BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 8/98 f. 22-24
  • Enigma e Uiliam Shekspirit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Enigma e Uiliam Shekspirit
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Problemet themelore
  • Një njeri i letrave?
  • Librat dhe dorëshkrimet
  • Drejt Londrës dhe drejt famës
  • Kandidatët
  • Rikthimi i Globit të Londrës
    Zgjohuni!—1998
  • Nga lexuesit tanë
    Zgjohuni!—1999
  • Premtimeve të kujt mund t’u besoni?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • Të besosh a të mos besosh
    Zgjohuni!—2007
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 8/98 f. 22-24

Enigma e Uiliam Shekspirit

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRITANI

UILIAM SHEKSPIRI është quajtur në përgjithësi dramaturgu më i shquar në histori. The New Encyclopædia Britannica thotë se ai «konsiderohet nga shumë veta si dramaturgu më i madh i të gjitha kohërave. Pjesët e tij teatrale . . . sot vihen në skenë më shpesh dhe në më tepër vende se dramat e çdo dramaturgu tjetër». Ato janë përkthyer në më shumë se 70 gjuhë.

Për sa i përket autorësisë për sasinë e madhe të veprave që i atribuohen atij, The World Book Encyclopedia thotë: «Asnjë studiues i rëndësishëm shekspirian nuk dyshon se ka qenë Shekspiri ai që ka shkruar pjesët teatrale dhe poemat.» Megjithatë, të tjerë e vënë në dyshim këtë. Pse?

Shekspiri lindi në Stratford-mbi-Avon në vitin 1564 dhe vdiq po atje 52 vjet më vonë, në vitin 1616. Mbi jetën e tij janë botuar vëllime të panumërta, shumë prej këtyre pas vitesh me kërkime këmbëngulëse, në përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes së vetme themelore e munduese: A i ka shkruar Uiliam Shekspiri veprat letrare që mbajnë emrin e tij?

Problemet themelore

Pjesët teatrale të Shekspirit shfaqin një bollëk përvojash të gjithanshme. Për shembull, ai e zotëronte mirë ligjin dhe përdori në mënyrë mbresëlënëse gjuhën dhe precedentet ligjore. Në vitin 1860, në një libër (Medical Knowledge of Shakespeare), sër Xhon Baknill tha se njohuria që kishte Shekspiri mbi mjekësinë ishte e thellë. E njëjta gjë mund të thuhet për njohurinë e tij mbi gjuetinë, stërvitjen e fajkojve dhe sportet e tjera, si edhe etiketën e oborrit mbretëror. Siç thotë historiani mbi jetën e Shekspirit Xhon Miçëll, ai ishte «shkrimtari që dinte gjithçka».

Mbytjet e anijeve shfaqen pesë herë në pjesët teatrale të Shekspirit dhe mënyra me të cilën përdoren termat e lundrimit lë të kuptohet se shkrimtari ishte një marinar me përvojë. A kishte udhëtuar Shekspiri jashtë vendit? Mos kishte bërë shërbimin e detyruar ushtarak në marinë? Ndoshta kishte marrë pjesë në mundjen e flotës ushtarake spanjolle në vitin 1588? Secila prej këtyre çështjeve do t’i shtonte besim autorësisë së Shekspirit, por deri tani nuk është dhënë asnjë dëshmi që të mbështetë këto hipoteza. Të njëjtat pyetje ngrihen në lidhje me mjeshtërinë e tij në çështjet ushtarake dhe në gjuhën e ushtarëve këmbësorë.

Në veprat e tij shquhen citimet biblike. Ai mund t’i kishte mësuar ato nga mamaja e tij, por nuk ka asnjë provë se ajo dinte shkrim e lexim. Njohuria që kishte ai për Biblën bën të lindë pyetja mbi arsimimin e Shekspirit.

Një njeri i letrave?

Babai i Uiliamit, Xhoni, bënte doreza, shiste lesh dhe ka mundësi të ketë qenë kasap. Ai ishte një qytetar i respektuar, edhe pse qe analfabet. Për gjimnazin klaskik të Stratfordit nuk ekzistojnë lista nxënësish, por shumica e autoriteteve sot mendojnë se Uiliami i ri e ka ndjekur atë shkollë. Vite më vonë, miku i Uiliamit, dramaturgu Ben Xhonson, tha se Uiliami kishte «një latinishte të kufizuar e një greqishte akoma më të kufizuar», gjë që mund të nënkuptojë se arsimimi i Uiliamit ishte elementar.

