BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/6 f. 20-23
  • E mbaj premtimin për t’i shërbyer Perëndisë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • E mbaj premtimin për t’i shërbyer Perëndisë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Rritem në Lituani
  • E mbaj premtimin
  • Sprovat e para të besimit
  • Ndalimi dhe arrestimi përsëri
  • Mbaj besimin në burg
  • Rikthehem në shërbimin e plotkohor
  • Përshtatje me nevojat
  • I motivuar nga besnikëria e familjes sime ndaj Perëndisë
    Zgjohuni!—1998
  • Duke pritur me durim Jehovain që nga rinia ime
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Beteja jonë për të qëndruar të fortë frymësisht
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Perëndia është streha dhe forca ime
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/6 f. 20-23

E mbaj premtimin për t’i shërbyer Perëndisë

TREGUAR NGA FRANC GUDLIKIS

Prej kompanisë sime, të përbërë nga më shumë se njëqind ushtarë, vetëm katër kishin mbetur gjallë. I ndeshur përballë me vdekjen, rashë në gjunjë dhe i premtova Perëndisë: ‘Po të dal gjallë nga lufta, do të të shërbej gjithnjë.’

KËTË premtim e bëra 54 vjet më parë, në prill të vitit 1945, kur isha ushtar në ushtrinë gjermane. Lufta II Botërore ishte në përfundim dhe ushtria sovjetike po bënte një sulm të përgjithshëm drejt Berlinit. Njerëzit tanë ishin vendosur afër qytetit Zilov mbi lumin Oder, më pak se 65 kilometra larg Berlinit. Atje goditeshim ditë e natë nga zjarri i artilerisë së rëndë dhe kompania ime po shpërbëhej.

Pikërisht atëherë, për herën e parë në jetën time, ia shkrepa të qarit dhe iu luta me lot Perëndisë. M’u kujtua një shkrim biblik që nëna ime me druajtje Perëndie e citonte shpesh: «Më thirr në ditën e dëshpërimit. Unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh.» (Psalmi 50:15, BR) I strukur në transhe dhe i frikësuar për jetën time, i bëra Perëndisë premtimin e përmendur më lart. Si arrita ta mbaja këtë premtim? Përveç kësaj, si kishte ndodhur që bëja pjesë në ushtrinë gjermane?

Rritem në Lituani

Në vitin 1918, gjatë Luftës I Botërore, Lituania shpalli pavarësinë dhe vendosi një sistem demokratik qeverisjeje. Unë linda në vitin 1925, në krahinën e Memelit [Klajpedës], afër Detit Baltik. Krahina ishte përfshirë nga Lituania vetëm një vit para se të lindja.

Unë dhe pesë motrat e mia patëm një fëmijëri të lumtur. Babai ishte si një shok i ngushtë dhe i bënte gjithnjë gjërat së bashku me ne fëmijët. Prindërit ishin anëtarë të Kishës Evangjeliste, por nuk merrnin pjesë në shërbesat e saj, pasi mamaja ishte ofenduar nga hipokrizia e shërbëtorit fetar. Megjithatë, ajo e donte Perëndinë dhe Fjalën e tij, Biblën, të cilën e lexonte me etje.

Në vitin 1939, Gjermania pushtoi pjesën e Lituanisë ku jetonim ne. Më pas, në fillim të vitit 1943 më thirrën për të kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë gjermane. Mbeta i plagosur në një betejë, por pasi e mora veten nga plagët, u ktheva në frontin e Lindjes. Në atë kohë, situata e luftës kishte ndryshuar dhe gjermanët po tërhiqeshin para ushtrisë sovjetike. Pikërisht atëherë shpëtova për një fije pa u vrarë, siç e tregova në hyrje të artikullit.

E mbaj premtimin

Gjatë luftës, prindërit u transferuan në Oshac, Gjermani, tamam në juglindje të Lajpcigut. Në rrëmujën e krijuar pas luftës, e pata të vështirë t’i gjeja se ku ishin. Por sa të lumtur qemë kur më në fund u bashkuam përsëri! Jo shumë kohë pas kësaj, në prill të vitit 1947, e shoqërova mamanë në një fjalim publik të mbajtur nga Maks Shubert, një Dëshmitar i Jehovait. Mamaja besonte se kishte gjetur fenë e vërtetë dhe pasi ndoqa disa mbledhje, edhe unë arrita të kem të njëjtin besim si ajo.

Pak kohë pas kësaj, mamaja ra nga një shkallë, duke pësuar dëmtime që i shkaktuan vdekjen disa muaj më vonë. Kur ishte në spital, para se të vdiste, ajo më inkurajoi me ngrohtësi: «Jam lutur shpesh që të paktën një prej fëmijëve të mi të gjente udhën për te Perëndia. Tani e kuptoj se lutjet e mia kanë marrë përgjigje dhe mund të vdes e qetë.» Sa me padurim e pres kohën kur mamaja do të zgjohet nga vdekja dhe do të mësojë se lutjet e saj janë plotësuar!—Gjoni 5:28.

Më 8 gusht 1947, vetëm katër muaj pasi kisha dëgjuar fjalimin e vëllait Shubert, u pagëzova në një asamble në Lajpcig, në simbol të dedikimit tim ndaj Perëndisë Jehova. Më në fund, po ndërmerrja hapa për të përmbushur premtimin që i bëra Perëndisë. Pak kohë më pas u bëra pionier, siç quhen shërbëtorët e plotkohorë të Dëshmitarëve të Jehovait. Në atë kohë, rreth 400 pionierë jetonin në atë pjesë të Gjermanisë që më vonë u bë Republika Demokratike Gjermane ose Gjermania Lindore.

Sprovat e para të besimit

Një fqinj në Oshac u përpoq të më ngjallte interes për marksizmin, duke më ofruar arsimim universitar të paguar nga shteti, nëse do të futesha në Partinë Socialiste të Bashkuar të Gjermanisë (SED). E refuzova ofertën, ashtu siç refuzoi Jezui ofertën e Satanait.—Mateu 4:8-10.

Një ditë prilli të vitit 1949, dy policë erdhën aty ku punoja dhe më kërkuan që t’i ndiqja. Më çuan në zyrën lokale të shërbimit të fshehtë sovjetik, ku më akuzuan se punoja për kapitalistët e Perëndimit. Ata thanë se mund ta provoja pafajësinë time po të vazhdoja veprën nga shtëpia në shtëpi, por duke u raportuar atyre për këdo që fliste negativisht për Bashkimin Sovjetik a për SED-in ose për këdo që ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Kur refuzova të bashkëpunoja, më mbyllën në një qeli. Më vonë, më çuan përpara një gjyqi që dukej se ishte një gjyq ushtarak. Dënimi: 15 vjet punë të detyruar në Siberi!

Ruajta qetësinë, gjë që u bëri përshtypje oficerëve. Atëherë më thanë se dënimi do të mbetej në fuqi, por do të ishte e mjaftueshme të paraqitesha një herë në javë, derisa të isha gati për të bashkëpunuar. Duke dashur këshilla nga Dëshmitarë më të pjekur, udhëtova për në Magdeburg, ku gjendej Zyra e Degës së Shoqatës Watch Tower. Udhëtimi nuk ishte i lehtë, sepse mbahesha nën mbikëqyrje. Ernst Vauer, i cili shërbente në Repartin Ligjor në Magdeburg, më tha: «Lufto dhe do të fitosh. Bëj kompromis dhe do të humbësh. Këtë gjë kemi mësuar në kampin e përqendrimit.»a Kjo këshillë më ndihmoi që të mbaja premtimin për t’i shërbyer Perëndisë.

Ndalimi dhe arrestimi përsëri

Në korrik të vitit 1950, më rekomanduan për të shërbyer si mbikëqyrës udhëtues. Megjithatë, më 30 gusht, policia bastisi pronën tonë në Magdeburg dhe vepra e predikimit u vu në ndalim. Kështu, caktimi im ndryshoi. Së bashku me Paul Hirshbergerin na caktuan për të punuar me rreth 50 kongregacione, duke kaluar dy ose tri ditë me secilin prej tyre, për t’i ndihmuar vëllezërit që të organizoheshin për të vazhduar shërbimin e tyre nën ndalim. Në muajt që pasuan, i shpëtova gjashtë herë arrestimit nga policia.

Në një kongregacion kishte depërtuar dikush që na spiunoi te Stasi, Shërbimi i Sigurimit të Shtetit. Kështu, në korrik të 1951-shit mua dhe Paulin na arrestuan në rrugë pesë burra që i kishin drejtuar armët nga ne. Duke parë prapa, mundëm të kuptonim se nuk ishim mbështetur në organizatën e Jehovait aq sa duhej. Vëllezërit më të vjetër na kishin këshilluar që të mos udhëtonim kurrë së bashku. Siguria e tepërt kishte bërë që të humbnim lirinë. Për më tepër, as nuk kishim folur më përpara se çfarë do të thoshim po të arrestoheshim.

I vetëm në qeli, me lot në sy iu luta Jehovait për ndihmë që të mos i tradhtoja vëllezërit ose të mos bëja kompromis me besimin tim. Pasi kisha rënë në gjumë, u zgjova befas nga zëri i shokut tim, Paulit. Tamam mbi qelinë time ishte dhoma ku ai po merrej në pyetje nga Stasi. Meqë ishte një natë e nxehtë dhe e lagësht, dera e ballkonit ishte hapur, kështu që munda të dëgjoja çdo gjë me lehtësi. Më vonë, kur më morën mua në pyetje, dhashë të njëjtat përgjigje, gjë që i habiti zyrtarët. Në mendje më vinte vazhdimisht shkrimi i preferuar i mamasë, i cili më inkurajonte shumë: «Më thirr në ditën e dëshpërimit. Unë do të të çliroj.»—Psalmi 50:15, BR.

Pas marrjes në pyetje, unë dhe Pauli kaluam pesë muaj paraburgim në burgun e Stasit, në Halle e më vonë në Magdeburg. Ndërsa isha në Magdeburg, ndonjëherë më zinin sytë ndërtesat e degës që në atë kohë ishin të mbyllura. Sa do të doja të isha duke punuar atje në vend se të isha në burg! Në shkurt 1952, na njoftuan dënimin: «10 vjet burg dhe 20 vjet humbje të të drejtave qytetare.»

Mbaj besimin në burg

Dëshmitarët e Jehovait që ishin dënuar të paktën me dhjetë vjet mbanin një shenjë të veçantë identifikimi për një pjesë të kohës që kalonin në burg. Në njërën këmbë të pantallonave dhe në njërin krah të xhaketës na ishte qepur një shirit i kuq. Gjithashtu, jashtë derës së qelisë sonë ishte vendosur një copë e vogël e kuqe kartoni për t’i paralajmëruar gardianët se ishim kriminelë të rrezikshëm.

Faktikisht autoritetet na konsideronin si kriminelët më të këqinj. Nuk na lejohej të mbanim Bibël, sepse siç e shpjegoi një gardian, «një Dëshmitar i Jehovait me Bibël në dorë është si një kriminel me armë në dorë». Për të mbledhur fragmente të Biblës, lexonim veprat e shkrimtarit rus Leon Tolstoi, i cili citonte shpesh shkrime biblike në librat e tij. Këto shkrime biblike i mësuam përmendësh.

Para se të arrestohesha isha fejuar me Elsa Rimerin. Ajo më vizitonte sa më shpesh që mundej në burg dhe më dërgonte një pako me ushqime një herë në muaj. Në pako fshihte edhe ushqim frymor. Një herë, i mbushi disa suxhukë me artikuj nga Kulla e Rojës. Shpesh gardianët i hapnin suxhukët për të kontrolluar se mos ishte fshehur diçka brenda, por kësaj radhe pakoja mbërriti pak para përfundimit të ditës së punës dhe nuk u kontrollua.

Në atë kohë, unë dhe Karl Hainc Kleber ishim në një qeli të vogël, së bashku me tre të burgosur që nuk ishin Dëshmitarë. Si do ta lexonim Kullën e Rojës pa u vënë re nga të tjerët? Po ja, bënim sikur po lexonim një libër, por brenda tij kishim fshehur artikujt e Kullës së Rojës. Këtë ushqim të çmuar frymor ua kaluam edhe Dëshmitarëve të tjerë në burg.

Ndërsa ishim në burg, përfituam edhe nga mundësitë për t’u folur të tjerëve rreth Mbretërisë së Perëndisë. U drithërova nga gëzimi kur njëri nga të burgosurit e qelisë sime u bë besimtar.—Mateu 24:14.

Rikthehem në shërbimin e plotkohor

Më 1 prill 1957, pas pothuajse gjashtë vjetësh prapa hekurave të burgut, u lirova. Më pak se dy javë më vonë, u martova me Elsën. Kur Stasi mori vesh për lirimin tim, kërkuan një pretekst për të më rikthyer në burg. Për të shmangur këtë mundësi, së bashku me Elsën kaluam kufirin për të jetuar në Berlinin Perëndimor.

Kur mbërritëm në Berlinin Perëndimor, Shoqata donte të dinte se çfarë planesh kishim. I shpjeguam se njëri prej nesh do të shërbente si pionier, kurse tjetri do të punonte.

«Po sikur të bëheshit të dy pionierë?»—na pyetën.

«Nëse është e mundur kjo gjë,—u përgjigjëm,—do të fillojmë menjëherë.»

Kështu, na u dha një shumë e vogël e rregullt çdo muaj që të mbanim veten dhe filluam të shërbenim si pionierë specialë në vitin 1958. Çfarë gëzimi provonim kur shihnim individë, me të cilët kishim studiuar Biblën, të ndryshonin jetën për t’u bërë shërbëtorë të Jehovait! Dhjetë vjetët që pasuan në shërbimin si pionierë specialë na mësuan të punojmë ngushtësisht së bashku si burrë e grua. Elsa ishte gjithnjë përkrah meje, edhe kur riparoja makinën. Gjithashtu, lexonim, studionim dhe luteshim së bashku.

Në vitin 1969 u caktuam në veprën udhëtuese, duke vizituar një kongregacion të ndryshëm çdo javë, për t’u shërbyer nevojave të pjesëtarëve të tij. Jozef Barth, një njeri me përvojë në veprën udhëtuese, më dha këtë këshillë: «Nëse do që të kesh sukses në caktimin tënd, thjesht ji një vëlla për vëllezërit.» U përpoqa ta zbatoja këtë këshillë. Si rezultat, patëm një marrëdhënie shumë të ngrohtë e të harmonishme me Dëshmitarët e tjerë, gjë që e bëri më të lehtë të jepja këshilla kur ishte e nevojshme.

Në vitin 1972, Elsën e diagnostikuan me kancer dhe bëri një ndërhyrje kirurgjike. Më vonë, u sëmur edhe me reumatizëm. Edhe pse dhimbjet e mundonin, ajo më shoqëronte akoma çdo javë, duke u shërbyer kongregacioneve, duke punuar me motrat në shërbim sa më shumë që të mundej.

Përshtatje me nevojat

Në vitin 1984, prindërit e Elsës patën nevojë për kujdes të vazhdueshëm, kështu që e lamë veprën udhëtuese për t’u kujdesur për ta derisa vdiqën, disa vjet më vonë. (1. Timoteut 5:8) Pastaj, në vitin 1989, Elsa u sëmur rëndë. Lumturisht, e ka marrë disi veten, por mua më është dashur të merrem me të gjitha punët e shtëpisë. Jam ende duke mësuar se si të veproj me dikë që ka dhimbje të vazhdueshme. Megjithatë, pavarësisht nga stresi dhe shtrëngimet, ne kemi ruajtur dashurinë për gjërat frymore.

Sot jemi mirënjohës që bëjmë pjesë ende në radhët e pionierëve. Por, kemi arritur të kuptojmë se ajo që ka më shumë rëndësi, nuk është pozita që kemi ose sa shumë jemi në gjendje të bëjmë, por fakti që të mbetemi besnikë. Ne duam t’i shërbejmë Perëndisë tonë, Jehovait, jo vetëm për disa vjet, por për gjithë përjetësinë. Përvoja që kemi pasur ka qenë një stërvitje e mrekullueshme për të ardhmen. Gjithashtu, Jehovai na ka dhënë forcën për ta lëvduar edhe nën rrethanat më sprovuese.—Filipianëve 4:13.

[Shënimi]

a Historia e jetës së Ernst Vauerit u botua në Kullën e Rojës, 1 gusht 1991, anglisht, faqet 25 deri në 29.

[Figura në faqen 23]

Më burgosën këtu në Magdeburg

[Burimi]

Gedenkstätte Moritzplatz Magdeburg für die Opfer politischer Gewalt; Foto: Fredi Fröschki, Magdeburg

[Figura në faqen 23]

Kur u martuam, në vitin 1957

[Figura në faqen 23]

Me Elsën sot

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo