BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 4/97 f. 21-23
  • Rraskapitja: Një kurth i padukshëm për kamionistët

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Rraskapitja: Një kurth i padukshëm për kamionistët
  • Zgjohuni!—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Shkaqet e rraskapitjes
  • Të njohim rrezikun
  • Kundërveprimi ndaj rrezikut
  • Aksidentet automobilistike: A jeni të mbrojtur nga ato?
    Zgjohuni!—2002
Zgjohuni!—1997
g 4/97 f. 21-23

Rraskapitja: Një kurth i padukshëm për kamionistët

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË GJERMANI

NDËRSA orët kalojnë njëra pas tjetrës, zhurma monotone e motorit të fuqishëm dhe zhurmëria e 14 rrotave mbi rrugë kombinohen për ta bërë të vështirë luftën e shoferit të kamionit kundër rraskapitjes. Vijat e rrugës rrëshqasin në heshtje nën dritën e fenerëve të kamionit. Papritur, rimorkio lëkundet sa nga një anë në tjetrën; ka filluar të devijojë nga rruga.

Me një të prerë të timonit, shoferi e manovron automjetin e tij 40 tonësh përsëri në rrugë. Tashmë i ardhur në vete, kupton se nuk mban mend atë që ka ndodhur disa sekonda më parë. Ai vuan nga rraskapitja.a

Kushdo që lufton kundër rraskapitjes, ndërsa është duke i dhënë makinës, mund të dremisë me lehtësi për disa çaste. Duke konsideruar rrugët e sotme të mbingarkuara, dremitja mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme, madje edhe për shoferët e tjerë. Për shembull, në Afrikën e Jugut, nga të gjitha aksidentet që përfshijnë automjete për ngarkesa të rënda, të cilat kanë ndodhur midis janarit 1989 dhe marsit 1994, më shumë se 35 përqind ishin shkaktuar nga shoferë që i kishte zënë gjumi duke i dhënë makinës.

Profesor Gerhard Shtoeker, një studiues mbi sjelljen e shoferëve, tha në revistën gjermane Fahrschule se rraskapitja në rritje çon në dremitje dhe ka efekte të ngjashme me ato të shkaktuara nga alkooli. Sigurisht, komentet e tij vlejnë për shoferët e çdo lloj automjeti, jo vetëm për kamionistët.

Shkaqet e rraskapitjes

Përse aksidentet lidhur me rraskapitjen ndodhin kaq shpesh, kur në shumë vende ligji sugjeron, apo edhe përcakton maksimumin e orëve që një shofer kamioni mund të kalojë duke i dhënë makinës? Sa për të filluar, duhet t’i hedhim një sy totalit të orëve të punës së kamionistëve, i cili përfshin jo vetëm kohën e harxhuar duke i dhënë makinës, por edhe kryerjen e detyrave të tjera. Këto orë pune janë shpesh të zgjatura dhe jo të rregullta.

Shumica e kamionistëve kënaqen kur e çojnë një punë nga fillimi në fund, gjë që do të thotë transportimin e mallrave një klienti në çfarëdo lloj moti. Efektshmëria matet nga largësia që do të përshkohet dhe nga ngarkesa që transportohet. Orët e punës mund të jenë shumë mbi mesataren. Në Gjermani shumica e njerëzve punojnë më pak se 40 orë në javë, por shumë kamionistë punojnë sa dyfishi.

Kushtet nuk janë më të mira në vendet e tjera. Në Afrikën e Jugut pagat janë të ulëta, kështu që shoferët përpiqen të shtojnë fitimet e tyre, duke udhëtuar më shumë orë. Raportet nga India tregojnë se, megjithëse shoqëritë e transportit u lejojnë shoferëve kohë të mjaftueshme për të përfunduar udhëtimin, shumë kamionistë i shtojnë fitimet e tyre duke marrë ngarkesa shtesë për më shumë destinacione, të cilat kërkojnë më shumë kohë duke i dhënë makinës. Atëherë, atyre u duhet të shkurtojnë orët e gjumit për të mbërritur në kohë në ndërmarrje.

Brenda Bashkimit Evropian, duke përdorur maksimumin e numrit të orëve të lejuara nga ligji, një kamionist mund të harxhojë në një javë 56 orë duke i dhënë makinës. Por, në javën që vijon, maksimumi i orëve të udhëtimit reduktohet në 34 orë. Orët e tij të punës, duke përfshirë kohën e harxhuar për ngarkimin dhe shkarkimin, regjistrohen nga një aparat matës. Ky regjistrim bën të mundur të kontrollohet nëse çdo shofer i përmbahet rregullave.

Një faktor tjetër që ndikon në sasinë e kohës së harxhuar duke i dhënë makinës, është pikëpamja e pronarit. Kamioni i tij paraqet një investim të kushtueshëm që duhet vënë mirë në përdorim, nëse është e mundur 24 orë në ditë, pa udhëtime me rimorkio bosh. Konkurrenca midis shoqërive të transportit po rritet dhe administratorët i vënë nën presion kamionistët për të punuar vullnetarisht me orë të zgjatura.

Rraskapitja vjen si rezultat i orëve të gjata të punës, por edhe kur këto orë pune fillojnë në orare jo normale. Për shembull, zakonisht puna fillon midis orës një dhe orës katër në mëngjes. Kjo është koha kur shumë shoferë janë në gjendjen më të rënë fizike dhe përqendrimi i tyre është aq i dobët sa s’ka ku të vejë më. Presioni rritet kur shoqëritë kliente i mbajnë stoqet në minimum, duke kërkuar shpërndarjen ‘tamam në kohë’. Kjo do të thotë se shoferi duhet të mbërrijë në pronën e klientit bashkë me ngarkesën, tamam në kohën e lënë dakord. Trafiku i rënduar, moti i keq dhe riparimet rrugore mund të shkaktojnë vonesa, të cilat shoferi duhet t’i kompensojë në ndonjë mënyrë.

Pavarësisht nga kufizimet mbi numrin e orëve të lejueshme për t’i dhënë makinës, kontrollet rrugore të rastit nga policia zbulojnë akoma shkelje të ligjit. Sipas revistës Polizei Verkehr & Technik, «pothuaj një në 8 shoferë kamionësh, autobusash dhe mjetesh të transportit të ngarkesave të rrezikshme, nuk i përmbahet numrit të orëve të përcaktuara për udhëtim dhe pushim. Gjatë një kontrolli të trafikut në Hamburg, policia zbuloi një kamionist, i cili kishte kaluar 32 orë duke i dhënë kamionit të tij pa bërë pushim».

Të njohim rrezikun

Një shofer i rrugëve të gjata, i cili transportoi ngarkesa ndërkombëtare për 30 vjet, u pyet mbi problemin e rraskapitjes. Ai vërejti: «Krenaria dhe siguria e tepërt në veten mund të bëjnë që një shofer ta shpërfillë rraskapitjen. Ja se si ndodhin aksidentet.» Shenjat e rraskapitjes janë renditur në kutinë në faqen 22.

Kuptimi i shenjave të para paralajmëruese mund të shpëtojë shumë jetë. Një studim në Shtetet e Bashkuara nga Bordi kombëtar për sigurinë e transportit zbuloi një statistikë alarmuese: Nga 107 aksidente kamionësh, ku nuk ishin përfshirë automjete të tjera, 62 ishin lidhur me rraskapitjen. Prandaj, industria e transportit i jep një rëndësi të madhe zhvillimit të ndihmuesve teknologjikë që japin një paralajmërim sa herë që një shofer fillon ta zërë gjumi.

Një firmë japoneze është duke punuar mbi një sistem elektronik, duke përdorur një video kamer që vëzhgon se sa shpesh i hap e i mbyll sytë shoferi. Për tepër hapje dhe mbyllje të ngadalshme një zë i regjistruar që më parë e paralajmëron shoferin për situatën e rrezikshme. Një shoqëri evropiane është duke punuar me një aparat që mat se sa shtruar i jep shoferi automjetit. Nëse kamioni do të tronditet, në kabinë do të tingëllojë një paralajmërim. Megjithatë, do të kalojnë ca kohë para se këto ndihma të efektshme të jenë në prodhim.

Kundërveprimi ndaj rrezikut

Rraskapitja ka qenë një pasagjer i paftuar dhe i padëshiruar gati në çdo automjet. Pyetja është si ta dëbojmë atë. Disa shoferë pijnë një sasi të madhe pijesh që përmbajnë kafeinë, vetëm për të zbuluar se rraskapitja ndjek akoma qëllimet e saj të pamëshirshme. Të tjerët u kthehen substancave stimuluese. Është e tepërt të themi se ato përfshijnë rreziqe për shëndetin. Në Meksikë, disa shoferë hanë çili (një spec shumë djegës) për të ndenjur zgjuar.

Para një nisjeje herët në mëngjes, është mirë të bëhet gjumë i mjaftueshëm. Dhe, si çështje parimi, një person duhet t’i përmbahet numrit të përcaktuar të orëve për t’i dhënë makinës. Në Afrikën e Jugut, ekspertët sugjerojnë një pushim pas çdo pesë orësh udhëtimi. Në pjesë monotone të rrugës, shoferi duhet ta mbajë mendjen aktive dhe të përqendruar. Disa shoferë dëgjojnë radion apo komunikojnë me shoferët e tjerë me anë të radiove ndërlidhëse. Një shofer, i cili është Dëshmitar i Jehovait dëgjon kaseta me tema biblike, siç janë Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! dhe fragmente nga Bibla. Sugjerime të tjera mund t’i gjeni në kutinë në këtë faqe.

Fitimi i mjaftueshëm sa për të plotësuar koston e jetesës po bëhet gjithnjë në rritje i vështirë, prandaj të qenët të ekuilibruar nuk është e lehtë. Disa firma apo administratorë e nënvlerësojnë rrezikun që përbën kurthi i rraskapitjes për shoferët. Për këtë arsye, çdo person i lidhur me biznesin e transportit, do të bënte mirë të mbante në mend atë që është mësuar deri tani rreth rraskapitjes. Përveç kësaj, shpesh shoferët kanë sugjerime nga vetë përvoja e tyre, të cilat mund të ndihmojnë të tjerët për të luftuar dremitjen.

Mënyra më e mirë për të qëndruar zgjuar, sigurisht, është që të plotësojmë kërkesat e trupit: Nëse diktoni ndonjë shenjë paralajmëruese, ndaloni në qëndresën e parë të mundshme dhe bëni pak gjumë. Pas kësaj, mund të ndërmerrni përsëri sfidën e vënies edhe një herë në udhëtim. Mos bini në kurthin e padukshëm të rraskapitjes!

[Shënimi]

a Meqë në Gjermani vetëm një numër i vogël kamionistësh janë gra, në këtë artikull është përdorur gjinia mashkullore.

[Kutia në faqen 22]

Shenja paralajmëruese që kërkojnë veprim të menjëhershëm

• Ju djegin ose ju mbyllen sytë?

• A vini re se jeni duke ëndërruar me sy hapur ose a po filloni të fantazoni?

• A ju duket rruga më e ngushtë, duke ju shkaktuar që të ngisni makinën në mes të rrugës?

• A keni një boshllëk në kujtesë për disa pjesë të udhëtimit?

• A është manovrimi i timonit dhe i frenave më i tepruar se normalisht?

Nëse i përgjigjeni po qoftë dhe vetëm njërës prej pyetjeve të mësipërme, do të thotë që keni nevojë të menjëhershme për pushim

[Kutia në faqen 23]

Në udhëtimet e gjata

• Bëni një gjumë të mjaftueshëm

• Mos u mbështetni tek substancat stimuluese

• Bëni rregullisht periudha pushimi, duke bërë ushtrime fizike për t’u çmpirë

• Mbani ndër mend se pjesët monotone të rrugës janë veçanërisht të rrezikshme

• Mos e filloni një udhëtim të uritur. Stërvituni me zakone të mira në të ngrënë; një mënyrë të ushqyeri të lehtë dhe të shëndetshme

• Pini një sasi të madhe lëngjesh, por shmangni alkoolin

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo