BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 1/96 f. 15-19
  • Telashet me Hubble: Si përfundoi puna?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Telashet me Hubble: Si përfundoi puna?
  • Zgjohuni!—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Lëshimi: entuziazëm dhe zhgënjim
  • Kush gaboi?
  • Shpresa të thyera
  • «Misioni i NASA-s që nuk duhej të dështonte»
  • Cilat janë dobitë?
  • Ç’mund të themi për të ardhmen?
  • «Lavdia» e yjeve
    Zgjohuni!—2012
  • Univers plot surpriza
    Zgjohuni!—2009
  • Dëgjojnë tingujt e universit në Australi
    Zgjohuni!—2003
  • I madhërishmi univers: Rezultat i rastësisë?
    Zgjohuni!—2000
Zgjohuni!—1996
g 1/96 f. 15-19

Telashet me Hubble: Si përfundoi puna?

«Cilat telashe të Hubble?»—mund të pyesni ju. E kemi fjalën për telashet e Teleskopit të Hapësirës Hubble (HST), syri i kushtueshëm (mbi 1,6 miliard dollarë) dhe i sofistikuar në univers, që papritur në vitin 1990 doli se kishte një defekt në pamje.

TELESKOPI i Hapësirës Hubble është «ndoshta sateliti më i sofistikuar shkencor i të gjitha kohëve»,—thotë dr. R. W. Smith i Universitetit Xhon Hopkins, në Baltimorë, për një enciklopedi. (The International Encyclopedia of Astronomy)a «Observatori më i madh, më i ndërlikuar dhe më i fuqishëm që është lëshuar deri tani në hapësirë»,—e përshkroi Erik Çason në librin e tij Luftërat e Hubble. (The Hubble Wars) Gjithashtu, ai pohoi në një revistë: «Katër milionë rreshtat me kode kompjuterësh të nevojshme për ta drejtuar dhe për ta kontrolluar çdo ditë, një nga kodet më të mëdha në botën e qytetëruar, janë dëshmi për shkallën e lartë të ndërlikimit të Hubble.» (Astronomy) Ky vëzhgues lëviz në orbitë në lartësinë prej gati 615 km mbi tokë, pra, tepër larg nga atmosfera tokësore, me efektet e saj që shtrembërojnë dritën.

Përpara lëshimit, dr. Smith pohoi se «cilësia e shkëlqyer e fotove do të . . . përcaktohej vetëm nga ligjet e optikës, nga cilësia e pasqyrave dhe nga saktësia dhe qëndrueshmëria me të cilën Hubble do të drejtohej drejt objektivit». Ai nuk e dinte se sa të vërteta do të dilnin fjalët e tij.

Lëshimi: entuziazëm dhe zhgënjim

Në prill 1990, erdhi dita e madhe e lëshimit. Hubble u dërgua në orbitë me anijen e vogël kozmike Discovery. Teknikët e qendrës së komandimit ishin entuziastë për rezultatet. Xhon Nobël Vilford raportoi në The New York Times se të dhënat teknike «tregonin se teleskopi nuk kishte pësuar dëme në lëshim dhe dukej i gatshëm për të filluar një mision eksplorimi kozmik, që mund të zgjaste më shumë se 15 vjet». Ai shtoi se me anë të tij «pritej të vëreheshin yjet dhe galaktikat e largëta me një qartësi 10 herë më të madhe se ajo që ishte arritur ndonjëherë më parë». Një artikull i një reviste, lajmëroi me optimizëm: «Dritare e re në univers.» (Time) Më pas, shtoi: «Me një pamje të qartë të yjeve më të largëta, teleskopi symprehtë Hubble do të mund të shohë prapa në të kaluarën e largët.» Emocionet rriteshin, ndërsa astronomët dhe projektuesit prisnin të merrnin fotot e para në tokë. Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Doli si shprehja ‘peshku në det, tigani në zjarr’. Fotot e para filluan të vinin në maj të 1990-ës. Në vend të fotove shumë të qarta që priteshin, astronomët e paduruar panë vetëm foto të turbullta. Erik Çason shkroi: «Këto vrojtime mbështetnin mendimin vërtet të tmerrshëm se observatori që sillej rreth orbitës, vuante nga një defekt i rëndë optik.» Teleskopi pati një defekt të papritur, një gabim shumë të vogël në njërën nga dy pasqyrat reflektuese. Gabimi ishte shumë më i vogël se trashësia e flokut të njeriut, por që mjaftonte për të turbulluar pamjen. Ishte një zhgënjim i madh.

Kush gaboi?

Ç’gjë çoi në telashet e kushtueshme të Hubble? Erik Çason, i cili punoi në projektin Hubble, radhit shumë shkaqe në librin e tij Luftërat e Hubble. Ai thotë: «Defektet e dukshme teknike të Hubble vijnë nga një gjendje e miopisë teknike, në të cilën është e qartë se nuk ka pasur një pamje të plotë të së përgjithshmes. Për shembull: optika e teleskopit u prodhua në mënyrë të papërshtatshme dhe nuk iu bënë prova të mjaftueshme nga inxhinierë tepër të besuar, të cilët nuk pranuan asnjë ndërhyrje domethënëse teknike dhe shkencore nga jashtë firmës prodhuese, e cila ishte xheloze për sekretet e saj . . . [dhe] për Hubble [është shfrytëzuar] material i përdorur, si giroskopë të vjetër prej dhjetëra vjetësh [giroskopë që ishin provuar rreth 70.000 orë para përdorimit në teleskop, ose për ta thënë me fjalët e një tekniku ‘të provuar për vdekje’] dhe skeda memorieje të projektuara për mjete të vjetra të hapësirës.»

Kur mbaroi pasqyra kryesore e Hubble me diametër 2,4 m, mendohej t’i bëhej edhe një provë e fundit. Megjithatë, sipas The New York Times, këto plane u braktisën për shkak të kohës së kufizuar dhe të shpenzimeve financiare. I ndjeri dr. Rodrik Skot, drejtor i atëhershëm shkencor i firmës që bëri pasqyrën, kërkoi prova të mëtejshme, por paralajmërimet e tij nuk u morën parasysh. Kështu, Hubble mundi të transmetonte nga hapësira vetëm foto me defekt.

Mendimi i Çason, ishte: «Ndoshta ky mjet i hapësirës me mijëra përbërësit e tij [duke përfshirë mbi 400.000 pjesë dhe 42.000 km kabllo elektrikë] dhe me funksionet e komandimit nga toka, është tepër i komplikuar për civilizimin tonë relativisht të ri teknologjik. Kur pasardhësit e Noes u përpoqën që në qytetin e lashtë të Babelit të ndërtonin një kullë të lartë deri në qiell, libri i Zanafillës na tregon se Perëndia i ndëshkoi ata për paturpësinë e tyre. Ndoshta një teleskop hapësire më pak i komplikuar, një mjet më i efektshëm dhe evolucionar, do të kishte pasur një ndëshkim jo kaq të madh.» Çason vazhdoi të thotë: «Mendimi i përhapur se metoda shkencore është e paanshme dhe objektive, se shkencëtarët nuk kanë dhe gjithmonë nuk kanë pasur ndjenja njerëzore gjatë punës së tyre, është qesharak. Përpjekja e sotme shkencore kushtëzohet nga vlera subjektive, gati si çdo gjë tjetër në jetë.» Sipas Çason, dy nga faktorët që krijuan telashe në Hubble, ishin ambicia dhe xhelozia.

Shpresa të thyera

Një rishikim i disa artikujve të shtypit, jep një kuadër të ngjarjeve dramatike që shënuan sagën e telasheve të Hubble. «Anija kozmike ngjitet 615 km lart me teleskopin dhe një ëndërr»,—thoshte një gazetë. Scientific American deklaronte: «Trashëgimia e Hubble: Teleskopi i Hapësirës hap një epokë të re për astronominë.» Në korrik të 1990-ës, Time duhej të ndreqte vlerësimin e saj, duke thënë: «Pamje e turbullt për shkencën e madhe: shpresat e NASA-s [National Aeronautics and Space Administration] për anijen kozmike krisin dhe Hubble ka një problem në pamje.» Revista Science e shpjegoi problemin në terma më objektivë: «Astronomët analizojnë defektet e Hubble: Rrallëherë një gabim kaq i vogël ka shkaktuar një shqetësim kaq të madh, por në një teleskop që vlen 1,6 miliard dollarë, mikronët do të thonë shumë.» Në dhjetor të 1990-ës, e njëjta revistë raportonte: «Kryelartësia e Hubble: një shembull i verbërisë ‘së dokumentuar’.» Ajo pohonte: «Sipas raportit përfundimtar të komisionit të kërkimeve zyrtare të NASA-s, defekti optik shkatërrimtar i Teleskopit të Hapësirës Hubble ishte rezultat i pakujdesisë së përgjithshme.»

Megjithatë, nuk kishte humbur gjithçka. Në mars të 1992-shit, revista Smithsonian raportoi: «Foto mahnitëse nga Teleskopi i Hapësirës me defekt.» Ajo pohonte: «Ndërkohë që shumë nga funksionet e tij mbeten seriozisht të dëmtuara, teleskopi po i mbyt astronomët me të dhëna të çmuara. . . . Ai ka sjellë foto të paparashikuara për shumë gjëra, si për grumbuj sferikë yjesh (që tradicionalisht konsiderohen ndër strukturat më të vjetra në univers) në bukurinë e tyre të rinisë; ka sonduar zemrën e një galaktike të largët për të gjetur pohime për teorinë sipas së cilës në qendër të kësaj galaktike ndodhet një vrimë e zezë që gëlltit yjet.»b

«Misioni i NASA-s që nuk duhej të dështonte»

Më pas, në nëntor 1993, Science News botoi lajmin që shkencëtarët dhe astronomët kishin pritur: «Rregullimi i madh: NASA përpiqet të riparojë Teleskopin e Hapësirës Hubble.» Sipas New Scientist, kjo gjë përbënte «misionin më ambicioz të riparimit në historinë e fluturimeve në hapësirë». Ekipi prej shtatë astronautësh duhej të arrinte në Hubble dhe ta riparonte atë në depon e anijes kozmike në hapësirë. Operacioni u quajt «Misioni i NASA-s që nuk duhej të dështonte» dhe «Takim me fatin». A u kurorëzua me sukses?

Duke përsëritur një shprehje që përdoret në basketboll, drejtori i fluturimeve, Milt Heflin, tha për Newsweek: «Ne bëmë një kundërsulm të shpejtë.» Okulistët e hapësirës arritën të kishin një rezultat shkencor të shkëlqyer: me pesë ekspedita në hapësirë, riparuan optikën e Hubble dhe vendosën një kamera të re sa një piano. Kaluan tre vjet para se të mund të shkonin atje për të zëvendësuar elementet me defekt dhe për të vendosur ato në gjendje të mirë. Megjithatë, ishte një vizitë e kushtueshme tek okulisti. Sipas një burimi, operacioni i riparimit të sistemit optik ka kushtuar 263 milionë dollarë.

Tensioni arriti kulmin në janar të 1994-ës me artikuj, si «Teleskopi Hubble nuk është më miop» dhe «Më në fund Hubble ka një pamje qiellore». Revista Astronomy lajmëronte: «Hubble: më mirë se kur ishte i ri.» Ajo raportonte reagimet e astronomëve të Institutit Shkencor për Teleskopin e Hapësirës, kur arritën fotot e para: «Krejtësisht e pabesueshme.» «Fotot e para na çuan drithma nëpër trup.» «Hubble është riparuar përtej pretendimeve tona primitive»,—tha me ngazëllim dr. Eduard J. Uiler, drejtori shkencor i projektit.

Cilat janë dobitë?

Riparimi i optikës i dha shumë shpejt frytet e veta. Në qershor 1994, Time raportonte se Hubble kishte zbuluar prova në mbështetje të ekzistencës së vrimave të zeza. NASA lajmëroi se ai kishte zbuluar një «re gazi në formën e diskut, e cila rrotullohej me shpejtësinë marramendëse 1,9 milion km/orë». Ndodhet gati 50 milionë vjet dritë larg dhe gjendet në qendër të galaktikës M87. Thuhet se ka masën e dy apo tre miliardë yjeve me përmasat e diellit, por e përfshirë në një hapësirë me përmasat e sistemit tonë diellor. Shkencëtarët llogarisin se disku i gaztë ka një temperaturë prej 10.000°C. Për tani shpjegimi i vetëm i këtij fenomeni është forca e pabesueshme e gravitetit që ushtrohet nga një vrimë e zezë gjigante përreth së cilës rrotullohet disku.

Hubble siguroi foto të shkëlqyeshme edhe për kometën Shoemaker-Levy 9, në drejtimin e saj vetëvrasës drejt Jupiterit, ku u shkatërrua në korrik të 1994-ës. Fotot e galaktikave që Hubble po dërgon tani janë kaq të qarta, sa një shkencëtar, duke folur për riparimin që iu bë, tha: «Një ndryshim i vogël në një pasqyrë, qe një hap gjigant për astronominë.» Tani, sipas Scientific American, «Hubble ka një qartësi të paktën 10 herë më të mirë, se ajo e çdo instrumenti në tokë, prandaj mund të shohë më qartë në një hapësirë 1.000 herë më të madhe [se teleskopët e tjerë]».

