Të jetojmë me lumturi në folenë e zbrazët
«PËR shumë nga ne,—pranoi një prind,—ndarja përfundimtare është tronditëse, pavarësisht se sa të përgatitur jemi.» Po, pasi largimi i fëmijëve mund të jetë i paevitueshëm, kur kjo gjë ndodh faktikisht, mund të mos jetë kaq e lehtë për t’u përballuar. Një baba tregon për reagimin e tij pasi i tha mirupafshim të birit: «Për herën e parë në jetën time . . . , vetëm qava, e qava, e qava.»
Për shumë prindër, largimi i fëmijëve lë një boshllëk shumë të madh në jetën e tyre; një plagë të hapur. Të privuar nga kontakti i përditshëm me fëmijët e tyre, disa përjetojnë ndjenja të forta vetmie, dhimbjeje dhe humbjeje. Dhe prindërit mund të mos jenë të vetmit që e kanë të vështirë të përshtaten. Një çift, të quajtur Eduard dhe Avrel na kujtojnë: «Nëse në shtëpi ka edhe fëmijë të tjerë, edhe ata do të jenë duke e ndjerë humbjen.» Çfarë na këshillon ky çift? «Jepuni atyre kohën dhe kuptueshmërinë tuaj. Kjo do t’i ndihmojë që të përshtaten.»
Po, jeta vazhdon. Nëse do të kujdeseni për fëmijët që mbeten, për të mos përmendur punën tuaj dhe detyrimet në shtëpi, nuk mund t’ia lejoni vetes që hidhërimi t’ju pengojë. Le të shohim, pra, disa mënyra për të gjetur lumturi kur fëmijët tuaj largohen.
Përqendrohuni në anën pozitive
Sigurisht, nëse ndiheni të trishtuar ose të vetmuar dhe keni nevojë të qani ose t’ia hapni ndjenjat tuaja një mikut tuaj, bëjeni këtë me çdo kusht. Bibla thotë: «Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.» (Fjalët e urta 12:25) Disa herë të tjerët mund të japin një perspektivë të freskët mbi gjërat. Për shembull, një çift, Valdemari dhe Mariana këshillojnë: «Konsideroje këtë çështje jo si një humbje, por si arritjen e suksesshme të një synimi.» Sa mënyrë pozitive e të parit të gjërave! «Ne jemi të lumtur që jemi në gjendje t’i rritim djemtë tanë për t’u bërë të rritur të përgjegjshëm»,—thotë një çift, Rudolfi dhe Hilde.
A jeni përpjekur ta rritni fëmijën tuaj «në disiplinën dhe në rregullin mendor të Jehovait»? (Efesianëve 6:4, BR) Edhe nëse keni vepruar kështu, mund të jeni akoma në ankth për sa i përket largimit të tij apo të saj. Por, për ata që e stërvitin në këtë mënyrë fëmijën e tyre, Bibla siguron se «ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket». (Fjalët e urta 22:6) A nuk është tejet e kënaqshme kur shihni se fëmija juaj i është përgjigjur stërvitjes që i keni dhënë? Apostulli Gjon tha në lidhje me familjen e tij frymore: «Nuk kam shkak më të madh për mirënjohje sesa këto gjëra, që të shoh se fëmijët e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.» (3. Gjonit 4, BR) Ndoshta ju mund të keni ndjenja të ngjashme për sa i përket fëmijës suaj.
Vërtet, jo të gjithë fëmijët i përgjigjen stërvitjes së krishterë. Nëse kjo gjë del e vërtetë në rastin e fëmijës suaj të rritur, kjo nuk do të thotë se ju keni dështuar si prind. Mos e qortoni veten pa qenë nevoja, nëse keni bërë më të mirën tuaj për ta rritur atë në një mënyrë të perëndishme. Kuptoni se, si i rritur, fëmija juaj mban peshën e vet të përgjegjësisë para Perëndisë. (Galatasve 6:5) Mbajini shpresat se ndoshta me kohë ai do të rishqyrtojë zgjedhjet e tij dhe se «shigjeta» do të shkojë përfundimisht aty ku ishte drejtuar.—Psalmi 127:4.
Je akoma një prind!
Edhe pse nisja e fëmijës suaj sinjalizon një ndryshim domethënës, kjo nuk do të thotë se puna juaj si prind ka mbaruar. Herald Halpern, një specialist i shëndetit mendor thotë: «Je akoma një prind deri ditën që do të vdesësh, por ajo që duhet ripërcaktuar është dhënia dhe kujdesja.»
Bibla shumë kohë më parë e pohoi se të qenët prindër nuk mbaron vetëm sepse fëmija është rritur. Në Fjalët e urta 23:22 thuhet: «Dëgjoje babain tënd i cili të lindi dhe mos e përbuz nënën tënde vetëm sepse është plakur.» (BR) Po, edhe kur prindërit janë «plakur» dhe fëmijët e tyre janë të rritur, prindërit mund të jenë akoma një ndikim domethënës në jetën e fëmijëve të tyre. Patjetër, duhen bërë disa rregullime. Por, të gjitha marrëdhëniet kanë nevojë për rregullime kohë pas kohe, për t’i mbajtur ato të freskëta dhe të kënaqshme. Prandaj, tani që fëmijët tuaj janë rritur, punoni për ta vendosur marrëdhënien tuaj me ta në një pozitë prej të rriturish. Është interesant fakti se studimet e bëra tregojnë që marrëdhënia prind-fëmijë shpesh përmirësohet kur fëmijët kanë lënë shtëpinë. Kur fëmijët fillojnë të përballojnë presionet e botës reale, shpesh ata fillojnë t’i shohin prindërit e tyre nën një dritë të re. Një burrë gjerman i quajtur Hartmut thotë: «Tani i kuptoj prindërit e mi më mirë dhe arrij të kuptoj përse i bënë gjërat në atë mënyrë që i bënë.»
Shmangni ndërhyrjet
Megjithatë, shumë dëm mund të bëhet nëse ju ndërhyni në jetën private të fëmijës suaj të rritur. (Krahaso 1. Timoteut 5:13.) Një grua e martuar, e cila po përjeton tensione të mëdha me prindërit e burrit të saj thotë: «Ne i duam ata, por vetëm dëshirojmë të jetojmë jetën tonë dhe të marrim vendimet tona.» Sigurisht, asnjë prind i dashur nuk do të rrijë duarkryq, ndërsa një fëmijë i rritur merr tatëpjetën drejt shkatërrimit. Por zakonisht më e mira është që të shmangim dhënien e këshillave prindërore kur nuk na kërkohen, pavarësisht se sa e mençur apo me qëllim të mirë është. Kjo është veçanërisht e vërtetë pasi një fëmijë është martuar.
Zgjohuni! në vitin 1983 dha këtë këshillë: «Pranoni rolin tuaj të ndryshuar. Ju e braktisni rolin tuaj si dado kur foshnja fillon të hedhë hapat e parë. Ngjashëm, tani duhet të shkëmbeni rolin tuaj të çmuar të kujdestarit me atë të këshilluesit. Marrja e vendimeve për fëmijën tuaj kur ai është i rritur do të ishte po aq e papërshtatshme sikurse një nënë të vazhdonte deri në atë moshë zakonet e foshnjërisë, siç është rënia pas kurrizit që të gromësijë ose ushqimi me qumështin e gjirit. Si këshillues, ju keni kufij të përcaktuar. Nuk mund t’i drejtoheni më autoritetit tuaj si prindër. (‘Bëje, se kështu them unë.’) Tani duhet të respektoni gjendjen e fëmijës tuaj si i rritur.a
Ju mund të mos jeni dakord me të gjitha vendimet që merr fëmija juaj dhe bashkëshorti ose bashkëshortja. Por respekti për shenjtërinë e martesës mund t’ju ndihmojë për të zbutur shqetësimin tuaj dhe për të shmangur ndërhyrjen pa qenë nevoja. E vërteta qëndron në faktin se më e mira zakonisht është t’i lemë çiftet e reja që t’i zgjidhin problemet e tyre me njëri-tjetrin. Përndryshe rrezikoni konfrontimin e panevojshëm kur i jepni një këshillë të padëshiruar dhëndërrit apo nuses, i cili, në një pikë të brishtë të martesës, mund të jetë shumë i ndjeshëm ndaj kritikave. Zgjohuni! e përmendur më sipër këshillonte më tej: «Mposhtni tundimin për të dhënë sugjerime pa fund e të pakërkuara, të cilat mund ta kthejnë një dhëndërr ose një nuse në armik.» Jini mbështetës, jo manipulues. Duke mbajtur një marrëdhënie të mirë, e bëni më të lehtë për fëmijën tuaj që t’ju afrohet nëse ka vërtet nevojë për një këshillë.
Rinovoni lidhjet martesore
Për shumë çifte, foleja e zbrazët mund të hapë edhe mundësinë për të rritur lumturinë martesore. Koha dhe përpjekjet e përfshira në të qenët një prind i suksesshëm mund të jenë kaq gllabëruese saqë çiftet lënë pas dore vetë marrëdhënien e tyre. Një grua thotë: «Tani që fëmijët kanë ikur, unë dhe Konradi po përpiqemi të njihemi me njëri-tjetrin, duke e nisur edhe një herë nga e para.»
Të liruar nga përgjegjësitë e përditshme të prindërve, ju mund të keni tani më shumë kohë për njëri-tjetrin. Një prind vërejti: «Kjo kohë e lirë e gjetur tani . . . na lejon të përqendrojmë më shumë vëmendjen mbi faktin se kush jemi, të përqendrohemi për të mësuar më shumë mbi marrëdhëniet tona dhe të fillojmë të angazhohemi në aktivitetet që përmbushin nevojat tona.» Ajo shton: «Është një kohë e mësimit të gjërave të reja, e një rritjeje të pabesueshme dhe, megjithëse periudha të tilla mund të jenë turbulluese, ato janë edhe gjallëruese.»
Disa çifte kanë, gjithashtu, liri më të madhe nga ana financiare. Karrierat dhe ato që keni pasur pasion, të cilat i kishit shtyrë për një kohë të ardhme, tani mund t’i ndiqni. Mes Dëshmitarëve të Jehovait, shumë çifte e përdorin lirinë e tyre të sapogjetur për të ndjekur interesat frymore. Një baba, i quajtur Herman, shpjegon se pasi fëmija e tij la shtëpinë, ai dhe gruaja e tij menjëherë e kthyen vëmendjen e tyre nga rifillimi i shërbimit të plotë kohor.
Pranimi i largimit nga prindërit e vetëm
Përshtatja me folenë e zbrazët mund të jetë veçanërisht e vështirë për prindërit e vetëm. Rebeka, një nënë e vetme me dy adoleshentë, shpjegon: «Kur fëmijët tanë lënë shtëpinë, ne nuk kemi një burrë, i cili të na japë shoqëri dhe dashuri.» Një prind i vetëm mund të ketë gjetur te fëmija i tij një burim mbështetjeje emocionale. Dhe nëse ata po kontribuonin në fondin e shtëpisë, largimi i tyre mund të krijojë vështirësi nga ana financiare.
Disa arrijnë të përmirësojnë gjendjen e tyre ekonomikisht, duke u regjistruar në programe stërvitjeje për punë apo në kurse shkollore afatshkurtëra. Por si mund të mbushet boshllëku i vetmisë? Një prind i vetëm thotë: «Ajo që bën punë në rastin tim është se unë e mbaj veten të zënë. Mund të jetë leximi i Biblës, pastrimi i shtëpisë ose thjesht bërja e një shëtitjeje apo e një vrapimi të gjatë. Por mënyra më shpërblyese për të kapërcyer vetminë për mua është që të flas me një mik frymor.» Po, «zgjerohuni» dhe kultivoni miqësi të reja dhe të kënaqshme. (2. Korintasve 6:13, BR) ‘Ngulmoni në përgjërime dhe lutje’, kur ndiheni të mbingarkuar. (1. Timoteut 5:5, BR) Të jeni të sigurt se Jehovai do t’ju forcojë dhe do t’ju mbështetë në këtë periudhë të vështirë të përshtatjes.
Duke pranuar largimin me lumturi
Cilado qoftë situata juaj, kuptoni se jeta nuk mbaron kur fëmijët lënë shtëpinë. As nuk shkrihen lidhjet familjare. Dashuria e shëndetshme e përshkruar në Bibël është mjaft e fortë për t’i mbajtur njerëzit bashkë, edhe kur ata janë shumë larg. Apostulli Pavël na kujton se dashuria «duron çdo gjë; dashuria nuk dështon kurrë». (1. Korintasve 13:7, 8, BR) Dashuria joegoiste që keni kultivuar në familjen tuaj nuk do të dështojë vetëm sepse fëmijët tuaj lënë shtëpinë.
Në mënyrë interesante, kur fëmijët fillojnë të hasin dhimbjet e ndarjes dhe mallin për shtëpinë ose kur fillojnë të ndiejnë vështirësinë e presioneve ekonomike, shpesh ata janë të parët që rivendosin kontaktet. Hansi dhe Ingridi këshillojnë: «Bëjuni të ditur fëmijëve se dera e shtëpisë suaj është gjithnjë e hapur për ta.» Vizitat, letrat e rregullta ose telefonatat e rastësishme do t’ju ndihmojnë të mbani lidhjet. «Interesohuni në atë që po bëjnë ata pa futur hundët në punët e tyre»,—u shprehën në lidhje me këtë Xheku dhe Nora.
Kur fëmijët lënë shtëpinë, jeta juaj ndryshon. Por jeta në folenë e zbrazët mund të jetë e zënë, aktive dhe e kënaqshme. Gjithashtu, marrëdhënia juaj me fëmijët tuaj ndryshon. Megjithatë, ajo mund të jetë akoma një marrëdhënie e lumtur dhe e kënaqshme. «Vendosja e pavarësisë nga prindërit,—thonë profesorët Xhefri Leigh dhe Grei Peterson,—nuk do të thotë humbja e dashurisë, besnikërisë apo e respektit për prindërit. . . . Përkundrazi, lidhjet e forta familjare shpesh mbeten gjatë gjithë ciklit të jetës.» Po, ju nuk do të pushoni kurrë t’i doni fëmijët tuaj dhe nuk do të pushoni kurrë të jeni prindërit e tyre. Dhe sepse i keni dashur fëmijët deri në pikën sa keni pranuar largimin e tyre, në të vërtetë nuk i keni humbur ata.
[Shënimi]
a Shiko artikullin «Nuk pushon asnjëherë nga të qenët prind» në numrin e Zgjohuni!, 8 shkurt 1983, anglisht.
[Diçitura në faqen 12]
«Për herën e parë në jetën time . . . , vetëm qava, e qava, e qava»
[Kutia dhe figurat në faqen 10]
Një fjalë fëmijëve të rritur: Ndihmojini prindërit për të pranuar largimin
Largimi zakonisht është më i lehtë për t’u përballuar sesa lënia pas krahëve. Kështu, ndërsa gëzoheni për pavarësinë tuaj si të rritur, tregoni dashamirësi dhe kuptueshmëri ndaj prindërve tuaj nëse ata janë duke pasur vështirësi për t’u përshtatur. Sigurojini ata për dashurinë dhe përzemërsinë tuaj të vazhdueshme. Një shënim i shkurtër, një dhuratë e papritur, një telefonatë miqësore mund të bëjë shumë për të çelur një prind të trishtuar! Mbajini në dijeni të ngjarjeve domethënëse në jetën tuaj. Kjo bën që ata të kuptojnë se lidhjet familjare janë akoma të forta.
Ndërsa përballoni presionet e jetës si të rritur, ka të ngjarë që të çmoni më shumë se kurrë atë që kanë kaluar prindërit tuaj, duke u kujdesur për ju. Ndoshta kjo do t’ju nxitë që t’u thoni prindërve: «Faleminderit për të gjitha ato që keni bërë për mua!»