 dhe 13:55. Kokulur mamaja u largua nga dhoma. Disa minuta më vonë u kthye, duke mbajtur me krenari një Bibël tjetër të madhe të larë në ar e me figura. U largua përsëri, pasi iu tregua i njëjti shkrim. Shpejt u kthye edhe një herë me një Bibël tjetër, por shkrimi thoshte të njëjtën gjë. S’kishte ç’të thoshte më.

Gjatë javëve pasuese kishte më shumë ndërprerje. Ajo bënte pyetje, por pak nga pak filloi të zbutej. Mrekullohej nga përgjigjet. Më vonë pranoi vetë një studim biblik. Zelli i mëparshëm për katolicizmin u kthye në zell për adhurimin e vërtetë. Filloi të sillte shoqet në Sallën e Mbretërisë, dhe me kalimin e kohës u pagëzua.

Azia dhe Lindja e Mesme

Geri, i cili jeton në Sri-Lanka, i dha broshurën Ti mund të jesh miku i Perëndisë! një burri katolik dhe gruas së tij budiste. Gruaja këmbënguli se vetëm i shoqi do të donte të dinte më shumë rreth Biblës. Por, kur Geri i vizitoi herën tjetër, ajo tha se edhe ajo ishte e interesuar të dinte se si të bëhej mike me Perëndinë. Javën pasuese u fillua një studim me broshurën dhe çifti kërkoi një Bibël. Gruaja tha: «Mendoj se na duhet një Bibël nëse duam të bëhemi miq me Perëndinë.»

Kur arritën në mësimin 3 të broshurës Miku i Perëndisë, gruaja ishte entuziaste për studimin. Atë natë kishin edhe një pjesëmarrës tjetër, një djalë të ri që jetonte në shtëpinë e tyre. Pak ditë para studimit të tyre të katërt, Geri u çoi një Bibël. Menjëherë e bashkuan me broshurat e tyre që i kishin rregulluar bukur mbi tavolinë. Natën e studimit të katërt, me krenari zgjatën dorën drejt Biblës, në të cilën ishin vendosur shumë shenja ngjyrë blu. Burri tha: «E kemi përgatitur të gjithë mësimin.» Kishin gjetur të gjitha shkrimet që përmendeshin në mësim dhe kishin vendosur një shirit të hollë blu në faqen e secilit varg.

Rovena, një nënë e vetme në të 20-at, e cila jeton në Filipine, tregoi interes për të vërtetën. Me të u fillua një studim biblik dhe shpejt nisi të ndiqte mbledhjet. Megjithatë, për shkak të problemeve financiare, u detyrua të largohej nga qyteti ku banonte për të kërkuar punë në një qytet të largët. Atje ajo u punësua si shërbyese shtëpie në një familje të devotshme katolike. Kërkoi të mësonte ku ishte Salla më e afërt e Mbretërisë në qytet, por familja nuk donte ta ndihmonte të lidhej me Dëshmitarët.

Kaluan muaj dhe Rovena iu lut me zjarr Jehovait që ta lejonte të takonte Dëshmitarët dhe të vazhdonte studimin e Biblës. Një mëngjes ra zilja e telefonit dhe ajo u përgjigj. Telefonuesi tha: «Tungjatjeta, Salla e Mbretërisë jeni?»

Menjëherë Rovena u përgjigj: «Unë po e kërkoj për vete Sallën e Mbretërisë. A mund të më ndihmosh për ta gjetur?» U bënë rregullime. Rovena rifilloi studimin dhe tani është e pagëzuar.

Një vajzë 12 vjeçe i dërgoi një letër zyrës së degës në Rusi. Ajo shkroi: «Jam një vajzë nga një shtresë e ulët. Jetoj në rajonin Tjumen të Siberisë. S’ka shumë kohë, që në fshatin tonë të vogël, një vend i veçuar larg nga vendet e tjera, morëm për herë të parë një revistë Kulla e Rojës. E pashë në bibliotekën e shkollës. Vendosa ta marr në shtëpi e ta lexoj. Nga kjo revistë mësova shumë gjëra të reja dhe interesante. Vetëm duke menduar për figurat ndjeva një kënaqësi të madhe. Do të doja të merrja informacione të tjera, të studioja librin e Zbulesës dhe Biblën e do të dëshiroja të mësoja më shumë rreth organizatës suaj.» Për ta ndihmuar atë u bënë rregullime.

Ndërsa predikonin nga shtëpia në shtëpi në Liban, dy Dëshmitare vizituan një shtëpi. Pasi trokitën në derë, panë një letër të ngjitur që thoshte se Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin të mirëpritur. Një burrë hapi derën. Motrat filluan një bisedë dhe ai i ftoi brenda. Kur mësoi se ishin Dëshmitare, i pyeti nëse e kishin lexuar letrën e ngjitur pas derës. «Po,—u përgjigjën motrat,—por vetëm pasi kishim trokitur.» Më pas ai u shpjegoi se shtëpia ishte e prindërve të tij, të cilët nuk i pëlqenin Dëshmitarët e Jehovait. Gjithsesi, ai donte të mësonte më shumë dhe ishte veçanërisht kureshtar për shkak të letrave të ngjitura pas dyerve, të cilat ishin të zakonshme në atë zonë.

Motrat bënë rregullime që ta vizitonin burrin në shtëpinë e tij. Me të dhe gruan e tij u fillua një studim biblik e shpejt ata filluan të ndiqnin mbledhjet dhe të zbatonin parimet biblike. Burri thotë se nuk e kishte hapur Biblën kurrë më parë, por Dëshmitarët e ndihmuan ta lexonte dhe ta kuptonte atë.

Një motër në Kore që punon në një sallon bukurie, ekspozon Biblën bashkë me botime të tjera të Dëshmitarëve të Jehovait. Gjithashtu ajo dëgjon shpesh audiokasetën e librit Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Sapo dëgjoi regjistrimin, një grua kërkoi një kasetë dhe me të u fillua një studim biblik. Edhe gruaja e një pastori protestant pyeti për regjistrimin, duke thënë se në kishën e saj nuk i kishte dëgjuar kurrë gjëra të tilla që të vënë në mendime. Edhe ajo i kërkoi kasetat dhe filloi të studionte me Dëshmitarët. Për shkak të ekspozimit të literaturës, edhe një budist tregoi interes dhe tani po studion Biblën. Për t’u kujdesur për nevojat frymore të atyre që kishte takuar me anë të dëshmisë joformale, motra u bë pioniere e rregullt.

Një çift pionierësh specialë në Malajzi, i dëshmuan një burri që po ecte anës rrugës. Burri kishte shumë pyetje, prandaj e ftoi çiftin në shtëpinë e tij. Ata shkuan me të dhe bënë një bisedë interesante. Duke u larguar për të marrë pjesë në Studimin e Librit të Kongregacionit, e ftuan të shkonte me ta dhe ai shkoi. I pëlqeu mbledhja. Pas mbledhjes ata i dhanë broshurën Çfarë kërkon? dhe bënë rregullime ta takonin ditën tjetër. Kur erdhën, ai u tha atyre se pas mbledhjes natën e kaluar kishte ardhur në shtëpi, por kishte qëndruar zgjuar deri në 4 të mëngjesit duke lexuar e duke u lutur.

Ky burrë shërbente në një kishë të të ashtuquajturit krishterim. Edhe pse kishte kaluar vite në shkolla teologjike, kurrë nuk kishte mundur ta kuptonte trinitetin. Broshura Çfarë kërkon? e kishte drejtuar te vargjet biblike që zbulonin të vërtetën rreth kësaj doktrine jobiblike. I kënaqur që njihte se kush ishte me të vërtetë Perëndia, i tha çiftit: «Nuk besoj më te triniteti.» Që nga ajo kohë, nuk pranoi të predikonte në kishën e tij. Në vend të kësaj, mori pjesë në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait.

Ky burrë studioi literaturën biblike që mori nga Dëshmitarët dhe i krahasoi me shënimet që kishte marrë në shkollën teologjike. Në fund të dy javëve, ai vendosi të ndryshonte të gjithë drejtimin e jetës së tij. Kishte ardhur nga India për të ndjekur studimet teologjike në Kolegjin e Trinitetit, në Singapor. Por ai tha: «Si mund të shkoj në atë kolegj? Edhe emrin e ka trinitet!» U nis për në vendlindjen e tij, i paduruar për t’u lidhur me Dëshmitarët e atjeshëm. Me zemrën plot mirënjohje, ai tha: «Kam gjetur të vërtetën.»

