BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 1/98 f. 13-15
  • Si e përballoj belbëzimin

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si e përballoj belbëzimin
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Shpërblimet e pasjes së një qëndrimi pozitiv
  • Si mund të ndihmojnë të tjerët?
  • Privilegje më të mëdha shërbimi
  • Si të përballohet belbëzimi?
    Zgjohuni!—2010
  • I lirë nga belbëzimi!
    Zgjohuni!—1998
  • Nga lexuesit tanë
    Zgjohuni!—2012
  • Nga lexuesit tanë
    Zgjohuni!—1998
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 1/98 f. 13-15

Si e përballoj belbëzimin

Treguar nga Sven Sievers

UNË kam belbëzuar gjithnjë që kur isha fëmijë. Duke parë në retrospektivë, e çmoj mënyrën me të cilën prindërit e mi e kanë trajtuar problemin. Kur belbëzoja, ata gjithnjë përpiqeshin të përqendroheshin për të dëgjuar atë që doja të thosha në vend se të më korrigjonin në mënyrën se si flisja. Sipas terapistëve të të folurit, prindërit që i japin vëmendje të vazhdueshme belbëzimit të fëmijës së tyre mund ta keqësojnë çrregullimin.a

Nëna ime u bë një Dëshmitare e Jehovait kur isha tre vjeç. Në moshën e adoleshencës vendosa të ndiqja shembullin e saj dhe mora ndihmë për të bërë një studim të plotë të Biblës. Më 24 korrik 1982, u pagëzova si një shërbëtor i dedikuar i Perëndisë në një kongres që u mbajt në Njumynster, Gjermani. Më vonë u transferova në Afrikën e Jugut ku vazhdova të merrja pjesë në veprën e predikimit publik, në të cilën të gjithë të krishterët e vërtetë janë urdhëruar të marrin pjesë. (Mateu 28:​19, 20) Por, mund të pyesni ju, si ia dal mbanë meqë jam belbëzues?

Shpërblimet e pasjes së një qëndrimi pozitiv

Duhet ta pranoj se disa herë është e vështirë për mua që të mbaj një qëndrim pozitiv, por kam parë se të qenët pozitiv me të vërtetë ndihmon shumë në gjendjen time. Fakti është se në ndonjë farë mënyre unë mund të komunikoj gjithmonë. Nëse nuk flas, komunikoj duke shkruajtur mesazhe ose thjesht duke u treguar të tjerëve literaturën biblike. Të qenët pozitiv kur u afrohem njerëzve më ndihmon të kapërcej vështirësinë e fillimit të një bisede. Përpiqem ta bëj hyrjen shumë të thjeshtë. Në fillim të një bisede, e lë të zotin e shtëpisë të flasë sa më shumë që të jetë e mundur. Njerëzve u pëlqen të flasin dhe kjo më jep mundësinë për të njohur mënyrën e tyre të të menduarit. Pastaj, e vazhdoj bisedën me gjëra që u interesojnë atyre, duke theksuar mesazhin e Biblës. Përqendrimi mbi atë që po thonë ata më ndihmon të harroj problemin që kam në të folur dhe belbëzoj më pak.

Të qenët pozitiv më ndihmon edhe të komentoj në mbledhjet e krishtere. Kam parë se sa më shumë të marr pjesë në bisedat biblike, aq më shumë auditori dhe drejtuesi mësohen me mua dhe dëgjojnë atë që them në vend se si po e them.

Për të përjetuar gëzimin e suksesit më duhet të vazhdoj të përpiqem. Kjo më parandalon që t’i lëshoj pe ndjenjës së vetëmëshirimit dhe të mbyllem në vetvete. Lufta kundër vetëmëshirimit është një betejë e vazhdueshme. Është thënë se, nëse një person rrëzohet nga kali, është e rëndësishme që ai t’i hipë përsëri kalit me qëllim që të mos humbasë sigurinë në vetvete. Prandaj, nëse më duhet të ndërpres një koment, sepse pengohem krejtësisht nga belbëzimi, përpiqem t’i hip përsëri kalit, në mënyrë figurative, duke komentuar në mundësinë më të afërt që më jepet.

Si mund të ndihmojnë të tjerët?

Kur më duhet të bëj një telefonatë apo të pyes një të huaj për ndonjë informacion, e çmoj ndihmën me takt që më jepet. Por disa individë shkojnë në ekstrem me dëshirën e tyre për të qenë të dobishëm dhe më trajtojnë si një fëmijë, i cili është i paaftë për të marrë vendime.

E çmoj, gjithashtu, ndihmën e gruas sime të dashur, Treisit. Para se të veprojë si «zëdhënësja» ime, ne e diskutojmë situatën me hollësi dhe ajo e di se çfarë do të më pëlqente të arrija. (Krahaso Eksodin 4:​10, 14, 15.) Në këtë mënyrë, ajo më tregon respekt si burri i saj dhe më jep ndjesinë se jam akoma në gjendje të kontrolloj jetën time.

Një ndihmë tjetër e madhe ka qenë Shkolla e Shërbimit Teokratik. Në këtë mbledhje javore studentët marrin pjesë duke bërë leximin publik të Biblës dhe duke bërë fjalime të shkurtra mbi argumentet biblike. Mbeta i habitur kur pashë se shpesh mund të lexoj dhe të flas mjaft mirë para një auditori. Po të mos isha regjistruar në shkollë, ka të ngjarë që të mos isha kurrë në dijeni për këtë aftësi që kam.

Kur kam pasur caktime në Shkollën e Shërbimit Teokratik, ka qenë veçanërisht inkurajues fakti që instruktori është përqendruar në atë që kam thënë dhe jo se si e kam thënë. Kam nxjerrë shumë dobi nga Manuali i Shkollës së Shërbimit Teokratik,b edhe pse disa aspekte të këtij libri paraqesin një sfidë shumë më të madhe për ata që belbëzojnë sesa për ata me një të folur normal. Për shembull, disa herë, për shkak të sasisë së belbëzimit nuk jam në gjendje ta mbaroj fjalimin në kohën e caktuar. Megjithatë, më inkurajon shumë fakti që instruktori thekson pikat ku unë jam në gjendje të punoj.

Privilegje më të mëdha shërbimi

Në të kaluarën, kam pasur privilegjin për të lexuar publikisht nga një botim i krishterë që ne studiojmë në mbledhjet tona. Kam pasur, gjithashtu, privilegjin për të drejtuar studimin kur nuk ishte i pranishëm ndonjë shërbëtor tjetër i kualifikuar dhe sot e bëj këtë rregullisht. Megjithëse fillimisht isha nervoz, kam përjetuar ndihmën e Perëndisë në kryerjen e këtyre caktimeve.

Prapëseprapë, për shumë vjet mundësitë që unë të lexoja e të mësoja nga podiumi i kongregacionit ishin të kufizuara. Kjo ishte e kuptueshme, meqenëse kishte raste kur më duhej një kohë tepër e gjatë për të shprehur mendimet që të kuptoheshin nga auditori. Kështu, i përdorja energjitë e mia plotësisht duke kryer caktimet e tjera. Së pari, shërbeva si ndihmës në kujdesjen për furnizimin e kongregacionit me revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!. Më pas, pasi u emërova shërbëtor ndihmës, u kujdesa për furnizimet me Bibla, libra dhe literatura të tjera. Më vonë, u caktova të kontrolloja skedat e territorit që përdoren në veprën tonë të predikimit publik. Përqendrimi në këto caktime, duke u përpjekur për të bërë një punë të mirë më solli shumë gëzim.

Për tetë vjetët e kaluara kam shërbyer, gjithashtu, si ungjillëzues në kohë të plotë bashkë me Treisin. Jehovai më ka bekuar sigurisht edhe në këtë aspekt. Në fakt, nganjëherë pyes veten nëse Jehovai e ka përdorur dobësinë time të belbëzimit. Nga të pestë personat që kam pasur privilegjin për t’i ndihmuar që të bëhen të krishterë të dedikuar, dy janë belbëzues.

E kujtoj akoma me gëzim ditën kur u emërova për të shërbyer si plak në kongregacion. Edhe pse aftësia ime e të mësuarit nga podiumi është e kufizuar, përpiqem të përqendrohem për të ndihmuar të tjerët personalisht. Belbëzimi nuk e kufizon aftësinë time për të bërë kërkime në Shkrime, për të ndihmuar ata pjesëtarë të kongregacionit që janë duke u përballuar me probleme të rënda.

Gjatë pesë vjetëve të kaluara, jam ftuar për të përmbushur gjithnjë e më tepër caktime oratorike. Përveç mbajtjes së fjalimeve në Shkollën e Shërbimit Teokratik, kam pasur mundësi të jap njoftime të shkurtëra në mbledhje të tjera. Dalëngadalë rrjedhshmëria ime u përmirësua. Por më pas pata një përsëritje të rëndë të çrregullimit. Tërë ankth mendova, ‘Nuk do të më japin më caktime’, por, për habinë time, emri im ishte në programin tjetër! Mbikëqyrësi drejtues i kongregacionit tonë tha që, po qe se belbëzimi do të ma bllokonte të folurin deri në masën sa të mos isha në gjendje për të vazhduar, thjesht mund t’i hidhja atij një vështrim dhe ai do të vinte në podium e të vazhdonte të fliste. E përdora këtë ofertë të dashur një ose dy herë, por nuk m’u desh ta bëja më gjatë muajve pasues. Ndërkohë që i foluri im përmirësohej, m’u caktuan pjesë më të gjata, duke përfshirë fjalime publike. E kuptova plotësisht progresin që kisha bërë vetëm kur së fundi m’u kërkua të merrja pjesë në dy demonstrime, në një asamble qarkore të Dëshmitarëve të Jehovait.

Të them të drejtën, nuk e kuptoj plotësisht pse i foluri im është përmirësuar. E megjithatë, ai mund të keqësohet përsëri në të ardhmen. Në fakt, atëherë kur është dukur se kam bërë një progres vendimtar duke folur nga podiumi, kam pasur përsëritje të rënda të çrregullimit duke folur me njerëzit personalisht. Prandaj, kjo nuk është një histori e suksesit tim, në kuptimin që të kem fituar mbi belbëzimin. Kur vuaj nga një përsëritje e çrregullimit, përpiqem t’i kujtoj vetes se duhet të pranoj kufizimet e mia dhe ‘të jem modest në ecjen me Perëndinë’.​—⁠Mikea 6:⁠8, BR.

Çfarëdo gjëje që të mund të sjellë e ardhmja, unë do të vazhdoj të përpiqem, duke ditur se në botën e re të Perëndisë që po afron, belbëzimi do të kapërcehet plotësisht. «Gjuha e atyre që belbëzojnë,​—⁠thotë Bibla,​—⁠do të flasë shpejt dhe qartë.» Jam i sigurt se kjo do të jetë e vërtetë në kuptim literal si edhe në atë frymor dhe se madje «gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi».​—⁠Isaia 32:4; 35:⁠6.

[Shënimet]

a Shiko artikullin «Të kuptojmë frikën e belbëzimit», në numrin e revistës Zgjohuni!, 22 nëntor 1997, anglisht.

b Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figura në faqen 15]

Me gruan time, Treisin

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo