BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 2/96 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Rritet vdekshmëria ndër gratë që pijnë duhan
  • Droga në shkollat gjermane
  • Shtegtarë të mrekullueshëm
  • «Një trup botëror pa shumë gjallëri»
  • Bletë me temperaturë të lartë
  • Kryqi, simbol i dhunës?
  • Pleshtat e ujit vijnë në ndihmë
  • I bëjnë bisht mëkatit
  • «Shenjat e gishtërinjve» të xhevahirëve
  • Kujdes fishekzjarrët
  • «Një bombë e mundshme me sahat»
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—2002
  • «Gjallesa fluturuese më madhështore në tokë»
    Zgjohuni!—2010
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—2002
Zgjohuni!—1996
g 2/96 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Rritet vdekshmëria ndër gratë që pijnë duhan

Një studim i kohëve të fundit, i botuar në The Canadian Journal of Public Health zbulon se në gratë kanadeze, vdekjet që kanë lidhje me duhanin janë rritur nga 9.009 për vitin 1985, në 13.541 për vitin 1991. Studimi parashikon se deri në vitin 2010, nëse vazhdon kjo rritje, nga duhani do të vdesin më shumë gra se burra. Sipas The Toronto Star, në vitin 1991 u konstatuan 41.408 vdekje prej duhanit (27.867 meshkuj dhe 13.541 femra). Në Shtetet e Bashkuara, thotë dr. Maikëll Tun i Shoqatës Amerikane për Kancerin, vdekjet e shkaktuara nga kanceri në mushkëri ndërmjet grave që pijnë duhan është rritur gjashtë herë ndërmjet viteve ’60 dhe ’80. Siç raporton The Globe and Mail e Torontos, Kanada, kërkuesit përfundojnë se «pirja e cigareve mbetet ende në një masë të madhe, shkaku i vetëm që mund të parandalohet për vdekjet e parakohshme në Shtetet e Bashkuara».

Droga në shkollat gjermane

Një studim ndërmjet më shumë se 3.000 studentëve në Gjermaninë Veriore, zbulon një përdorim të përhapur të substancave narkotike nëpër shkolla. Sipas revistës së përjavshme të lajmeve Focus, pothuajse gjysma e studentëve 17-vjeçarë kanë përdorur personalisht droga ilegale dhe më shumë se një e treta e tyre janë ende përdorues. Profesori Peter Struk shpjegoi se «në shumë shkolla të mesme në Hamburg, mund të gjesh nxënës të moshave 16 apo 17-vjeçare, të cilët vazhdimisht marrin herë substanca nxitëse dhe herë qetësuese». Por, përse është kaq i përhapur përdorimi i drogave? Profesori Klaus Hurrelman dha tri arsye për konsumimin e drogës ndërmjet të rinjve: mërzia e jetës, ndjenja se nuk kanë marrë mjaft lavdërime për arritjet e tyre personale dhe presioni i bashkëmoshatarëve.

Shtegtarë të mrekullueshëm

Një albatros endacak fluturon 26.000 km në 72 ditë dhe një fokë e hirtë noton 5.000 km në tre muaj. Shkencëtarët që merren me mbrojtjen dhe ruajtjen e kafshëve, zbuluan këto arritje të mrekullueshme të qëndrueshmërisë, pasi vunë disa radiotransmetues të vegjël në disa albatrosë dhe foka të zgjedhura, për të ndjekur me satelit lëvizjet e tyre. Gjatë një faze, albatrosi fluturoi pothuajse 3.000 km në katër ditë mbi Oqeanin Paqësor të Jugut. The Times e Londrës vëren se foka notoi deri në 100 km në ditë ndërmjet Skocisë dhe Ishujve Faroe dhe tregoi një aftësi të mahnitshme për të lundruar saktësisht në det të hapur. Cila qe nxitja e të dyja këtyre maratonave? Kërkimi i ushqimit,—thotë raporti.

