Ta kuptojmë dhe të jetojmë me fibromialgjinë
JU DHEMB i gjithë trupi? Jeni jashtëzakonisht të rraskapitur? Kur zgjoheni në mëngjes, jeni të mpirë dhe të sfilitur? Ju pengohet kujtesa herë pas here? Këto mund të jenë disa shenja të sindromës së fibromialgjisë (FMS).
«Do ta kujtoj gjithnjë atë mëngjes të 1989-s, kur u zgjova i paralizuar dhe mbeta ashtu për 45 minuta»,—thotë Tedi.a Kështu filloi lufta e Tedit me fibromialgjinë, e cila kryesisht do të thotë «dhimbje në tendinat, ligamentet dhe në muskujt».
Ndoshta një mik ose një pjesëtar i familjes ka FMS. Si mund ta ndihmoni ju? Ose nëse ju keni këtë sëmundje, çfarë mund të bëhet? Të qenët të mirinformuar është një hap i madh drejt kuptueshmërisë dhe jetesës me këtë problem. Megjithatë, jo çdokush që ka simptomat e mësipërme, ka medoemos FMS.
Përkufizimi i fibromialgjisë
Sipas Kolegjit Amerikan të Reumatologjisë, «diagnoza e fibromialgjisë bazohet në historinë e personit mbi dhimbjet kronike të përgjithshme dhe në gjetjen e zonave të ndjeshme në vende specifike nga mjeku». Ka edhe simptoma të tjera, ku disa janë të ngjashme me ato të sindromës së rraskapitjes kronike (CFS).
Vërtet, shumë njerëz të cilët kanë FMS-në kanë, gjithashtu, CFS-në dhe sëmundje të tjera. Depresioni dhe ankthi jonormal janë të zakonshëm mes atyre që vuajnë me FMS dhe duket se FMS-ja në përgjithësi është shkaku i këtyre problemeve dhe jo rezultati. FMS-ja mund të rëndohet nga kushte të tilla të jashtme, si: tepër shumë apo tepër pak aktivitet fizik, një front i ftohtë ajri që po vjen, një natë pa gjumë ose stresi i tepërt.
E njohur më parë me emra të ndryshëm, duke përfshirë edhe fibrozitin, FMS-ja nuk shkakton deformim ose gjymtim as nuk është një kërcënim për jetën në vetvete. Edhe pse nuk mund të thuhet me siguri që FMS-ja është sëmundje e trashëguar, ajo është gjetur në më shumë se një pjesëtar në disa familje. Ajo prek miliona njerëz dhe shfaqet te të rriturit e çdo moshe, por gratë preken më shumë se burrat.
Shkaku i FMS-së
Janë parashtruar teori të ndryshme në lidhje me shkakun e FMS-së. Shkaktari mund të jetë një virus ose një çekuilibrim i serotoninës neurotransmetuese që ndikon mbi gjumin dhe një çekuilibrim i lëndëve kimike, të tilla, si: endorfinat, luftuesit natyrorë të dhimbjes, të cilat ndodhen në trup. Kërkimet mbi këto teori si edhe mbi teori të tjera janë në vazhdim.
Të para në mikroskop, muskujt e atyre me FMS duken të shëndetshëm, por pjesët e qelizave që janë prodhuese të energjisë mund të mos jenë duke funksionuar normalisht. Si shkaku, ashtu edhe kurimi janë të panjohur. Në shumë raste individi lidh një ngjarje të veçantë ose traumatike, qoftë fizike ose emocionale, me shfaqjen e simptomave të tij o të saj, ndërkohë që për të tjerët shfaqja ishte më e pakuptueshme.
Probleme me diagnostikimin e FMS-së
Meqenëse shumica e simptomave mund të vihen re edhe në gjendje të tjera shëndetësore, dr. Karla Oklei nga Kanadaja, thotë: «FMS-ja nuk është gjithnjë gjëja e parë që dyshohet kur një pacient vjen të vizitohet sepse ka dhimbje në kyçe. Nëse problemet vazhdojnë pas disa vizitash, atëherë ne hetojmë më thellë. Kur diagnoza është FMS, zakonisht unë e drejtoj pacientin te një reumatolog për një verifikim të saj.»
