Në veshët e një vogëlusheje
NJË ditë, kur unë isha e vogël, një burrë i fisshëm na vizitoi në shtëpi, në Kobërn, Virxhinia, SHBA, dhe ndërsa ai fliste me babain, shoku i tij fliste me mua për të më mbajtur me fjalë. Fjalët e tij përshkruanin figurën e një toke parajsore, ku unë do të mund të luaja me kafshët e egra që nuk do të më kërcënonin. (Isaia 11:6-9) Ai më shpjegoi madje se nuk do të vdisja, por mund të jetoja përgjithmonë pikërisht këtu në tokë. E ardhmja më tingëlloi e mrekullueshme! Ato që më tha ai burrë në lidhje me jetën në tokë, lanë një mbresë të thellë tek unë.—Isaia 25:8; Zbulesa 21:3, 4.
Një dëshirë e zjarrtë për fenë
Prindërit, të cilët kishin shumë probleme martesore, pak vite më pas u divorcuan dhe unë jetoja me nënën. Asaj s’i interesonte aspak feja. Kështu, shkoja vetë në shkollën e së dielës, në çdo kishë që ishte brenda distancës në këmbë nga shtëpia jonë. S’kaloi shumë kohë e nëna u martua përsëri dhe ne u transferuam bashkë me njerkun në shtetin Indiana. Megjithatë, çdo verë kthehesha në Virxhinia për të vizituar babain.
Menjëherë pas divorcit, babai u bë mormon dhe u përpoq të rrënjoste tek unë fenë e tij të sapogjetur. Gjatë verës së 1960-s, në moshën tetëvjeçare, ai më pagëzoi. Sidoqoftë, kur isha në Indiana, frekuentoja çdo kishë që gjendej afër shtëpisë. Që të gjitha mësonin se nëse ishim të mirë, do të shkonim në qiell e nëse ishim të këqinj, do të shkonim në ferr, ku do të torturoheshim. Meqenëse nuk mendoja se ndokush do t’i kuptonte ndjenjat e mia lidhur me dëshirën për të jetuar në tokë e jo në qiell, nuk fola me askënd për to.
Kur unë kisha mbushur 11 vjeç, babai u transferua në Oregon. Ndihesha e dërrmuar dhe shumë e fyer. Njerku ishte ateist dhe alkoolist e më ngacmonte shumë lidhur me ndjekjen e fesë. Ai më thërriste Zonjusha e vogël e përshpirtshme e kur unë nisja të qaja, ai thoshte: «Përse nuk e thërret Perëndinë tënd që të të ndihmojë?» Dukej se në shtëpi askush nuk e çante kokën për Perëndinë. Ato vite ishin të zymta e të vështira. Mbi mua abuzohej fizikisht, gojarisht dhe seksualisht. Gjeja ngushëllim duke folur me Perëndinë, pasi shumë herë ndieja se ai ishte i vetmi që kujdesej për mua.
Nëna u nda nga njerku dhe abuzimi mori fund me kaq. Megjithatë, ne ishim shumë të varfër dhe nëna e kishte të vështirë të na siguronte jetesën. Kur isha 13 vjeçe, ne u kthyem në Virxhinia për të vizituar tezen. Ajo ishte një grua e sjellshme, e sinqertë, anëtare e Kishës Baptiste. E doja shumë. Kur më kërkoi ta shoqëroja në kishë, pranova. Erdhi edhe mami dhe më kujtohet se sa e mrekullueshme ishte që kisha me vete atje edhe familjen. Nga fundi i vizitës sonë, kisha frikë të kthehesha në shtëpi. Druaja se nëse kthehesha, do të përfshihesha në imoralitet. Prandaj, iu luta tezes të më mbante dhe nëna më la të qëndroja.
Tezja më solli një Bibël të versionit King Xhejms. Isha shumë krenare për të dhe çdo natë lexoja pjesë prej saj. Në kapitullin e fundit të Biblës lexova se «nëse ndonjë njeri do t’u shtojë këtyre gjërave, Perëndia do t’i shtojë atij plagët që janë shkruar në këtë libër». (Zbulesa 22:18, 19, King James Version) Kështu, arsyetova: «Si mund të besoj se Libri i Mormonëve është pjesë e Shkrimeve të shenjta?» Prandaj, vendosa të bëhesha baptiste.
