Një botë pa lakmi
«PA BËRË një revolucion tërësor në sferën e ndërgjegjes njerëzore, asgjë nuk do të ndryshojë për të mirën e njerëzimit dhe katastrofa drejt së cilës është drejtuar bota . . . do të jetë e pashmangshme.»—Vaslav Havel, president i Republikës Çeke.
Shumë njerëz e pranojnë se rregulli i tanishëm botëror nuk mund të mbijetojë. Disa si Vaslav Havel, shohin si zgjidhje të vetme, ndryshimin tërësor të mënyrës së të menduarit dhe të të vepruarit njerëzor. Për shembull, një vëzhgues i skenës botërore kohët e fundit, thotë: «Për qindra milionë të varfër të pashpresë, perspektiva për ushqim dhe nevoja të tjera jetësore nuk do të jetë më e mirë . . . nëse kombet e botës nuk do të ndërmarrin me vendosmëri veprime për të ndryshuar tendencat e tanishme.»—Food Poverty & Power.
Megjithatë, a është realiste t’i vëmë shpresat tona për të mbijetuar në ndonjë lloj të ndryshimit themelor në natyrën njerëzore? A mund të besojmë me bindje tek qeveritë ‘se do të ndërmarrin me vendosmëri veprime për të ndryshuar tendencat e tanishme’? Disa mendojnë se po. ‘Perëndia na dha vullnetin e lirë dhe na përket neve t’i ndryshojmë gjërat’,—thonë ata. Por faktet e dhimbshme nga historia ngrenë dyshime serioze mbi dëshirën dhe aftësinë e njeriut për të bërë ndryshimet e nevojshme. Kjo pikëpamje nuk është pesimiste, por përkundrazi, është realiste. A do ta vinit jetën në duart e një kirurgu, kur e dini se të gjithë pacientët e mëparshëm që ka pasur, kanë vdekur?
Një problem i edukimit?
«Problemi ka të bëjë me edukimin»,—thotë Ted Treiner, në veprën e tij, Developed to Death—Rethinking Third World Development. Ai thotë se po të mos edukohen njerëzit, për të parë nevojën e ndryshimeve themelore, «nuk mund të shpresojmë të arrijmë tranzicionin drejt një rregulli botëror, që është i aftë për të mbijetuar». Pa dyshim që ekziston nevoja për t’i edukuar njerëzit, në lidhje me rëndësinë e një ndryshimi në qëndrime dhe në veprime, që bota të mbijetojë. Në fakt, ai është thelbësor dhe Bibla flet për këtë program edukimi. Ajo thotë se toka «do të mbushet me njohurinë e Jehovait». Më pas, askush nuk «do të bëjë asnjë dëm apo nuk do të shkaktojë asnjë rrënim» në të gjithë tokën.—Isaia 11:9, BR.
Por asnjë masë edukimi, madje as programi edukativ i Perëndisë, nuk do të shpëtojë në vetvete tokën nga njerëzit lakmitarë, të cilët bëjnë dëme të mëdha dhe shkaktojnë rrënimet e përhapura gjerësisht. Edukimi do të sjellë ndryshim, vetëm tek ata njerëz që duan të ndryshojnë, tek ata njerëz që duan të përputhen me normat e Perëndisë. Sipas Jezu Krishtit, ata janë një pakicë. (Mateu 7:13, 14) Në këtë mënyrë, Bibla nuk i bazon premtimet e saj për ndryshim në ndonjë shpresë iluzive se një ditë i gjithë njerëzimi do të bëhet i vetëdijshëm për përmasat e mëdha të problemit dhe do të ndryshojë rrugët e tij. Ajo thotë se Perëndia do të ndërmarrë një veprim të drejtpërdrejtë, për të çliruar tokën nga njerëzit lakmitarë.
Ndërhyrja nga Perëndia
Shumë njerëz e konsiderojnë një ëndërr apo një vegim këtë veprim të drejtpërdrejtë të ndërhyrjes nga Perëndia. World Hunger: Twelve Myths thotë: «Zhvillimi i menjëhershëm intelektual që ndodhi në shekullin e tetëmbëdhjetë, na detyroi që të braktisnim nocionin e rehatshëm se Perëndia do të ndërhynte dhe do të rregullonte shtëpinë njerëzore.» Por, a duhet ta vëmë besimin në argumentet intelektuale dhe në filozofitë e atyre, që kanë humbur besimin se «Perëndia do të ndërhyjë»? A nuk janë një vegim zgjidhjet e tyre intelektuale botërore?
Shpresën tonë për të mbijetuar është më e mençur që ta bazojmë në profecitë e pagabueshme që gjejmë në Bibël dhe që tregojnë ndërhyrjen nga ana e Perëndisë. Të besosh në premtimet e Perëndisë nuk është vetëm një «nocion i rehatshëm»; është e vetmja shpresë realiste që kemi për të mbijetuar!
«Në rrënim ata që rrënojnë tokën»
Çfarë premton saktësisht Perëndia? E pra, nga njëra anë, ai premton të eliminojë nga toka ata që ndotin dhe shkatërrojnë ambientin. Zbulesa 11:18 deklaron se ai ka një «kohë të caktuar» për «të çuar në rrënim ata që rrënojnë tokën». (BR) Çfarë nënkupton kjo? Nënkupton fundin për të gjithë ata që tani për tani shtypin të varfërit dhe të dobëtit. Perëndia ‘do të gjykojë të vuajturit e popullit, do të shpëtojë bijtë e të varfërit dhe do të dërrmojë mashtruesin’. Ai do të heqë qafe lakmitarët dhe do t’u japë mundësi të lulëzojnë viktimave të tyre të pafajshme. «Ai do të lirojë të varfërin që thërret për ndihmë . . . Ai do t’i shpengojë shpirtrat e tyre nga shtypja dhe nga dhuna.»—Psalmi 72:4, 12-14, BR.
Ç’ndryshim që do të sjellë kjo gjë! Sipas apostullit Pjetër, ky ndryshim do të jetë kaq i plotë, sa do të sjellë «qiej të rinj dhe një tokë të re». (2. Pjetrit 3:13, BR) Në këtë «tokë të re», çdokush do të gëzojë një sasi të majftueshme nga prodhimi i saj. (Mikea 4:4) Edhe tani, ka ushqim me bollëk për të gjithë. Problemi qëndron në shpërndarjen e pabarabartë. «Është përllogaritur se në zonat potencialisht të kultivueshme të globit mund të prodhohet mjaft, sa për të mbajtur 38-48 miliardë njerëz»,—thotë An Bukanan, në librin e saj Food Poverty & Power.
Ky planet do të mbijetojë. Krijuesi i tij «nuk e krijoi atë thjesht për asgjë, [por] e formoi madje për të qenë e banuar». (Isaia 45:18, BR) Veprimi i Perëndisë kundër njerëzve lakmitarë do të përbëjë një periudhë të shkurtër të «mjerimit të madh». (Mateu 24:21, BR) Të mbijetuarit e atij mjerimi, më pas do të gëzojnë një tokë parajsore, e cila do të jetë e populluar nga njerëz krejtësisht të liruar nga lakmia. (Psalmi 37:10, 11; 104:5) Do të jetë ashtu siç premton Bibla: «Zoti do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë.»—Isaia 25:8.
Ju mund të jeni një prej atyre njerëzve të lumtur që do të përfitojnë nga veprimi i Perëndisë, për të pastruar tokën nga lakmia. Nëse me të vërtetë dëshironi të bëni vullnetin e Perëndisë, shfrytëzoni çdo ndihmë, që sigurohet për t’ju ndihmuar që të mbijetoni tani në një botë lakmitare. Veproni për të mbijetuar nga «mjerimi i madh». Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm për t’ju ndihmuar që të mësoni se çfarë lypset të dini. Ndihuni i lirë për t’u lidhur me ta në Sallën lokale të Mbretërisë apo të shkruani në adresën më të afërt, mes atyre të shënuara në faqen 5.