Pikëpamja e Biblës
A është kërcimi për të krishterët?
«S’MUND të rri këtu e të hap sytë. Duhet të dal»,—i përshpëriti të shoqes një burrë i ri, pasi u ngrit nga karrigia dhe doli nga dhoma për të bërë një shëtitje në ajrin e freskët të mbrëmjes. Ishte zënë ngushtë.
Disa shokë e kishin ftuar atë dhe gruan e tij në shtëpinë e tyre për një festë. Mikpritësit kishin vendosur të organizonin një shfaqje variete me tri kërcimtare. Pjesa tjetër e të pranishmëve dukej e paturbulluar. Mos vallë ai ishte tepër i ndjeshëm? A nuk po shprehnin kërcimtaret thjesht ndjenjat e brendshme dhe a nuk po gëzonin lirinë e kërcimit? Le të përpiqemi të kuptojmë pikëpamjen e krishterë mbi kërcimin.
Kërcimi është një mënyrë komunikimi
Një ndër mënyrat e komunikimit njerëzor janë lëvizjet apo gjestet. Për shembull, shumë vizitorë në një vend të huaj janë habitur, kur kanë mësuar se një lëvizje që për ta nuk ishte ofenduese, atje kishte një kuptim tjetër, ndoshta të padëshirueshëm. Një ish-misionar, i cili ka qenë në Ishujt Solomon, në Malajzi dhe në Papua Guinea e Re, vëren: «Në disa zona, disa lëvizje të trupit të bëjnë të mendosh për seksin. Për shembull, kur një grua është ulur përdhé, nuk është e pavend që një burrë të kapërcejë këmbët e saj të shtrira. Po ashtu, është e pafytyrë një grua që kalon para një burri të ulur përtokë. Në të dyja rastet, dallohen menjëherë ngjyrime seksuale.» Jemi apo jo ne në dijeni, lëvizjet e trupit flasin. Prandaj, nuk ka pse të na çuditë fakti që kërcimi është përdorur si një formë komunikimi përgjatë historisë.
Në kërcim mund të shprehet gama e gjerë e emocioneve, duke filluar nga gëzimi dhe harbimi i një feste, deri tek solemniteti i riteve dhe traditave fetare. (2. Samuelit 6:14-17; Psalmi 149:1, 3) The New Encyclopædia Britannica deklaron: «Kërcimtari komunikon me auditorin në dy mënyra të veçanta, duke shprehur ndjenja si me trupin, ashtu edhe me fytyrën ose me një gjuhë komplekse të mimikës dhe të gjesteve.» Në disa kërcime, komunikimi mund të duket i fortë dhe i qartë. Në disa forma të tjera kërcimi, gjuha mund të kuptohet vetëm nga disa që e njohin mirë. Për shembull, në baletin klasik dora në zemër tregon dashuri, ndërsa tregimi i gishtit të unazës të dorës së majtë nënkupton martesë. Në operën kineze, ecja nëpër një qark tregon një udhëtim, ndërsa ecja rreth e qark skenës me një kamxhik horizontal nënkupton ngasjen e kalit; një flamur i zi që tërhiqet zvarrë nëpër skenë do të thotë shtrëngatë, ndërsa flamuri me ngjyrë blu të lehtë nënkupton puhinë. Pra, trupi komunikon me lëvizjet dhe gjestet e kërcimit. Por, a është gjithmonë e përshtatshme ajo ç’ka përçon?
Kërcimi i përshtatshëm dhe i papërshtatshëm
Kërcimi mund të jetë një formë e këndshme e dëfrimit dhe e të ushtruarit. Mund të jetë një shprehje e pastër dhe e sinqertë, që shfaq një reagim të gëzuar fizik ndaj gjithë kënaqësisë së jetës dhe ndaj çmueshmërisë për mirësinë e Jehovait. (Dalja 15:20; Gjykatësit 11:34) Disa kërcime në grup dhe disa valle popullore mund të jenë të këndshme. Në ilustrimin e tij për birin plëngprishës, Jezui përmendi si pjesë të festimeve valltarët, siç duket një grup kërcimtarësh të marrë me qira. (Luka 15:25) Pra, është e qartë se Bibla nuk e dënon kërcimin në vetvete. Megjithatë, ajo paralajmëron kundër nxitjes së mendimeve dhe dëshirave të gabuara. Nën këtë aspekt, disa lloje kërcimesh mund të mos jenë modeste, madje mund të jenë të rrezikshme për gjendjen frymore. (Kolosianëve 3:5) Që në kohët e moçme, kërcimi ka qenë në ndonjë rast erotik dhe është përdorur për qëllime të dëmshme.—Krahaso Mateun 14:3-11.
Kundërshtari ynë, Satana Djalli, e di se kombinimi i lëvizjeve të kërcimit me mendimet e papërshtatshme është një armë e fuqishme në duart e tij. (Krahaso Jakovit 1:14, 15.) Ai e di fare mirë se trupi në lëvizje mund të ngjallë joshje epshore dhe mund të nxisë mendime erotike. Apostulli Pavël paralajmëroi se Satanai është i vendosur që të na mashtrojë, në mënyrë që «mendja jonë të mund të korruptohet nga sinqeriteti dhe dëlirësia që i detyrohen Krishtit». (2. Korintasve 11:3, BR) Përfytyroni se sa i kënaqur do të ishte Djalli, sikur ne duke vërejtur dhe duke marrë pjesë në kërcime jomodeste të lejonim që mendja jonë të lëshohej në mendime imorale. Ai do të ishte akoma më i kënaqur, sikur dëshirat tona të pakontrolluara të ndizeshin dhe ne të ngatërroheshim nëpër ferrat e një sjelljeje të papërshtatshme. Me këtë synim, ai ka përdorur në të kaluarën lëvizjet dhe kërcimin.—Krahaso Dalja 32:6, 17-19.
Si të vendosim nëse është i përshtatshëm apo jo
Si rrjedhim, sido që të bëhet kërcimi, në grup, çift apo vetëm, nëse lëvizjet ngjallin brenda jush mendime të papastra, atëherë kërcimi është i dëmshëm për ju, edhe pse për të tjerët mund të mos jetë.
Disa kanë vërejtur se në shumë kërcime moderne, partnerët nuk e prekin aspak njëri--tjetrin. Megjithatë, a qëndron problemi me të vërtetë tek prekja? Britannica përfundon, duke thënë se «rezultati përfundimtar është i njëjti: kënaqësia fizike në veprimtarinë e kërcimit dhe tërheqja e vetëdijshme seksuale e partnerit, qoftë që partneri përqafohet apo vërehet gjysmë i vetëdijshëm». A është e mençur «tërheqja e vetëdijshme seksuale e një partneri» jashtë lidhjes martesore? Jo sipas deklaratës së Jezuit, e cila thotë se «kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet».—Mateu 5:28.
Ju përket juve të vendosni nëse do të kërceni apo jo. Reflektimi mbi pyetjet e mëposhtme mund t’ju ndihmojë të merrni një vendim të mençur. Cili është objekti i këtij kërcimi? Çfarë reputacioni ka? Çfarë nxjerrin në pah lëvizjet e kërcimit? Çfarë mendimesh dhe emocionesh ngjallin në mua? Çfarë dëshirash nxisin ato në partnerin tim apo në ata që më shikojnë? Pavarësisht se çfarë bëjnë të tjerët, sigurisht që një person duhet të veprojë sipas ndërgjegjes së tij, siç bëri edhe burri i ri që përmendëm në hyrje.
Bibla tregon se Krijuesi dëshiron që ne të gëzojmë dhuratën e bukurisë, të ritmit dhe të hijeshisë. Po, gëzojini ato, por mbani në mendje se kur kërceni, trupi juaj flet. Mos harroni udhëzimet e Pavlit në Filipianëve 4:8: «Të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.»
[Burimi i figurës në faqen 22]
Picture Fund/Me mirësjelljen e Museum of Fine Arts, Boston