Gjeorgjia: Një trashëgimi e lashtë e ruajtur
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI!
A DO t’ju pëlqente të jetonit në një vend me lugina pjellore të vendosura mes malesh 4.600 metra të lartë, me majat e mbuluara nga dëbora, ku disa njerëz jetojnë 100 vjet dhe më shumë? Për banorët e Gjeorgjisë kjo nuk është vetëm një ëndërr. Është një realitet.
Gjeorgjia shtrihet përgjatë kufirit gjeografik dhe kulturor që ndan Evropën dhe Azinë. Në kohët e lashta, Gjeorgjia ishte një pikë e rëndësishme e Rrugës së Mëndafshit, e njëjta rrugë që mori Marko Polo për të shkuar në Kinë. Gjeorgjia përfitonte nga ana financiare dhe kulturore nga kjo lidhje mes Lindjes e Perëndimit, por disa herë edhe pushtuesit e panë se ia vlente barra qiranë të kalonin nga ajo rrugë. Nga një llogaritje del se kryeqyteti i Gjeorgjisë, Tbilisi, është shkatërruar 29 herë! Sot, Tbilisi është një qytet i zhurmshëm dhe i gjallë, me metro dhe ndërtesa moderne të përziera me monumente arkitekturore shumëvjeçare.
Gati 87 përqind e terrenit të Gjeorgjisë është malor. Duke zbritur nga vendet malore me akull e të shkreta përmes ultësirave rrjedhin 25.000 lumenj, shumica prej tyre plot me trofta. Më shumë se një e treta e vendit është e pyllëzuar ose e mbuluar me shkurre. Vargmali Kaukaz në kufirin verior të Gjeorgjisë e mbron pjesën e brendshme të vendit nga moti me ngricë që vjen nga veriu. Kjo gjendje lejon që Gjeorgjia perëndimore të ngrohet nga ajri i lagësht i Detit të Zi, një nga arsyet përse Gjeorgjia ka qenë një destinacion i preferuar nga pushuesit. Klima e butë ka kontribuar, gjithashtu, për një nga traditat më të vjetra dhe më të shkëlqyera të bërjes së verës. Në fakt, Gjeorgjia prodhon mbi 500 varietete të ndryshme rrushi dhe po aq me verëra!
Sidoqoftë, pasuria më e madhe e Gjeorgjisë janë njerëzit e saj. Ata kanë qenë të njohur përgjatë shekujve për trimërinë, inteligjencën dhe mikpritjen me gjithë zemër, si edhe për humorin e tyre dhe dashurinë për jetën. Kultura e tyre është e pasur në këngë e valle dhe këngët folkloristike këndohen akoma, shpesh nëpër tavolina pas buke, në shtëpitë gjeorgjiane.
Gjeorgjia ka, gjithashtu, një histori të gjatë për letërsinë, që daton në shekullin e pestë. Gjuha gjeorgjiane ishte një nga më të hershmet në të cilën është përkthyer Bibla, duke përdorur alfabetin unik dhe të bukur gjeorgjian. E gjithë kjo kulturë përbën një lidhje të gjallë me të kaluarën e Gjeorgjisë, një trashëgimi e lashtë e ruajtur në një vend modern.
[Burimi i figurës në faqen 24]
Pat O’Hara/Corbis
[Figurat në faqen 25]
1. Bibla gjeorgjiane
2. Disa banorë jetojnë 100 vjet e më shumë!
3. Një rrugë e ngarkuar në Tbilisi
[Burimi]
Din Konger/Corbis