Një motër e lindur në Kazakistan, kishte jashtëzakonisht frikë që t’u predikonte kozakëve të tjerë. Kur filloi shërbimin si pioniere, punoi në një territor ku jetonin njerëz nga grupe të tjera etnike. Megjithatë, një ditë, kur ishte në territorin e saj, takoi një grua kozake. I dha asaj një kopje të revistës Zgjohuni!, të cilën gruaja e pranoi. Motrës iu deshën dy javë për të marrë guxim që t’i bënte një rivizitë. Për habinë e saj, kuptoi se gruaja ishte e mërzitur që nuk i kishte vajtur më parë. Në kuptimin e vërtetë të fjalës ajo e tërhoqi motrën brenda në apartamentin e saj, i tregoi një kopje të librit Njohuria dhe i tha: «Le të studiojmë Biblën!» Djali më i vogël shërbente si lajmëtar i papagëzuar dhe vajza, një kushëri e nipi janë duke studiuar Biblën.

Në një vend në Lindjen e Mesme, një pionier special takoi një burrë që e quanin Xhon, i cili donte të përtërinte pajtimin në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Xhoni shpjegoi se gjyshi i tij, i cili jeton në Indi, kishte shumë kohë që ishte Dëshmitar. Xhoni kishte ndjekur mbledhjet e krishtere në Indi, por kishte 19 vjet që s’jetonte më në atë vend. Nuk e dinte se si të lidhej me Dëshmitarët vendës.

Kur pionieri e nxiti të ndiqte një mbledhje, Xhoni iu përgjigj se në të njëjtën kohë, ai mbante një mbledhje në shtëpinë e tij, duke shtuar se mbledhja ishte «për të studiuar Biblën dhe për t’u lutur». Duke përdorur artikuj nga Kulla e Rojës dhe nga libri Njohuria, Xhoni po studionte Biblën me më shumë se 25 bashkëkombës të tij indianë. Kishin disa vjet që kishin mbajtur mbledhje javore. Ndërkohë, grupi i gjuhës angleze në atë vend, përbëhet vetëm nga 12 lajmëtarë. Grupi indian u vizitua dhe u ndërmorën hapa për t’u kujdesur për ata që ishin të interesuar për gjërat frymore.

Në Nepal, një vajzë jetonte në një jetimore, që mbikëqyrej nga vullnetarë koreanë. Ndërsa studionte në shkollën e jetimores, një nga mësueset i tha se kishte gjetur «të krishterët e vërtetë». Kjo vajzë që nuk e kishte babanë gjithmonë besonte se ishte një e krishterë e vërtetë. Pasi edhe njerëzit që ishin në jetimore pretendonin se ishin të krishterë, ajo u habit nga ky koment. Për të shuar kureshtjen, dëshironte t’i takonte këta «të krishterë të vërtetë». Mësuesja e saj studionte me Dëshmitarët e Jehovait dhe ndiqte rregullisht mbledhjet. Vajza u lidh me mësuesen dhe mori pjesë bashkë me të në një mbledhje. I bëri kaq shumë përshtypje ajo që pa atje, sa pranoi menjëherë një studim biblik. Bëri përparim të shpejtë dhe u pagëzua brenda katër muajsh. Pas pagëzimit filloi shërbimin si pioniere ndihmëse.

Evropa

Çdo vit në Londër, Angli, organizohet një ekspozitë për të siguruar informacione për komunitetin e të shurdhërve. Dëshmitarët e Jehovait nxorën një stendë me Bibla dhe literaturë, duke përfshirë edhe prezantimin e videokasetës Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? në gjuhën britanike me shenja. Kur pa stendën, një grua e shurdhër u afrua e gëzuar, duke thënë se i kishte kërkuar kudo Dëshmitarët e shurdhër. Ajo shpjegoi se kur jetonte në Mongoli i kishte folur shpesh një Dëshmitare e shurdhër. Megjithatë, vetëm pasi i vdiq i ati e vlerësoi shpresën e ringjalljes dhe filloi të studionte Biblën. Pas gjashtë muajsh u transferua në Angli. Edhe pse gjeti një Sallë Mbretërie, nuk e kuptonte çfarë thuhej në mbledhje dhe nuk tregoi se ishte e shurdhër. Iu lut Jehovait që të gjente Dëshmitarë të Jehovait që ishin të shurdhër, dhe i gjeti. Tani ajo dhe vajza e saj po studiojnë Biblën dhe marrin pjesë në mbledhjet e gjuhës me shenja.

Andrea, një Dëshmitare 8-vjeçare në Portugali, vuri re që një shoqe shkolle ishte shumë e trishtuar, sepse prindërit e saj ishin ndarë. Disa ditë më vonë, Andrea mori revistën Zgjohuni!, janar 2001. Kjo revistë kishte kapakun me titull «A mund ta shpëtojmë martesën?» dhe përmbante një seri artikujsh për këtë. E entuziazmuar i shpjegoi mamasë se këta artikuj do t’i ndihmonin prindërit e shoqes së saj të shkollës. Më pas Andrea mori masa që një kopje e revistës t’i jepej babait të kësaj shoqeje dhe një kopje nënës së saj.

Pak kohë më pas, shoqja e shkollës i tha Andreas: «Prindërit e mi jetojnë përsëri së bashku dhe babi më porositi të të them se tani jemi bashkë falë asaj reviste që na dhe ti.» Më vonë Andrea i dha kësaj familjeje librin Sekreti i lumturisë familjare. Tani mamaja e Andreas po drejton një studim biblik me mamanë e shoqes së saj të shkollës.

Ndërsa ishin në shërbimin në fushë në Itali, dy Dëshmitarë takuan një të moshuar dhe i prezantuan revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Burri tha se nuk lexonte dot. Ai shpjegoi se ishte bërë bari që kur ishte shtatë vjeç. Më pas kishte jetuar në male për 15 vjet dhe e vetmja shoqëri që kishte pasur kishin qenë delet; ai nuk kishte shkuar kurrë në shkollë. Ndërsa kulloste delet, lutej me zjarr që t’i jepej mundësia ta njihte më mirë Perëndinë. Vëllezërve që e kishin ndaluar, u tha: «Sikur të arrija të lexoja revistat tuaja, do të ishte një ëndërr e bërë realitet.»

Një nga vëllezërit i tha: «Nuk është tepër vonë për të mësuar të lexosh.» Ditën tjetër, bariu shkoi në Sallën e Mbretërisë. Me ndihmën e Dëshmitarëve mësoi të lexonte e të shkruante. Sot, ky burrë i moshuar është lexues i rregullt i Biblës dhe lajmëtar i palodhur i lajmit të mirë.

Groenlanda, që në këtë raport paraqitet bashkë me Evropën, është ishulli më i madh në botë, edhe pse gjithë popullsia s’është veçse rreth 56.000 banorë. Në këtë vend ka shtatë kongregacione, disa prej të cilave shumë të vogla.

Heraldi, është një lajmëtar i papagëzuar 15-vjeçar që bën pjesë në njërin prej këtyre kongregacioneve. Kur klasa e tij shkoi në ekskursion, Heraldi nuk shkoi me ta. Në vend të kësaj mori pjesë në një klasë tjetër, ku nxënësve u qe caktuar të flitnin rreth besimit të tyre. Edhe pse u ishin lënë rreth dy muaj kohë për t’u përgatitur, vetëm disa nga studentët patën diçka për të thënë dhe vetëm për pak minuta. Meqë klasa kishte ende gjysmë ore kohë, mësuesi pyeti: «Si do ta përdorim kohën që na ka mbetur?» Heraldi,—vizitori,—ngriti dorën dhe tha se do t’i pëlqente t’u fliste për besimin e tij.

Mësuesi i tha: «Je i sigurt? Nuk ke pasur kohë për t’u përgatitur.» Heraldi tha se ishte i përgatitur dhe vazhdoi duke i dhënë klasës një dëshmi të shkëlqyer. Kur mësuesi i klasës së Heraldit dëgjoi se çfarë kishte bërë ai, i kërkoi të bënte të njëjtën gjë në klasën e tij. Kësaj radhe iu la një javë kohë për t’u përgatitur. Ai solli me vete botime të bazuara në Bibël për t’ua prezantuar shokëve të klasës dhe mësuesit të tij.

Pia, e cila jeton në Danimarkë, donte që fëmija i saj i sapolindur të pagëzohej në kishë. I shoqi nuk besonte në pagëzimin e foshnjave, kështu që debatuan për këtë. Së fundi, vendosën ta diskutonin çështjen me pastorin e tyre. Ky u tha se pagëzimi i foshnjave nuk është i bazuar në shkrime. Pia u zemërua me kishën dhe me pastorin sepse për 32 vjet e kishin mësuar të besonte diçka që ishte e gabuar. Ajo e largoi mendimin për ta pagëzuar foshnjën dhe vendosi ta lexonte vetë Biblën për të kuptuar se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar.

Në maj të vitit 2000, një Dëshmitare e vizitoi Pian dhe ajo pranoi një studim biblik. Pasi mori pjesë në kongresin krahinor, tha: «Ende nuk kuptoj çdo gjë, por tani e di se Kisha Luterane nuk ka të vërtetën.» Tani ajo është lajmëtare e papagëzuar dhe po përparon me shpejtësi drejt pagëzimit.

Një vëlla në Slloveni po çlodhej bashkë me djalin në një park dhe panë një studente që ishte ndarë nga një grup studentësh. Ai filloi me të një bisedë rreth disa argumenteve biblike. Më vonë vëllai dhe gruaja e tij filluan një studim biblik me këtë studente që e ka emrin Silvia. Në studimin biblik ajo solli me vete edhe të dashurin, dhe tani edhe ai studion Biblën. Silvia i foli për të vërtetën nënës së saj, e cila, gjithashtu, filloi të studionte. Tani që të tre ndjekin rregullisht mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Silvia është lajmëtare e papagëzuar. Diçka interesante është që Silvia kujton se ditën kur takoi vëllain në park, i ishte lutur Perëndisë që ta ndihmonte të kuptonte se përse kjo botë është kaq e pandjeshme.

Gjatë viteve të fundit imigrantë nga Amerika Jugore dhe Qendrore kanë vërshuar në Spanjë. Një motër pioniere, duke predikuar nga shtëpia në shtëpi i dha dëshmi një gruaje nga Kolumbia. Gruaja e dëgjoi me vëmendje dhe pranoi një studim biblik. Gjatë vizitës pasuese motra pioniere u ofroi një studim biblik disa të tjerëve që banonin në të njëjtin apartament. Ca prej tyre e pranuan këtë ofertë. Meqë banorët e këtij apartamenti transferoheshin vazhdimisht, motra i dëshmonte çdo njeriu që takonte atje. Në këtë mënyrë ajo filloi 20 studime biblike. Disa prej tyre janë transferuar dhe nuk dihet nëse vazhdojnë të studiojnë apo jo. Megjithatë, tani drejtohen rregullisht dhjetë studime dhe disa studentë tashmë marrin pjesë në mbledhje.

Edhe pse e kishte dëgjuar mesazhin e Mbretërisë gjatë 40 viteve të fundit, vetëm para pak kohësh një grua 82-vjeçare nga Kreta u bë lajmëtare e papagëzuar. Interesimi personal që i tregoi një pioniere speciale e nxiti të bënte përparim dhe kështu u pagëzua.

Shpejt, pjesëtarë të tjerë të familjes bënë të njëjën gjë. Bashkëshorti 86-vjeçar i kësaj të moshuare, i cili kishte 60 vjet që pinte duhan, filloi të studionte Biblën, e la duhanin dhe u bë lajmëtar i papagëzuar. Edhe vajza 55-vjeçare e këtij çifti po bën përparim të shkëlqyer në studim, ndjek mbledhjet dhe nuk pi më duhan. Së fundi, një nga stërnipërit e çiftit filloi të studionte Biblën dhe ka shprehur dëshirën për t’u regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik.

Ndërsa dëshmonte në një pallat që ishte afër shtëpisë ku banonte vetë, një misionare në Estoni takoi një grua që e pyeti nëse e kishte të mirë burrin. Motra iu përgjigj se po. Më pas gruaja e pyeti se ku banonte. Motra i tha se jetonte në ndërtesën përbri. Menjëherë gruaja u entuziazmua dhe tha: «Ah, atëherë je ti . . . ti duhet të jesh ajo. Ti ha shpesh në ballkon, apo jo?»

Motra u përgjigj: «Po, bashkë me burrin.»

Gruaja i tha: «E pra, unë ju kam parë me vëmendje. Burri yt mban një përparëse dhe shpesh shërben ushqimin. E kuptoj fare mirë që keni një martesë të lumtur e të suksesshme. Nga apartamenti im nuk mund t’ju shoh, por shkoj gjithmonë në ballkonin e një shoqeje për t’ju parë. E vëmë re që para se të filloni të hani bëni gjithmonë një lutje. Është diçka shumë e bukur t’ju shohësh. Ju lutem, hyni brenda!» Që nga ajo kohë, kësaj gruaje i bëhen rregullisht vizita.

Oqeania

Kjo zonë e tokës përfshin ishujt e pjesës jugore, perëndimore dhe qendrore të Oqeanit Paqësor, duke përfshirë edhe Melanezinë, Mikronezinë dhe Polinezinë. Gjithashtu, në këtë raport përfshihen Australia, Zelanda e Re, arkipelagu i Malakës dhe ishujt Havai.

Një ditë, dy motra në Zelandën e Re panë një grua që po punonte në kopsht. Ndaluan për ta ndihmuar të shkulte disa bimë bambuje. E habitur nga dashamirësia e tyre, gruaja u dha për të pirë kafe ndërsa ato i dhanë dëshmi. Ajo i shkroi gazetës vendase rreth asaj që kishte ndodhur. Gazeta u lidh me kongregacionin dhe u tha se ato kishin fituar një buqetë të bukur me lule për dashamirësinë e tyre.

Artikulli thoshte: «Kur Dëshmitarët e Jehovait shkulën bambunë e bezdisshme të një të veje, thjesht bënë atë që u erdhi natyrshëm të bënin, ndihmuan dikë që kishte nevojë. Dashamirësia e tyre ishte pjesa më interesante e ditës së saj. Kjo grua ishte kaq mirënjohëse, saqë na tha gjithçka rreth asaj që kishte ndodhur. Kjo histori u përzgjodh si fituesja e buqetës së muajit gusht. Shpresojmë që kjo buqetë t’u sjellë po aq kënaqësi sa solli dashamirësia e tyre.»

Në një nga ishujt e Vanatusë, dy pioniere i dëshmuan një vajze që punonte në një dyqan. Ajo pranoi si broshurën Çfarë kërkon?, ashtu edhe një studim biblik. Babai e kundërshtoi ashpër dhe nuk donte që vajza e tij të studionte me Dëshmitarët. I shkatërroi literaturën biblike, e rrahu egërsisht dhe së fundi i tha që të largohej nga shtëpia e tij. Ndërkohë, vajza përparonte në njohuri, merrte pjesë në mbledhje dhe kultivonte frytet e frymës. (Gal. 5:22, 23) Së fundi, qëndrimi i saj plot respekt i bëri përshtypje babait, i cili u qetësua dhe e ftoi për t’u kthyer përsëri në shtëpi. Ajo u regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe ndoqi për herë të parë një asamble qarkore në ishullin e Santos, që ndodhej aty afër. Kur e pyetën se si e përballoi nga ana ekonomike udhëtimin, duke buzëqeshur ajo u përgjigj: «Babai më pagoi biletën.»

Klarensi ishte një burrë miqësor, i cili i pranonte gjithmonë revistat sa herë që lajmëtarët i shkonin në shtëpi në Havai. Një pionier që e takoi një ditë, vuri re se Klarensi kishte një kopje të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, prandaj i ofroi një studim biblik. Klarensi pranoi me gatishmëri, duke thënë se gjithmonë kishte dashur të mësonte rreth Biblës. Ai përgatitej mirë për studimin dhe shpejt filloi të merrte pjesë në mbledhjet e kongregacionit.

Por Klarensi kishte disa ndryshime për të bërë. Si veteran i Luftës II Botërore, ai marshonte kryelartë me veteranët e tjerë në paradat gjatë festave. Më pas, gjatë Krishtlindjeve, dilte vullnetar për t’i rënë ziles pranë një mbajtëseje të madhe kontributesh për Ushtrinë e Shpëtimit. Iu desh pak kohë që të kuptonte se çfarë do të thoshte të mos ishe pjesë e botës së Satanait. Megjithatë, së fundi, u kualifikua të merrte pjesë në shërbim.

Klarensi u pagëzua kur ishte 85 vjeç dhe vazhdon të ketë një pjesëmarrje aktive në shërbim. Bën fjalime në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Kohët e fundit mësoi të përdorte kompjuterin, që të bënte kërkime duke përdorur Bibliotekën Watchtower në CD-ROM. Me bindje të patundur Klarensi tha: «Asgjë nuk mund të më largojë nga shërbimi i Jehovait tani që kam gjetur të vërtetën.»

Ndërsa po jepte dëshmi me telefon në Australi, një motër pyeti një burrë nëse mund të programonte 15 minuta në javë për të studiuar Biblën. Ai tha se nuk mund ta bënte. Motra e pyeti: «Po pesë minuta?» Ndonëse pa dëshirë, ai pranoi. Javën tjetër filluan studimin prej pesë minutash. Shpejt, ai filloi të bënte pyetje të menduara mirë. Meqenëse e vazhdonte studimin vetëm pesë minuta, motra i thoshte: «Kjo është një pyetje me vend, por koha mbaroi, kështu që do ta trajtojmë këtë temë në mësimin tjetër. Mirupafshim.»

Kur burri pyeti se si mund të njihte se cila fe është e vërtetë, kjo u la si temë e mësimit tjetër. Pas mësimit ai tha: «Dëshmitarët e Jehovait duhet të kenë fenë e vërtetë, por thjesht nuk mund të besoj e të ndërroj fenë. Mendoj se duhet të marr më shumë njohuri.» Ndërsa interesi shtohej, gjatësia e studimit u rrit nga 5 në 30 minuta.

Pasi mbaruan broshurën Çfarë kërkon? motra e pyeti nëse bashkë me të shoqin mund ta vizitonin në shtëpi për të shqyrtuar se çfarë kishte mësuar deri tani. Ai pranoi. Ata e vizituan, duke shprehur kënaqësinë për privilegjin që kishin pasur për ta ndihmuar në gjashtë muajt e fundit dhe e nxitën të vazhdonte. Tani burri i motrës shkon çdo javë në shtëpinë e studentit për të drejtuar studimin.

Ka ende shumë vende në Papua Guinea e Re ku lajmi i mirë nuk është predikuar akoma, pasi fshatrat janë të vështirë për t’u arritur. Në përgjithësi, mënyra e vetme për t’u lidhur me njerëzit nga këto fshatra është duke i takuar kur vijnë në qytet për të blerë ushqime. Në këtë mënyrë një burrë nga një fshat i largët, mori një kopje të revistës Kulla e Rojës. Pasi e lexoi, i shkroi zyrës së degës për më shumë informacion. Një misionar u caktua që të lidhej me të. Mënyra e vetme ishte me anë të letrave dhe si pasojë, me anë të tyre, me personat e interesuar u drejtuan shumë studime biblike.

Të vendosur për të vizituar vendin, misionarët u nisën me një automjet katër për katër (me fuqi motorike në të katër rrotat). Ishte një udhëtim prej katër orësh, pjesa më e madhe e të cilit nëpër një rrugë të rrezikshme me shkurre, e cila gjarpëronte përmes kalimeve të ngushta malore dhe lumenjve. Në një vend, «rruga» ishte një shtrat lumi. Kur arritën në vendmbërritje, zbuluan një rrafshinë të ulët e të bukur rreth 10-12 kilometra katrorë, të rrethuar nga male të mbuluara nga një xhungël e harlisur, me majat që shkonin deri në re. Dukej sikur jetoje në një epokë tjetër. Shtëpitë ishin ndërtuar me dru bambuje, siç kishin qenë prej shekujsh. Kur dëgjuan se kishin ardhur misionarët, njerëzit u mblodhën të emocionuar. Edhe pse shumë prej tyre nuk i kishin takuar kurrë më parë Dëshmitarët, tashmë studionin dy herë në javë Kullën e Rojës dhe thuajse të gjithë e kishin lënë Kishën Luterane.

Misionarët u treguan se si të drejtonin mbledhjet, si dhe njoftuan se ditën tjetër në orën 8 në mëngjes, do të kishte një fjalim publik. Të nesërmen, disa burra u zgjuan në orën 4 e 30 të mëngjesit dhe shkuan në fshatrat aty afër për të ftuar njerëzit për fjalimin. Banorët e tjerë të fshatit ndërtuan një sallë për mbledhjen. Degë të trasha shërbyen si stola dhe degët plot gjethe siguronin hije. Vendi ku do të rrinte oratori ishte bërë me dru bambuje. Të gjithë ishin të entuziazmuar. Ishin 44 persona të pranishëm në mbledhje dhe 11 veta të tjerë dhanë emrat për të studiuar me anë të letrave. Misionarët u kthyen në shtëpi të rraskapitur, por tepër të kënaqur nga ajo që ishte kryer.

[Figura në faqen 45]

Granti 8-vjeçar nga Zambia drejton shumë studime biblike

[Figura në faqen 57]

Stenda që u përdor në ekspozitat për të shurdhrit në Angli

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo