Plaga përhapet
Roberti i vogël, edhe pse ishte vetëm 11 vjeç, u gjet i shtrirë përmbys nën një urë të braktisur. Pas kokës kishte dy vrima plumbash. U mendua se e kishin vrarë anëtarët e bandës së të rinjve ku ai bënte pjesë.
Aleksi pesëmbëdhjetëvjeçar i kishte hyrë rrugës drejt anëtarësisë në një bandë e ndoshta drejt vdekjes së parakohshme. Por ai pa një shokun e tij t’i vdiste para syve dhe mendoi me vete: ‘Nuk dua të përfundoj si ai.’
BANDAT e dhunshme, njëherë e një kohë të shoqëruara me banda gjerësisht të njohura në Los Anxhelos, të quajtura Bloods dhe Krips, janë përhapur në të gjithë botën. Por kudo qofshin, çuditërisht bandat ngjajnë shumë me njëra-tjetrën.
Banda Teddy Boys në Angli, tronditi botën në vitet 50. Gazeta The Times e Londrës tha se ata përdornin sëpata, thika, zinxhirë biçikletash dhe armë të tjera, «për t’u shkaktuar dëmtime të tmerrshme» njerëzve të pafajshëm. ‘Filluan luftërat me thika, kafenetë u shkatërruan dhe lokalet e ndryshme u plaçkitën.’ Kjo bandë ngacmonte, grabiste, rrihte e disa herë vriste njerëzit.
Gazeta Die Welt e Hamburgut, Gjermani, raportoi se kohët më të fundit, të rinj «që po shkonin në disko ose po ktheheshin në shtëpi», janë sulmuar nga banda që kishin nëpër duar «shkopinj bejzbolli, thika dhe armë». Gazeta Süddeutsche Zeitung e Mynihut tha se bandat skinheads në Berlin sulmojnë këdo «që vihet re se është më i dobët: të pastrehët, sakatët, gratë e moshuara».
Një korrespondent i Zgjohuni! në Spanjë raportoi se problemi i bandave të adoleshentëve është një problem i vonshëm, por po rritet me shpejtësi. ABC, një gazetë në Madrid, kishte si titull të faqes së parë «Skinheads: Makthi i ri i rrugëve.» Një ish-anëtar i skinheads në Spanjë tha se ata i kërkonin si me qiri «derrat e huaj, prostitutat dhe homoseksualët». Ai shtoi: «Një natë pa dhunë [ishte] pa vlerë.»
Në Afrikën Jugore, gazeta Cape Times tha se shumica e krimeve të dhunshme janë «nënprodukt i një kulture të mbrapshtë bandash». Një libër i botuar në Kejp Taun thotë se bandat afrikano-jugore u bënë «parazitë» në qytetet më të varfëra dhe se «grabitnin e përdhunonin pjesëtarë të komuniteteve të tyre si dhe përfshiheshin në luftëra bandash për territor, tregti dhe gra».
Një gazetë braziliane, O Estado de S. Paulo, tha se bandat e atjeshme po «shumëfishoheshin me një shpejtësi të frikshme». Thuhet se ato sulmojnë bandat rivale, të rinjtë e pasur, njerëzit e një race tjetër dhe punëtorët e varfër imigrantë. Thuhet edhe se një ditë, disa banda formuan një rrjet, «grabitën njerëzit në plazh . . . , luftuan mes tyre», dhe e kthyen një nga bulevardet kryesore në Rio de Zhaneiro në «një zonë lufte». Një raport tjetër nga Brazili thoshte se numri i bandave po rritet, si në qytetet e mëdha, si për shembull San Paulo dhe Rio de Zhaneiro, ashtu edhe në qytetet e vogla.
Revista kanadeze Maclean’s vërejti në vitin 1995 se, sipas përllogaritjeve të policisë, në Uinipeg të Kanadasë kishte të paktën tetë banda aktive. Edhe gazetat në Shtetet e Bashkuara kanë botuar fotografi të anëtarëve të bandave që kanë futur në rezervatet indiane në jugperëndim të Amerikës gjëra tipike bandash, veshje dhe shkarravina nëpër mure.
Në Nju Jork Siti, vitin e kaluar u ngrit një dallgë dhune e lidhur me bandat. Thuhet se në të ishin përfshirë edhe anëtarë të bandave Bloods dhe Krips, banda fillimisht të njohura në Los Anxhelos. Sipas kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, mes muajve korrik dhe shtator policia bëri 702 arrestime në incidente të lidhura drejtpërdrejt me bandat.
Problemi nuk kufizohet më vetëm në qytetet kryesore. Gazeta Quad-City Times, e botuar në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara, fliste për «dhunën e përhapur mes adoleshentëve, përdorimin e shfrenuar të drogës dhe një ndjenjë në rritje e mungesës së shpresës».
Një problem që të drithëron zemrën
Për një bandë thuhet se kishte filluar si një grup miqsh. Por, ndërsa reputacioni i kreut të saj rritej, po ashtu bënte edhe dhuna. Drejtuesi i bandës jetonte në shtëpinë e gjyshes së tij, shtëpi që u qëllua në mënyrë të përsëritur, madje edhe kur në shtëpi ishte gjyshja. Një gazetë raportoi se në shtëpi u gjetën më shumë se 50 vrima të bëra nga plumbat. Në dukje të shtënat ishin bërë si kundërpërgjigje për veprime, në të cilat fajësohej banda e nipit. Përveç kësaj, vëllai i kreut të bandës ishte në burg si rezultat i aktivitetit që lidhej me bandat dhe kushëriri i tij, i transferuar nga ai qytet për të shmangur dhunën dhe kthyer në shtëpi për një vizitë, ishte vrarë nga një plumb i gjuajtur nga dikush që po kalonte me një kamion.
Në Los Anxhelos, anëtarët e një bande e qëlluan një makinë dhe vranë një vajzë të pafajshme trevjeçare, mamaja e së cilës bashkë me mikun e saj pa dashje kishin marrë rrugën e gabuar me makinë. Një plumb depërtoi në një shkollë, duke vrarë një mësues, i cili po ndihmonte nxënësit që të përmirësonin jetën e tyre. Edhe shumë të tjerë janë vrarë, të cilët edhe pse nuk kishin të bënin fare me bandat, u bënë viktima të tyre. Një nënë në Bruklin, Nju Jork, u bë e njohur në lagjen e saj për famën më të trishtueshme: ajo i kishte humbur të tre djemtë e saj të rinj nga dhuna e bandave.
Çfarë e ka shkaktuar këtë plagë mbarëbotërore të dhunës rinore dhe si mund t’i mbrojmë ne fëmijët tanë të dashur prej kësaj plage? Si fillojnë të formohen bandat dhe pse kaq shumë të rinj futen në to? Këto pyetje trajtohen në artikujt vijues.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Skot Olson/Sipa Press