«Një trup botëror pa shumë gjallëri»

Tetorin e shkuar, The New York Times raportonte: «Për tri ditë gjatë javës së fundit, krerët nga çdo kontinent u mblodhën së bashku në ditëlindjen e 50-të të Kombeve të Bashkuara, për të mbajtur fjalime të mëdha në lidhje me gjendjen në botë.» Megjithatë, dukej se disave prej «fjalimeve të mëdha» u mungonte një përbërës i rëndësishëm: ndershmëria. «Siç janë politikanët gjithandej,—thoshte Times,—ata bënë premtime që nuk do t’i mbajnë dhe kritikuan dikë tjetër për mangësitë e tyre.» Pasi kishte cituar tetë krerë të kombeve, fjalët e të cilëve binin ndesh me veprat e vendeve të tyre, gazeta nxori përfundimin se mesazhi i tyre mbizotërues ishte: «Harro se ç’bëj unë, o botë; dëgjo se ç’të them unë.» Nuk habitemi që U.S.News & World Report i quajti Kombet e Bashkuara «një trup botëror pa shumë gjallëri».

Bletë me temperaturë të lartë

Bletët japoneze mbrohen kundër sulmeve të grerëzave gjigante, duke i vrarë ato me nxehtësinë e trupit të tyre,—raporton Science News. Pasi kanë diktuar praninë e një grerëze, bletët e ndjellin armikun brenda folesë, ku qindra bletë punëtore e kapin dhe formojnë një lëmsh përreth saj. Pastaj, «bletët lëvizin dhe e ngrenë temperaturën në shkallën vdekjeprurëse prej 47° C për rreth 20 minuta»,—vëren revista. Meqë bletët japoneze mund të durojnë temperatura deri në 50° C, kjo taktikë nuk i dëmton ato. Megjithatë, jo të gjitha grerëzat bien në lakun e bletëve. Pasi «20 deri në 30 grerëza mund të vrasin një koloni me 30.000 bletë në 3 orë», grerëzat gjigante mund t’i mposhtin bletët me anë të një sulmi masiv. «Në këto raste,—thotë News,—ato e pushtojnë folenë dhe marrin larvat dhe të vegjlit e bletëve.»

Kryqi, simbol i dhunës?

Disa teologë kanë vënë në diskutim nëse kryqi është i përshtatshëm si simbol i krishterimit, për shkak të dhunës që të sjell ndër mend,—raporton The Dallas Morning News. Teologët po inkurajojnë përdorimin e simboleve që pasqyrojnë jetën e Jezuit e jo vdekjen e tij. Kryqi «ushqen një adhurim të vdekur», tha teologia Katerin Keller e një universiteti në Medison, Nju Xhersi, SHBA. (Drew University Theological School) «Askush nuk do të dëshironte të kishte si simbol kryesor të besimit një karrige elektrike apo një litar, përkundrazi, këto do të ishin gjëra që ne mund t’i përdornim sikur Jezui të ishte ekzekutuar me vdekje nga qeveria e sotme.»

Pleshtat e ujit vijnë në ndihmë

Gazeta e Londrës Independent raporton se pleshtat e thjeshtë të ujit mund të sigurojnë zgjidhjen e problemit të ndotjes së ujërave të brendshme të vendit. Kjo ka dalë nga një projekt përmirësimi që tani po ecën përpara. Së pari, biologët hoqën nga rrjedha e Ormsbit në Norfolk, Angli, 9,5 tonë peshk që ushqeheshin me pleshta uji. Kjo lejoi që pleshtat të shtoheshin e të konsumonin si të uritur algat që ndotnin liqenin. U rishfaqën edhe bimë të tjera që mbijnë nga farat e fjetura, si edhe zogj të tillë si një lloj rose dhe mjellmat. Përfundimisht, peshqit do të futen përsëri dhe është llogaritur se i gjithë ekosistemi do të normalizohet brenda pesë vjetëve. Shkencëtarët që merren me mbrojtjen e burimeve natyrore në Evropë, po e vështrojnë me interes rezultatin e këtij projekti.

I bëjnë bisht mëkatit

«Ç’të ketë ndodhur vallë me mëkatin,—pyet revista Newsweek,—Ndjenja urgjente e mëkatit personal është zhdukur pothuajse fare në stilin e sotëm optimist në fenë amerikane.» Famullitarët «nuk dëshirojnë të dëgjojnë predikime që mund të mërzisin vlerësimin e tyre për veten» dhe ndërmjet katolikëve «rrëfimi i rregullt tek një prift, tashmë është një rit i së shkuarës». Klerikët në konkurrencë kanë frikë se mos armiqësohen me kopetë e tyre. Shumë nga ata «në rutinën e tyre dënojnë të këqija të tilla shoqërore ‘të sistemit’, si racizmi [dhe] dhënia pas seksit,—pohon artikulli.—Por zërat e tyre janë çuditërisht të heshtur për tema të tilla që lidhen ngushtë me familjet, si divorci, krenaria, lakmia dhe ambicia e tepruar personale».

«Shenjat e gishtërinjve» të xhevahirëve

Gratë britanike zotërojnë 39 milionë copa xhevahiresh diamanti me një vlerë të përafërt me 17,5 milionë dollarë amerikanë dhe çdo vit vidhen sende me një vlerë rreth 450 milionë dollarë. Shumica e xhevahireve të humbura në këtë mënyrë nuk mund të gjenden më. Metali në të cilin ndodhen diamantet shkrihet shpejt. Më pas, gurët e çmuar vihen përsëri gjetkë. Megjithatë, tani, me ndihmën e një kompjuteri qendror, argjendarët do të jenë në gjendje të fusin në kujtesën dixhitale defektet e vetme të çdo guri. Këto «shenja gishtërinjsh» gjurmohen nga një rreze lazer me dendësi të vogël, e cila lexon papërsosmëritë e secilit gur; nuk ka dy gurë të ngjashëm. Mënyra e vetme në të cilën vjedhësit mund t’ia hedhin sistemit të sigurimit, do të ishte të prisnin edhe një herë gurët, një punë e kushtueshme, e cila do të ulte edhe vlerën e tyre,—raporton The Sunday Times e Londrës.

Kujdes fishekzjarrët

Zyrtarët raportojnë se «afërsisht 12.000 njerëz mjekohen çdo vit në dhomat e ndihmës së shpejtë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të plagosjeve me fishekzjarre»,—pohon MMWR-ja (Morbidity and Mortality Weekly Report). Raporti, i bërë nga Consumer Product Safety Commission për vitet 1990-94, llogarit se 20 për qind e të gjitha plagosjeve nga fishekzjarrët ishin plagosje në sy. Këto dëmtime, thotë MMWR-ja, janë «shpesh të rënda dhe mund të shkaktojnë përkohësisht dobësimin e qartësisë në pamshmëri ose verbëri». Gjithashtu, ia vlen të përmendet se të tilla plagosje në sy i pësojnë më shumë kalimtarët e rastit, sesa ata që i përdorin fishekzjarrët.

«Një bombë e mundshme me sahat»

Gati 45 për qind e popullsisë botërore, tani për tani jeton nëpër qytete, raporton revista Focus dhe deri në vitin 2000 është llogaritur që gjysma e popullsisë do të jetojë në qytete. Një pjesë e madhe e Evropës Veriore, Italia dhe lindja e Shteteve të Bashkuara, kanë një dendësi mjaft të lartë popullsie dhe disa pjesë të Kinës, Egjiptit, Indisë dhe të Afrikës Jugore, kanë disa qytete me popullsi të dendur në mes të zonave fshatare. Megjithatë, pamjet satelitore zbulojnë tani se vetëm 3 deri 4 për qind e tokës ka karakteristikat e qyteteve. Por, me 61 milionë njerëzit që lëvizin çdo vit drejt qyteteve, në shumicën e rasteve në botën e zhvilluar, dendësia e popullsisë në këto zona qytetesh rritet, pasi «qytetet nuk mund të rriten dot aq shpejt, sa popullsia e tyre»,—vëren Focus, duke shtuar: «Gjendja është një bombë e mundshme me sahat.»

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo