BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 1/97 f. 11-15
  • Muzika, droga dhe pija ishin jeta ime

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Muzika, droga dhe pija ishin jeta ime
  • Zgjohuni!—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Sfidat e rritjes
  • Shërbimi ushtarak në Vietnam
  • Beteja për t’iu përshtatur jetës civile
  • Mënyrë e rrezikshme jetese
  • Shumë pyetje, pak përgjigje
  • Përsëri me njerëzit e mi
  • Emri i Perëndisë më ndryshoi jetën!
    Zgjohuni!—2001
  • Bibla të ndryshon jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Sa rëndësi t’i jap muzikës?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Bibla të ndryshon jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
Shih më tepër
Zgjohuni!—1997
g 1/97 f. 11-15

Muzika, droga dhe pija ishin jeta ime

UNË jam një amerikan indian. Babai, i cili vdiq katër vjet më parë, ishte çipeua, nga ishulli Sugar, Miçigan, SHBA. Nëna që është nga Ontario e Kanadasë, vjen nga kombet indiane të Otavës dhe Ogjibuas. Nga babai jam anëtar i fisit Su Sant Mari të indianëve çipeua. Për shkak të ndikimit të misionit katolik dhe të shkollave me konvikt, ne u rritëm si katolikë, gjë që nënkuptonte pjesëmarrjen në meshë çdo të diel.

Fëmijëria ime në rezervatin indian ishte e thjeshtë dhe e lumtur. Nga botëkuptimi i një fëmije, verat ishin të gjata, të ngadalta dhe të heshtura. Ne jetonim në një zonë të veçuar; s’kishim as ujë të rrjedhshëm, as banjë brenda dhe laheshim në liqen ose në govatë. Këndi ynë i lojrave ishte natyra në qiell të hapur. Kuajt, gjedhët dhe kafshët e tjera të fermës ishin lodrat, me të cilat kalonim kohën. Në atë kohë, dëshira ime ishte që e gjithë bota të bëhej si ajo përgjithmonë.

Sfidat e rritjes

Kur u rrita dhe nisa shkollën shtetërore, vizitat e mia në rezervat ishin të shpeshta. Shkolla, sporti dhe muzika filluan të më zinin pjesën më të madhe të kohës. Si adoleshent i viteve ’60, fryma e kohës ndikoi edhe mbi mua. Që kur mbusha të 13-at, drogat dhe alkooli ishin një pjesë e rregullt e jetës sime. Rebelimi kundër shoqërisë ishte në modë dhe unë urreja çdo gjë që sistemi besonte apo përkrahte. Nuk arrija dot të kuptoja përse njerëzit i bënin gjëra çnjerëzore njëri-tjetrit.

Rreth kësaj periudhe, mora kitarën time të parë. Familja jonë kishte prirje muzikore. Im atë luante në piano dhe ishte kërcimtar tip-tap. Përveç tij, edhe vëllezërit e babait kishin prirje për muzikën. Kështu që kur babai dhe xhaxhallarët piqeshin bashkë, bënim valle të shpejta e të gëzueshme dhe valle popullore amerikane deri herët në mëngjes. Më pëlqente shumë. Shpejt mësova t’i bija kitarës dhe u bashkova me një grup rock-and-roll. Zhvilluam në shkollë kërcime dhe aktivitete të tjera. Kjo gjë çoi në frekuentimin e bareve dhe të klubeve të natës, të cilat nënkuptonin natyrshëm më shumë alkool dhe droga. Marihuana dhe metamfetamina (përshpejtues) ishin pjesë e mënyrës sime të jetesës.

Shërbimi ushtarak në Vietnam

Që në moshën 19-vjeçare isha i martuar dhe prisja të bëhesha baba. Po në atë moshë, isha futur në marinën amerikane. E gjithë kjo ishte një peshë shumë e madhe për mua. Për ta përballuar atë, qëndroja nën ndikimin e drogës dhe të alkoolit 24 orë në ditë.

Mua më caktuan në karantinë, në Depon e Trupave Rekrute Marinse, në San Diego, Kaliforni dhe më pas, në këmbësorinë pararojë në Kampin Pedleton, Kaliforni. Unë u stërvita për komunikimin ushtarak në fushën e betejës. Ky ishte fundi i vitit 1969. Tani, duhej të vinte sprova e vërtetë: shërbimi në Vietnam. Kështu që në moshën 19-vjeçare, pak muaj pas mbarimit të shkollës së mesme, u gjenda në baltën e kuqe të Vietnamit. Ashtu siç ndodhi edhe me shumë amerikanë të tjerë indianë, patriotizmi më kishte nxitur edhe mua të shërbeja në ushtri, pavarësisht nga padrejtësitë që shoqëria kishte bërë mbi ne, si anëtarë të një minoriteti.

Caktimi im i parë ishte në skuadriljen e parë të marinës ajrore, tamam në dalje të qytetit Da Nang. Rreth 50 burra, në të vërtetë djem, ishin përgjegjës për mbajtjen e sistemeve komunikative për komplekset ushtarake. Ne mbulonim zonën nga DMZ (zonë e çmilitarizuar) midis Vietnamit verior dhe atij jugor, rreth 80 km në jug të qytetit Da Nang.

Refugjatët grumbulloheshin në Da Nang dhe gjithandej mbinin qytete barakash. Përveç kësaj, kishte edhe shumë jetimore. Fëmijët e vegjël që shihja, shumë prej të cilëve ishin të gjymtuar, patën një ndikim shumë të madh tek unë. Më dukej e çuditshme që ata ishin gati të gjithë vajza apo djem të vegjël. Por shpejt e kuptova përse. Djemtë nga 11 vjeç e lart merreshin në luftë. Më vonë, takova një ushtar vietnamez të ri në moshë dhe e pyeta se sa vjeç ishte. «Katërmbëdhjetë»,—m’u përgjigj. Kishte tashmë tre vjet që luftonte nëpër beteja! Kjo gjë më shtangu. Ai më kujtonte vëllanë tim 14-vjeçar, vetëm se shqetësimi i tim vëllai nuk ishte vrasja, por beizbolli i sponsorizuar nga Lidhja e të Vegjëlve.

Gjatë shërbimit tim në marinë, filluan të më lindnin pyetje që kishin nevojë për përgjigje. Një natë, shkova në kishën e kompleksit tonë. Kapelani katolik më bëri një fjalim për Jezuin, paqen dhe dashurinë. Më vinte të bërtisja me të madhe. Fjalimi i tij ishte kontradiktor me gjithçka që po ndodhte atje. Pas ceremonisë e pyeta se si mund ta justifikonte veten si i krishterë dhe në të njëjtën kohë luftonte në këtë luftë. Si u përgjigj? «E po, ushtar, duke bërë kështu, ne luftojmë për Zotërinë.» Dola jashtë dhe thashë me vete se kurrë nuk doja të kisha të bëja me kishën përsëri.

Kur përfundova detyrimin tim ushtarak, e dija se kisha qenë me fat që isha akoma gjallë; por mendërisht dhe moralisht kisha vuajtur shumë. Duke dëgjuar, duke parë dhe duke marrë erë luftë dhe vdekje ditë për ditë, më mbeti një mbresë e thellë në mendjen dhe në zemrën time të re. Edhe pse e gjithë kjo ndodhi mbi 25 vjet më parë, kujtimet më vijnë ndër mend si dje.

Beteja për t’iu përshtatur jetës civile

Pasi u ktheva në shtëpi, fillova të përqendrohesha në karrierën time muzikore. Jeta ime personale ishte një lëmsh; isha i martuar, isha bërë me fëmijë dhe akoma konsumoja sasi të mëdha droge dhe alkooli. Marrëdhënia ime me gruan u bë e nderë dhe rezultati ishte divorci. Kjo ishte ndoshta pika më e zymtë e jetës sime. Fillova të veçohesha dhe të gjeja ngushëllim jashtë, duke gjuajtur trofta në zonat e largëta të Minesotës dhe në pjesën e sipërme të Miçiganit.

Në 1974-n, u transferova në Nashvil, Tenesi, me synimin për të çuar më përpara karrierën time muzikore si kitarist dhe këngëtar. Luajta nëpër shumë klube nate, gjithmonë duke shpresuar që të çaja rrugën drejt rrjedhës kryesore të muzikës. Por kjo ishte një sfidë e fortë; kishte shumë kitaristë të talentuar, të cilët mundoheshin të gjithë të bëheshin muzikantë të njohur.

Megjithatë, tamam në momentin kur i kisha vënë gjërat përpara dhe nuhatja mundësinë e suksesit profesional, ndodhi diçka që më tronditi.

Mënyrë e rrezikshme jetese

Shkova që t’i bëja vizitë një shoku të vjetër, me të cilin kisha pasur lidhje për drogën. Ai më përshëndeti në derë me një të shtënë 12 kalibërshe. Një pjesë të trupit e kishte vënë në allçi dhe gojën e kishte të mbyllur me tel, për shkak të një nofulle të thyer. Duke folur nëpër dhëmbët e tij të mbërthyer, ai më tregoi se çfarë kishte ngjarë. Pa dijeninë time, ai ishte ngatërruar me një organizatë ilegale që merrej me tregun e narkotikëve, në Nashvil dhe një sasi e madhe e kokainës ishte zhdukur. Baronët ia kishin vënë gishtin atij. Ata dërguan ca njerëz të hurit e të litarit a gangsterë për ta rrahur. Ata i thanë atij ose të kthente kokainën, ose të paguante 20.000$ amerikanë, që ishin baras me vlerën që mund të fitohej nga shitja ilegale e saj. Jo vetëm që atë e kishin kërcënuar, por kishin vënë në rrezik edhe gruan e fëmijën. Ai më tha se nuk ishte e sigurt që të më shihnin me të dhe se ndoshta duhej të ikja. E kuptova se çfarë donte të thoshte dhe ika.

Ky incident më futi pak frikën për jetën time. Pa e kuptuar, unë isha bërë pjesë e një bote të dhunshme. Shumica e njerëzve që njihja në rrethin tim të muzikës dhe të drogës, mbanin pistoletë. Për të mbrojtur veten, unë gati bleva një revolver 38-sh. Kuptova se sa më afër rrjedhës kryesore të industrisë së muzikës shkoja, aq më i lartë ishte çmimi që duhej paguar. Kështu, më pas vendosa të ikja nga Nashvili dhe planifikova të shkoj në Brazil, për të studiuar muzikë latino-amerikane.

Shumë pyetje, pak përgjigje

Pavarësisht nga përvojat e mia negative që kisha pasur me fenë, kisha një dëshirë të madhe për të adhuruar Perëndinë. Akoma kisha pyetje pa përgjigje. Kështu që fillova të kërkoja të vërtetën. Frekuentova grupe të ndryshme kishtare me strukturë joformale, por mbeta i pakënaqur. Më vjen ndër mend një kishë në Minesota, në të cilën shkova. Pastori shkurtoi predikimin, pasi atë ditë luante skuadra e futbollit Vikings e Minesotës. Ai na inkurajoi të gjithëve që të shkonim në shtëpi dhe të luteshim për fitoren e skuadrës Vikings. U ngrita e dola jashtë. Ky mendim i cekët që lidhte Perëndinë me aktivitete sipërfaqësore sportive, më nervozon edhe sot e kësaj dite.

Gjatë kohës që punoja në Duluth, Minesota, një mik la në apartamentin tim një revistë Kulla e Rojës. Unë lexova trajtimin që i bënte ajo kreut 24 të Mateut dhe e tëra më tingëlloi e vërtetë. Më bëri të mendoja: «Kush janë këta Dëshmitarët e Jehovait? Kush është Jehovai?» Përgjigjen nuk e mora deri në vitin 1975. Po ky mik më la librin E vërteta që të çon në jetën e përhershmea dhe një Bibël.

Librin e lexova që atë natë. Që në fund të kapitullit të parë, e kuptova se kisha gjetur të vërtetën. Ishte njësoj sikur nga mendja ime të ishte hequr një vel. E përfundova librin dhe ditën tjetër kapërceva rrugën, për të shkuar tek disa fqinjë Dëshmitarë e për t’u kërkuar që të studionin Biblën me mua.

I braktisa planet për të shkuar në Brazil dhe fillova të merrja pjesë në mbledhjet që zhvilloheshin në Sallën e Mbretërisë. Me ndihmën e Jehovait, pa e bërë të gjatë lashë drogën dhe alkoolin, duke u çliruar nga ndikimi i tyre pas 12 vjetësh. Brenda pak muajsh, fillova të marr pjesë në shërbimin shtëpi më shtëpi.

Por më duhej të përballoja një problem. Kurrë nuk kisha pasur një punë të qëndrueshme dhe vetë ideja për të qenë i kufizuar nga një program, ishte e urryer për mua. Tani duhej të bëhesha një person i përgjegjshëm, pasi Debi kishte hyrë përsëri në jetën time. Kohë më parë, isha shoqëruar me të, por ajo shkoi në kolegj për të studiuar e për t’u bërë mësuese, kurse unë do të bëhesha muzikant. Tani, edhe ajo e pranoi të vërtetën biblike dhe ne u tërhoqëm përsëri nga njëri-tjetri. U martuam dhe më pas, u pagëzuam si Dëshmitarë në Su Sant Mari, Ontario, Kanada, në 1976-n. Me kalimin e kohës, ne na lindën katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë.

Për të mbajtur familjen hapa një dyqan muzike dhe mësova improvizimin në xhaz dhe kitarë. Gjithashtu, vura në veprim një studio të vogël regjistrimi dhe në ndonjë rast luaja nëpër klubet e natës me pije e meze. Atëherë, si për çudi, m’u krijuan mundësitë për t’u kthyer sërish në botën e madhe të muzikës profesionale. Isha afruar tri herë për të shoqëruar me instrumentin tim muzikor në regjistrimin e artistëve të famshëm. Këtu ishte rasti im i madh, në fakt, i treti brenda dy vjetësh. M’u ofrua mundësia për të shkuar në Los Anxheles, Kaliforni, për të luajtur me një grup të mirënjohur xhaz. Por e dija se kjo gjë do të thoshte t’u kthehesha shpesh udhëtimeve, koncerteve dhe sesioneve të regjistrimit. Mendova fluturimthi për ofertën dhe me respekt thashë: «Jo, faleminderit.» Vetëm duke sjellë ndër mend të kaluarën time me drogën, alkoolin dhe rrezikun nga gangsterët, arrita të kuptoj se nuk ia vlente aspak. Jeta ime e re si i krishterë me gruan dhe fëmijët kishte një domethënie shumë më të madhe për mua.

Për disa vjet punova si inxhinier transmetimi për programet edukative dhe dokumentare, që shfaqeshin në televizionin e sistemit të transmetimit publik (PBS). Aty ku punoj tani, koordinoj komunikimin në video me rezervatin Hopi për një universitet të Arizonës veriore.

Përsëri me njerëzit e mi

Kanë kaluar njëzet vjet që nga koha kur iu dedikova Perëndisë Jehova. Gjithashtu, kam kaluar njëzet vjet martesë të lumtur. Debi, djali ynë Dilani, 19 vjeç, dhe vajza jonë, Lesli, 16 vjeç, janë të gjithë në shërbim të plotë kohor. Në fakt, Dilani tani shërben në kompleksin e shtypjes dhe të fermës së Shoqatës Watchtower, në Uallkill, Nju Jork. Dy djemtë tanë më të vegjël, Kesi 12-vjeçar dhe Marshel 14-vjeçar, kohët e fundit iu dedikuan Jehovait dhe u pagëzuan.

Tre vjet më parë, ne pranuam ftesën për të shkuar atje ku kishte më shumë nevojë për predikim të krishterë dhe shkuam në Kems Kenion, Arizona, për të shërbyer bashkë me indianët navajo dhe hopi. Unë jam plak kongregacioni. Është kënaqësi të jetosh sërish mes amerikanëve indianë. Për shkak të kontrastit mes kulturës dhe kushteve të jetesës këtu dhe atyre në periferinë tipike amerikane, ne kapëm kuptimin se çdo të thotë të jesh në veprën misionare. Gjashtë prej nesh lanë një shtëpi të madhe e të rehatshme për të jetuar në një shtëpi më të vogël rulotë. Jeta këtu është më e vështirë. Shumë shtëpi nuk kanë pajisje hidraulike brenda, por vetëm banjë jashtë. Disa familje bëjnë një rrugë të gjatë në dimër, vetëm për të marrë dru dhe qymyr. Uji nxirret nga puset e komunitetit. Shumë rrugë janë të pashtruara dhe nuk janë të shënuara në hartë. Si fëmijë në rezervat, unë e pranova situatën dhe nuk mendova se ishte e vështirë. Tani, unë me familjen e kuptojmë se sa shumë mund dhe energji kërkohen vetëm për të kryer nevojat e jetës së përditshme.

Megjithëse amerikanët indianë ushtrojnë juridiksionin e tyre në rezervate, prapëseprapë edhe ata ndeshen me të njëjtat probleme që vuajnë të gjitha qeveritë: konfliktet e brendshme, favorizimi, mungesa e fondeve, shpërdorimi i të ardhurave të të tjerëve dhe madje krimi mes zyrtarëve dhe udhëheqësve të tyre. Indianët përballojnë kamzhikun e alkoolizmit, të abuzimit të drogës, të papunësisë, të abuzimit në shtëpi dhe të problemeve martesore dhe familjare. Disa fajësojnë akoma të bardhët për situatën e tyre të tanishme, ndërkohë që të bardhët vuajnë nga të njëjtat plagë. Megjithatë, pavarësisht nga presioni në familje, nga miqtë dhe anëtarët e tjerë të fisit, shumë indianë amerikanë po i përgjigjen veprës së arsimimit biblik, që kryhet nga Dëshmitarët e Jehovait. Ata e kuptojnë se miqësia me Perëndinë vlen të paguhet me çdo çmim. Shumë prej tyre përshkojnë më shumë se 120 km vetëm vajtje, për të marrë pjesë në mbledhjet e krishtere. Ne jemi të lumtur që po ndajmë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë me indianët nevajo dhe hopi.

Unë shikoj përpara drejt ditës, kur sundimi i Jehovait «do të çojë në rrënim ata që rrënojnë tokën» dhe kur i gjithë njerëzimi i bindur do të jetojë përgjithmonë së bashku në paqe dhe harmoni si një familje e bashkuar. Atëherë jeta do të jetë siç dëshiroja unë, kur isha një djalë çipeua, në Kanada. (Zbulesa 11:18, BR; 21:1-4)​—Treguar nga Bërtën Mekerçi.

[Shënimi]

a Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.; tani nuk shtypet më.

[Figura në faqen 13]

Unë kërkoja përgjigje për pyetjet që kisha mbi Perëndinë

[Figurat në faqen 15]

Lart: Familja ime dhe në të majtë, një mik nevajo

Poshtë: Shtëpia jonë rulotë pranë Sallës së Mbretërisë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo