Nga lexuesit tanë
Përse ta kontrolloni zemërimin? Ju faleminderit për artikullin «Përse ta kontrolloni zemërimin?» (korrik-shtator 1997) Unë vij nga një familje e madhe dhe gjatë fëmijërisë kam parë shumë grindje në shtëpinë time. Prindërit e mi u divorcuan dhe që atëherë në disa raste kam pasur shpërthime zemërimi. I jam lutur Jehovait ditë e natë, duke i kërkuar që të më ndihmojë për këtë problem. Çfarë surprize ishte kur lexova këtë artikull që dukej sikur më drejtohej mua! Jam duke marrë në konsideratë shkrimet e cituara, për shembull Efesianëve 4:26, që thotë: «Dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj.» Unë dhe burri im e kemi zbatuar këtë shkrim. Falë Jehovait dhe këtij artikulli, kam qenë në gjendje ta kapërcej problemin tim.
A. R. S., Shtetet e Bashkuara
Të përballojmë krizat e panikut Duhet të falënderoj Jehovain me gjithë zemër për artikullin «Të përballojmë krizat e panikut». (8 qershor 1996, anglisht) Motra ime kohët e fundit pati një tronditje nervore. Ne nuk e dinim se çfarë po i ndodhte, meqenëse asnjë mjek nuk ishte në gjendje të diagnostikonte gjendjen e saj. Përfundimisht, ajo u shtrua në spital dhe iu dha diagnoza e tronditjes nervore dhe se vuante nga krizat e panikut. Artikulli arriti pikërisht në kohën e duhur, duke na bërë të ndiejmë se Jehovai kujdeset për ne. Motra ime shpërtheu në lot kur e lexoi, sepse atëherë e kuptoi me të vërtetë që Jehovai e dinte saktësisht se çfarë po kalonte ajo. Fjalët e motrës së cituar në artikull, e cila thoshte se kishte parë në mënyrë të përsëritur se si Jehovai ishte një burim i vërtetë force dhe ngushëllimi, tregojnë sa i mrekullueshëm është me të vërtetë Perëndia ynë Jehova.
A. E. W., Afrika e Jugut
«Në veshët e një vogëlusheje» Ky artikull (korrik-shtator 1997) më preku thellësisht. Shpesh takoj të rinj kur jam në shërbimin në fushë. Duke mos kaluar pa i vënë re ose duke mos i nënvlerësuar, u flas gjithnjë për parajsën. Ju falënderoj shumë që botuat këtë përvojë, sepse më inkurajoi që të vazhdoj në këtë mënyrë. Kush e di se të kujt do të jenë «veshët e një vogëlusheje» tjetër?
M. O. U., Nigeri
Ky artikull goditi vërtet në shenjë! Kur arrita te pjesa «Mësimi i së vërtetës biblike» dhe lexova se sa u befasua Luis kur lexoi Psalmin 37:9 që shpjegonte se kush do ta zotëronte tokën, duke e lexuar këtë në kopjen e saj të Biblës King Xhejms, derdha shumë lotë. Faleminderit për këto tregime të jetës dhe ju lutem vazhdoni t’i botoni ato rregullisht në Zgjohuni!
P. C., Angli
Nga lexuesit tanë I vlerësoj të gjitha revistat që marr. Veçanërisht më pëlqyen komentet nga lexuesit në Zgjohuni!, korrik-shtator 1997, në lidhje me përjashtimin. Unë u përjashtova dhe më pas u rivendosa vitin pasues. Një numër i madh njerëzish mendojnë se ky veprim është i ashpër. Por me të vërtetë nuk është i tillë. Disiplina që mora ishte e vështirë për t’u pranuar, por në asnjë mënyrë e ashpër. E di se pleqtë vetëm sa po përpiqeshin të më ndihmonin. Ishte refuzimi im i ndihmës së tyre që çoi në përjashtimin tim. Pasi u përjashtova, kuptova se sa e vetmuar është jeta pa Jehovain. Në jetën time kishte një boshllëk tepër të madh që nuk mund të mbushej, derisa ndryshova stilin tim të jetës dhe u ktheva përsëri te Jehovai. Përjashtimi më përuli dhe më tregoi se kisha nevojë për Jehovain dhe për organizatën e tij.
A. K., Kanada
Zgjohuni! Duhet të më falni që harrova të rinovoj pajtimin në revistën e shkëlqyer Zgjohuni!. Ajo është një revistë informative, edukative dhe faktike me argumente frymëzuese dhe që të zgjojnë. Do të më pëlqente të kisha të gjitha numrat e kaluara që kam humbur. Nuk dëshiroj të humbas as edhe një. Ju faleminderit që, me durim i ndihmoni njerëzit për të luftuar padijen.
N. S., Sri Lanka