Nga lexuesit tanë
Pesëdhjetë vjet më parë Sapo mbarova së lexuari seritë e artikujve «1945-1995: Çfarë kemi mësuar?» (8 shtator 1995, angl.) Më ka bërë përshtypje mënyra se si keni përfshirë gjithë ato hollësi të historisë në aq vend të kufizuar. Mësova shumë; ishte më mirë se të lexoja një libër historie.
M. V., Filipine
Lutja Jam e papunë dhe po përgatitem për t’u transferuar. Isha pothuajse në ankth, derisa lexova artikullin «Pikëpamja e Biblës: Roli juaj në lutjet tuaja.» (8 shtator 1995, angl.) Faleminderit që keni botuar këtë artikull. Do të bëj çmos për të provuar se mezi pres që të dëgjoj përgjigjen e lutjeve të mia, duke jetuar në përputhje me to.
D. K., Shtetet e Bashkuara
Bixhozi Kohët e fundit isha lutur për një artikull që të fliste mbi bixhozin, pasi të afërmit e mi kanë një nevojë të dëshpëruar për ndihmë në këtë fushë. Ata janë në buzë të falimentimit. Shpresoj që seritë «Bixhozi: një ves në rritje» (22 shtator 1995, angl.) t’i ndihmojnë. Ata vuajnë shumë prej këtij vesi. E kishim zakon që si familje të luanim poker 6 deri 12 orë rresht! Unë jam shumë e lumtur që tani kam Jehovain në jetën time.
L. D., Shtetet e Bashkuara
Keni përshkruar një situatë të ngjashme me martesën time 20-vjeçare me një burrë që ka vesin e bixhozit. Në të kaluarën kam marrë shumë inkurajim nga revistat, por kësaj here mora diçka që e kam pritur prej 20 vjetësh!
F. E., Japoni
Vetëmbrojtje E vlerësova shumë artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A duhet ta mësoj vetëmbrojtjen?» (22 shtator 1995, angl.) Këtu në Ukrainë, ne kemi vetëm një numër të Zgjohuni! çdo muaj dhe rubrika «Të rinjtë pyesin . . . » mungon. Meqë lexoj anglisht, pata mundësi ta lexoj këtë artikull. Ai më ndihmoi të njihja pikëpamjen e Perëndisë.
V. L., Ukrainë
Jam 12-vjeçare dhe dua t’ju falënderoj për artikujt që botoni. Artikulli për vetëmbrojtjen ishte veçanërisht i dobishëm për mua. Më bëri të kuptoja më mirë se si të sillem kur shokët e shkollës më persekutojnë.
D. K., Itali
Shkolla afrikane Jam një akanas që kam nxjerrë dobi si nga shkolla tradicionale afrikane, ashtu edhe nga shkolla perëndimore dhe më ka pëlqyer artikulli juaj «Shkolla afrikane: Çfarë mëson ajo?» (22 shtator 1995, angl.) U preka nga respekti dhe dinjiteti që tregoni ju për shkollën afrikane. Ka nga ata që mendojnë se besimi juaj e përçmon traditën afrikane. Ky artikull qartësoi se nuk është kështu.
S. N., Gana
Histori jete Ju falënderoj shumë që botuat historinë e Karen Malone, «Lufta ime e gjatë dhe e vështirë, për të gjetur besimin e vërtetë». (22 shtator 1995, angl.) M’i mbushi sytë me lot gëzimi.
J. S., Republika Çeke
Jam më e madhja në familjen time. Ndihesha keq, sepse s’mund të kisha shumë nga gjërat që dëshiroja. Disa herë, ne mezi na mjaftojnë paratë për të blerë ushqimet. Por falë Karenit kuptova se shërbimi ynë ndaj Perëndisë është më i rëndësishëm se gjërat materiale.
T. T., Greqi
Deri tani e kam lexuar artikullin katër herë dhe çdo herë kam shpërthyer në lot. Mund ta kuptoj vendosmërinë e saj për t’i shërbyer Jehovait përballë kundërshtimit të familjes dhe vështirësive. Së shpejti, unë shpresoj të filloj shërbimin si pioniere e rregullt dhe ky artikull më ka forcuar vërtet.
D. F., Australi