Nga lexuesit tanë
Shekull mizorish Sot mora me postë numrin e 8 gushtit 1998 të Zgjohuni! (shqip, gusht 1998). Sapo pashë kopertinën, s’mund të bëja ndryshe veçse të ulesha e të lexoja «Një shekull mizorish: A është koha për të harruar?». Trishtohem vërtet kur shikoj çfarë ligësish mund të shkaktojnë njerëzit. Sa me padurim e pres kohën kur i gjithë njerëzimi do të jetojë në paqe të vërtetë!
T. D., Shtetet e Bashkuara
Ky numër iu përgjigj disa pyetjeve që i kam pasur prej kohësh. Mendoj se Perëndia po përdor botimet tuaja për të ndihmuar njerëz si unë.
T. K., Shtetet e Bashkuara
Muzika latine Ju falënderoj shumë për artikullin «Tërheqja globale e muzikës latine». (gusht 1998) Mua më pëlqen të vallëzoj dhe e dua muzikën. Faleminderit që vutë në dukje disa prej rreziqeve të mundshme, të tilla si muzika e quajtur narco corrido. Ky është një informacion që s’do ta kisha gjetur asgjëkundi tjetër. E kam çmuar shumë.
J. B., Shtetet e Bashkuara
Misteri i Shekspirit «I mrekullueshëm» është e vetmja fjalë që mund të gjej për të përshkruar artikullin «Enigma e Uiliam Shekspirit». (gusht 1998) Unë u mësoj gjuhën dhe letërsinë portugeze nxënësve të shkollës tetëvjeçare dhe të shkollës së mesme dhe përdor shpesh në orën e mësimit artikujt tuaj.
J. S. G., Brazil
Dua t’ju përgëzoj për artikullin mbi autorësinë e pjesëve teatrale të Uiliam Shekspirit. Ai shpjegon se përse kaq shumë njerëzve u duket jobindëse teoria tradicionale që Shekspiri ishte autori i këtyre pjesëve teatrale.
F. K., Angli
Art mbresëlënës Disa vite më parë kam studiuar disenjaturë dhe mendoj se numri i 8 gushtit 1998 i Zgjohuni! (shqip, gusht 1998) ishte i shkëlqyer. E jashtëzakonshme ishte bordura e telave me gjemba që transformohej në bordurë trëndafilash, si edhe figurat me ngjyra të «Xhevahirë të qiellit afrikan» dhe fotografitë mahnitëse në faqen e parafundit.
S.K.K., Angli
Reklamat Vajza ime nuk është një Dëshmitare e Jehovait. Meqë punon në fushën e reklamave, unë i postova numrin e 22 gushtit 1998 (shqip, shtator 1998) që përmban serinë e artikujve «Reklamat: Si ndikoheni prej tyre?». Ajo e lavdëroi shumë atë dhe tha se shkrimtarët tuaj kishin kapur thelbin e artit të bindjes.
R. S., Shtetet e Bashkuara
Të shijuarit Qysh nga fëmijëria vajza ime 13-vjeçare ka refuzuar të provojë ushqime të reja. Kështu që jam shumë mirënjohëse për artikullin «Të shijuarit: Dhuratë e një Krijuesi të dashur». (shtator 1998) Çmova veçanërisht këshillat tuaja për të ndihmuar fëmijët që të fitojnë shijen për ushqimet e reja. Fillova t’i kërkoja vajzës sime që të më ndihmonte të përgatitja disa ushqime që nuk i kishin pëlqyer më parë. Këshilla juaj bëri punë! Tani ajo po ha ushqime me vlera, që më parë nuk i pëlqente.
B. M., Poloni
Të fajësojmë Satanain? Jam 17 vjeç dhe kohët e fundit lexova revistën Zgjohuni! për herë të parë Tani jam shumë i dhënë pas saj. Ajo kishte informacione me vlerë, si për shembull «Pikëpamja e Biblës: A duhet të fajësojmë Satanain për gabimet tona?». (8 shtator 1998, anglisht) Para se të lexoja këtë artikull, unë mendoja se kur gaboja mund t’ia vija fajin Satanait. Gjithsesi, revista juaj është e cilësisë më të lartë dhe ia rekomandoj kujtdo. Ju lutem më përfshini në listën e abonentëve tuaj!
M. M., Shtetet e Bashkuara