Megjithëse jam e sigurt se babai ishte mërzitur, kur i shkrova dhe i tregova vendimin tim, komenti i vetëm që më bëri qe se ishte i gëzuar që shkoja në kishë. Shpesh e shoqëroja pastorin tonë baptist në shtëpitë e njerëzve, për t’i ftuar në mbledhjet tona rigjallëruese që mbaheshin në tendë. Mendoja se po bëja vullnetin e Perëndisë, duke i vizituar njerëzit në shtëpitë e tyre dhe duke u folur atyre, ashtu siç bëri Jezui.
Megjithatë, ende më fanitej si hije dëshira për të jetuar në një parajsë tokësore, në vend se në qiell. Por më pas, lexova fragmentin e mëposhtëm biblik dhe ai më dha shpresë: «Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket.»—Mateu 7:7, 8.
Martesa dhe një familje
Një vit më pas, u ktheva në Indiana për të jetuar me nënën. Kur isha ende vetëm 15 vjeçe, u martova, mbeta shtatzënë dhe mora rrugën me autobus për në Kaliforninë jugore. Nuk e njihja mirë familjen e burrit, por doja të pranohesha prej tyre. Ata ishin pentekostalë dhe motra e madhe e burrit më foli për dhuratën e të folurit në gjuhë. Kështu, kur shkova një natë me ta në ceremoninë e lutjes, u luta që të më lejohej të flisja në gjuhë.
Befas, një ndjenjë e çuditshme më pushtoi gjatë ceremonisë. Fillova të dridhesha e tëra dhe gjuha nisi të llomotiste në mënyrë të pakontrollueshme. Predikuesi thoshte duke bërtitur se fryma po vinte mbi mua dhe nisi të më godiste lehtë me dorë nga prapa. Pas kësaj, të gjithë m’u hodhën në qafë dhe më thanë se sa e mrekullueshme ishte që Perëndia më kishte përdorur në këtë mënyrë. Por unë ndihesha e pështjelluar dhe e tmerruar. Nuk ia kisha idenë se çfarë kisha thënë.
Pak më pas, pata komplikacione gjatë dhimbjeve të lindjes së fëmijës së parë. Pastori i kishës i tha tim shoqi se Perëndia po m’i shtonte dhimbjet e lindjes, ngaqë ai nuk ishte i krishterë. Burri erdhi tek unë me sy të përlotur dhe më tha se do të pagëzohej, nëse unë mendoja që kjo gjë do të m’i pakësonte dhimbjet e lindjes. I thashë se isha plotësisht e sigurt se Perëndia nuk u bënte njerëzve shantazh për t’i shërbyer atij.
Lënia e kishës
Një të shtunë pas predikimit të tij, pastori i kërkoi kongregacionit kontribute. Kisha kishte nevojë të riparohej, për shkak të dëmit të shkaktuar nga një tërmet i kohëve të fundit. Kur kaloi pjata për mbledhjen e parave, lashë në të të gjitha paratë që kisha. Pasi numëroi lekët, pastori në vend se ta falënderonte kongregacionin, i këshilloi ata të hapnin xhepat dhe zemrat për këtë çështje të denjë. Më pas, e kaloi pjatën përsëri. Nuk më gjendeshin më para, kështu që e gjendur në pozitë të vështirë e kalova pjatën me nxitim. Pastori numëroi shpejt edhe një herë paratë dhe përsëri pa falënderuar tha se nuk mjaftonin. «Sigurisht që askush nuk do të dalë, pa mbledhur paratë e nevojshme për të bërë veprën e Perëndisë»,—tha ai.
Jashtë më priste burri dhe e dija se po i soste durimi. Nuk ishte ai i vetmi. Edhe mua po më soste durimi nga mungesa e mirënjohjes nga ana e pastorit. Kështu, me fëmijën në krahë dhe me lotët që më rridhnin nëpër faqe, dola nga kisha në sy të të gjithëve. U betova se nuk do të përzihesha më kurrë me ndonjë kishë. Megjithëse e lashë vajtjen në kishë, besimin në Perëndinë nuk e braktisa. Prapëseprapë e lexoja Biblën dhe mundohesha të isha një grua e mirë.
Mësimi i së vërtetës biblike
Pas lindjes së fëmijës sonë të dytë, miqtë tanë që u transferuan në Teksas, i folën pronarit të banesës që shtëpinë ku jetonin ata, të na e lëshonte ne me qera. Kur mikesha ime që quhej Pat, po nisej, më tha se një grua i detyrohej asaj për ca para dhe se do t’i bënte një vizitë me to. Pati më kërkoi që t’ia postoja asaj në Teksas. Pak ditë më vonë, dy gra trokitën në derë. Duke menduar se ishin ato që kishin paratë e Patit, i ftova menjëherë brenda. Shpjegova se Pati ishte transferuar dhe se më kishte thënë mua se ato do të ndaleshin aty. «Shumë e këndshme,—tha Sharlin Perrin, njëra nga gratë.—U kënaqëm vërtet në studimin me Patin.»
«Çfarë?—pyeta.—Studim? Duhet të jeni gabuar.» Sharlina më shpjegoi se ato kishin filluar një studim biblik me Patin. Pasi mësoi se Pati ishte transferuar, Sharlina më pyeti nëse kisha dëshirë të studioja Biblën. «Sigurisht,—u përgjigja me besim në vetvete.—Do t’ju mësoj çdo gjë që dëshironi të dini.» Isha krenare për leximin e Biblës që kisha bërë dhe mendova se mund t’i inkurajoja.
Sharlina më tregoi librin E vërteta që të çon në jetën e përhershme dhe lexuam Psalmin 37:9: «Të ligjtë do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Jehovai do të zotërojnë tokën.» (BR) Unë u befasova. Pikërisht në Biblën time thuhej se njerëzit do të zotëronin tokën. Pas kësaj, një lumë pyetjesh vërshuan të gjitha përnjëherësh. Sharlina buzëqeshi e më tha: «Ej, merre më shtruar! Pyetjet e tua do të marrin përgjigje njëra pas tjetrës.» Ajo shpjegoi nevojën për një studim biblik të rregullt e sistematik. Më ftoi menjëherë në Sallën e Mbretërisë, siç quhej vendi i mbledhjeve të Dëshmitarëve të Jehovait.
I tregova Sharlinës përvojën time me pjatën e mbledhjes së parave dhe se nuk doja të shkoja më në kishë. Ajo foli me mua për Mateun 10:8, ku thuhet: «Falas morët, falas jepni.» Ajo shpjegoi se në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait nuk kalohet ndonjë pjatë për mbledhjen e parave dhe se të gjitha kontributet janë vullnetare. Më tha, gjithashtu, se në sallë ka një kuti kontribucioni dhe se njerëzit që dëshirojnë mund të hedhin në të kontribute. Vendosa t’i jepja edhe një mundësi tjetër fesë.
Gjatë studimit, mësova arsyen përse isha ndier aq në siklet, kur kisha folur në gjuhë në Kishën Pentekostale. Dhurata e Perëndisë për të folur në gjuhë të ndryshme u ishte dhënë të krishterëve të hershëm, për të dhënë prova se ata kishin frymën e tij të shenjtë. Kjo dhuratë e mrekullueshme i shërbente, gjithashtu, qëllimit praktik të vënies në dispozicion të të vërtetave biblike njerëzve të vendeve të ndryshme, të cilët ishin mbledhur së bashku në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. (Veprat 2:5-11) Gjithsesi, Bibla thotë se dhurata e Perëndisë lidhur me të folurit në gjuhë do të ndalej, gjë që ka të ngjarë të ketë ndodhur pas vdekjes së apostujve. (1. Korintasve 13:8) Por për të verbuar mendjet e njerëzve, Satanai dhe demonët e tij kanë bërë që disa të llomotisin në një mënyrë të tillë jokoherente, që i ka bërë shumë persona të besojnë se këta kanë frymën e shenjtë të Perëndisë.—2. Korintasve 4:4.
Kundërshtimi nga familja
Shpejt arrita të kuptoja qëllimin e Perëndisë për tokën dhe se unë nuk duhej të isha pjesë e botës së ligë. (Gjoni 17:16; 18:36) Mësova, gjithashtu, se duhej të shkëpusja të gjitha lidhjet me Babiloninë e Madhe, e cila është një simbol që përdoret në Bibël për perandorinë botërore të fesë së rreme. (Zbulesa 18:2, 4) Kur i thashë babait se po pagëzohesha, por këtë herë si Dëshmitare e Jehovait, ai u ndie shumë keq. M’u lut të mos bëhesha Dëshmitare. Ishte hera e parë që e shihja të qante. Qava edhe unë me të, sepse vërtet nuk doja ta lëndoja. Por e dija se kisha gjetur të vërtetën dhe se kurrë nuk mund t’i ktheja shpinën Jehovait.
E gjithë familja ishte kundër që unë të bëhesha Dëshmitare e Jehovait. Për ca kohë nuk merrja pjesë në mbledhje. Kjo gjë e qetësoi kundërshtimin e anëtarëve të familjes, por unë ndihesha sa s’ka më keq. E dija se kurrë nuk do të gjeja prehje, derisa të bëja vullnetin e Jehovait. Një ditë, në pushimin e drekës, u ndala në shtëpinë e Sharlinës dhe i thashë se duhej të pagëzohesha. «A nuk mendon se duhet të fillosh të vish në fillim në mbledhje?»—pyeti ajo. I thashë se kësaj here isha e vendosur se asgjë nuk do të vihej mes meje dhe Jehovait. Më 19 shtator 1973 u pagëzova.
Kjo ndodhi mbi 23 vjet më parë. Lumturisht, qysh prej asaj kohe familja ime e ka respektuar vendimin tim dhe asnjëri prej tyre nuk më bën presion që të lë të vërtetën, të cilën unë e çmoj shumë. Megjithatë, vajza ime e madhe, Kimi, është e vetmja që është bërë deri tani Dëshmitare. Shërbimi i saj besnik ndaj Jehovait ka qenë një burim i madh inkurajimi për mua gjatë gjithë viteve.
Një takim i paharrueshëm
Në 1990-n, kur u ktheva në Kobërn të Virxhinias për një vizitë, i kërkova nënës që ta kthente makinën në Sallën e Mbretërisë, që të mund të shihja se në ç’orar fillonin mbledhjet të dielën. Sapo hymë në rrugicën e hyrjes për në sallë, ajo më tha se ne kishim jetuar në një shtëpi pikërisht pas sallës, matanë shinave të trenit. Shtëpia ishte djegur dhe kishte mbetur vetëm oxhaku me tulla. «Ti ishe e vogël atëherë,—më tha ajo,—jo më shumë se tre apo katër vjeçe.»
Të dielën, më mirëpritën me ngrohtësi në Sallën e Mbretërisë. Kur fola me Staford Jordan, rastësisht përmenda se kur kisha qenë fëmijë, kisha banuar në shtëpinë që ishte njëherë e një kohë pas Sallës së Mbretërisë. Ai më pa me vëmendje. «Më kujtohesh!—tha ai më zë të lartë.—Ti ishe një vajzë e vogël me flokë të shpupurisur, ja, kaq [ai bëri gjestin me dorën e tij]. Ne ishim duke punuar këtë territor, kur shoku im hyri në bisedë me babain tënd. Unë mundohesha të të mbaja me fjalë, duke të folur për Parajsën.»
Unë mbeta pa gojë. Zëri më bllokohej tek i tregoja rreth kërkimit tim për të vërtetën biblike. «Kur isha ende e vockël, ti mbolle farat e së vërtetës në zemrën time të vogël!»—i thashë. Më pas, ai më tha se kisha një të afërm nga ana e gjyshit nga nëna, Stefën Dinges, i cili kishte qenë një Dëshmitar i besueshëm. Familja nuk më kishte folur asnjëherë për të, pasi ata ishin shumë kundër tij. «Ai do të kishte qenë vërtet krenar për ty!»—tha vëllai Jordan.
Ndërsa hedh vështrimin në vitet që kam kaluar në organizatën e Jehovait, jam vërtet mirënjohëse për dashurinë dhe dashamirësinë që më është treguar. Po, ka akoma raste që kur gjendem në Sallën e Mbretërisë, duke parë familje që i shërbejnë Jehovait së bashku, më bën të ndihem disi e trishtuar, pasi shpesh jam atje e vetme. Por menjëherë kujtoj se Jehovai është me mua. Ai ishte gjithnjë duke më parë dhe kur zemra ishte në gjendje të pranonte të vërtetën, që ishte thënë në veshët e një vogëlusheje shumë vite më parë, ai e lejoi atë të mbinte e të lulëzonte.
«Faleminderit vëlla Jordan,—i thashë,—që harxhove kohë për t’i folur një çamarrokeje të vogël për Parajsën!»—Treguar nga Luis Lauson.
[Figura në faqen 13]
Me Staford Jordan kur e takova përsëri në 1990-n