Kapitulli 13
Instinkti: Mençuri e programuar para lindjes
1. Çfarë komentoi Darvini mbi instinktin?
«SHUMË instinkte janë aq të mrekullueshme, saqë zhvillimi i tyre ka mundësi t’u shfaqet lexuesve si një vështirësi e mjaftueshme për të përmbysur gjithë teorinë time»,—shkroi Darvini. Është e dukshme se ai mendonte që instinkti ishte një vështirësi e pakapërcyeshme, pasi fjalia e tij vijuese ishte: «Më duhet të parashtroj që unë nuk pretendoj se dua të gjej origjinën e aftësive mendore, aq më shumë atë të vetë jetës.»1
2. Si e konsiderojnë sot instinktin disa shkencëtarë?
2 Sot, shkencëtarët nuk janë në gjendje, më shumë se Darvini, të japin një shpjegim mbi instinktin. Një evolucionist thotë: «E vërteta është që nuk ka asnjë arsye për të menduar se mekanizmi gjenetik mund të transmetojë modele specifike sjelljeje. . . . Kur pyesim veten se si ka mundësi që të jetë zhvilluar në vend të parë një model sjelljeje instinktiv dhe se si ka mundur të trashëgohet, nuk gjejmë ndonjë përgjigje.»2
3, 4. Çfarë thotë një libër mbi mënyrën e lindjes së instinktit të shtegtimit, por përse nuk qëndron ky shpjegim?
3 Megjithatë, në ndryshim nga Darvini dhe nga shumë evolucionistë të tjerë, një libër i njohur mbi zogjtë nuk ngurron ta shpjegojë në këtë mënyrë një nga instinktet më të mistershme, atë të shtegtimit: «Nuk ka dyshim se fenomeni ka pësuar një evoluim: zogjtë me origjinë nga klimat e ngrohta ka mundësi të jenë shpërndarë në kërkim të ushqimit.»3
4 Por, a ka mundësi që një përgjigje e tillë e thjeshtë të shpjegojë veprimtaritë e jashtëzakonshme të shumë zogjve shtegtarë? Studiuesit e dinë se udhëtime të tilla eksploruese dhe këto sjellje të fituara nuk trupëzohen në kodin gjenetik, prandaj nuk trashëgohen nga pasardhësit. Pranohet se aftësia për të shtegtuar është instinktive dhe «e pavarur nga përvojat e kaluara».4 Le të shohim disa shembuj.
Veprimtari të jashtëzakonshme të zogjve shtegtarë
5. Përse midis zogjve shtegtarë rekordin e mban çafka arktike dhe ç’pyetje bën një shkencëtar?
5 Për sa i përket distancës së përshkuar, rekordin e mbajnë çafkat arktike. Ato i bëjnë foletë në veri të Rrethit Arktik, por në fund të verës fluturojnë drejt jugut, për ta kaluar verën antarktike mbi mbulesën e akullit pranë Polit të Jugut. Përpara se të kthehen në Arktik, duke ecur drejt veriut, ato mund t’i vijnë rrotull gjithë kontinentit antarktik. Në këtë mënyrë shtegtimi i tyre vjetor shkon rreth 35.000 kilometra. Të dyja rajonet polare janë të pasura me ushqim, prandaj një shkencëtar pyet: «Si kanë mundur të zbulojnë ato ekzistencën e burimeve të tilla të ushqimit kaq larg njëra-tjetrës?»5 Evolucioni nuk ofron asnjë përgjigje.
6, 7. Çfarë ka të veçantë shtegtimi i bilbilit kokëzi dhe cilat pyetje na bëjnë të kuptojmë madhështinë e veprimit të tij?
6 Po kaq i pashpjegueshëm për evolucionin është edhe shtegtimi i bilbilit kokëzi. Ky zog i vogël peshon vetëm njëzet gramë. E megjithatë, në vjeshtë ai e lë Alaskën për të shkuar në brigjet lindore të Kanadasë ose të Anglisë së Re, ku ngjishet paq me ushqim, vë dhjamë dhe pastaj rri në pritje të një fronti të ftohtë. Kur ky mbërrin, zogu i vogël ia nis fluturimit. Edhe pse vendmbërritja e tij është Amerika e Jugut, fillimisht ai drejtohet nga Afrika. Më tej, kur gjendet mbi Atlantik, në rreth 6.000 metra lartësi, takon një rrymë ajri mbizotëruese që e çon deri në Amerikën e Jugut.
7 Si e di ky bilbil i vogël se duhet të presë frontin e ftohtë dhe se ky nënkupton një mot të mirë dhe ajër që e shtyn nga prapa? Kush i thotë që të ngjitet gjithnjë e më lart, ku ajri është i ftohtë dhe i rrallë dhe ku përqindja e oksigjenit ka zbritur 50 për qind? Nga e di ai që vetëm në atë lartësi do të takohet me një rrymë ajri të kundërt, e cila do ta çojë në Amerikën e Jugut? Kush i thotë se duhet të kthehet drejt Afrikës për të shfrytëzuar korrentin jugperëndimor të kësaj rryme? Zogu nuk është i ndërgjegjshëm për asgjë nga këto. Në këtë fluturim prej rreth 3.800 kilometrash mbi det, pa asnjë pikë orientimi, në një udhëtim që zgjat tri apo katër ditë e netë, ai udhëhiqet vetëm nga instinkti.
8. Cilat veprimtari të tjera shtegtimi mund të përmendim?
8 Lejlekët e bardhë e kalojnë verën në Evropë, por përballojnë një udhëtim prej rreth 13.000 kilometrash për të dimëruar në Afrikën e Jugut. Lejleku i artë e lë tundrën arktike për të shkuar në pampën argjentinase. Disa zogj uji shtegtojnë 1.600 kilometra përtej pampave, deri në skaj të Amerikës së Jugut. Disa zogj këmbëlesh fluturojnë nga Alaska në Tahiti dhe në ishuj të tjerë, duke përshkuar më se 9.500 kilometra mbi oqean. Në një udhëtim shumë më të shkurtër, por po aq të jashtëzakonshëm në krahasim me përmasat e tij, kolibri gushëkuq, që peshon më pak se tre gramë, përshkon Gjirin e Meksikës në një shtegtim prej rreth 950 kilometrash, duke i rrahur krahët e vegjël me një shpejtësi prej 75 herësh në sekondë, për 25 orë rresht: më shumë se gjashtë milionë herë pa ndërprerje!
9. (a) Nga duket se aftësitë shtegtare nuk fitohen, por duhet të jenë të programuara para lindjes? (b) Cilat eksperimente me zogun e Manksit dhe pëllumbat shtëpiakë tregojnë zotësinë e këtyre lundërtarëve?
9 Në shumë raste, ata që shtegtojnë janë zogjtë e rinj, pa ndihmën e të rriturve. Qyqet e reja bishtgjata të Zelandës së Re, pas një udhëtimi prej gati 6.500 kilometrash, mbërrijnë ishujt e Paqësorit, ku bashkohen përsëri me prindërit që ishin nisur përpara tyre. Zogu i ujit i Manksit shtegton nga Uellsi në Brazil, duke lënë prapa të vegjlit, të cilët do t’i ndjekin sapo të jenë në gjendje për të fluturuar. Një nga këta zogj e ka kryer udhëtimin për 16 ditë, me një mesatare prej 736 kilometrash në ditë. Një zog uji i Manksit u çua nga Uellsi në Boston, shumë larg nga rruga e tij normale e shtegtimit. E megjithatë u kthye në shtëpi, në Uells, më se 5.000 kilometra larg, për 12 ditë e gjysmë. Pëllumbat shtëpiakë, që u çuan 1.000 kilometra larg në drejtime të ndryshme, u kthyen në shtëpitë e tyre brenda një dite.
10. Cili eksperiment ka nxjerrë në pah aftësinë orientuese të pinguinëve të Adelisë?
10 Një shembull i fundit ka të bëjë me zogj që nuk fluturojnë, por që ecin dhe notojnë: pinguinët e Adelisë. Kur u çuan më se 1.900 kilometra larg kolonive të tyre dhe u lanë të lirë, ata u orientuan menjëherë, duke u drejtuar në një vijë të drejtë jo drejt kolonisë së parë, por drejt detit të hapur dhe ushqimit. Pastaj, u kthyen nëpër det në koloninë e tyre. Ata e kalojnë dimrin, që është pothuajse krejtësisht i errët, në det. Si ia bëjnë pinguinët për të mos humbur orientimin gjatë errësirës së dimrit? Askush nuk e di.
11. Çfarë duhet të kenë zogjtë për të kryer veprime të tilla të jashtëzakonshme lundrimi?
11 Si arrijnë zogjtë t’i kryejnë këto veprimtari lundrimi? Eksperimentet e kryera tregojnë se ata shfrytëzojnë diellin dhe yjet. Me sa duket janë të pajisur me orë të brendshme që kompensojnë lëvizjet e këtyre trupave qiellorë. Por, si ia bëjnë kur qielli është i zënë? Të paktën disa zogj janë të pajisur me busulla magnetike të trupëzuara, që i përdorin në raste të tilla. Por vetëm busulla nuk mjafton. Duhet të kenë në kokë një «hartë gjeografike», në të cilën tregohet pikënisja dhe vendmbërritja. Harta duhet të përmbajë, gjithashtu, edhe rrugën, e cila rrallëherë është në vijë të drejtë. Megjithatë, e gjithë kjo do të ishte e kotë, sikur ata të mos dinin të lokalizonin në hartë pikën në të cilën ndodhen! Zogu i ujit i Manksit, që u lirua në Boston, duhej të dinte se ku ndodhej për të përcaktuar se në ç’drejtim ishte Uellsi. Pëllumbat shtëpiakë, që të mund të gjejnë rrugën e shtëpisë, më parë duhet të dinë se ku ndodhen.
12. (a) Çfarë tha Jeremia mbi shtegtimin, kur e tha dhe përse ka rëndësi kjo? (b) Përse nuk mund t’i zbulojmë kurrë të gjitha hollësitë në lidhje me shtegtimin?
12 Në Mesjetë, shumë veta dyshonin se zogjtë mund të kryenin shtegtime kaq të përhapura, kurse Bibla fliste për to qysh në shekullin VI p.e.s.: «Madje edhe lejleku i qiellit i njeh stinët e tij, turtulli, dallëndyshja dhe krilat shikojnë me kujdes kohën e kthimit të tyre.» Deri më sot shumë gjëra janë kuptuar, por shumë të tjera kanë mbetur mister. Duam apo s’duam, këto fjalë të Biblës kanë dalë të vërteta: «[Perëndia] ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre [njerëzve], pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.»—Jeremia 8:7; Predikuesi 3:11, Dio.
Lundërtarë të tjerë
13. Përveç zogjve, cilat janë disa kafshë të tjera që shtegtojnë?
13 Në dimër, kaributë (drerë polarë) e Alaskës shtegtojnë në jug, duke kaluar gati 1.300 kilometra. Shumë balena, duke u nisur nga Oqeani Arktik, përshkojnë rreth 10.000 kilometra vajtje-ardhje. Disa foka shkojnë prej ishujve Pribilof në Kaliforninë e jugut, që ndodhet 4.800 kilometra larg. Breshkat jeshile të ujit shkojnë e vijnë nga brigjet e Brazilit në ishullin e vogël të Asensionit, rreth 2.250 kilometra larg në Atlantik. Disa gaforre shtegtojnë gati 250 kilometra mbi fundin e detit. Salmoni e lë rrjedhën e ujit ku ka lindur dhe kalon disa vjet në det të hapur e më pas kalon përsëri ato qindra kilometra që e ndajnë nga vendi i lindjes dhe kthehet në po atë rrjedhë uji. Disa ngjala të reja të lindura në Atlantik, në detin Sargaso, e kalojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre në ujërat e ëmbla të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara, por rikthehen për t’u shumuar në detin Sargaso.
14. Ç’gjë të jashtëzakonshme ka në shtegtimin e disa fluturave të gjinisë Danaus dhe çfarë mbetet një mister?
14 Disa flutura të gjinisë Danaus e lënë Kanadanë në vjeshtë e shumë prej tyre shkojnë për të dimëruar në Kaliforni ose në Meksikë. Disa shtegtime i kalojnë të 3.000 kilometrat; një flutur përshkon 128 kilometra në një ditë. Por nuk janë të njëjtat flutura! Në udhëtimin e kthimit, në pranverë, ato i depozitojnë vezët mbi bimët qumështore. Fluturat që lindin e vazhdojnë udhëtimin drejt veriut dhe vjeshtën vijuese kryejnë po atë udhëtim prej 3.000 kilometrash që bënë edhe prindërit e tyre dhe mbulojnë të njëjtat pemë. Libri Historia e pllenimit (The Story of Pollination) vëren: «Fluturat që nisen në vjeshtë për në jug janë individë të rinj që nuk i kanë parë kurrë vendet ku do të bëjnë gjumin dimëror. Ajo çka u lejon atyre për t’i gjetur këto vende mbetet ende një nga misteret më të mëdha të Natyrës.»6
15. Cila është fjala e vetme që u përgjigjet pyetjeve të ndryshme mbi mençurinë e kafshëve?
15 Mençuria instinktive nuk kufizohet vetëm me shtegtimin. Një shqyrtim i shpejtë e provon këtë.
Ç’gjë u lejon miliona termiteve të verbra të sinkronizojnë punën, për të ndërtuar banesat e tyre të ndërlikuara e t’i pajisin me ajër të kondicionuar? Instinkt.
Si e di flutura e vogël e natës se cilët janë hapat e ndryshëm që duhen bërë, për të pllenuar lulen e jukës, veprim që lejon riprodhimin e bimës dhe të vetë fluturës? Instinkt.
Nga e di merimanga që jeton nën ujë, në një «këmbanë zhytjeje», se kur oksigjeni ka mbaruar, duhet të bëjë një vrimë në këmbanën e nënujshme, të nxjerrë ujin e ndenjur, të mbyllë vrimën dhe të sjellë poshtë ajër të freskët? Instinkt.
Si e di brumbulli që krasit mimozat se duhet t’i vendosë vezët e tij poshtë lëvores së një dege, pastaj të kthehet mbrapa rreth tridhjetë centimetra drejt trungut e të zhveshë lëkurën e degës rreth e qark, në mënyrë që dega të vdesë, pasi vezët e tij nuk do të mund të ngroheshin mbi një degë të njomë? Instinkt.
Nga e di kanguri i sapolindur, i madh sa një fasule, i verbër dhe i pazhvilluar, se për të mbijetuar duhet të kacavirret vetëm me forcat e tij nëpër qimet e barkut të nënës, të futet në xhepin e saj dhe të kapet pas njërës nga thimthat e saj? Instinkt.
Si ka mundësi që me anë të një valleje, bleta u komunikon shoqeve të saj se ku ndodhet nektari, në ç’sasi, në ç’largësi, në ç’drejtim dhe mbi cilën lule? Instinkt.
16. Çfarë nënkupton e gjithë mençuria që vihet re në sjelljen e kafshëve?
16 Me pyetje të tilla do të mund të mbushej një libër, por përgjigjja do të ishte po ajo: këto krijesa «janë instinktivisht të mençura». (Proverbat 30:24) «Si është e mundur,—pyet një studiues,—që një njohuri e tillë instinktive kaq e ndërlikuar të jetë zhvilluar dhe t’u jetë transmetuar brezave pasardhës?»7 Njeriu nuk di ta shpjegojë. Merita për këtë nuk mund t’i jepet as evolucionit. Por kjo inteligjencë nënkupton një burim të zgjuar. Kjo mençuri nënkupton një mendje të mençur, një Krijues të zgjuar dhe të ditur.
17. Cilin arsyetim të shumë evolucionistëve është mirë ta shmangim?
17 Megjithatë, shumë nga ata që besojnë në evolucion automatikisht i hedhin poshtë këto prova në favor të krijimit, si të papranueshme nga pikëpamja shkencore. Por, mos lejo që ky mentalitet i mbyllur të të pengojë në vlerësimin e fakteve. Në kapitullin që vijon do të shqyrtojmë informata të tjera.
[Diçitura në faqen 160]
Darvin: «Nuk pretendoj se dua të gjej origjinën e aftësive mendore»
[Diçitura në faqen 160]
Për pyetjen se si është zhvilluar instinkti dhe si është trashëguar «nuk gjejmë ndonjë përgjigje»
[Diçitura në faqen 167]
«Janë instinktivisht të mençura»
[Kutia dhe figurat në faqet 164, 165]
Ndërtimi i foleve dhe instinkti
«Nuk ekziston as treguesi më i vogël,—pohon shkencëtari G. R. Teilor në lidhje me mekanizmin gjenetik,—që ai mund të transmetojë ndonjë program specifik sjelljeje, si seritë e veprimeve të nevojshme për të ndërtuar një fole.»a Megjithatë, mençuria instinktive që nevojitet për të ndërtuar një fole trashëgohet, nuk mësohet. Le të shohim disa shembuj.
Zogu me bri i Afrikës dhe i Azisë. Femra e këtij zogu e muros me baltë zgavrën e një peme, derisa të mund të futet aty me vështirësi. Mashkulli sjell akoma baltë, me të cilën femra e mbyll vrimën, duke lënë vetëm një të çarë të vogël, nëpër të cilën mashkulli ushqen atë dhe të vegjlit, kur të lindin. Në kohën që mashkulli nuk arrin të gjejë më ushqim të bollshëm, femra e prish murin dhe lirohet. Kësaj radhe të çarën e riparojnë të vegjlit, të cilëve u sjellin ushqim të dy prindërit. Disa javë më vonë të vegjlit e prishin murin dhe e lënë folenë. Ndër kllapa, a nuk është tregues i një projekti inteligjent fakti që, ndërsa ndodhet e mbyllur në fole dhe nuk mund të fluturojë, femra i ndërron pendët, duke u pajisur me një gardërobë të re?
Dejkat. Një lloj i ndërton foletë me pështymë. Para se të fillojë sezoni i shtimit, gjëndrat e tyre të pështymës fryhen dhe sekretojnë një substancë viskoze. Kur vjen koha, mençuria instinktive u thotë se ç’duhet të bëjnë me të. Ato e shtrijnë mbi një sipërfaqe shkëmbore dhe shtojnë edhe shtresa të tjera ndërsa ajo forcohet, duke ndërtuar kështu një fole në formë kupe. Një tjetër lloj dejkash ndërtojnë fole jo më të mëdha se një lugë e vogël, i ngjisin në gjethet e palmave e pastaj ngjisin vezët në fole.
Pinguinët perandorë janë të pajisur me një fole «të trupëzuar». Gjatë dimrit arktik femra bën një vezë dhe shkon për të peshkuar për dy ose tre muaj. Mashkulli e vendos vezën mbi këmbët e tij, që janë plot me enë gjaku dhe e mbulon me një qeskë lëkure që varet nga barku i tij. Megjithatë, nëna nuk e harron shokun e saj dhe të voglin. Pak pas çeljes së vezës, ajo kthehet me stomakun plot me ushqim dhe e vjell jashtë për ta. Në këtë kohë, mashkulli shkon për të peshkuar dhe mbledh forcat, ndërsa nëna kujdeset për të voglin në folenë e saj «të trupëzuar».
Zogjtë endës të Afrikës e ndërtojnë folenë duke ndërthurur fije bari dhe bimësh të tjera. Instinktivisht, ata bëjnë lloje të ndryshme endjesh dhe nyjesh. Një nga këta endës, harabeli republikan, ndërton njëfarë pallati me apartamente, duke fabrikuar mbi disa degë të forta një çati kashte me diametër prej 4 metrash e gjysmë, nën të cilën çifte të ndryshme varin foletë e tyre. Shtohen edhe fole të tjera, kështu që përfundimisht nën të njëjtën çati mund të gjenden më se njëqind të tilla.
Zogu rrobaqepës i Azisë jugore prodhon një fije me pambuk ose fibra vegjetale dhe me fijet e merimangës, duke lidhur bashkë pjesë të vogla, për t’i bërë më të gjata. Me sqep, ai bën disa vrima në anët e një gjetheje të madhe. Pastaj, me ndihmën e sqepit të tij si gjilpërë, qep me fijen të dyja anët e gjethes, ashtu siç vihet lidhësja në këpucë. Kur fija mbaron, ai ose e bën nyje për ta ndaluar, ose i shton një fije tjetër dhe vazhdon qepjen. Në këtë mënyrë, zogu rrobaqepës e kthen gjethen në një trastë ku bën folenë.
Bishtatundësi bën një fole lëkundëse, që duket si plis, pasi ai përdor material bimor si push dhe fije bari. Struktura bazë e folesë formohet duke thurur fije bari të gjata. Zogu e kalon fundin e fijes së barit nëpër vrimat e thurjes, me anë të sqepit të tij. Pastaj, merr fijet më të shkurtra prej pushi dhe i fut midis thurjes. Teknika i ngjan disi asaj të endësve orientalë të qilimave. Fortësia e këtyre foleve është e tillë sa disa i përdorin si çanta ose shapka për fëmijët.
Rosa me bri zakonisht e bën folenë mbi ishuj të vegjël. Megjithatë, në vendet ku jetojnë, këta ishuj janë të rrallë. Në këto raste, rosat me bri i ndërtojnë vetë këta ishuj! Zgjedhin në ujë vendin e përshtatshëm dhe fillojnë të çojnë atje me sqep disa gurë. I grumbullojnë në ujë, në një thellësi 60-90 cm, derisa bëjnë një ishull të vogël, baza e të cilit mund të ketë një diametër prej katër metrash, ndërsa grumbulli i gurëve mund të arrijë një peshë prej më se 1 ton. Mbi këtë ishull gurësh këta zogj sjellin pastaj barishte dhe ndërtojnë folenë e tyre të madhe.
[Figurat në faqen 161]
Çafka arktike përshkon çdo vit 35.000 kilometra në shtegtimin e saj
Nga i di ky bilbil kokëzi, me tru të vogël sa një bizele gjithë këto gjëra mbi klimën dhe lundrimin?
[Figurat në faqen 162]
Kur shtegton, ky kolibër i rreh krahët me një shpejtësi prej 75 herësh në sekondë, për 25 orë rresht
Të lindur me një «hartë gjeografike» në kokë, zogjtë shtegtarë e dinë ku ndodhen dhe ku po shkojnë
[Figura në faqen 163]
Pinguinët mund të qëndrojnë në det për muaj të tërë në gjendje errësire gati të plotë e pastaj të gjejnë pa gabuar rrugën e kthimit
[Figurat në faqen 166]
Pas një udhëtimi prej 3.000 kilometrash drejt jugut, disa flutura të gjinisë Danaus mbërrijnë në vendet e tyre të dimërimit