I motivuar nga besnikëria e familjes sime ndaj Perëndisë
TREGUAR NGA HORST HENSHEL
«Ji i gëzuar nëse merr këtë letër, sepse unë kam qëndruar deri në fund. Pas dy orësh do të më ekzekutojnë.» Këto ishin fjalët hapëse të letrës së fundit që më dërgoi babai im. Më 10 maj 1944, ai u ekzekutua me vdekje, sepse refuzoi të shërbente në ushtrinë e Hitlerit. Besnikëria e tij ndaj Perëndisë, si edhe ajo e mamasë sime dhe e motrës më të madhe, Elfrides, ka ndikuar thellësisht në jetën time.
NË VITIN 1932, rreth kohës kur linda unë, babai filloi të lexonte botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Midis të tjerave ai kuptoi hipokrizinë e klerit. Rezultati ishte se nuk u interesua më tej për kishat.
Pak kohë pasi filloi Lufta II Botërore më 1939, babai u thirr në ushtrinë gjermane. «Sipas Biblës unë nuk duhet të shkoj,—i tha ai mamasë.—Këto vrasje nuk janë të drejta.»
«Ata do të të vrasin po nuk shkove,—iu përgjigj mamaja.—Çfarë do të ndodhë atëherë me familjen tënde?» Kështu babai u bë ushtarak.
Më vonë mamaja, e cila deri atëherë nuk e kishte studiuar Biblën, u përpoq të kontaktonte Dëshmitarët e Jehovait, një përpjekje shumë e rrezikshme në atë kohë. Ajo gjeti Dorën, burri i së cilës ishte në një kamp përqendrimi për shkak të besimit të tij. Dora i dha një kopje të Kullës së Rojës, por i tha mamasë troç: «Mbaje në mend se mua mund të më vrasin nëse Gestapoja (policia sekrete) e merr vesh se të dhashë këtë.»
Pas kësaj mamaja mori më shumë botime të Dëshmitarëve të Jehovait dhe filloi të çmonte të vërtetat biblike që përmbanin ato. Me kohë, Maks Ruepsam, nga Drezdeni i afërt filloi të na vizitonte në shtëpinë tonë, në Meisen. Ai studioi Biblën me ne duke rrezikuar shumë sigurinë e tij. Në fakt, jo shumë kohë pas kësaj ai u arrestua.
Si rezultat i studimit biblik që bëri, mamaja arriti të kishte besim në Jehovain dhe ia dedikoi jetën atij, duke e simbolizuar këtë me pagëzimin në ujë në maj të 1943-shit. Unë dhe babai u pagëzuam disa muaj më vonë. Motra ime 20-vjeçare, Elfride, e cila punonte në Drezden u pagëzua, gjithashtu, gati në të njëjtën kohë. Kështu, pikërisht në mes të Luftës II Botërore, të katër ia dedikuam jetën Jehovait. Në vitin 1943 mamaja lindi motrën tjetër, Renatën.
Të persekutuar për besimin tonë
Para se të pagëzohesha, u largova nga lëvizja Rinia Hitleriane. Kur refuzoja të bëja përshëndetjen hitleriane, e cila kërkohej çdo ditë në shkollë, mësuesit më rrihnin. Megjithatë, gëzohesha duke ditur se, i forcuar nga prindërit e mi, kisha mbetur besimplotë.
Por kishte raste kur, ose nga ndëshkimi fizik, ose nga frika, thosha: «Hail Hitler!» Më pas, shkoja në shtëpi me sytë e mbushur me lot dhe prindërit e mi luteshin me mua që të merrja kurajë dhe t’i rezistoja sulmeve të armikut herën tjetër. Më shumë se një herë, nga frika nuk ia arrita të bëja atë që ishte e drejtë, por Jehovai nuk më braktisi kurrë.
Një ditë Gestapoja erdhi dhe kontrolloi shtëpinë tonë. «Ti je një Dëshmitare e Jehovait?»—e pyeti mamanë një agjent i Gestapos. E kam akoma para syve se si, duke u mbështetur te kasa e derës, ajo tha e vendosur, «Po», megjithëse e dinte se kjo nënkuptonte që do ta arrestonin.
Dy javë më vonë, mamaja ishte duke u kujdesur për Renatën, e cila nuk kishte mbushur akoma një vjeç, kur Gestapoja erdhi për ta arrestuar. Mamaja protestoi: «Unë vetëm sa po ushqej fëmijën!» Megjithatë, gruaja që kishte ardhur bashkë me policin e mori foshnjën nga krahët e saj dhe e urdhëroi mamanë: «Bëhu gati! Duhet të ikësh.» Sigurisht që nuk ishte e lehtë për mamanë.
Meqenëse babai nuk ishte arrestuar akoma, motra ime e vogël dhe unë mbetëm nën kujdesin e tij. Një mëngjes, gati dy javë pasi kishin marrë mamanë, e përqafova fort babain para se të nisesha për në shkollë. Atë ditë babai u arrestua, sepse refuzoi të kthehej për të shërbyer në ushtri. Kështu, kur u ktheva në shtëpi atë pasdite, ai kishte ikur dhe nuk e pashë më kurrë.
Gjyshërit e mi dhe të afërmit e tjerë morën kujdestarinë mbi mua dhe motrën time të vogël. Të gjithë ata ishin kundërshtarë të Dëshmitarëve të Jehovait dhe disa ishin anëtarë të partisë naziste. Ata nuk më lejonin të lexoja Biblën. Por unë, pasi e merrja fshehurazi nga një zonjë fqinjë, e lexoja gjithsesi. Gjithashtu, ulesha në gjunjë para krevatit të motrës sime të vogël dhe lutesha.
Ndërkohë, motra ime Elfride, kishte duruar sprovat e besimit të saj. Ajo refuzoi të punonte më gjatë në një fabrikë në Drezden që bënte municione, por ia doli mbanë të punësohej në mirëmbajtjen e parqeve dhe kopshteve në Meisen. Kur shkonte në zyrë për të marrë rrogën, ajo refuzonte të bënte përshëndetjen «Hail Hitler!». Më vonë edhe atë e arrestuan dhe e futën në burg.
Tragjikisht, Elfride u sëmur me difteri e me skarlatinë dhe vdiq disa javë pasi u burgos. Ajo ishte vetëm 21 vjeçe. Në një nga letrat e saj të fundit, ajo citonte Lukën 17:10: «Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim.’ » Besnikëria e saj ndaj Perëndisë ka mbetur një ndihmë forcuese për mua.—Kolosianëve 4:11.
Sprova e babait
Gjatë burgimit të babait, gjyshi, babai i mamasë sime, e vizitoi dhe u përpoq ta bënte që të ndryshonte mendjen. Të lidhur këmbë e duar me zinxhir, babain e sollën para tij. Babai e hodhi poshtë me vendosmëri sugjerimin që të ndërmerrte shërbimin ushtarak për hir të fëmijëve të tij. Një nga rojet e burgut i tha gjyshit: «Edhe sikur ky njeri të kishte dhjetë fëmijë, nuk do të vepronte ndryshe.»
Gjyshi u kthye në shtëpi tmerrësisht i inatosur. «Krimineli!—ulërinte ai.—Njeri i kotë! Si mund t’i braktisë fëmijët e tij?» Megjithëse gjyshi ishte i inatosur, unë isha i lumtur, sepse mora vesh që babai po qëndronte i palëkundur.
Përfundimisht, babain e dënuan me vdekje dhe i prenë kokën. Ca kohë pas kësaj, mora letrën e tij të fundit. Meqenëse nuk e dinte se ku e kishin burgosur mamanë, ai më kishte shkruar mua. Shkova në dhomën time që ishte në papafingo dhe lexova ato fjalë hapëse, të cituara në hyrjen e këtij artikulli. Isha i trishtuar dhe qava, por isha i gëzuar të dija se i kishte mbetur besimplotë Jehovait.
Pikëllimi i mamasë
Mamanë e kishin dërguar në një burg të Gjermanisë Jugore në pritje të procesit gjyqësor. Një ditë një rojë erdhi në qelinë e saj, duke i thënë në mënyrë miqësore se mund të qëndronte ulur. Por mamaja u ngrit dhe tha: «E di që burrin tim e kanë vrarë.» Më vonë ata i dërguan rrobat e gjakosura të babait, një dëshmi e heshtur e torturave që kishte vuajtur para se të vdiste.
Në një rast tjetër, mamanë e thirrën në zyrën e burgut dhe i thanë me ashpërsi: «Vajza jote vdiq në burg. Si dëshiron ta varrosim?» Njoftimi ishte kaq i befasishëm dhe i papritur saqë mamaja në fillim nuk dinte ç’të thoshte. Por besimi i saj i fortë në Jehovain e mbështeti.
Të afërmit e mi në përgjithësi u kujdesuan për mua dhe motrën. Ata na trajtonin në mënyrë të njerëzishme. Në fakt, njëri prej tyre takoi mësuesit e mi dhe u kërkoi që të ishin të durueshëm me mua. Po ashtu edhe mësuesit u bënë shumë miqësorë dhe nuk më ndëshkonin kur nuk i përshëndetja «Hail Hitler!». Por e gjithë kjo dashamirësi tregohej me qëllim që të më largonin nga bindjet e mia të bazuara në Bibël. Dhe, për të ardhur keq, kjo gjë pati njëfarë suksesi.
Vetëm disa muaj para se të mbaronte lufta në maj 1945, unë vullnetarisht mora pjesë në disa shërbime të organizatës Rinia Naziste. I shkrova mamasë për këtë dhe nga letrat e mia ajo pati përshtypjen se e kisha braktisur synimin tim për t’i shërbyer Jehovait. Më vonë ajo tha se e kishin dërrmuar më shumë këto letra, sesa lajmi për vdekjen e babait dhe të Elfrides.
Pak kohë pas kësaj, lufta mbaroi dhe mamaja u lirua nga burgu. Me ndihmën e saj rifitova drejtpeshimin tim frymor.
Filloj shërbimin e plotë kohor
Në fund të vitit 1949, katër vjet pasi kishte mbaruar Lufta II Botërore, një mbikëqyrës qarkor trajtoi shkrimin biblik të Malakisë 3:10: «‘Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë’,—thotë Zoti i ushtrive.» U nxita për të plotësuar një kërkesë për veprën e predikimit në kohë të plotë. Kështu, më 1 janar 1950 u bëra një pionier, siç quhen shërbëtorët e plotë kohorë. Më vonë u transferova në Spremberg, ku kishte një nevojë më të madhe për pionierë.
Në gusht të atij viti mora një ftesë për të shërbyer në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Magdeburg, në Gjermaninë Lindore. Megjithatë, vetëm dy ditë pas mbërritjes sime më 31 gusht, policët erdhën me ngut në ndërtesën tonë, duke deklaruar se aty fshiheshin kriminelë. Shumica e Dëshmitarëve u arrestuan dhe u burgosën, por unë ia dola mbanë të ikja dhe shkova në Berlinin Perëndimor, ku Shoqata Watch Tower kishte një zyrë. Atje, u tregova se çfarë kishte ndodhur në Magdeburg. Në të njëjtën kohë, m’u tha se kudo në Gjermaninë Lindore po arrestoheshin shumë Dëshmitarë. Në fakt, mësova se policia po më kërkonte në Spremberg.
Arrestimi dhe burgosja
U caktova në veprën e pionierit në Berlinin Lindor. Disa muaj më vonë, ndërsa shërbeja si korrier për të transportuar literaturën biblike nga Berlini Perëndimor në Gjermaninë Lindore, u arrestova dhe u dërgova në qytetin Kottbus, ku m’u bë gjyqi dhe më dënuan me 12 vjet burgim.
Midis të tjerave më akuzuan si luftënxitës. Gjatë gjyqit tim, në pohimin përfundimtar thashë: «Si ka mundësi që unë, një Dëshmitar i Jehovait, të dënohem si luftënxitës kur babai im refuzoi të merrte pjesë në luftë, sepse ishte një Dëshmitar i Jehovait dhe për këtë iu pre koka?» Por, sigurisht, atyre njerëzve nuk u interesonte të dinin të vërtetën.
Në moshën 19-vjeçare nuk ishte e lehtë për mua të mendoja se do të qëndroja në burg për 12 vjet. Megjithatë, e dija se shumë të tjerë kishin marrë dënime të tilla. Disa herë, autoritetet i ndanin Dëshmitarët nga njëri-tjetri, por në ato raste ne bisedonim për të vërtetat biblike me shokët e tjerë të qelisë dhe disa prej tyre u bënë Dëshmitarë.
Herë të tjera, ne Dëshmitarët na mbanin në të njëjtin bllok qelish. Atëherë, përqendrimi ynë ishte të mësonim më mirë Biblën. I mësonim kapituj të tërë të Biblës përmendësh dhe u përpoqëm të memorizonim libra të tërë biblikë. Vumë disa synime për veten se çfarë do të bënim dhe çfarë do të mësonim çdo ditë. Disa herë ishim kaq të zënë, saqë i thoshim njëri-tjetrit se «nuk kemi kohë», edhe pse harxhonim gjithë ditën në qelitë tona pa pasur ndonjë lloj caktimi pune.
Hetimet nga policia sekrete mund të ishin dërrmuese. Ato mund të vazhdonin ditë e natë, të shoqëruara me çfarëdo lloj kërcënimi. Një herë u lodha e u shkurajova tmerrësisht, gjë që ma bëri të vështirë madje edhe të lutesha. Pas dy ose tre ditësh, pa pasur ndonjë arsye të veçantë hoqa nga muri i qelisë sime një pjesë kartoni ku ishin shkruar rregullat e burgut. Duke e kthyer mbrapsht pashë diçka të shkruar. E ngrita lart deri sa mund të shihja me atë pak dritë që vinte dhe pashë fjalët: «Mos ki frikë nga ata që vrasin trupin», dhe «unë do t’i mbaj të gjithë ata që janë besimplotë si bebëzën e syrit tim». Këto fjalë janë tani pjesë e këngës numër 27 në librin e këngëve të Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait.
Ishte e qartë se një vëlla tjetër në një gjendje të ngjashme kishte qenë në këtë qeli dhe Perëndia Jehova e kishte forcuar. Menjëherë mora forcën frymore dhe falënderova Jehovain për këtë inkurajim. Nuk dua ta harroj kurrë këtë mësim, sepse më tregoi që, megjithëse nuk mund t’ia dal mbanë me forcat e mia, me ndihmën e Perëndisë Jehova asgjë nuk është e pamundur.
Ndërkohë mamaja ishte transferuar në Gjermaninë Perëndimore, kështu që nuk ishte në kontakt me mua në atë kohë. Megjithatë, aty ishte Hana, e cila ishte rritur në të njëjtin kongregacion me mua dhe kishte qëndruar shumë afër familjes sonë. Ajo më vizitonte gjatë tërë atyre viteve në burg, gjithashtu, më shkruante letra inkurajuese dhe më dërgonte pako të vlefshme me ushqime. U martova me të pas lirimit nga burgu në vitin 1957, pasi kisha shlyer 6 vjet nga dënimi prej 12 vjetësh.
Si gruaja ime e dashur, Hana ka shërbyer plot besim përkrah meje në caktimet tona të ndryshme dhe ka qenë gjithnjë përkrahësja ime më e mirë. Çfarë ka bërë ajo për mua gjatë gjithë shërbimit të plotë kohor që kryem së bashku është diçka, për të cilën vetëm Perëndia Jehova është në gjendje ta shpërblejë.
Shërbimi pas burgut
Unë dhe Hana filluam shërbimin e plotë kohor së bashku në zyrën që mbahej atëherë në Berlinin Perëndimor nga Shoqata Watch Tower. U caktova atje për të bërë punë ndërtimi si karpentier. Më vonë, filluam së bashku veprën e pionierit në Berlinin Perëndimor.
Vili Pol, i cili kishte atëherë mbikëqyrjen e veprës sonë në Berlinin Perëndimor, më inkurajoi të vazhdoja të mësoja anglisht. «Nuk kam kohë»,—iu përgjigja. Megjithatë, sa i lumtur jam që me bindje vazhdova studimin e anglishtes! Si rezultat, në vitin 1962 mora ftesën për kursin dhjetë mujor të klasës së 37-të të Shkollës së Galaadit, në Bruklin, Nju Jork. Pas kthimit tim në Gjermani më 2 dhjetor 1962, unë dhe Hana kaluam 16 vjet në veprën udhëtuese, duke vizituar kongregacionet në të gjithë Gjermaninë. Më pas, në vitin 1978 u ftuam që të shërbenim në zyrën e degës në Visbaden. Kur veprimet e degës u transferuan në një kompleks më të madh në Zeltars në mes të viteve 80, ne shërbyem për një numër vitesh në atë kompleks të bukur.
Një privilegj i çmuar shërbimi
Në vitin 1989 ndodhi diçka krejtësisht e papritur: muri i Berlinit ra dhe Dëshmitarët në vendet evropiano-lindore filluan të gëzonin lirinë e adhurimit. Në vitin 1992, mua dhe Hanën na ftuan në Lvov, Ukrainë, që të siguronim mbështetje për rritjen e shpejtë të numrit të lajmëtarëve të Mbretërisë në atë zonë.
Vitin që pasoi na u kërkua të shkonim në Rusi, për të ndihmuar me organizimin e veprës së Mbretërisë atje. Në Solneknoje, një fshat rreth 40 kilometra larg S. Pjetrogradit, ishte ngritur një zyrë që kujdesej për veprën e predikimit në gjithë Rusinë dhe për shumicën prej republikave të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Kur mbërritëm atje, kishte filluar tashmë ngritja e ndërtesave të banimit si edhe e një kompleksi të madh zyrash dhe vendi për magazinim.
Gëzimi ynë ishte i pakufishëm në dedikimin e ndërtesave të reja të degës më 21 qershor 1997. Një total prej 1.492 vetash nga 42 vende u mblodhën në Solneknoje për programin e veçantë. Ditën pasuese një turmë prej mbi 8.400 vetash u mblodhën në stadiumin Petrovski të S. Pjetrogradit për një rishikim të programit të dedikimit si edhe të raporteve inkurajuese nga vizitorët prej vendeve të tjera.
Çfarë rritjeje të mrekullueshme kemi gëzuar në 15 republikat e ish-Bashkimit Sovjetik! Në vitin 1946 në këtë territor ishin duke predikuar rreth 4.800 lajmëtarë të Mbretërisë. Afro 40 vjet më vonë, më 1985, numri ishte rritur në 26.905 veta. Sot, ka më shumë se 125.000 lajmëtarë të Mbretërisë në dhjetë republikat e ish-Bashkimit Sovjetik që po mbikëqyren nga zyra jonë e degës në Solneknoje dhe mbi 100.000 po predikojnë në pesë republikat e tjera ish-sovjetike! Sa të rrëqethur ishim kur mësuam se në prillin e kaluar, në 15 republikat ish-sovjetike, më shumë se 600.000 veta ishin të pranishëm në Përkujtim!
Mrekullohem kur shoh se në ç’mënyrë madhështore e ka drejtuar Perëndia Jehova mbledhjen dhe organizimin e popullit të tij në këto «ditë të fundit». (2. Timoteut 3:1) Siç thotë psalmisti i Biblës, Jehovai u jep shërbëtorëve të tij mendjehollësi, i udhëzon ata në rrugën ku duhet të shkojnë dhe u jep këshilla duke i mbajtur sytë mbi ta. (Psalmi 32:8) E konsideroj një privilegj që i përkas organizatës ndërkombëtare të popullit të Jehovait!
[Figura në faqen 13]
Me dy motrat e mia në vitin 1943
[Figura në faqen 14]
Babait iu pre koka
[Figura në faqen 14]
Mamaja më ndihmoi të rifitoja drejtpeshimin frymor
[Figura në faqen 15]
Me gruan time, Hana
[Figura në faqen 16]
Gjatë fjalimit të dedikimit në Sallën e Mbretërisë në degën e Rusisë
[Figura në faqen 17]
Oborri dhe dritaret e dhomës së ngrënies në degën tonë të re në Rusi