Hubble i ka bërë teoricienët të rishikojnë disa nga mendimet e tyre mbi moshën e universit. Në fakt, ata duke qëndruar në njohuritë e tanishme, kanë arritur në një paradoks. Sipas Vilford, gazetar që shkruan artikuj shkencorë për New York Times, provat më të fundit të siguruara nga Hubble, japin «tregues të qartë sipas të cilëve universi mund të jetë shumë më i ri nga sa mendonin shkencëtarët më parë. Mund të mos jetë më shumë se 8 miliardë vjeçar», ndërkohë që vlerësimet e mëparshme të moshës së universit arrinin deri në 20 miliardë vjet. Problemi është se «në bazë të vlerësimeve të besueshme, disa yje janë 16 miliardë vjeçarë». Nuk është për t’u habitur që Vilford tha se «duket që universi vazhdon t’u bëjë shaka me zarar kozmologëve, duke nxjerrë në shesh kufizimet e trishtueshme të njohurisë së tyre». Ai shton: «Ata që i futen studimit të universit, duhet të pranojnë mundësinë se me gjithë zotësinë dhe mendjehollësinë e tyre, shumë nga përgjigjet përfundimtare do të mbeten përtej kuptueshmërisë së tyre.»

Njeriu duhet të mësojë përulësinë që i mësoi Jehovai Jobit, kur i foli nga vorbulla e stuhisë: «A mund t’i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit? A i bën ti të duken yllësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjëlit e saj? A i njeh ti ligjet e qiellit?»—Jobi 38:31-33.

Ç’mund të themi për të ardhmen?

Teleskopi Hubble premton zbulime më të mëdha për të ardhmen e afërt. Një astronom shkroi: «Me Teleskopin e Hapësirës Hubble, ne do të shohim format e shumë galaktikave në afërsi të kuasarëve [burime me valë radioaktive gati yjore, objektet më të shndritshme në univers].» Për sa i përket kuptimit të origjinës së galaktikave, Riçard Elis nga Universiteti i Kembrixhit në Angli, thotë: «Po hyjmë në një kohë shumë entuziaste.»

Kureshtja njerëzore do të vazhdojë të nxisë kërkimin për njohuri mbi universin, fillimet dhe qëllimin e tij. Kjo njohuri duhet të na zgjojë në zemër nderim për Krijuesin e universit të pamatë, Perëndinë Jehova, i cili tha: «Ngrini sytë tuaj përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij asnjë nuk mungon.»—Isaia 40:26; Psalmi 147:4.

[Shënimet]

a Përse ky teleskop është quajtur me emrin Hubble? Ka marrë emrin e astronomit të famshëm amerikan Edwin Powell Hubble (1889-1953), i cili u dha shkencëtarëve një dritë më të madhe mbi ato, që sot janë të njohura si galaktika. Çfarë pamje ka ai? Teleskopi fluturues ka afërsisht madhësinë e një vagoni cisternë apo të një kulle me katër kate, me gjatësi rreth 13 m, me diametër rreth 4 m dhe me një peshë mbi 12 tonë në kohën e lëshimit.

b Është kuptuar se vrimat e zeza janë zona të hapësirës në të cilat një apo më shumë yje janë shembur dhe «ku forcat gravitacionale bëhen kaq të dendura, sa pengojnë edhe ikjen e grimcave, që lëvizin me shpejtësinë e dritës [300.000 km/sek]». Prandaj, «asnjë lloj drite, lënde apo sinjali nuk mund të shpëtojë».—The International Encyclopedia of Astronomy.

[Diagrami dhe figura në faqet 16, 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

A: Pasqyra parësore

B: Pasqyra dytësore

C: Katër giroskopët që përdoreshin për të drejtuar teleskopin, u zëvendësuan

D: Zëvendësohet një panel diellor i dëmtuar

E: Instalohet kamera e re planetare me rreze të gjerë

F: COSTAR (Corrective Optics Space Telescope Axial Replacement) kompenson defektet e pasqyrave

G: Zëvendësohen aparatet elektronike që kontrollojnë orientimin e paneleve diellore

[Figura në faqen 16]

Lart nga e majta: Pamja e galaktikës M100 nga Hubble para riparimit

[Burimi]

NASA Photo

[Figura në faqen 17]

Lart në qendër: Vendosja e kamerës së re planetare

[Burimi]

NASA Photo

[Figura në faqen 17]

Lart nga e djathta: Pamja e galaktikës M100 nga Hubble pas riparimit

[Burimi]

NASA Photo

[Burimi i figurës në faqen 15]

NASA Photo

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo