BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 4/98 f. 3-6
  • Diskriminim kundër femrave

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Diskriminim kundër femrave
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një pjesëmarrje më të vogël
  • Nëna dhe mbajtëse të familjes
  • Pse po rritet ky problem?
    Zgjohuni!—2003
  • Të çmojmë gratë dhe punën e tyre
    Zgjohuni!—1998
  • Sfidat që hasin gratë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Pse nuk u pëlqej vajzave?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 4/98 f. 3-6

Diskriminim kundër femrave

NË Afrikën Perëndimore, një biznesmen blen një fëmijë nëntëvjeçare. Në Azi, një foshnjë e sapolindur varroset e gjallë në rërën e shkretëtirës. Në një vend oriental, në një jetimore një fëmijë që sapo ka mësuar të ecë vuan nga uria derisa vdes, i padëshiruar dhe pa iu treguar kujdes. Një aspekt i përbashkët i lidh këto tragjedi: të gjitha viktimat ishin vajza. Fakti që ishin femra nënkuptonte se ishin konsideruar të panevojshme.

Këto nuk janë raste të izoluara. Në Afrikë, mijëra vajza dhe të reja shiten në skllavëri, disa për një çmim tepër të vogël prej 15 dollarësh. Raportohet edhe se çdo vit qindra mijë vajza të reja shiten ose detyrohen për të kryer prostitucion, sidomos në Azi. Më keq akoma, regjistrimet e popullsisë në një numër vendesh tregojnë se gati 100 milionë vajza «kanë humbur». Me sa duket kjo gjë ndodh për shkak të abortit, vrasësve të foshnjave ose lënies komplet pas dore të femrave.

Për një kohë të gjatë, me shekuj, femrat janë parë në këtë mënyrë në shumë vende. E në disa vende vazhdojnë të shihen kështu. Përse? Sepse në këto vende, djemve u jepet një vlerë më e madhe. Atje, besohet se një djalë mund të vazhdojë linjën e familjes, të trashëgojë pronat dhe të kujdeset për prindërit kur të plaken, duke qenë se shpesh këto vende nuk kanë ndonjë pension qeverie për të moshuarit. Një thënie aziatike deklaron se «të rritësh një vajzë është si të ujitësh një bimë në kopshtin e fqinjit tënd». Kur të rritet, ajo do të largohet për t’u martuar ose mund edhe të shitet në prostitucion e në këtë mënyrë do të ndihmojë pak ose aspak në kujdesjen për prindërit e moshuar.

Një pjesëmarrje më të vogël

Në vendet ku ka pllakosur varfëria, ky qëndrim do të thotë më pak ushqim, më pak shërbime shëndetësore dhe më pak arsimim për vajzat e familjes. Kërkuesit në një vend aziatik zbuluan se 14 përqind e vajzave ishin të kequshqyera, në krahasim me vetëm 5 përqind të djemve. Një raport i Fondit të Kombeve të Bashkuara për fëmijët (UNICEF) shpjegon se në disa vende, dy herë më shumë djem sesa vajza sillen në qendrat shëndetësore. Dhe mbi 40 përqind e të rejave në Afrikë, si edhe në Azinë Jugore dhe në atë Perëndimore, janë analfabete. «Ekziston një diskriminim i tmerrshëm gjinie, i cili po shtohet në botën në zhvillim»,​—⁠u ankua e ndjera Adri Hepburn, ish-ambasadorja e UNICEF⁠-⁠it.

Ky «diskriminim i gjinisë» nuk zhduket kur vajzat arrijnë moshën e rritur. Varfëria, dhuna dhe sfilitja e pamëshirshme janë tepër shpesh situata të një gruaje, pikërisht sepse është një grua. Presidenti i Bankës Botërore shpjegoi: «Gratë bëjnë dy të tretat e punës në botë. . . . E megjithatë, ato fitojnë vetëm një të dhjetën e të ardhurave botërore dhe zotërojnë më pak se një përqind të pronës botërore. Ato janë mes më të varfërve të të varfërve të botës.»

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 70 përqind e 1,3 miliardë njerëzve në botë që jetojnë në varfëri të plotë janë gra. «Gjendja po bëhet edhe më keq,​—⁠shtonte raporti.​—⁠Numri i grave fshatare që jetojnë në varfëri të plotë u ngrit me 50% në dy dekadat e kaluara. Gjithnjë e më tepër, varfëria ka fytyrën e një gruaje.»

Akoma më traumatike sesa varfëria shtypëse, është dhuna që shkatërron jetën e kaq shumë grave. Një numër i përllogaritur prej njëqind milion vajzash, kryesisht në Afrikë, kanë vuajtur nga gjymtimi i organeve gjenitale që u është bërë. Përdhunimi është një abuzim i përhapur kudo, i cili mbetet pothuaj i padokumentuar në disa zona, megjithëse studimet tregojnë se në disa vende 1 në 6 gra përdhunohet gjatë jetës së saj. Luftërat i brengosin njësoj, qoftë burrat e qoftë gratë, por shumica e refugjatëve që janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre janë gra dhe fëmijë.

Nëna dhe mbajtëse të familjes

Barra e kujdesjes për familjen shpesh bie më rëndë mbi nënën. Ajo ka të ngjarë që të punojë me orë të zgjatura dhe fare mirë mund të jetë mbajtësja e vetme e familjes. Në disa zona të thella në Afrikë, afërsisht gjysma e familjeve drejtohen nga gratë. Në disa lokalitete në botën perëndimore, një përpjesëtim i madh familjesh drejtohen nga femrat.

Për më tepër, veçanërisht në vendet në zhvillim, tradicionalisht gratë kryejnë disa nga punët më të rënda, siç janë transportimi i ujit dhe i druve të zjarrit. Shpyllëzimi dhe kullotja e tepërt e kafshëve i kanë bërë këto punë shumë më të vështira. Në disa vende ku ka pllakosur thatësira, gratë harxhojnë tre ose më tepër orë çdo ditë duke kërkuar për dru zjarri dhe katër orë në ditë duke mbartur ujë. Vetëm kur mbaron ky mundim, ato mund të fillojnë të bëjnë punën që pritet prej tyre në shtëpi ose në arë.

Qartë, si gratë, ashtu edhe burrat vuajnë në vendet ku varfëria, uria ose konfliktet janë të përditshme. Por gratë vuajnë në mënyrë të shpërpjesëtuar. A do të ndryshojë ndonjëherë kjo gjendje? A ka mundësi reale se një ditë gratë, kudo qofshin, do të trajtohen me respekt dhe me konsideratë? A ka ndonjë gjë që mund të bëjnë gratë tani për të përmirësuar situatën e tyre?

[Kutia dhe figura në faqen 5]

Vajzat prostituta: Kujt i duhet vënë faji?

Çdo vit, një numër i përllogaritur prej një milion fëmijësh, shumica prej tyre vajza, detyrohen ose shiten për të kryer prostitucion. Araja,a e cila vjen nga Azia Juglindore, kujton atë që i ndodhi disa prej shoqeve të saj të klasës. «Kulvadi u bë prostitutë kur ishte vetëm 13 vjeçe. Ajo ishte një vajzë e këndshme, por mamaja e saj dehej shpesh dhe e kishte zakon të luante poker, kështu që nuk kishte kohë për t’u kujdesur për vajzën e saj. Mamaja e Kulvadit e inkurajoi që të fitonte para duke dalë me burra dhe jo shumë kohë pas kësaj, ajo ishte duke punuar si prostitutë.»

«Sivuna, një nxënëse tjetër në klasën time, erdhi nga veriu i vendit. Ajo ishte vetëm 12 vjeçe kur prindërit e saj e dërguan në kryeqytet për të punuar si prostitutë. Iu desh të punonte dy vjet për të shlyer kontratën e firmosur nga prindërit e saj. Sivuna dhe Kulvadi nuk janë të pazakonta: 5 nga 15 vajzat e klasës sime janë bërë prostituta.»

Si Sivuna dhe Kulvadi ka miliona vajza të reja. «Industria e seksit është një treg kolosal me vërshimin e vet»,​—⁠ankohet Vasela Tamsali, nga UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën). «Shitja e një vajze 14⁠-⁠vjeçare është bërë kaq e zakonshme saqë është banale.» E pasi janë shitur në skllavëri seksuale, shlyerja e çmimit të blerjes së tyre mund të jetë pothuaj e pamundur. Manju, babai i së cilës e shiti kur ishte 12 vjeçe, kishte akoma 300 dollarë borxh pas shtatë vjetësh prostitucioni. «Nuk mund të bëja asgjë, isha e zënë në grackë»,​—⁠shpjegon ajo.

Për këto vajza, t’i shpëtojnë SIDA⁠-⁠s mund të jetë afërsisht po aq e vështirë sa t’i shpëtojnë ndërmjetësve që i skllavërojnë ato. Një anketë e drejtuar në Azinë Juglindore tregoi se 33 përqind e këtyre prostitutave fëmijë ishin të infektuara me virusin SIDA. Për sa kohë që industria pesë-miliardë-dollarëshe e prostitucionit do të lulëzojë, ka shumë mundësi që këto vajza do të vazhdojnë të vuajnë.

Kujt i duhet vënë faji për këtë praktikë të tmerrshme? Sigurisht, ata që blejnë apo shesin vajza në prostitucion mbajnë një pjesë të madhe të fajit. Por, për t’u dënuar janë, gjithashtu, burrat e përbuzshëm që i përdorin këto vajza për të kënaqur epshet seksuale. Sepse, pa këta praktikues të imoralitetit, prostitucioni i këtyre vajzave nuk do të ekzistonte.

[Shënimi]

a Emrat janë ndryshuar.

[Figura]

Çdo vit, rreth një milion vajza të reja detyrohen të kryejnë prostitucion

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Një ditë pune e një gruaje në Afrikën Qendrore

Gruaja ngrihet në orën gjashtë dhe përgatit mëngjesin për familjen e për vete, të cilin ata do ta hanë më vonë. Pasi merr ujë nga lumi aty afër, ajo drejtohet për në copën e saj të tokës, e cila mund të jetë një orë rrugë në këmbë.

Deri rreth orës katër të pasdites, ajo shkul barërat e këqija, prashit ose ujit tokën, duke pushuar vetëm për pak kohë sa për të ngrënë çfarëdo ushqimi që ka marrë me vete. Dy orët që mbeten akoma nga drita e ditës përdoren për të prerë dru zjarri dhe për të mbledhur manioka ose perime të tjera për familjen, e të gjitha këto ajo i çon në shtëpi.

Zakonisht, ajo mbërrin në shtëpi ndërsa dielli është duke perënduar. Tani ka punë për të bërë duke përgatitur darkën, një punë që mund të zërë dy ose më shumë orë. Të dielat kalohen duke larë rroba në lumin e fshatit dhe pastaj duke i hekurosur, pasi të jenë tharë.

Burri i saj rrallëherë e çmon gjithë këtë punë të rëndë ose rrallëherë dëgjon sugjerimet e saj. Ai nuk përton të presë pemët ose të djegë shkurret e pyllit që gruaja e tij të mund të përgatitë tokën për ta mbjellë, por vështirë se bën ndonjë gjë më shumë. Me raste, i çon fëmijët në lumë për t’u larë e mund të gjuajë ose të peshkojë ndonjë gjë. Por shumicën e ditës ai e kalon duke folur me burrat e tjerë të fshatit.

Po qe se burri mund ta përballojë, pas disa vitesh ai sjell në shtëpi një grua tjetër, më të re, e cila bëhet objekti i dashurisë së tij. Megjithatë, nga gruaja e tij e parë pritet përsëri që të vazhdojë të punojë si gjithnjë, derisa ta lënë fuqitë apo të vdesë.

Gratë afrikane mbajnë një peshë të rëndë pune

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo