BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 4/96 f. 4-7
  • Mure që pengojnë komunikimin

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mure që pengojnë komunikimin
  • Zgjohuni!—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kushtëzimet kulturore
  • «Mënyra se si i bëjmë gjërat ne është më e mirë!»
  • Të zgjerojmë botëkuptimin tonë
  • Të shembim muret për të ndërtuar ura
    Zgjohuni!—1996
  • A pajtohen parimet e krishtere me kulturat vendase?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • I ndarë mes dy kulturash—Ç’të bëj?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
  • I ndarë mes dy kulturash: Ç’të bëj?
    Zgjohuni!—2007
Shih më tepër
Zgjohuni!—1996
g 4/96 f. 4-7

Mure që pengojnë komunikimin

ROBERTI, është një misionar i Shoqatës Watch Tower, i cili jeton në Sierra Leone të Afrikës Perëndimore. Një ditë, pak kohë pasi kishte arritur në atë vend, ndërsa ecte përgjatë rrugës, vërejti se fëmijët e atyshëm përsëritnin prapa tij: «Njeri i bardhë! Njeri i bardhë!» Roberti, që është një zezak amerikan, hodhi një vështrim rreth e përqark për të parë njeriun e bardhë, por s’pa asnjeri tjetër. Atëherë e kuptoi se fëmijët e kishin me të.

Nuk kishte ligësi në fjalët e tyre. Fëmijët thjesht po tregonin se e kuptonin që Roberti vinte nga një kulturë e ndryshme nga kultura e tyre. Për të shprehur këtë ndryshim, nuk kishin gjetur diçka tjetër më të mirë, sesa t’i thërrisnin Robertit «njeri i bardhë».

Kushtëzimet kulturore

Kultura është përcaktuar gjerësisht si «një sërë idesh të përbashkëta, . . . zakonet, bindjet dhe njohuria që karakterizojnë një mënyrë jetese». Shumë vlera kulturore i mësojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shumë të tjera i përfitojmë edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Një kërkues ka thënë: «Që nga momenti i lindjes [së një fëmije], zakonet që lidhen me ambientin në të cilin ai ka lindur, modelojnë përvojën dhe sjelljen e tij. Kur fillon të flasë, ai është tashmë një krijesë e vogël e kulturës së tij dhe kur është i rritur e fillon të marrë pjesë në aktivitetet e kulturës së tij, ka përftuar tashmë zakonet, bindjet, kufizimet e tij.»

Në shumë aspekte, përshtatja ndaj kulturës na e thjeshtëson jetën. Që në fëmijëri mësojmë shpejt se si t’i kënaqim prindërit. Njohja se çfarë është e pranueshme në shoqërinë tonë e çfarë jo, na ndihmon që të marrim vendime mbi mënyrën se si të veprojmë, çfarë të veshim dhe si t’i trajtojmë të tjerët.

Natyrisht që fakti se si jemi si individë nuk varet vetëm nga mjedisi ynë kulturor. Brenda çdo kulture ka ndryshime nga njeriu në njeri. Fakti se kush jemi përcaktohet, gjithashtu, edhe nga faktorët gjenetikë, përvoja jonë në jetë dhe nga shumë faktorë të tjerë. Megjithatë, kultura të cilës i përkasim është një thjerrëz, përmes së cilës ne shikojmë botën që na rrethon.

Kultura jonë, për shembull, nuk përcakton vetëm gjuhën që flasim, por edhe mënyrën se si e flasim. Në disa pjesë të Lindjes së Mesme, njerëzit e vlerësojnë aftësinë për t’u shprehur mirë me shumë fjalë, duke përdorur përsëritjen dhe metaforën. Ndërsa, ndryshe nga këta, njerëzit e disa vendeve të Lindjes së Largët mjaftohen me një komunikim minimal gojor. Një proverb japonez, duke pasqyruar këtë pikëpamje, thotë: «Nga goja jote do të vdesësh.»

Kultura të cilës i përkasim, përcakton se si ta konsiderojmë kohën. Në Zvicër, nëse shkoni dhjetë minuta me vonesë në një takim, pritet që të kërkoni ndjesë. Në vende të tjera, mund të shkoni një apo dy orë me vonesë dhe s’keni nevojë të kërkoni shumë falje.

Kultura që kemi na mëson, përveç këtyre, edhe vlerat. Mendoni se si do të ndiheshit, sikur dikush t’ju thoshte: «Paskeni shtuar disa kile. Po shëndosheni vërtet.» Po të ishit rritur në një kulturë afrikane, ku të qenët i shëndoshë konsiderohet diçka e mirë, ndoshta do të ndiheshit i lumtur për këtë vërejtje. Por nëse do të ishit rritur në ndonjë kulturë perëndimore, ku vlerësohet shumë eleganca, ky koment i sinqertë ndoshta do t’ju mërziste.

«Mënyra se si i bëjmë gjërat ne është më e mirë!»

Ajo që bëhet shpesh një pengesë për komunikimin ndërmjet personave të kulturave të ndryshme, është fakti që njerëzit kudo kanë prirjen për të menduar se kultura e tyre është më e mirë. Gati të gjithë mendojmë se bindjet, vlerat, traditat, mënyra e veshjes dhe opinioni mbi bukurinë janë të sakta, të përshtatshme dhe më të mira se çdo alternativë tjetër. Gjithashtu, kemi prirjen që t’i gjykojmë kulturat e tjera, sipas vlerave të grupit tonë. Kjo mënyrë të menduari quhet etnocentrizëm. The New Encyclopædia Britannica vëren: «Mund të thuhet se etnocentrizmi . . . është pothuaj universal. Gati në të gjitha kulturat e botës, njerëzit e konsiderojnë mënyrën e vet të jetesës superiore edhe ndaj asaj të popujve fqinjë, me të cilët janë të lidhur ngushtë.»

Dyqind vjet më parë, një çifligar anglez, tha pa dorashka: «[Me sa] kuptoj unë, të huajt janë të metë.» Botuesi i librit të citateve, në të cilat gjenden këto fjalë, shkroi: «[Kjo] është gati me siguri një nga ndjenjat më universale, që është shprehur ndonjëherë.»

Shembuj të intolerancës kundrejt personave që i përkasin një kulture tjetër ka me bollëk. Megjithëse është shkruar fillimisht në vitet ’30 nga një novelist gjerman, citimi i mëposhtëm i atribuohet shpesh liderit nazist, Herman Gëring: «Kur dëgjoj fjalën kulturë, dora më shkon tek revolveri.»

Pikëpamjet e fuqishme etnocentrike mund të çojnë në diskriminim, i cili nga ana e tij mund të çojë në konflikte dhe armiqësi. Riçard Goldston është prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet, i cili po merret me hetimin e krimeve të luftës në Ruanda dhe në ish-Jugosllavi. Lidhur me aktet barbare në të dyja konfliktet, ai thotë: «Një gjë e tillë mund të ndodhë kudo. Kemi të bëjmë me dy vende të ndara, me kultura dhe histori të ndryshme, por ku [janë] kryer mizori të ngjashme fqinji kundër fqinjit. Kjo luftë brutale etnike apo fetare është thjesht një diskriminim që shkon deri në dhunë. Grupi i përndjekur duhet të jetë i dehumanizuar apo i demonizuar. Pasi kjo ide rrënjoset në mendjet e njerëzve, ajo i liron njerëzit e zakonshëm nga frerët moralë, që normalisht do t’i pengonin të bënin këto gjëra të tmerrshme.»

Të zgjerojmë botëkuptimin tonë

Zakonisht, ata që zgjedhim si shokë janë ata që kanë shumë gjëra të ngjashme me ne, njerëz që na ngjajnë për sa i përket qëndrimit dhe vlerave. Kemi besim tek ata dhe i kuptojmë. Ndihemi të lirë kur jemi në shoqëri me ta. Nëse sjellja e një personi tjetër na duket si e çuditshme apo jonormale, ka të ngjarë që shokët tanë të pajtohen me mendimin tonë, për shkak se ata kanë të njëjtat paragjykimi si tonat.

Çfarë mund të fitojmë, atëherë, duke komunikuar me persona të tjerë që ndryshojnë nga ne, për shkak të mjedisit kulturor? Në radhë të parë, komunikimi i mirë do të na ndihmojë të kuptojmë arsyet përse të tjerët mendojnë dhe veprojnë në një mënyrë. Kunle, një afrikano-perëndimor, thotë: «Shumë fëmijë në Afrikë mësohen të mos flasin kur hanë. Ndërsa, në disa vende evropiane, fëmijët inkurajohen të futen në biseda, kur janë në tryezë. Çfarë ndodh, kur një evropian ha me një afrikan? Evropiani pyet veten përse afrikani gërmon krejt i heshtur në pjatën e tij. Në të njëjtën kohë, afrikani pyet veten përse evropianit s’i pushon goja duke folur.» Është e qartë se në situata të tilla, fakti që secili duhet të kuptojë mjedisin kulturor të tjetrit, mund të luajë një rol të madh në heqjen e paragjykimeve shoqërore.

Duke njohur gjithnjë e më shumë njerëz të kulturave të tjera, jo vetëm që kuptojmë më mirë të tjerët, por kuptojmë më mirë edhe veten. Një antropolog ka shkruar: «Gjëja e fundit që do të zbulonte një banor i thellësirave të detit, do të ishte uji. Ai do të bëhej i vetëdijshëm për ekzistencën e tij, vetëm nëse ndonjë aksident do ta sillte atë në sipërfaqe, ku do të ndeshej me ajrin. . . . Aftësia për ta parë kulturën e shoqërisë sonë si një të tërë . . . kërkon një shkallë objektiviteti, e cila nëse arrihet, arrihet rrallë.» Megjithatë, kur e ekspozojmë veten ndaj kulturave të tjera, i ngjajmë banorit të detit, i cili ndeshet me ajrin; bëhemi të vetëdijshëm për «ujërat» kulturorë, në të cilët jetojmë. Shkrimtari Tomas Aberkrombie, bën një përmbledhje të bukur me këto fjalë: «Kush nuk është joshur kurrë nga një kulturë e huaj, nuk mund të kuptojë kurrë zinxhirët e kulturës së tij.»

Me pak fjalë, çmueshmëria ndaj kulturave të tjera mund të na pasurojë jetën, duke e zgjeruar botëkuptimin tonë, me qëllim që të kuptojmë më mirë veten dhe të tjerët. Edhe pse trashëgimia kulturore dhe një mënyrë etnocentrike të menduari mund të jenë mure që pengojnë komunikimin, s’është e thënë që gjërat të jenë detyrimisht kështu. Ato mure mund të shemben.

[Diçitura në faqen 6]

«Gati në të gjitha kulturat e botës, njerëzit e konsiderojnë mënyrën e vet të jetesës superiore edhe ndaj asaj të popujve fqinjë, me të cilët janë të lidhur ngushtë.»—The New Encyclopædia Britannica

[Figura në faqen 7]

Mund të mësojmë të çmojmë aspektet pozitive të kulturave të tjera

[Burimi i figurës në faqen 6]

Globi: Mountain High Maps® Copyright © 1995 Digital Wisdom, Inc.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo