Veshkat tuaja: Një filtër për jetën
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË IRLANDË
TOKA dhe trupi njerëzor kanë diçka të përbashkët: Për të mbajtur gjallë jetën, nga të dyja kërkohet një filtër. Tokës i nevojitet mbrojtje nga bombardimet e vazhdueshme të rrezeve të dëmshme diellore. Shtresa e ozonit e atmosferës sonë i filtron këto, duke lejuar dritën të përshkojë tokën që të mbajë gjallë jetën. Por çfarë mund të thuhet për trupin tuaj? Shumë nga proceset kimike në trupin tuaj çlirojnë lëndë toksike dhe të padobishme në sistemin e qarkullimit të gjakut. Nëse lihen të qëndrojnë, këto do të shkaktojnë probleme serioze për ju, madje edhe vdekjen. Ato duhet të filtrohen vazhdimisht dhe të largohen.
Ky filtrim është një nga funksionet kryesore të veshkave tuaja. Por si mund t’i identifikojnë, izolojnë dhe largojnë lëndët e dëmshme këto organe të vogla, e megjithatë në të njëjtën kohë të sigurohen që elementet jetësore të mbeten për të ushqyer dhe furnizuar trupin tuaj? Dhe si mund t’i ndihmoni veshkat tuaja që t’ju mbajnë të shëndetshëm?
Çfarë ka brenda veshkave tuaja?
Njerëzit normalisht kanë dy veshka: secila e vendosur në njërën anë të shtyllës kurrizore në pjesën e poshtme të kurrizit. Secila është rreth 10 cm e gjatë, 5 cm e gjerë dhe 2,5 cm e trashë dhe peshon nga 110-170 g. Ndarja më dysh e veshkës nga maja në fund nxjerr në pah disa veçori të përcaktuara mirë, që shihen në figurat shoqëruese.
Për të përfytyruar se si punojnë veshkat, imagjinoni një stadium me mijëra spektatorë që vijnë për një ngjarje. Në fillim turma duhet të ndahet në një sasi të madhe radhësh të vogla. Pastaj, njerëzit në secilën radhë kalojnë një nga një përmes portave të sigurisë, ku individët pa bileta kthehen mbrapsht. Spektatorët me bileta kalojnë nëpër vendet e tyre të caktuara.
Ngjashëm, të gjithë elementët e shumtë që përbëjnë gjakun tuaj duhet të qarkullojnë nëpër tërë trupin. Megjithatë, ndërsa veprojnë kështu, ato duhet të kalojnë vazhdimisht nëpër veshkat tuaja, me anë të enëve të mëdha të gjakut, arterieve renale, një për çdo veshkë. (Shikoni ilustrimin në faqen 24.) Pas hyrjes në veshkë, arteria renale degëzohet në enë më të vogla në shtresën e brendshme dhe të jashtme të veshkës. Kështu, elementët e ndryshëm në gjakun tuaj janë kanalizuar në «radhë» më të vogla dhe më të lehta për t’u drejtuar.
Përfundimisht, gjaku arrin në grumbujt e vegjël, secila e përbërë nga rreth 40 nyje të puthitura, enësh gjaku shumë të vogla. Çdo grumbull, që quhet një glomerul, rrethohet nga një membranë dyshtresore e njohur si kapsula e Bowmanit.a Së bashku, glomeruli dhe kapsula e Bowmanit formojnë pjesën e parë të ‘portës së sigurisë’ të veshkës suaj, një nefron: njësia bazë filtruese e veshkës suaj. Në çdo veshkë gjenden mbi një milion nefrone. Por ato janë kaq të vogla saqë do t’ju nevojitej një mikroskop për të shqyrtuar njërën prej tyre!—Shikoni figurën e një nefroni, të zmadhuar shumë, në faqen 25.
Filtrimi dy-fazësh i gjakut tuaj
Rruazat e kuqe, rruazat e bardha të gjakut dhe proteinat janë të domosdoshme në sistemin e qarkullimit të gjakut. Ato e sigurojnë trupin tuaj me shërbime jetësore të tilla si: furnizimin me oksigjen, mbrojtjen dhe ndreqjen e dëmitmeve. Për të parandaluar humbjen e rruazave të kuqe, rruazave të bardha të gjakut dhe proteinave, faza e parë e filtrimit i ndan ato nga të gjithë elementet e tjerë. Kjo punë e specializuar kryhet nga kapsulat e Bowmanit. Por si?
Enët e gjakut, duke hyrë në glomerul ndahen në kapilarë të vegjël me mure shumë të hollë. Kështu, presioni i gjakut mund të shtyjë një sasi uji dhe molekula të tjera të vogla përmes membranave të holla të kapilarëve, jashtë sistemit të qarkullimit të gjakut dhe brenda kapsulës së Bowmanit dhe tubit të përdredhur të lidhur me të. Ky tub quhet «tubuli kontorti». Molekulat më të mëdha të proteinave dhe të gjitha qelizat e gjakut mbeten në rrjedhën e gjakut dhe vazhdojnë të rrjedhin përmes kapilarëve.
Tani filtrimi bëhet më përzgjedhës. Veshkat tuaja duhet të jenë krejtësisht të sigurta, që asgjë e vlefshme të mos i shpëtojë trupit! Në këtë pikë, lëngu që rrjedh nëpër tubul është një përzierje ujore, që përbëhet nga molekula të tretura të dobishme bashkë me lëndë të padobishme dhe të padëshirueshme. Qelizat e specializuara gjatë murit të brendshëm të tubulit identifikojnë molekula të dobishme, të tilla si: ujë, kripëra, sheqerna, minerale, vitamina, hormone dhe aminoacide. Këto kapen në mënyrë të efektshme, duke qenë të rithithura brenda murit të tubulit dhe të kthyera në rrjetin rrethues të kapilarëve për të rihyrë në sistemin e qarkullimit të gjakut. Kapilarët bashkohen përsëri si vena të vogla që pastaj kombinohen dhe bëhen një enë gjaku e quajtur venë renale. Me anë të saj gjaku, tani i filtruar dhe i pastruar, lë veshkën dhe vazhdon për të mbajtur gjallë jetën në trupin tuaj.
Nxjerrja e produkteve të padobishme
Por çfarë mund të themi për lëngun që mbetet në tubul? Qartësisht ky përmban lëndët që trupi juaj nuk i dëshiron. Ndërsa lëngu vazhdon të rrjedhë gjatë tubulit, drejt tubulit kolektor më të madh apo tubulit rekti, qeliza të tjera në murin e tubulit çlirojnë sekrecione shtesë brenda saj, duke përfshirë amoniak, kalium, ure, acid urik dhe ujë të tepërt. Produkti përfundimtar është urina.
Tubulat rekti bashkohen së bashku nga nefrone të ndryshme dhe çlirojnë urinë përmes çarjeve në majat e piramidave. Urina kalon në legenin renal dhe pastaj largohet nëpërmjet ureterit, tubi që lidh veshkën dhe fshikëzën. Urina depozitohet në fshikëz para se të dalë nga trupi.
Pavarësisht nga përmasat e tyre mikroskopike, më shumë se dy milionë nefrone në veshkat tuaja bëjnë një punë që të bën shumë përshtypje. The New Encyclopædia Britannica pohon: «Nefronet . . . filtrojnë rreth 5,5 litra të ujit që përmban gjaku çdo 45 minuta.» Ndërkohë që substanca të ndryshme rithithen dhe shumë procese përfundohen, një trup normal dhe i shëndetshëm nxjerr rreth 2 litra papastërti në formën e urinës çdo 24 orë. Çfarë sistemi filtrimi punëtor dhe i efektshëm!
Tregoni kujdes për veshkat tuaja!
Veshkat tuaja janë vetëpastruese dhe vetëmbrojtëse, të afta për të vepruar për një kohë të gjatë. Megjithatë, edhe ju duhet të luani pjesën tuaj, duke i ndihmuar ato të bëjnë punën e tyre. Një sasi e madhe uji duhet të kalojë përmes veshkave që trupi juaj të mbetet i shëndetshëm. Në të vërtetë, marrja e ujit të mjaftueshëm konsiderohet një mënyrë kryesore e parandalimit të infeksioneve dhe formimit të gurëve në veshka.b Pirja e ujit ndihmon, gjithashtu, sistemet e tretjes dhe kardiovaskular-vaskular, vë në dukje dr. C. Godek, kryetari i Departmentit të Urologjisë në spitalin Long Island College, Nju Jork.
Sa ujë duhet të pijmë? Dr. Godek dhe shumë doktorë të tjerë rekomandojnë që përveç marrjes me ushqime dhe pije të tjera, çdo person duhet të pijë të paktën 2 litra ujë çdo ditë. «Shumica e njerëzve janë të çhidratuar»,—tregon Dr. Godek për Zgjohuni! Ai vërejti se, për sa kohë që veshkat dhe zemra juaj nuk janë të sëmura, uji u bën mirë atyre. «Por ju duhet të pini mjaft ujë,—thotë Dr. Godek.—Shumica e njerëzve nuk bëjnë kështu.»
Disa e konsiderojnë ujin më të shijshëm po të ketë pak aromë të shtuar, si limon. Të tjerë preferojnë të shijojnë ujin e burimit apo ujin që është filtruar nëpërmjet qymyrit të aktivizuar. Sido që të jetë, uji i zakonshëm apo uji me shije të lehtë është më i mirë për veshkat tuaja se sa çdo pije tjetër. Në fakt, sheqeri në lëngjet e frutave dhe pijet e ëmbla rrisin nevojën e trupit për ujë. Pijet me përmbajtje alkooli apo kafeine i shkaktojnë trupit humbje uji.
Bërja zakon e pirjes së 2 litrave ujë në ditë, sigurisht mund të jetë një sfidë. Arsyeja është se, për shumë njerëz nuk është e përshtatshme dhe ndihen në siklet për faktin që duhet të përdorin banjën më shpesh se zakonisht. Por trupi juaj do t’ju falënderojë për bërjen e një përpjekjeje që është mbi të zakonshmen. Përveç ndihmës për të ruajtur shëndetin tuaj, pirja e ujit të mjaftueshëm mundet madje të përmirësojë pamjen tuaj të jashtme. Doktorët vërejnë se të ushqyerit e mirë dhe marrja e një sasie të lartë lëngjesh janë më të efektshme në mbajtjen e një lëkure të pashme se sa çdo lloj kremi për lëkurën. Mjerisht, mekanizmi ynë i etjes është i papërsosur dhe ky bëhet edhe më pak i ndjeshëm ndërsa rritemi. Kështu, ne nuk mund të mbështetemi vetëm në etjen për të treguar se sa ujë na nevojitet. Si mund të jemi të sigurt që kemi marrë sasinë e mjaftueshme të ujit? Disa e fillojnë ditën duke pirë dy gota ujë dhe pastaj në intervale të rregullta ata pijnë një gotë tjetër. Të tjerë mbajnë një enë të tejdukshme me ujë në vend të dukshëm dhe që e zë dora: një kujtuese për të marrë një gllënjkë periodikisht gjatë gjithë ditës. Çfarëdo metode që përdorni, pirja në sasi të madhe e ujit të pastër e të kulluar, është një mënyrë e mirë për të treguar vlerësim për veshkat tuaja: filtrin e mrekullueshëm që të mban gjallë.
[Shënimet]
a Në fillim të viteve 1840, kirurgu dhe histologu anglez William Bowman përshkroi këtë kapsulë të vogël dhe funksionimin e saj. Kapsula mori emrin e tij.
b Shikoni Zgjohuni! numrat e 22 gushtit, 1993, faqet 20-22 dhe 8 marsit, 1986, faqja 18, anglisht.
[Kutia në faqen 25]
Nefroni: Njësia bazë filtruese
NË ÇDO veshkë ka mbi një milion nefrone. Sistemi i tubulave që gjendet brenda çdo nefroni individual, arrin mesatarisht rreth 3 cm për së gjati dhe vetëm 0,05 mm për së gjeri. Megjithatë, nëse do të ishte e mundur për të shpërdredhur të gjitha tubulat e njërës veshkë, ato do të zgjateshin për rreth 30 km!
Kapsula e Bowmanit është në të vërtetë ana e lugët e «tubuli kontorti» të nefronit. Ky tubul rrethohet nga një rrjet enësh shumë të vogla gjaku të quajtura kapilarë. Tubuli drejtohet brenda një tubuli rekti më të madh, i cili nxjerr jashtë substancat e padobishme dhe toksike të filtruara nga nefroni.
[Diagrami në faqet 24, 25]
Vena renale çon gjakun e sapofiltruar brenda trupit
Arteria renale çon gjakun e pafiltruar në veshkë
Piramidat renale janë struktura konike që drejtojnë urinën për në pelvisin renal
«Korteksi renis» përmban glomerulin e çdo nefroni
Pelvis renalis është një hinkë që mbledh urinën dhe e kanalizon atë drejt ureterit
Ureteri çon urinën nga veshka drejt fshikëzës
[Diagrami në faqen 25]
Nefronet, rreth dy milionë filtra në formë gypash mikroskopikë, pastrojnë gjakun
Glomeruli
Urina mblidhet nga «tubuli kontorti», pastaj shkon në fshikëz
Kapsula e Bowmanit
Kapilarët