A pajtohen parimet e krishtere me kulturat vendase?
STIVËN, një Dëshmitar nga Evropa Veriore, u caktua si misionar në një vend afrikan. Ndërsa ecte me një vëlla vendas nëpër qytet, u tremb kur vëllai e kapi për dore.
Mendimi i ecjes nëpër një rrugë plot lëvizje, i kapur për dore me një burrë tjetër, ishte diçka e habitshme për Stefan. Në kulturën e tij, një zakon i tillë ka ngjyrime homoseksuale. (Romakëve 1:27) Megjithatë, për vëllain afrikan, kapja e dorës ishte thjesht një gjest miqësie. Refuzimi i dorës do të thoshte refuzim i miqësisë.
Përse duhet të na interesojë ndryshimi i kulturave? Së pari, sepse shërbëtorët e Jehovait janë të etur që ta përmbushin caktimin e tyre hyjnor për të «bërë dishepuj nga njerëzit e të gjitha kombeve». (Mateu 28:19, BR) Për të plotësuar këtë detyrë, disa janë transferuar për të shërbyer aty ku nevoja për shërbëtorë është më e madhe. Për të pasur sukses në mjedisin e tyre të ri, ata duhet të kuptojnë dhe t’u përshtaten kulturave të veçanta që ndeshin. Atëherë, do të mund të punojnë në harmoni me vëllezërit dhe motrat e tjerë, duke qenë, gjithashtu, më të efektshëm në shërbimin publik.
Për më tepër, në këtë botë të trazuar, shumë njerëz janë larguar nga atdheu i tyre me telashe për arsye politike ose ekonomike dhe janë vendosur në vende të tjera. Prandaj, me të vërtetë mund të vërejmë se ndërsa u predikojmë këtyre fqinjëve të rinj, ndeshemi me zakone të reja. (Mateu 22:39) Ndeshja e parë me mënyrat e ndryshme, mund të krijojë një farë konfuzioni rreth zakoneve të reja.
Çështje të përcaktuara qartë
Kultura thuret brenda strukturës së shoqërisë njerëzore. Prandaj, sa gjë e kotë do të jetë të bëhemi «tepër të drejtë» dhe të hetojmë çdo zakon të parëndësishëm për të vendosur nëse ai pajtohet ose jo me parimet biblike!—Predikuesi 7:16.
Nga ana tjetër, është e nevojshme të dallojmë zakonet vendase që në mënyrë të qartë dhunojnë parimet hyjnore. Megjithatë, në përgjithësi kjo nuk është diçka e vështirë të bëhet, pasi Fjala e Perëndisë është në dispozicion «për të «ndrequr». (2. Timoteut 3:16, BR) Për shembull, në disa vende është e zakonshme të kesh më shumë se një grua, por, për të krishterët e vërtetë, standardi biblik është që një burrë të ketë vetëm një grua me të cilën të jetojë.—Zanafilla 2:24; 1. Timoteut 3:2.
Gjithashtu, disa zakone funerali që kanë si qëllim të largojnë frymërat e liga apo që bazohen te besimi në një shpirt të pavdekshëm, do të ishin të papranueshme për një të krishterë të vërtetë. Disa njerëz ofrojnë temjan ose lutje për të vdekurin, me qëllim që të zmbrapsin frymërat e liga. Të tjerë e përgjojnë të vdekurin ose madje bëjnë një varrim të dytë, me synimin për ta ndihmuar atë që të përgatitet për jetën ‘në botën tjetër’. Por, Bibla mëson se kur një person vdes, ai «nuk është i vetëdijshëm për asgjë» dhe kështu nuk mund t’i bëjë as mirë, as keq dikujt.—Predikuesi 9:5, BR; Psalmi 146:4.
Natyrisht, ka shumë zakone që pajtohen me Fjalën e Perëndisë. Sa freskuese është kur ndeshim kultura ku ende lulëzon fryma e mikëpritjes, ku zakoni kërkon që edhe një të huaji t’i jepet një përshëndetje e ngrohtë dhe kur është e nevojshme t’i hapet edhe shtëpia! Kur e përjeton drejpërdrejt një trajtim të tillë, a nuk nxitesh për ta ndjekur këtë shembull? Nëse po, sigurisht që kjo gjë do ta përmirësojë personalitetin tënd të krishterë.—Hebrenjve 13:1, 2.
Kujt nga ne i pëlqen të rrijë e të presë? Në disa vende kjo gjë ndodh rrallë, sepse përpikmëria konsiderohet e rëndësishme. Bibla na tregon se Jehovai është një Perëndi i rregullit. (1. Korintasve 14:33) Si pasojë, ai ka caktuar një «ditë dhe një orë» për t’i dhënë fund ligësisë dhe na siguron se kjo ngjarje «nuk do të vonojë». (Mateu 24:36; Habakuku 2:3, BR) Kulturat që nxitin një përpikmëri të arsyeshme, na ndihmojnë që të jemi të rregullt dhe të tregojmë respektin e duhur për njerëzit e tjerë dhe për kohën e tyre, gjë që është sigurisht në përputhje me parimet biblike.—1. Korintasve 14:40; Filipianëve 2:4.
Çmund të themi për zakonet e padëmshme?
Disa zakone pajtohen në mënyrë të qartë me mënyrën e krishterë të të jetuarit, ndërsa disa të tjera jo. Por çmund të themi për ato zakone që nuk mund t’i quajmë as të mira, as të këqija? Shumë zakone janë të padëmshme apo pa të keq dhe qëndrimi ynë ndaj tyre mund të tregojë ekuilibrin tonë frymor.
Për shembull, ka shumë forma përshëndetjeje: një shtrëngim dore, një përkulje e kokës ose e trupit, një puthje ose madje një përqafim. Gjithashtu, ka një llojshmëri të madhe zakonesh që përcaktojnë mënyrat e të sjellurit në tryezë. Në disa vende njerëzit hanë në një pjatë ose enë të përbashkët. Gromësira është një shprehje çmueshmërie e pranueshme madje e dëshirueshme në disa vende, kurse në të tjerat është e papranueshme dhe do të konsiderohej si një prej sjelljeve më të këqija.
Në vend se të përcaktosh se cili nga këto zakone të padëmshme do të të pëlqente ose jo ty personalisht, përqendrohu në marrjen e një qëndrimi të drejtë ndaj tyre. Këshilla me vlerë të përhershme nga Bibla, rekomandon që të mos bëjmë ‘asgjë për smirë apo egoizëm, por me përulësi mendjeje, të konsiderojmë se të tjerët janë më të mëdhenj se ne’. (Filipianëve 2:3, BR) Ngjashëm, Elënër Boikin në librin e saj, Kjo është mënyra, ju lutem: Një libër mbi edukatën, thotë: «Së pari, ajo që të duhet është një zemër e mirë.»
Kjo mënyrë e përulur afrimi nuk do të na lejojë që t’i përçmojmë zakonet e të tjerëve. Do të ndihemi të nxitur që të marrim iniciativën dhe të mësojmë se si jetojnë njerëzit e tjerë, të marrim pjesë në zakonet e tyre dhe të provojmë ushqimet e tyre në vend se të jemi meraklinj apo ta shohim me dyshim çdo gjë që duket e ndryshme. Duke pasur një mendje të hapur dhe duke qenë të gatshëm për të provuar zakonet e reja, ne i bëjmë një kompliment atyre që na presin apo fqinjëve tanë të huaj. Gjithashtu, edhe ne vetë marrim dobi, ndërsa «zgjerojmë» zemrën dhe horizontin tonë.—2. Korintasve 6:13.
Nëse zakoni pengon progresin frymor
Ç’mund të themi nëse ndeshim zakone që nuk janë jobiblike në vetvete, por që as të ndihmojnë për të bërë progres frymor? Për shembull, në disa vende, njerëzit mund të jenë shumë të prirur ndaj zvarritjes. Kjo mënyrë e shkujdesur në jetë, mund ta ulë stresin, por ndoshta do të na e bënte më të vështirë që të përmbushnim ‘plotësisht’ shërbimin tonë.—2. Timoteut 4:5.
Si mund t’i inkurajojmë të tjerët që të mos i shtyjnë gjërat e rëndësishme për «nesër»? Kujto se «së pari, ajo që të duhet është një zemër e mirë». Të nxitur nga dashuria ne mund të lëmë shembullin dhe pastaj me mirësjellje t’u shpjegojmë dobitë që vijnë kur nuk e lëmë për nesër atë që duhet bërë sot. (Predikuesi 11:4) Ndërkohë, duhet të kemi kujdes që të mos e sakrifikojmë besimin dhe mirëbesimin reciprok vetëm për hir të rendimentit. Nëse sugjerimet tona nuk pranohen menjëherë nga të tjerët, nuk duhet t’u imponohemi atyre apo të shfryjmë zemërimin tonë mbi ta. Duhet që gjithmonë dashurisë t’i jepet përparësi mbi efektshmërinë.—1. Pjetrit 4:8; 5:3.
Të marrim parasysh preferencën vendase
Ne duhet të sigurohemi që çdo sugjerim që bëjmë të jetë diçka e vlefshme dhe jo thjesht një përpjekje për të imponuar preferencat tona personale. Për shembull, stilet e veshjes ndryshojnë shumë. Në shumë zona është e përshtatshme për një burrë që predikon lajmin e mirë, të vërë një kravatë, por në disa vende tropikale, ajo mund të shihet si tepër formale. Marrja parasysh e preferencës vendase për sa i përket veshjes së përshtatshme për një profesionist që merret me publikun, shpesh do të jetë një drejtim i dobishëm. «Mendja e shëndoshë» është jetësore kur merremi me çështjen delikate të veshjes.—1. Timoteut 2:9, 10, BR.
Po nëse një zakon nuk na pëlqen? A duhet flakur tej automatikisht? Jo medoemos. Zakoni i meshkujve për t’u kapur për dore, i përmendur në fillim, pranohej pa problem në atë mjedis të veçantë afrikan. Kur misionari vuri re se edhe burra të tjerë po ecnin të kapur për dore, u ndie më i lehtësuar.
Gjatë udhëtimeve të tij të shumta misionare, apostulli Pavël vizitoi kongregacione, anëtarët e të cilëve vinin nga mjedise të ndryshme. Pa dyshim, përplasjet e kulturave ishin të shpeshta. Kështu, Pavli iu përshtat çfarëdo zakoni që mundi, ndërkohë që u përmbahej me vendosmëri parimeve biblike. «Jam bërë gjithçka për njerëzit e të gjitha llojeve,—tha ai,—që me çdo mënyrë të mund të shpëtoj disa.»—1. Korintasve 9:22, 23, BR; Veprat 16:3.
Disa pyetje me vend mund të na ndihmojnë që të vendosim se si duhet të reagojmë ndaj zakoneve të reja. Duke adoptuar një nga këto zakone apo duke refuzuar ta bëjmë një gjë të tillë, çfarë përshtypjeje po lëmë tek ata që na vërejnë? A do të tërhiqen ndaj mesazhit të Mbretërisë, sepse shohin që ne po përpiqemi të shkrihemi me kulturën e tyre? Nga ana tjetër, nëse adoptojmë një zakon vendas, a mund të gjejmë ‘të metë në shërbimin tonë’?—2. Korintasve 6:3, BR.
Nëse duam të bëhemi «gjithçka për njerëzit e të gjitha llojeve», mund të na duhet të ndryshojmë disa pikëpamje të rrënjosura thellë për sa i përket asaj që është dhe nuk është e përshtatshme. Shpesh mënyra e «drejtë» dhe e «gabuar» varet thjesht nga vendi ku po jetojmë. Kështu, në një vend, kapja për dore mes burrave është tregues i miqësisë, ndërsa në shumë vende të tjera, kjo gjë sigurisht që do t’i largonte njerëzit nga mesazhi i Mbretërisë.
Megjithatë, ka zakone të tjera që janë të pranueshme në zona të ndryshme dhe që mund të jenë të përshtatshme edhe për të krishterët, por ne duhet të bëjmë kujdes.
Kujdes të mos kalosh kufirin!
Jezu Krishti tha se ndonëse dishepujt e tij nuk mund të hiqeshin nga bota, ata nuk duhej të mbeteshin «pjesë e botës». (Gjoni 17:15, 16, BR) Megjithatë, disa herë nuk është një punë e lehtë që të bësh dallimin midis asaj që është pjesë përbërëse e botës së Satanait dhe asaj që është thjesht kulturë. Muzika dhe vallëzimi për shembull, përshkojnë çdo kulturë, megjithëse në disa vende ato marrin rëndësinë më të madhe. Ne mund të marrim shpejt ndonjë vendim, duke u bazuar më tepër në ambientin tonë kulturor sesa në arsyet e shëndosha biblike. Aleksi, një vëlla gjerman, mori një caktim për në Spanjë. Në ambientin e tij të mëparshëm, vallëzimi nuk kishte shumë popullaritet, por në Spanjë ai është pjesë e kulturës. Kur në fillim pa një motër dhe vëlla duke interpretuar një flamenko të fortë, ai u hutua. A ishte ky një vallëzim i papërshtatshëm apo ndoshta botëror? A do t’i ulte standardet e tij të krishtere nëse e pranonte këtë zakon? Aleksi mësoi se megjithëse muzika dhe vallëzimi ishin të ndryshme nga ato në Gjermani, nuk kishte arsye të mendonte se vëllezërit dhe motrat e tij spanjollë po i ulnin standardet e krishtere. Konfuzioni i tij ishte për shkak të ndryshimit ndërmjet kulturave.
Megjithatë, Amelio, një vëlla të cilit i pëlqen vallëzimi tradicional spanjoll, pranon se ekziston një rrezik. «Vërej se shumë lloje vallëzimi, kërkojnë që çifti të ketë një kontakt shumë të afërt,—shpjegon ai.—Si një beqar, e kuptoj se kjo mund të ndikojë të paktën në ndjenjat e njërit prej partnerëve. Ndonjëherë, vallëzimi mund të përdoret si një mundësi për t’i shfaqur ndjenjat dikujt ndaj të cilit ndihesh i tërhequr. Sigurimi se muzika është e shëndetshme dhe se kontakti fizik mbahet në minimum, mund të shërbejë si një mbrojtje. Megjithatë, duhet të pranoj se kur një grup vëllezërish dhe motrash beqarë kërcejnë së bashku, është shumë e vështirë që të mbahet një atmosferë teokratike.»
Sigurisht, ne nuk duhet ta përdorim kulturën tonë si një justifikim për t’u përfshirë në sjelljet e botës. Këndimi dhe vallëzimi kishin një vend në kulturën izraelite dhe kur izraelitët u liruan nga Egjipti në Detin e Kuq, festimi i tyre përfshiu si këngën, ashtu edhe vallen. (Eksodi 15:1, 20) Megjithatë, forma e tyre e veçantë e muzikës dhe e vallëzimit, ndryshonte nga ajo e botës pagane përreth tyre.
E trishtueshme të thuhet, por ndërsa pritnin Moisiun që të kthehej nga Mali Sinai, izraelitët e humbën durimin, bënë një viç të artë dhe pasi hëngrën e pinë «u ngritën për t’u zbavitur». Kur Moisiu dhe Josiu dëgjuan tingullin e këngës së tyre, menjëherë u shqetësuan. (Eksodi 32:17, 18) Izraelitët e kishin kaluar «kufirin» dhe mënyra e tyre e të kënduarit dhe e të vallëzuarit, tani pasqyronte botën pagane përreth tyre. Ngjashëm sot, muzika dhe vallëzimi mund të jenë në përgjithësi të pranueshme në rrethinën tonë dhe mund të mos e cenojnë ndërgjegjen e të tjerëve. Por nëse dritat zbehen, nëse shtohen drita të forta që ndizen dhe fiken ose luhet muzikë me një ritëm të ndryshëm, ajo që më parë ishte e pranueshme, tani mund të pasqyrojë frymën e botës. «Është thjesht kultura jonë»,—mund të thotë dikush. Aaroni përdori një justifikim të ngjashëm kur lejoi format pagane të zbavitjes dhe të të adhuruarit, duke i përshkruar ato në mënyrë të gabuar si «një festë për Jehovain». Ky justifikim i dobët ishte i pavlefshëm. Ja pse sjellja e tyre u konsiderua edhe si «një turp mes kundërshtarëve të tyre».—Eksodi 32:5, 25, BR.
Kultura ka vendin e saj
Kostumet e pazakonta në fillim mund të na tronditin, por jo të gjitha janë medoemos të papranueshme. Me «aftësitë perceptuese të stërvitura» që kemi, ne mund të përcaktojmë se cilat zakone pajtohen me parimet e krishtere dhe cilat jo. (Hebrenjve 5:14, BR) Kur tregojmë një zemër të mirë, plot me dashuri për të afërmit tanë, do të reagojmë në mënyrë të përshtatshme kur ndeshemi me zakone të padëmshme.
Ndërsa u predikojmë lajmin e mirë njerëzve në zonën tonë ose në zona më të largëta, një afrim i ekuilibruar ndaj llojshmërisë së kulturave, do të na japë mundësi që të bëhemi ‘gjithçka për të gjithë njerëzit’. Dhe pa dyshim do të shohim se ndërsa e pranojmë me kënaqësi llojshmërinë e kulturave, kjo gjë do të kontribuojë që të kemi një jetë domethënëse, interesante dhe tërheqëse.
[Figura në faqen 20]
Përshëndetjet e krishtere mund të shprehen siç duhet në shumë mënyra
[Figura në faqen 23]
Një pikëpamje e ekuilibruar mbi kulturat e ndryshme mund të çojë në një jetë domethënëse, të larmishme