Sidoqoftë, deri në kohët e fundit nuk kishte asnjë kriter për diagnostikimin e FMS-së, prandaj problemi ishte subjektiv, domethënë i perceptueshëm vetëm nga pacienti dhe rezultatet e analizave dilnin normale. Kështu, shumë mjekë nuk ishin të njohur me këtë problem. Një grua me emrin Rejçëll ankohet: «Kam shkuar nëpër mjekë të ndryshëm për 25 vjet dhe kam harxhuar mijëra dollarë para se të më diagnostifikohej siç duhet FMS-ja që kisha.»
Ku mund të gjeni ndihmë, pra, nëse mendoni se keni fibromialgjinë? Në një libër të sajin (When Muscle Pain Won’t Go Away), Gejl Bakstrom sugjeron kontaktimin me degën lokale të Fondacionit të Artritit ose me një reumatolog.
Kurimi
Deri tani nuk është gjetur asnjë kurë e efektshme për FMS-në, prandaj kurimi zakonisht përqendrohet në simptomat. Një nga aspektet kryesore është dhimbja, e cila, ashtu si edhe simptomat e tjera, ndryshon nga një person te tjetri dhe luhatet nga dita në ditë madje edhe në të njëjtin person.
Këtij problemi i shtohet fakti se mjekimi për qetësimin e dhimbjeve dhe disa forma të tjera kurimi duket se e humbasin efektshmërinë përgjatë kohës. Gejl Bakstrom sugjeron: «Shpesh, nëse i provoni më vonë ato ilaçe ose mjekime, do të përjetoni përsëri një periudhë me rezultate pozitive.» Sigurisht, në radhë të parë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Ekziston, gjithashtu, rreziku i efekteve anësore ose i varësisë ndaj atyre ilaçeve. Prandaj, Kolegji Amerikan i Reumatologjisë rekomandon që «të shmangen qetësuesit e fortë të dhimbjeve».
Një aspekt i dytë kryesor është mungesa e gjumit jetësor si pasojë e dhimbjes dhe e shqetësimeve të tjera. Melania përdor një jastëk të gjatë trupi për dhimbjen dhe zhurmën e vazhdueshme të aparatit lagështimbajtës, për të kompensuar zhurmën e jashtme. Ndihma të tjera mund të jenë tampone për veshët dhe një shtresë bukëpeshku ose një shtresë nga ky material që vihet sipër dyshekut e që ka formën e lakuar të mbajtëses së vezëve.b Dr. Duajn Ejërs i Karolinës së Veriut thotë: «Pasi i ndihmoj të përmirësojnë gjumin, pacientët e mi reagojnë më mirë ndaj kurimeve të tjera.»
Sipas Institutit Kombëtar të Artritit dhe të Sëmundjeve Muskuloskeletore e të Lëkurës, «pacientët me fibromialgji mund të nxjerrin dobi nga një kombinim i fizkulturës, mjekimit, terapisë fizike dhe çlodhjes». Kurime të tjera mund të përfshijnë terapi me masazhe, kontrollimin e stresit dhe ushtrimet për t’u çmpirë. Por megjithatë, për disa që përjetojnë dhimbje të vazhdueshme ose rraskapitje, bërja e fizkulturës mund të duket e pamundur. Prandaj disa rekomandojnë të fillohet shumë ngadalë. Dhe sigurohuni se jeni konsultuar me mjekun tuaj para se të filloni çfarëdo programi fizkulturor.
Në numrin e saj të korrikut 1997, fletushka Fibromyalgia Network citon një thënie të Sharen Klarkut, një fiziologe e fizkulturës dhe kërkuese në Portland, Oregon, ku ajo thoshte se po të mos bësh dot fizkulturë për 20 ose 30 minuta, «mund të bësh gjashtë ecje 5-minutëshe në ditë dhe kjo gjë do të prodhojë efekte të dobishme». Bërja e ushtrimeve të lehta aerobike rrit prodhimin e endorfinave, përmirëson gjumin, oksigjenon sistemin dhe muskujt.
Megjithatë njerëzit dallohen nga njëri-tjetri dhe mund të jenë në nivele të ndryshme me FMS-në e tyre. Ilejn na thotë: «Arritja më e madhe për mua është të përshkoj vajtje-ardhje një herë në ditë rrugicën para shtëpisë sime, ndërsa shoqja ime e ngushtë që ka edhe ajo FMS, ecën për afro një kilometër e gjysmë.» Ky nuk është një rast ku aplikohet thënia «pa dhimbje s’ka fitim», por qartësisht është një situatë «mos u dorëzo». Tedi, që ka edhe CSF-në, edhe FMS-në, thotë: «Fillimisht mund ta përdorja biçikletën e ushtrimeve vetëm një herë në javë, për dy ose tre minuta. Tani ushtrohem për më shumë se 20 minuta, tri ose katër herë në javë. Por m’u deshën më tepër se katër vjet për të arritur këtë rezultat.»
Është ngritur çështja e përdorimit të mjeteve alternative, siç është akupunktura, kiropraktika dhe lloje të tjera kurimi ose përdorimi i barnave popullore apo i plotësuesve të tjerë të dietës. Edhe pse shumë veta pohojnë se janë përmirësuar duke përdorur disa nga kurimet e mësipërme, të tjerë nuk kanë pasur këto rezultate. Kërkuesit po studiojnë një numër kurimesh të tilla, por rezultatet nuk janë ende përfundimtare.
Disa herë mjekimet shkaktojnë dhimbje nga uria ose ngrënia bëhet një mënyrë për të trajtuar ankthin. Megjithatë, një peshë më e madhe trupore shton më shumë stres mbi muskujt, gjë që rezulton në më shumë dhimbje. Prandaj, në disa raste mjeku mund të rekomandojë humbjen e disa kileve.
Një diagnozë me FMS mund të shkaktojë panik dhe zemërim. Megjithatë, ekzistojnë mënyra për të trajtuar ndjenja normale si këto, në një mënyrë që të mos dëmtohet asnjëri. Pikëllimi është një reagim tjetër i zakonshëm. Është e natyrshme të pikëllohemi kur humbim diçka kaq të çmuar sa shëndeti ynë.
Kur ndikon mbi punën tuaj
Ata që kanë FMS mund të përjetojnë probleme në punë. Li kishte qenë në atë vend pune për shtatë vjet, por puna u bë më e vështirë, për shkak të shëndetit të saj. Pasi foli me punëdhënësit e saj, ajo pati mundësi të merrte një punë gjysmë-ditore në të njëjtën kompani dhe kjo e pakësoi stresin. Gjithashtu, për habinë e saj, iu bë një ngritje rroge në bazë orësh.
Një specialist i terapisë fizike ose i terapisë me anë të punës mund t’ju ndihmojë të kërkoni mënyra për ta bërë punën tuaj me më pak stres për trupin tuaj. Lisa zbuloi se përdorimi i një karrigeje me mbështetëse për krahët ishte i dobishëm për të. Ivonës iu rekomandua që jo vetëm të ndryshonte karrigen, por edhe tavolinën e punës. Por nëse bëhet i nevojshëm ndryshimi i punës, ka agjenci që mund t’ju ndihmojnë.
Si mund të ndihmoni ju?
Çdo pjesëtar i familjes, madje edhe të vegjlit, mund të mësojnë për FMS-në dhe të arrijnë të kuptojnë se, megjithëse ai ose ajo që vuan me FMS duket i shëndetshëm, personi ka një sëmundje kronike që shkakton dhimbje e rraskapitje. Komunikimi i mirë është po ashtu jetësor. Xheni thotë: «Ne kemi diskutime familjare në mënyrë periodike, për të parë se si mund të ndihmojë secili.» Një pjesë të madhe në jetesën me sukses me FMS-në përbën mësimi nga ana e personit që vuan se si të ruajë energjinë, ndërkohë që vazhdon t’i bëjë gjërat. Kjo mund të kërkojë pak imagjinatë, si edhe bashkëpunimin e të tjerëve. Edhe një herë, një specialist i terapisë me anë të punës mund të dalë i dobishëm.
Ju mund ta ndihmoni një mik me FMS, duke qenë një «vesh dëgjues» që nuk gjykon. Përpiquni t’i mbani diskutimet në një nivel pozitiv, duke mos lënë që fibromialgjia të zotërojë tërë bisedën. Çfarë duhet thënë apo nuk duhet thënë në këto raste? Për sugjerime shikoni kutinë në faqen 23. Nëse keni FMS-në, përpiquni të keni më shumë se një «vesh dëgjues», kështu që të mos lodhet i njëjti «vesh». Dhe kujtoni se jo të gjithë do të duan të dëgjojnë për FMS-në tuaj.
Përshtatja ndaj ndryshimeve
Në disa raste ne anojmë t’u rezistojmë ndryshimeve, veçanërisht atyre që janë të detyruara. Por një specialist i terapisë fizike, i cili ka ndihmuar rreth njëqind persona me FMS na thotë: «Përpiqem t’i bëj që të kuptojnë se ata duhet ta pranojnë situatën e tyre. Ata duhet të bëjnë edhe disa ndryshime në jetën e tyre dhe të mos e lejojnë veten të shkurajohen nga ripërsëritjet ose nga shpërthimet e përkohshme. Me anë të kontrollimit të vetes, të njohurisë, kuptueshmërisë dhe fizkulturës ata mund ta kontrollojnë FMS-në në vend se të lënë që ajo t’i kontrollojë.»
Dejv, i cili ka FMS thotë: «Edhe pse tendenca është për të bërë më shumë në një nga ditët më të mira, mund të jetë më e mençur ta ruani energjinë tuaj për ditën tjetër, që të mos përfundoni duke e kaluar pjesën tjetër të javës në shtrat.» Megjithatë, disa herë mund të mendoni se për të shkuar në një rast shoqëror ose të veçantë ia vlen të vuash më vonë. Nuk është gjithnjë me mend të përpiqeni ta fshihni FMS-në, veçanërisht t’ua fshihni atyre që me të vërtetë interesohen për ju. Dhe përpiquni të mbani edhe një ndjenjë humori. «Kam parë se zakonisht fle më mirë pas një të qeshure të mirë ose pasi kam parë një komedi të mirë»,—komenton Andrej.
Kujtoni, gjithashtu, se Jehovai nuk e krahason nivelin tuaj të aktivitetit me atë të të tjerëve, por çmon besimin dhe dashurinë e thellë që shfaqni ju. (Marku 12:41-44) E rëndësishme është të mësoni të jetoni sipas kufizimeve tuaja, duke mos qenë as tepër mbrojtës e as të pakujdesshëm. Varini shpresat te Perëndia Jehova, i cili do t’ju japë mençurinë dhe forcën për të bërë më të mirën që mundeni. (2. Korintasve 4:16) Dhe mbajeni fort në zemër premtimin për një kohë që do të vijë së shpejti, kur kjo tokë do të jetë një parajsë ku «asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Jam i sëmurë.’». (Isaia 33:24) Po, një ditë ju do të jeni të shëndetshëm përsëri!
[Shënimet]
a Disa nga emrat janë ndryshuar.
b Zgjohuni! nuk rekomandon asnjë lloj të veçantë ndihme për gjumin as nuk rekomandon ndonjë kurim specifik për FMS-në.
[Kutia në faqen 22]
Ngushëllim nga Bibla
• Jehovai shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.—Psalmi 34:18.
• Jehovai do t’ju mbështetë.—Psalmi 41:3.
• Hidhini të gjitha barrët tuaja mbi Jehovain, ai kujdeset për ju.—Psalmi 55:22; 1. Pjetrit 5:7.
• Jehovai kënaqet me përpjekjet tuaja me gjithë shpirt për t’i shërbyer atij, sado i kufizuar që mund të jetë ky shërbim.—Mateu 13:8; Galatasve 6:4; Kolosianëve 3:23, 24.
• Ne nuk dorëzohemi.—2. Korintasve 4:16-18.
[Kutia në faqen 23]
Çfarë të themi?
• Sa mirë që po të takoj.
• Do të të jenë dashur shumë përpjekje për të ardhur këtu.
• Jam këtu për të të ndihmuar. Unë kujdesem për ty.
• E vlerësoj atë që ke mundësi të bësh.
Çfarë të mos themi?
• E kuptoj atë që po kalon.
• Dukesh shumë mirë. Si ka mundësi që të jesh sëmurë?
• Më telefono po të të duhet ndonjë gjë.
[Diagrami në faqen 21]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Pikat e zeza janë disa nga zonat e ndjeshme që kërkohen për diagnostikimin e fibromialgjisë
[Figura në faqen 24]
Komunikimi i mirë dhe diskutimet familjare janë thelbësore