E megjithatë, shkrimtari i pjesëve teatrale zotëronte mirë klasikët grekë e romakë bashkë me literaturën e ndoshta edhe gjuhën e Francës, Italisë e Spanjës. Ai kishte edhe një fjalor të gjerë. Sot, një qytetar me arsim të lartë rrallë mund të përdorë më shumë se 4.000 fjalë në bisedë. Xhon Milton, një poet anglez i shekullit të 17-të, përdori pak a shumë 8.000 fjalë në veprat e tij. Por një autoritet i atribuon Shekspirit një fjalor me jo më pak se 21.000 fjalë!

Librat dhe dorëshkrimet

Të gjitha pronat e Shekspirit u radhitën me kujdes në testamentin e tij prej tri faqesh, por në të nuk përmendet as edhe një libër ose dorëshkrim. Mos ndoshta Shekspiri ia ka lënë ato Suzanës, vajzës së tij më të madhe? Nëse po, ato patjetër që do të ishin shpërndarë mes pasardhësve të saj. I shtyrë nga kureshtja mbi këtë mister, një klerik në shekullin e 18-të kërkoi në të gjitha bibliotekat private brenda një rrezeje prej 80 kilometrash përqark qytetit Stratford-mbi-Avon pa zbuluar as edhe një vëllim të vetëm që t’i përkiste Shekspirit.

Dorëshkrimet e pjesëve teatrale përbëjnë një problem edhe më të madh, pasi nuk dihet të ketë mbijetuar asnjë origjinal i tyre. Tridhjetë e gjashtë pjesë teatrale u botuan në vitin 1623, shtatë vjet pas vdekjes së Shekspirit në botimin «Format i Parë». Gjatë jetës së Shekspirit u shfaqën disa botime të bëra pa autorizimin e tij, por ai edhe pse ishte një tregtar i shkathët, nuk ndërmori asnjë veprim ligjor për ta parandaluar botimin e tyre.

Drejt Londrës dhe drejt famës

Një karakteristikë e rregullt e kohëve Elizabetiane ishin trupat shëtitëse me aktorë dhe disa prej tyre vizituan qytetin Stratford-mbi-Avon në vitin 1587. Nëse Shekspiri u bashkua me to, nga vjeshta e atij viti ai duhet të ketë mbërritur në Londër. Ne dimë se ai u bë një anëtar i shoqërisë kryesore teatrale të Londrës, të quajtur «Burrat» e Lordit Shambellan, e më vonë të njohur si «Burrat» e Mbretit. Që nga koha kur mbërriti në kryeqytet, shanset e tij ndryshuan. Me kalimin e viteve, ai mori prona në Londër dhe në Stratford-mbi-Avon. Por nuk ekziston një raport i qartë mbi veprimet e tij nga viti 1583 deri në vitin 1592, «vitet e humbura» thelbësore.

Në vitin 1599 në Sauthuark u ndërtua teatri Glob. Para asaj kohe, në Londër njiheshin pjesët teatrale që mbajnë emrin e Shekspirit, por ai nuk u shqua kurrë si autori i tyre. Kur vdiq atij nuk iu bë një funeral madhështor, edhe pse dramaturgëve të tjerë si Ben Xhonson dhe Frensis Bjumont u ishte bërë një funeral i tillë. Në fakt, ata u varrosën me shumë ceremoni në Abacinë e Uestminsterit në Londër.

Kandidatët

Mos vallë emri Shekspir u përdor për të fshehur emrin e autorit ose të autorëve të vërtetë? Njerëzit kanë sugjeruar mbi 60 mundësi. Këto përfshijnë dramaturgun Kristofer Marloa dhe emra të tjerë të paparashikuar si Kardinali Uollsej, Sër Uollter Rallej e madje edhe Mbretëresha Elizabeta I. Për cilin mendojnë teoricienët se meriton konsideratën më të madhe?

Kandidati i parë është Frensis Beikën, i arsimuar në Universitetin e Kembrixhit. Tri vjet më i madh se Shekspiri, ai u bë një avokat i shquar, zyrtar i oborrit mbretëror dhe ishte përgjegjës për shumë vepra letrare. Teoria që ia atribuon Beikënit veprat e Shekspirit u paraqit fillimisht në vitin 1769, por u la në hije për afro 80 vjet. Në vitin 1885 u formua Shoqëria Beikën për të përkrahur këtë kauzë dhe në mbështetje të pohimit të tyre janë sjellë në dritë shumë fakte. Për shembull, Beikën jetonte rreth 32 kilometra në veri të Londrës, afër Shën Albansit, një qytet i përmendur 15 herë në veprat e Shekspirit, kurse qyteti i lindjes së Shekspirit, Stratford-mbi-Avon, nuk përmendet kurrë.

Edhe Roxher Maners, Konti i pestë i Rutlendit dhe Uiliam Stenli, Konti i gjashtë i Derbit, kanë përkrahësit e tyre respektivë. Ata kishin një arsimim të mirë dhe shumë përvojë në jetën e oborrit. Por përse që të dy këta do ta kishin fshehur punën e tyre? Profesori P. S. Porohovshikov, duke argumentuar mbi pohimin e Rutlendit, tha: «Krijimet e tij të para u botuan si anonime, ndërsa të tjerat nën pseudonim, thjesht sepse nuk ishte e drejtë që një fisnik të shkruante për teatrot e thjeshta.»

Disa sugjerojnë se pjesët teatrale të Shekspirit ishin prodhim i një bashkëpunimi mes shkrimtarësh, ku secili kishte shtuar talentin e vet. Nga ana tjetër, si një aktor i shkathët, a kishte botuar e përgatitur për në skenë Shekspiri pjesët teatrale të të tjerëve? Për të thuhej se ‘nuk e fshinte kurrë një rresht’ në dorëshkrimet e tij. Kjo mund të jetë e vërtetë, po qe se ai botonte, me rregullime të vogla, skenarët e dramaturgëve të tjerë që i paraqiteshin atij.

Cila është arsyeja më kryesore për të cilën disa dyshojnë se Shekspiri ishte vërtet autori? The World Book Encyclopedia vëren se njerëzit «refuzonin të besonin që një aktor nga Stratford-mbi-Avon mund t’i kishte shkruar ato. Prejardhja e thjeshtë dhe fshatare e Shekspirit nuk përshtatej me imazhin e tyre për gjeniun që shkroi pjesët teatrale». Kjo enciklopedi shton se gati të gjithë të tjerët që janë propozuar si autorë të mundshëm «ishin pjesëtarë të parisë ose të klasës së lartë». Kështu, shumë nga ata që dyshojnë se Shekspiri ishte vërtet autori, besojnë se «vetëm një njeri i arsimuar, i rafinuar, me një pozitë të lartë shoqërore mund t’i kishte shkruar pjesët teatrale». Por, siç është vërejtur më parë në këtë artikull, shumë autoritete shekspiriane besojnë se veprat i shkroi Shekspiri.

A do të zgjidhet ky debat në ndonjë kohë të afërt? Me sa duket, jo. Derisa të vijnë në dritë dëshmi të freskëta në formën e dorëshkrimeve origjinale ose të fakteve për të mbushur vitet munguese, Uiliam Shekspiri, «ky gjeni suprem i fjalës» do të mbetet një enigmë magjepsëse.

[Shënimi]

a Ndikimi i Kristofer Marlosë është i dukshëm në pjesët e para teatrale shekspiriane, por ai vdiq në Londër në vitin 1593, në moshën 29-vjeçare. Disa kanë hedhur hipotezën se raporti mbi vdekjen e tij në një zënkë taverne ishte një maskim dhe se ai kishte shkuar në Itali, ku vazhdoi të shkruante. Nuk ekziston asnjë regjistrim për vdekjen ose për varrimin e tij.

[Kutia në faqen 24]

Arsimimi dhe emri

Uiliam Shekspiri ka mundësi ta ketë vënë firmën e tij gjashtë herë në katër dokumente që kanë mbetur akoma. Emri i tij lexohet pjesërisht dhe drejtshkrimi është i papajtueshëm. Disa autoritete mendojnë se avokatët mund ta kenë firmosur testamentin e Shekspirit për të, gjë që për disa veta ngre pyetjen delikate: A dinte shkrim e lexim Shekspiri? Nuk ekziston asnjë gjë e shkruar prej tij, asnjë dorëshkrim. Vajza e tij e madhe Suzana mund ta shkruante emrin e vet, por nuk ka ndonjë dëshmi se mund të shkruante më tepër se kaq. Vajza tjetër e Shekspirit, Xhudita, e cila ishte më afër të atit, nënshkruante me një shenjë. Ajo ishte analfabete. Asnjëri nuk e di pse Shekspiri nuk mori masa që fëmijët e tij të gëzonin dobitë e paçmueshme të literaturës.

[Figurat në faqen 23]

Portrete të hershme të Shekspirit, edhe pse nuk dihet me siguri se çfarë pamjeje kishte

[Burimi]

Encyclopædia Britannica/Botimi i 11-të (1911)

Culver Pictures

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo