BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 5/98 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Drogimi: Ves i kushtueshëm
  • Ligji i harruar
  • Teste të hershme për matjen e koeficientit të inteligjencës te fëmijët
  • Kopjues të kujdesshëm
  • A është vërtet pa kafeinë?
  • Shpyllëzimi mbarëbotëror
  • Vidhen thesaret
  • Kisha Katolike kërkon falje
  • Noçkëgjatët shkatërrues
  • Përfitimet e punonjësve të moshuar
  • Pyetje nga lexuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—2005
  • A po jua ngre kafeja nivelin e kolesterolit?
    Zgjohuni!—2000
Zgjohuni!—1998
g 5/98 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Drogimi: Ves i kushtueshëm

Një raport i qeverisë së SHBA⁠-⁠së përllogarit se në vitin 1995 amerikanët shpenzuan 57,3 miliardë dollarë për droga të paligjshme. Në shkallën e shitjeve kokaina zinte dy të tretat e shifrës, kurse heroina, marijuana dhe drogat e tjera të paligjshme përbënin pjesën që mbetej. Drejtori i zyrës së Shtëpisë së Bardhë për politikën kombëtare të kontrollimit të drogave, Barri Mekafri, vërejti se shuma e parave të shpenzuara në këto droga mund të përdorej për t’u siguruar bursa arsimi universitar një milion njerëzve ose për të siguruar 83 miliardë litra qumësht që të ushqeheshin foshnjat e kequshqyera, raporton Shtypi i Bashkuar. Për më tepër, kjo shifër nuk merr parasysh koston shoqërore, si për shembull kriminalitetin e rritur, turbullimin në jetën personale e familjare dhe përhapjen e sëmundjeve si hepatiti dhe SIDA.

Ligji i harruar

Sa nga Dhjetë Urdhërimet e Biblës mund të përmendni? Një studim i bërë në Rio de Zhaneiro zbuloi që më shumë se 1 në 4 brazilianë nuk mund të përmendnin as edhe një! Prej atyre që dinin të paktën një nga urdhërimet, 42 përqind përmendën «Mos vrit» ose «Mos vidh». Të tjerë kujtuan «Mos dëshiro gruan e fqinjit tënd» (38 përqind), «Ndero atin dhe nënën [tënde]» (22 përqind) dhe «Mos bëj dëshmi të rreme» (14 përqind), raporton Veja. Vetëm 13 përqind nga ata që u përgjigjën, kujtonin urdhërimin e tretë: «Mos e përdor kot emrin e shenjtë të Perëndisë.»​—⁠BR.

Teste të hershme për matjen e koeficientit të inteligjencës te fëmijët

Shkencëtarët që studiojnë inteligjencën njerëzore tani besojnë se truri i një foshnjeje kalon fazën e tij më kritike të zhvillimit mes lindjes dhe moshës tre vjeç. Mendohet, gjithashtu, se në përgjigje të stimulimit mendor, gjatë kësaj faze në tru vendosen lidhje të qëndrueshme neuronike. Prandaj, disa prindër kanë filluar t’u bëjnë fëmijëve të tyre teste për matjen e koeficientit të inteligjencës, para se të hyjnë në kopsht, për t’i ndihmuar që të fitojnë një qëndrim konkurrues, raporton Modern Maturity. Megjithatë, dr. Barri Zukerman, drejtor i repartit të pediatrisë në Fakultetin e Mjekësisë në Boston, shprehu shqetësimin e tij për prindërit që ndihen «të detyruar të ‘ngacmojnë’ foshnjën e tyre çdo moment», duke u përpjekur për të prodhuar një «super foshnjë». Riçard Uinberg, profesor i psikologjisë fëminore shton: «T’i shtysh fëmijët për të konkurruar tepër herët, shpesh prodhon efektin e kundërt. Lërini fëmijët tuaj të gëzojnë fëmijërinë e tyre.»

Kopjues të kujdesshëm

Dr. Barbara Alant, drejtoreshë e Institutit të Kërkimeve për Besëlidhjen e Re, në Munster, Gjermani thotë se tekstet që përbëjnë Shkrimet Greke të Biblës janë kopjuar me imtësi dhe janë hedhur në letër me një kujdes të madh. «Janë të rralla gabimet ose ndryshimet e motivuara nga ana teologjike»,​—⁠raporton Westfälische Nachrichten. Që nga viti 1959 instituti ka ekzaminuar mbi 5.000 kopje të shkruara me dorë, të cilat datojnë nga epoka e Mesjetës dhe nga antikiteti klasik. Pothuajse 90 përqind e dorëshkrimeve janë regjistruar në mikrofilma. Pse kopjuesit e Biblës treguan një kujdes kaq të madh për të mos bërë gabime? «Sepse ata e konsideronin veten si ‘kopjues’ dhe jo si autorët»,​—⁠thotë gazeta.

A është vërtet pa kafeinë?

Ata që janë të ndjeshëm ndaj kafeinës shpesh përdorin si alternativë pije që nuk përmbajnë kafeinë. Por çfarë mundësish keni për të pasur një kafe vërtet pa kafeinë, kur porositni një të tillë? Sipas një raporti në gazetën The New York Times, mundësitë janë 1 me 3. Administrata e ushqimit dhe ilaçeve në SHBA e përkufizon kafenë pa kafeinë si një lloj kafeje që përmban dy deri në pesë miligramë kafeinë. Por kampione të marra nga 18 kafene në Nju Jork Siti zbuloi se sasia e kafeinës në një filxhan kafeje prej 140 mililitrash luhatej shumë, nga 2,3 miligramë kafeinë në 114 miligramë. Sipas Shoqatës Kombëtare të Industrisë së Kafesë, një filxhan i tillë kafeje normale përmban nga 60 deri në 180 miligramë kafeinë.

Shpyllëzimi mbarëbotëror

«Dy të tretat e hapësirës pyjore të planetit tashmë është shkatërruar»,—raporton Jornal da Tarde. Nga të 80 milionë kilometrat katrorë që fillimisht ishin zona pyjore të tokës, kanë mbetur vetëm 30 milionë kilometra katrorë. Fondi për mbrojtjen e Faunës dhe Florës botërore (WWF) ka zbuluar se Azia është kontinenti më i shpyllëzuar, me 88 përqind të bimësisë fillestare të shkatërruar. Në Evropë shifra është 62 përqind, në Afrikë 45, në Amerikën Latine 41 dhe në Amerikën e Veriut 39 përqind. Amazona, vendi i pyllit tropikal të shiut, më i madhi në botë, ka akoma më shumë se 85 përqind të pyllit të saj fillestar. O Estado de S. Paulo citon atë që ka thënë drejtori i WWF⁠-⁠së, Garo Batmanian: «Brazili ka rastin për të shmangur përsëritjen e gabimeve të bëra me pyjet e tjera.»

Vidhen thesaret

Një lajm i kohëve të fundit, i dhënë nga Kanadaja njoftoi se «kriminaliteti i organizuar ndërkombëtar po vë në shënjestër thesaret e Mesopotamisë, të cilat janë lënë pothuaj të pambrojtura, si rezultat i luftës së vitit 1991 në Gjirin Persik»,​—⁠raporton World Press Review. Në vitin 1996 vjedhësit hynë në muzeun babilonas në mes të ditës dhe grabitën cilindra dhe pllaka që ishin mbishkruar me shkrim kuneiform. Antikitetet e rralla, disa prej të cilave datonin në mbretërimin e Nabukodonosorit II, qenë llogaritur se vlenin më shumë se 735.000 dollarë në tregjet artistike ndërkombëtare. Një zonë tjetër në shënjestër të vjedhësve është qyteti i lashtë i Al⁠-⁠Hadarit. Revista përmend se duke u përpjekur për të mbrojtur thesaret e mbetura, qeveria ka bllokuar të gjitha dyert dhe kalimet e qytetit me tulla e beton.

Kisha Katolike kërkon falje

Kisha Katolike në Francë ka botuar një «deklaratë pendimi» formale, duke i kërkuar Perëndisë dhe hebrenjve falje për «indiferencën» që Kisha Katolike tregoi ndaj persekutimit të hebrenjve nën qeverinë e Vishit në Francë, gjatë kohës së luftës. Nga viti 1940 deri në vitin 1944, më shumë se 75.000 hebrenj u arrestuan dhe u dëbuan nga Franca për në kampet naziste të vdekjes. Gazeta franceze Le Monde raporton që, në një deklaratë të lexuar nga arkipeshkopi Olivier de Beranzhe, kisha pranoi se ajo lejoi që interesat e saj «të errësonin detyrën biblike për të respektuar çdo qenie njerëzore të krijuar në shëmbëllim të Perëndisë». Edhe pse një grusht klerikësh francezë folën në favor të hebrenjve, shumica e tyre mbështeti qeverinë e Vishit dhe politikën e saj. Deklarata pjesërisht thoshte: «Kisha duhet të pranojë se në lidhje me persekutimin e hebrenjve, e veçanërisht në lidhje me masat e shumta antisemitike të dekretuara nga autoritetet e Vishit, indiferenca e tejkaloi shumë indinjatën. Heshtja ishte procedura normale dhe fjalët në favor të viktimave ishin një përjashtim. . . . Sot, ne rrëfejmë se heshtja ishte një gabim. Ne pranojmë, gjithashtu, se kisha në Francë dështoi në misionin e saj si edukuese e ndërgjegjes së popullit.»

Noçkëgjatët shkatërrues

Që kur noçkëgjati i palmës së kuqe [Rhynchophorus ferrugineus] mbërriti në Gadishullin Arabik më pak se 20 vjet më parë, ky insekt i vogël ka zhbirruar në mijëra palma hurme dhe ka shkaktuar dëme të panumërta. «Ekziston madje frika se hurmat, ‘fryti i jetës’ 5.000-vjeçar i Arabisë, mund të zhduken nga faqja e dheut»,​—⁠raporton The Economist. Noçkëgjati, vetëm 5 centimetra i gjatë, hap një seri tunelesh në trungun e pemës dhe dalëngadalë e than pemën. Pesticidet kanë pak efekt mbi insektin dhe ai vazhdon të shumohet me shpejtësi në të gjithë zonën.

Përfitimet e punonjësve të moshuar

The Times e Londrës raporton se punonjësit mbi moshën 47 vjeç janë më vigjilentë dhe më të efektshëm në mëngjes, sesa kolegët e tyre më të rinj. Meqenëse ky zakon anon të kthehet në të kundërtën në orët më të vona të ditës, Tom Rili, i Universitetit Xhon Murs të Liverpulit, sugjeron që punëdhënësit të programojnë në turnin e parë punonjësit më të vjetër dhe më të rinjtë t’i caktojnë për pasditet dhe mbrëmjet. Oratorët që folën në konferencën e Shoqërisë Britanike Mjekësore mbi plakjen thanë, gjithashtu, se mapot e mëdha dhe dyqanet e vetëshërbimit shpesh parapëlqejnë të punësojnë njerëz të moshuar. Pse? Sepse ata tregojnë më shumë interesim për klientët dhe kanë njohuri se si t’i bëjnë gjërat për të cilat nuk ka udhëzime të shkruara. Gazeta raporton se ata i përmbahen, gjithashtu, «standardeve të etikës, prej të cilave një shoqëri mund të jetë shmangur».

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo