BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 1/97 f. 16-20
  • Në kuzhinë mund të zbavitesh

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Në kuzhinë mund të zbavitesh
  • Zgjohuni!—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Duke mësuar në kuzhinën «klasë»
  • Gatimi është zbavitës!
  • Kompaktësia familjare
  • 2. Mbaj pastër çdo gjë
    Zgjohuni!—2012
  • Stërvitini fëmijët që në foshnjëri
    Sekreti i lumturisë familjare
  • Si t’i mbroni fëmijët tuaj
    Zgjohuni!—2007
  • Roli juaj si prind
    Zgjohuni!—2004
Shih më tepër
Zgjohuni!—1997
g 1/97 f. 16-20

Në kuzhinë mund të zbavitesh

«MOS m’u fut në kuzhinë!» Kështu janë qortuar shumë fëmijë të uritur, kur janë orvatur të shijojnë diçka para se të serviret. Por në vend se t’i mbajnë ata jashtë, prindërit kanë arsye për t’i ftuar fëmijët e tyre brenda në kuzhinë. Përse? Sepse kuzhina është vërtet një klasë e këndshme.

Kuzhina është një vend ku fëmijët mund të zhvillojnë krijimtarinë dhe aftësinë e zgjidhjes së problemave, një vend ku ata mund të mësojnë t’u shërbejnë të tjerëve dhe të punojnë si pjesë e një skuadre, një vend ku mund të bëhen në mënyrë spontane biseda domethënëse e që të prekin zemrën, një vend ku mund të rrënjosen në heshtje vlera që mbahen thellë përbrenda. Po, në raftet e mbushura plot e përplot dhe sirtarët e sergjeneve të çdo kuzhine ka shumë gjëra të vlefshme që mund të mësohen dhe zbatohen, gjatë përgatitjes së vaktit tjetër.

Përse ta përdorësh kuzhinën gjatë kësaj epoke të teknologjisë dhe të informacionit si vend për stërvitjen e fëmijëve? Përgjigjja është koha. Shumë prindër e pranojnë se nuk ka gjë më të mirë, sesa të kalojnë kohë me fëmijët e tyre, madje shumë kohë!a Problemi është ku ta gjejnë atë. Disa autoritete i nxisin prindërit që ta konsiderojnë punën e zakonshme që bëjnë rreth shtëpisë, si një mundësi për t’i bërë gjërat bashkë me fëmijët e tyre dhe për t’i edukuar ata. Kjo gjë pajtohet me një urdhër që u dha Perëndia prindërve në kombin e lashtë të Izraelit: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj, do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.»—Ligji i përtërirë 6:6, 7.

Meqë sido që të jetë, ne duhet të harxhojmë kohë në kuzhinë në mënyrë të rregullt, duket se ajo është një vend i jashtëzakonshëm për ndarjen e aktivitetit familjar. Dhe ndryshe nga shëtitjet speciale, të cilat shpesh duhet të presin derisa të kemi kohë, energji apo para për t’i programuar, oreksi i mirë nuk pranon të shtyhet për më vonë. Përveç kësaj, kuzhina ushtron një tërheqje të natyrshme për fëmijët. Në fund të fundit, ku tjetër janë stërvitur ata për të përdorur thikat me kujdes dhe enët e tjera? Duke luajtur, fëmijët mund të bëjnë në ndonjë rast edhe një rrëmujë! Por, çfarë gjërash na ofron kuzhina për të mësuar?

Duke mësuar në kuzhinën «klasë»

Luiz Smith, e njohur nga nxënësit e saj katërvjeçarë si Zonja e kekëve me xhenxhefil, bëri këtë vërejtje të bazuar në përvojën e saj 17-vjeçare në artin e mësimit të gatimit fëmijëve të vegjël: «Ushqimi përbën një vegël të madhe mësimore, pasi është diçka që të gjithë fëmijët e kuptojnë. Shqisat e tyre të të nuhaturit, të të shijuarit dhe të të prekurit janë kaq të mprehta tek moshat e reja, saqë ata zhyten në të plotësisht; dhe me anë të ushqimit mund të mësohet akustika, matematika dhe aftësitë e zgjidhjes së problemave.» Zbrazja, copëtimi, qërimi, shoshja, përzierja dhe shtrimi i petëve i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë shkathtësinë e duarve dhe bashkërendimin e syve me duart. Ndarja (vënia e rrushit të thatë dhe e arrave në grumbuj të ndarë) dhe radhitja (fiksimi i gotave me masë sipas radhës) mësojnë koncepte që shërbejnë si baza për mësimin e matematikës. Ndjekja e udhëzimeve në një recetë gatimi është një ushtrim për përdorimin e numrave, të masave, të kohës, të logjikës dhe të gjuhës. Dhe nuk mund të merret guximi për të hyrë në botën e ndërlikuar dhe të mbushur plot me rreziqe të kuzhinës, pa mësuar diçka për sigurinë, përgjegjësinë, organizimin personal dhe punën e bashkërenduar.

E rëndësishme është edhe vlera e mësimit të gatimit. Nuk është e pazakontë që fëmijët, të cilët fillojnë duke ndihmuar në kuzhinë, janë në gjendje të përgatisin të gjithë vaktin, që kur arrijnë adoleshencën. Përse të mos e mirëpresin këtë gjë në ndonjë rast prindërit e zënë me punë? Për më tepër, gatimi i ndihmon të rinjtë, që të zhvillojnë vetëbesimin dhe aftësinë për t’i dalë zot vetes, cilësi këto që mund t’u sjellin atyre dobi, kur më vonë të marrin përgjegjësitë e një të rrituri, të martuar apo beqarë qofshin.—Krahaso 1. Timoteut 6:6.

Li, i cili mbeti beqar deri në moshën 30 vjeç, sjell ndër mend: «Nëna filloi të më stërviste në zakonet themelore të kuzhinës, që kur isha gjashtë vjeç. Në fillim, më pëlqente të bëja kryesisht biskota, kek dhe ëmbëlsira të tjera. Por, që nga koha kur mbusha nëntë vjeç, isha në gjendje të planifikoja dhe të përgatisja një vakt të tërë për gjithë familjen dhe këtë gjë e bëra në një bazë të rregullt. Më vonë, kur isha beqar, kuptova se të dish të bësh një shumëllojshmëri punësh shtëpie, duke përfshirë këtu edhe gatimin, e bën jetën më të lehtë. Dhe pa dyshim do të thosha se kjo gjë ka kontribuar, që tani të gëzoj një martesë të suksesshme.»

Gatimi është zbavitës!

Si mund ta gjejë prindi kohën për të stërvitur fëmijët në kuzhinë? Një nënë sugjeron programimin e një kohe, kur ka sa më pak shpërqendrime që të jetë e mundur. Nëse keni disa fëmijë, ndoshta mund të punoni me ta, duke i marrë një nga një me radhë, në kohën kur sapo fillojnë të mësojnë për kuzhinën. Për ta bërë këtë, gjeni një kohë kur fëmijët e tjerë janë duke marrë një sy gjumë apo janë në shkollë. Planifikoni të harxhoni më shumë kohë, sesa kur gatuani vetëm. Dhe përveç kësaj, përgatituni të zbaviteni në kuzhinë!

Për sesionin e parë, mund të lini fëmijën që të zgjedhë diçka që i pëlqen të hajë. Gjeni një recetë të thjeshtë gatimi, që nuk ha shumë kohë. Sigurohuni se në të përfshihen detyra, të cilat ai apo ajo mund t’i çojë në fund me sukses.b Që fëmija të mos mërzitet, gjejini që më përpara disa nga ingredientët dhe enët që nevojiten. Madje, ju mund të përgatitni pjesërisht që më përpara disa nga ingredientët, me qëllim që sesioni të mos zgjatet shumë dhe të mos bëhet i mërzitshëm.

Lexojeni recetën bashkë me fëmijën nga fillimi në fund, duke i treguar se si të kryejë secilën nga detyrat. Lërini fëmijës vendin e vet në kuzhinë, ndoshta një sirtar, dy tasa dhe disa enë, si dhe jepini atij një përparëse. Në vend se t’i jepni djalit për të veshur një përparëse grash, mund të merrni për të një përparëse kuzhinieri. Theksoni që në fillim rëndësinë e sigurimit dhe vini rregulla të arsyeshme për kuzhinën.—Shikoni kutinë me titull «Mësimi i parë: Sigurimi», në faqen 18.

Mbi të gjitha, mundohuni ta bëni gatimin zbavitës. Mos e lini fëmijën vetëm që t’ju shikojë, por çojeni që të lajë duart dhe t’i përdorë ato për të përgatitur në kuptimin e vërtetë ushqimin. Jepini atij mundësinë që të shqyrtojë, të eksperimentojë dhe të bëjë pyetje. Dhe kur një pjatë nuk del e përsosur, mos u mërzitni. Nëse fëmija e ka bërë vetë, ka shumë mundësi që ta hajë sido që të jetë!

Kompaktësia familjare

Pa dyshim, dobitë më të mëdha që duhet të vijnë nga kuzhina përfshijnë unitetin dhe vlerat e familjes. Mund të keni vërejtur se në disa familje sot, anëtarët e saj janë të zënë me aktivitetet e tyre të ndara, duke mos pasur shumë kontakt real me njëri-tjetrin. Nën rrethana të tilla, shtëpia mund të kthehet në një stacion, në një pikë furnizimi. Në kontrast me këtë, një familje që gatuan së bashku, ka më shumë të ngjarë që të hajë bashkë dhe të pastrojë bashkë. Këto aktivitete u sigurojnë atyre një mundësi të rregullt për të komunikuar, për të bashkëvepruar dhe për të mbajtur lidhje me njëri-tjetrin. «Disa nga bisedat më të mira që kam bërë me djemtë, ishin gjatë kohës që qëndroja në lavapjatën e kuzhinës»,—kujton një nënë. Kurse Herman, një baba i krishterë, shton: «Me qëllim nuk morëm për disa vjet pjatalarëse, kështu që pjatat duheshin larë dhe fshirë me dorë. Djemtë i kishim caktuar që t’i thanin, duke e bërë me radhë. Nuk kishte kohë më të mirë për biseda joformale.»

Po, koha që kaloni bashkë me fëmijët në kuzhinë javë pas jave dhe vit pas viti, siguron një bazë mbi të cilën mund të zhvillohen vlerat frymore dhe cilësitë hyjnore. Pikërisht gjatë këtyre çasteve të shtendosura të kompaktësisë mund të ngjallen natyrshëm bisedat zemër me zemër ndërmjet prindit e fëmijës dhe në zemrën e tij mund të lërë gjurmë në heshtje ndikimi i shembullit të prindit. Kjo stërvitje mund t’i sjellë dobi fëmijës për gjithë jetën, sepse Proverbat 22:6, thotë: «Stërvite djalin sipas rrugës për të; edhe kur të plaket, ai nuk do të largohet prej saj.»—BR.

Prandaj, nëse si prind, ju po kërkoni mënyra për të kaluar më shumë kohë me fëmijët, përse të mos i ftoni që t’ju ndihmojnë për të bërë një kek apo një vakt të tërë? Ndoshta do të kuptoni se puna me ta në kuzhinë, është një mjet për të ushqyer dhe për t’i kushtuar kujdes prindëror familjes suaj.

[Shënimet]

a Për një trajtim të kësaj teme, shikoni artikullin e botuar në anglisht «‘Koha cilësore’ e ndarë në sasi të kufizuar», në numrin e revistës Zgjohuni! 22 maj 1993, faqet 16-17.

b Për t’u shprehur më shkurt, këtej e tutje fëmijës do t’i drejtohemi me «ai». Por informacioni vlen po njësoj edhe për vajzat.

[Kutia në faqen 18]

Mësimi i parë: Sigurimi

Jini i vetëdijshëm për sigurimin:

• Shpjegoni rreziqet e punës në kuzhinë në një mënyrë serioze, por jo frikësuese, ashtu siç do të shpjegonit rreziqet e trafikut në një rrugë me shumë lëvizje. Lini vetë një shembull të mirë.

• Siguroni mbikëqyrje prej të rrituri, kurdoherë që fëmijët punojnë në kuzhinë. Mos e lejoni fëmijën të përdorë asnjë enë apo pajisje, sidomos elektrike, derisa të mund t’i përdorë ato me siguri.

• Mbajeni kuzhinën në rregull. Pastroni ato që janë derdhur dhe rregulloni menjëherë rrëmujën. Kafshët dhe gjëra të tjera që krijojnë shpërqendrim, duhen mbajtur jashtë kuzhinës, gjatë kohës që gatuani.

Mbroni gishtat:

• Pajisjet elektrike shtëpiake, siç janë rrahësit elektrikë, përzierësit dhe kombinati i kuzhinës, duhen përdorur vetëm nën mbikëqyrjen e një të rrituri. Sigurohuni se pajisja është stakuar dhe hequr nga priza para se fëmija të vendosë diçka në pajisjet elektrike të kuzhinës.

• Mbajini thikat të mprehura, pasi një thikë e pamprehur kërkon më shumë presion e për këtë arsye ka më shumë mundësi për të rrëshqitur.

• Kur fëmija mëson të përdorë thikën, ai duhet të ndjekë këto hapa: (1) kapeni thikën nga bishti, (2) vendoseni thikën në ushqim, (3) vëreni dorën tjetër në anën e prapme të thikës dhe (4) ushtroni presion për të prerë ushqimin.

• Përdorni një dërrasë për të prerë. Që të mos rrokullisen perimet rreth e rrotull, ndërsa fëmija mundohet që t’i presë, ndajini ato në fillim përgjysmë dhe vendosini në dërrasën e prerjes nga ana e sheshtë.

Kujdes nga djegiet:

• Gjithmonë fikni stufën dhe çelësat, kur ato nuk janë në përdorim. Peshqirët, librat e gatimit dhe kapëset e tenxhereve, mbajini larg nga stufa.

• Vendosni bishtin e tiganit nga qendra e stufës, në një pozicion, ku nuk mund të përplaset lehtë e të derdhet.

• Nëse e lejoni fëmijën që të punojë me stufën, sigurohuni se ai qëndron në një sipërfaqe të qëndrueshme dhe të patundur.

• Mos kapni gjëra të nxehta, po të mos dini më parë se ku do t’i vendosni. Sigurohuni se të tjerët në kuzhinë e dinë, kur ju keni në dorë diçka të nxehtë, sidomos nëse do të ecni pas tyre.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo