BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 8/98 f. 16-17
  • Xhevahirë të qiellit afrikan

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Xhevahirë të qiellit afrikan
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Pasqyra metalike
  • E zellshme, por jo marramendëse
  • Fole të varura
  • Zogu që puth lule
    Zgjohuni!—1999
  • Rritin të vegjlit e tyre në natyrë
    Zgjohuni!—2001
  • Akrobatet e palodhura të ajrit
    Zgjohuni!—1999
  • Instinkti: Mençuri e programuar para lindjes
    Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 8/98 f. 16-17

Xhevahirë të qiellit afrikan

Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Kenia

SAVANA afrikane është e thatë dhe ngjyrë kafe, e pjekur nga dielli i nxehtë ekuatorial. Çajmë rrugën përmes kaçubeve të pleksura të pemëve «prit pak» dhe shkurreve me gjemba.

Papritur bëjmë një ndalesë të menjëhershme. Na ka tërhequr vëmendjen një vezullim i ylbertë ngjyrash. Duke pushuar mbi një degë të lulëzuar akacieje gjendet një zog i vogël që ka ngjyra kaq të çelura, saqë duket sikur vetë dielli është strukur brenda puplave të tij të vogla. Ky xhevahir i çmuar me krahë quhet në mënyrë të përshtatshme zogu i diellit.

Pasqyra metalike

Ekzistojnë mbi njëqind lloje të zogut të diellit. Shumica prej tyre gjenden në Afrikën tropikale, por mund t’i gjesh edhe në Azi, Australi e madje edhe në ishujt e Paqësorit. Po aq të bukur sa edhe të ndryshëm, zogjtë e diellit e pasqyrojnë diellin si pasqyra të vogla metalike, duke shfaqur një ylber ngjyrash vezulluese: të kuqe, të verdhë, të kaltër e të gjelbër, si edhe nuanca bakri.

Zogjtë e diellit zakonisht krahasohen me kolibrin amerikan. Ashtu si kolibrat, ata kanë ngjyra tepër të bukura dhe ushqehen me nektar. Megjithatë, ata janë më të mëdhenj se kolibrat dhe nuk kanë aftësitë fluturuese të ekuivalentëve të tyre amerikano-veriorë.

Në përgjithësi, zogu i diellit e nxjerr nektarin duke u ulur drejt e mbi lulen dhe duke përdorur sqepin e tij të gjatë e të kthyer për të arritur thellë në brendësi të qafës së luleve. Por, nëse një lule me formë tubulare është tepër e gjatë për t’u arritur, zogu i diellit mund të shpojë fundin e lules dhe të thithë përmbajtjen e saj të çmueshme. Ata ushqehen edhe me insektet e kapura nëpër lule dhe në gjethnajën aty afër.

Meshkujt janë edhe këngëtarë të suksesshëm. Repertori i tyre ndryshon nga një tssp e thatë e zogut të diellit superb, e deri në tsik-tsik-tsik-tsik-tsit tree-tree-turrrr e bukur, që nxjerr zogu i diellit malakit me xhufkë të purpurt, i cili jeton në Afrikën Lindore. Shpesh kënga e tyre tregon praninë e tyre në pyllin e dendur të drizave. Gjithsesi, pasi piketohen, ata janë pothuaj të dallueshëm në sfondin e thatë, ngjyrë kafe të savanës afrikane.

E zellshme, por jo marramendëse

Ndërsa mashkulli i zogut të diellit është një kënaqësi për t’u parë e për t’u dëgjuar, femra është më e vogël dhe paksa e zbehtë në ngjyra. Për këtë arsye ajo shpesh nuk përfillet nga vëzhguesit e zogjve dhe nga fotografët. Në fakt, zakonisht ajo vihet re vetëm kur është në shoqërinë e mashkullit. Por atë që femra nuk e ka në ngjyra, ajo e kompenson patjetër me zellin e saj.

Është femra, në fakt, që rregullisht ndërton folenë dhe bën më të shumtën e punës me rritjen e të vegjëlve. Ndërsa ajo merret me punët në fole, mashkulli rri rojë, i përgatitur për të përzënë bezdisësit nga zona e folesë.

Fole të varura

Megjithatë, foletë e zogjve të diellit nuk janë aspak të bukura. Shpesh ato ngjajnë pak a shumë si copa mbeturinash që janë mbledhur nga një erë kalimtare dhe kanë ngecur mbi një gjemb akacieje. Me formë çorapeje si pikël vese e varur, foleja e një zogu të diellit është e përbërë nga fibra bimësh të thurura ose të shtruara së bashku dhe të lidhura me rrjeta merimange. Pjesa e jashtme e folesë është zbukuruar me shkathtësi me degë të vogla, gjethe të thara, copëza likenesh dhe shpesh me një ose dy bishtaja kolovitëse mbi të gjitha këto.

Nga brenda, foleja është e mbushur me push bimësh, bar të butë, pupla dhe materiale të tjera delikate. Hyrja është një vrimë e vogël në njërën anë, afër majës së folesë. Femra shpesh i ngroh vezët e vetme. Ndërsa rri e ulur në folenë e saj në formë dardhe, zakonisht mund të shihet sqepi i saj i gjatë e i kthyer tek zgjatet mbi vrimën e folesë. Ajo bën një ose dy vezë, të cilat i ngroh për rreth 14 ditë. Kur të vegjlit lënë folenë, ata kanë gjithnjë ngjyra të zbehta si nëna e tyre. Megjithatë, kur meshkujt nisin të rriten, ata fillojnë të zhvillojnë puplat e lavdishme që një ditë do t’i dallojnë si zogj të diellit.

Zogu i diellit s’është gjë tjetër veçse një shembull më shumë i pasurisë dhe i llojshmërisë nga një Projektues inteligjent. Bukuria e ngjyrave të tyre dhe sjellja instiktive na shtyjnë të kemi një çmueshmëri më të madhe për Krijuesin e tyre. Kështu, zogjtë e diellit janë mes atyre që Bibla i urdhëron: «Lëvdojeni Zotin [Jehovain, BR] nga toka, . . . ju rrëshqanorë dhe zogj me krahë.» «Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin [Jah, BR].» (Psalmi 148:7, 10; 150:6) Këta xhevahirë të qiellit afrikan duhet të na shtyjnë të gjithëve të lëvdojmë Krijuesin e dashur që i projektoi ata.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo