Të mbrojmë fëmijët tanë prej bandave
«Fëmijët e vegjël kanë nevojë për njerëz që interesohen për ta.»—Jo fëmija im: Parandalimi i bandave nga prindërit.a
NJË ndër zotërimet më të çmuara që kemi, fill pas marrëdhënies sonë me Perëndinë, janë fëmijët tanë. Ne duhet të flasim me ta, t’i dëgjojmë, t’i përqafojmë dhe të sigurohemi se e dinë që janë shumë të rëndësishëm për ne. Duhet t’u mësojmë atyre gjëra të mira: të jenë të ndershëm e të dobishëm, si të kenë një jetë të lumtur e të kënaqshme dhe si të jenë të dashur me të tjerët.
Mbikëqyrësi i një qendre rehabilitimi për të rinj identifikoi një problem të madh që ekziston sot, duke thënë: «Vlerat morale nuk po mësohen brenda familjes.» Patjetër që ne duhet t’i kushtojmë vëmendje dhënies së vlerave morale. Ne duhet të jetojmë në atë mënyrë, në të cilën duam që të jetojnë fëmijët tanë dhe t’i lëmë që të shohin gëzimin që i shton kjo gjë jetës sonë. Nëse nuk u mësojmë atyre vlerat e duhura morale, si mund të presim që t’i ndjekin ato vlera?
Revista Today, botuar për mësuesit amerikanë, tha se bandat shpesh tërheqin të rinjtë që «e konsiderojnë veten si të dështuar» e që «kërkojnë siguri, ndjenjën e një lidhjeje të afërt e të ngushtë dhe pranim shoqëror». Po t’ua japim me të vërtetë fëmijëve tanë këto gjëra në shtëpi: sigurinë dhe një ndjenjë të shëndetshme suksesi, si në familje, ashtu edhe në jetën e tyre, ka shumë më pak të ngjarë që të tërhiqen nga premtimet e rreme të bëra nga një bandë.
Drejtuesi i një skuadre të policisë kaliforniane kundër bandave tregon për shprehjet e tronditjes që ai sheh në fytyrat e prindërve, kur policia u troket në derë për t’u thënë se fëmija e tyre gjendet në telashe. Nuk mund ta besojnë se fëmija që mendonin se e njihnin kaq mirë mund të ketë bërë diçka të gabuar. Por fëmija i tyre ka gjetur miq të rinj dhe ka ndryshuar. Prindërit thjesht nuk e kanë vënë re ndryshimin.
Marrja e masave parandaluese është jetësore
Njerëzit që jetojnë në zona ku bandat janë aktive thonë se, si të rinjtë, ashtu edhe të moshuarit duhet të përdorin gjykim të mirë dhe të mos i sfidojnë ose t’i kërcënojnë bandat. Shmangni grupet e mëdha me anëtarë bandash dhe mos imitoni mënyrën se si duken ose si veprojnë, duke përfshirë stilin dhe ngjyrat e rrobave që veshin. Imitimi i tyre mund t’ju bëjë shënjestër të një bande rivale.
Gjithashtu, nëse një person vishet ose vepron sikur të dëshironte të bënte pjesë në bandë, anëtarët e saj mund t’i bëjnë presion që të bëhet një prej tyre. Rëndësia e njohjes së zakoneve të anëtarëve të bandave vendase u ilustrua nga një baba i tre fëmijëve në Çikago. Ai vërejti: ‘Po ta kthej strehën e kapeles nga e djathta, ata mendojnë se nuk po i respektoj.’ E kjo gjë mund të çojë në veprime të dhunshme.
Interesohuni për fëmijët tuaj
Një nënë tha: «Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për gjithçka mbi fëmijët tanë, si ndihen dhe çfarë bëjnë. Nuk do të kemi mundësi t’i ndihmojmë, po të mos tregojmë interes personal për jetën e tyre.» Një tjetër tha se problemi i bandave nuk do të ndërpritet derisa prindërit ta ndërpresin atë. Ajo shtoi: «T’u japim dashuri fëmijëve tanë. Po të rrënohen ata, edhe ne jemi të rrënuar.»
A i njohim shokët e fëmijëve tanë? A e dimë ku shkojnë fëmijët tanë pas shkolle dhe ku gjenden në mbrëmje pasi është errësuar? Sigurisht, jo çdo nënë mund të jetë në shtëpi kur fëmijët e saj vijnë nga shkolla. Por nënat e vetme, të cilat luftojnë me guxim për të paguar qiranë dhe për të ushqyer fëmijët e tyre, ndoshta mund të bëjnë rregullime me nëna të tjera ose me dikë, të cilit i besojnë, për të siguruar mbikëqyrje për fëmijët e tyre gjatë pasdites.
Një burrë që jetonte në një zonë me shumë banda u pyet se si do t’i mbronte ai fëmijët e vet nga bandat. Ai tha se do ta merrte birin e tij në një xhiro përreth lagjes e do t’i tregonte rezultatin e aktivitetit të bandave. Do t’i tregonte shkarravinat në mure dhe ndërtesat e rrënuara e do t’i tregonte «se zona nuk duket e sigurt e se anëtarët e bandave vetëm sa sillen vërdallë, pa bërë ndonjë gjë në jetën e tyre». Ai shtoi: «Pastaj, do t’i shpjegoja se të jetuarit sipas parimeve të Biblës do ta parandalonte pasjen e një rezultati të tillë.»
Një gjë kaq e thjeshtë sa interesi ynë i sinqertë për detyrat shkollore të fëmijëve, mund të jetë një mbrojtje për ta. Nëse shkolla e tyre bën një mbledhje me prindërit ose ka ndonjë rast tjetër kur prindërit janë të ftuar të vizitojnë klasat dhe të flasin me mësuesit, vini si synim që të shkoni. Njihuni me mësuesit e fëmijëve tuaj dhe bëjuni të ditur atyre interesimin për fëmijën tuaj dhe interesin që keni për shkollimin e tij ose të saj. Nëse shkolla nuk ka ndonjë program vizitash, përpiquni të gjeni raste për të folur me mësuesit për përparimin e fëmijës suaj në shkollë dhe se si mund të jeni në gjendje ta ndihmoni.
Një anketë e bërë në një qytet të madh amerikan zbuloi se mes studentëve, familjet e të cilëve i ndihmonin ose i inkurajonin në detyrat e shtëpisë, 9 përqind ishin futur në ndonjë bandë. Por në familjet ku nuk ishte dhënë një vëmendje e tillë, dy herë më shumë studentë, pra, 18 përqind, ishin futur në banda. Nëse në familjen tonë ka dashuri e unitet dhe nëse bëjmë gjëra të dobishme së bashku, probabiliteti që fëmijët tanë të tërhiqen nga premtimet e rreme të bandave do të zvogëlohet.
Çfarë u nevojitet në të vërtetë fëmijëve tanë?
Fëmijët tanë kanë nevojë për të njëjtat gjëra si ne: dashuri, dashamirësi dhe përzemërsi. Shumë fëmijë nuk janë prekur kurrë në një mënyrë të përzemërt, të dashur ose t’u jetë thënë se vlejnë me të vërtetë. Mos qoftë kurrë kështu me fëmijët tanë! Le t’i përqafojmë, t’u themi se i duam dhe të përpiqemi të sigurohemi se ata jetojnë në mënyrën morale që ne u kemi mësuar të jetojnë! Ata janë tepër të çmuar për ne që t’i trajtojmë në ndonjë mënyrë tjetër.
Xheraldi, ish-anëtar i një bande, shpjegoi: «Nuk kisha një baba të cilin mund ta merrja si shembull, prandaj u futa në bandë që të mbushja boshllëkun në jetën time.» Ai filloi të merrte drogë në moshën 12 vjeç. Por kur ishte 17 vjeç, nëna e tij filloi një studim të rregullt biblik me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo i zbatoi parimet e shkëlqyera të Biblës në jetën e saj. Ai thotë: «Pashë ndryshimin që bëri ajo dhe mendova: ‘Duhet të ketë diçka që ia vlen në këtë gjë.’» Shembulli i saj i shkëlqyer e shtyu edhe djalin të fillonte jetën e tij nga e para.
Fëmijët tanë duhet të shohin një shembull të mirë te ne, të shohin se ne jetojmë sipas asaj që u themi atyre se duhet të jetojnë. Duhet të kenë mundësi që të ndihen mirë për familjen e tyre, jo për shkak të zotërimeve të saj, por për shkak të asaj që bën. Dhe fëmijët duhet të ndihmohen në një mënyrë të tillë që të ndihen krenarë për sjelljen e tyre morale. Ish-prokurori i rajonit të Los Anxhelos-it, Ira Reiner, u shpreh kështu: «Ne duhet t’i fitojmë fëmijët para se t’i fitojnë bandat.»
T’u sigurojmë atë që u nevojitet
Nuk janë gjërat materiale që u sigurojmë fëmijëve tanë ato që kanë rëndësi parësore. Ajo që vlen me të vërtetë është që t’i ndihmojmë të zhvillohen derisa të bëhen të rritur që tregojnë dashuri, që interesohen për të tjerët e që kanë standarde të shkëlqyera morale. Bibla thotë se Jakobi i drejtë i quajti të vegjlit e tij «fëmijet me të cilët Perëndia [më] ka bërë favor». (Zanafilla 33:5, BR) Po t’i konsiderojmë kështu fëmijët tanë, si një dhuratë që na e ka dhënë Perëndia, do të jemi më të prirur për t’i trajtuar me dashuri dhe për t’i mësuar që të bëjnë një jetë të ndershme, të drejtë e të moralshme.
Kështu do të bëjmë gjithçka që mundemi për të jetuar në një mënyrë të tillë, që të lëmë shembullin e duhur për fëmijët tanë. Do t’u japim atyre një krenari të duhur e të shëndetshme për familjen e tyre, jo në zotërimet materiale të familjes, por në llojin e njerëzve që jemi. Në këtë mënyrë do të ketë më pak mundësi që ata të kërkojnë mbështetje nga ata që rrinë rrugëve.
Duke parë në retrospektivë rininë e tij, një gjysh thotë: «Kurrë nuk do të kisha bërë ndonjë gjë për të sjellë turpin mbi familjen time.» Ai pranoi se ishte ndier në këtë mënyrë, sepse ishte i vetëdijshëm për dashurinë që kishin prindërit e tij për të. Vërtet, t’u tregojnë dashuri fëmijëve të tyre mund të mos jetë e lehtë për disa nëna e baballarë, të cilët nuk kanë marrë kurrë dashuri nga vetë prindërit e tyre. Megjithatë, prindërit duhet të punojnë mbi përpjekjet për t’u treguar dashuri fëmijëve të tyre.
Pse është e rëndësishme kjo? Një revistë, («What’s Up»), e botuar nga Utah Gang Investigators Association tha se «kur të rinjtë ndihen të dashur dhe të sigurt, jo të sigurt nga ana financiare, por nga ana emocionale, nevojat që i tërheqin ata drejt bandave shpesh veniten».
Disa lexues mund të mendojnë se familjet e dashura si ajo që përshkruhet këtu, vështirë se ekzistojnë më tani. Por nuk është ashtu. Ju mund të gjeni shumë nga këto familje në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait përreth botës. Vërtet, këto familje nuk janë të përsosura, por ato kanë një përparësi të madhe. Ato studiojnë atë që thotë Bibla për rritjen e fëmijëve dhe përpiqen të zbatojnë parimet hyjnore të Biblës në jetën e tyre. Për më tepër, ato ua mësojnë këto parime fëmijëve të tyre.
Dëshmitarët e Jehovait janë dakord me pohimin e bërë në The Journal of the American Medical Association: «Dikush nuk mund të shpresojë që . . . adoleshentët të ‘refuzojnë gjithnjë’, pa u dhënë atyre diçka, të cilën ‘t’a pranojnë’.» Me fjalë të tjera, nëse duam që fëmijët tanë t’u thonë po gjërave të shëndetshme e të mira, ne duhet t’i udhëheqim ata në atë drejtim.
Asnjëri prej nesh nuk do të dëshironte kurrë t’i duhej të thoshte atë që tha një baba: ‘Në bandën e tij, djali im gjeti miqësinë dhe respektin që nuk e kishte ndier kurrë më parë.’ As nuk do të dëshironim kurrë të dëgjonim fëmijën tonë të thoshte atë që tha një i ri: «U futa në një bandë, sepse kisha nevojë për një familje.»
Ne, prindërit, duhet të jemi familja. Dhe duhet të bëjmë gjithçka që kemi mundësi, për t’u siguruar që të rinjtë tanë të çmuar të mbeten një pjesë e ngrohtë dhe e dashur e kësaj familjeje.
[Shënimi]
a Titulli i broshurës në anglisht: Not My Kid—Gang Prevention for Parents.
[Kutia dhe figurat në faqen 10]
Një listë për t’u shqyrtuar nga prindërit e interesuar
✔ Kaloni kohë në shtëpi me fëmijët tuaj dhe bëni gjëra së bashku si familje
✔ Njihuni me shokët e fëmijëve tuaj dhe me familjet e tyre si edhe kontrolloni ku shkojnë fëmijët tuaj dhe me kë
✔ Bëjuni të ditur fëmijëve tuaj se ata mund të vijnë te ju në çdo kohë, për çdo problem
✔ Mësojini fëmijët të respektojnë njerëzit e tjerë, të drejtat dhe mendimet e tyre
✔ Mbështetini fëmijët tuaj, duke u njohur me mësuesit e tyre dhe bëjuni të ditur mësuesve se i vlerësoni e i mbështetni përpjekjet e tyre
✔ Mos i zgjidhni problemet tuaja duke bërtitur ose duke përdorur dhunën
Fëmijët tuaj kanë nevojë për përzemërsinë tuaj të ngrohtë
[Figura në faqen 9]
Shfaqja e interesit në detyrat shkollore të fëmijës suaj mund të jetë një mbrojtje